Thomas DiBenedetto ka thënë Francesco Totti është një prej më të mirëve të të gjitha kohërave te klubi i kryeqytetit italian.
Biznesmeni amerikan u bë aksionari më i madh në klub gjatë të enjtes, pasi arriti marrëveshje për të marrë aksionet e UniCredit.

“Totti është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe mendoj se ai është një prej më të mirëve. Ndoshta ai është më i mirë në 50 vitet e fundit. Ai është pjesë e historisë së Romës dhe ne kemi nevojë për të në fushë”, ka thënë Di Benedetto për Il Corriere dello Sport.

Roma të enjten takohet me Slovan Bratislava në kuadër të ndeshjes së kthimit të play-offit të Europa League, pasi ata u mposhtën me rezultat 1-0 javën e kaluar. Giallorossët më pas do të udhëtojnë te Bologna gjatë të dielës për ndeshjen e parë të sezonit në Serie A.
Sulmuesi i Napolit, Ezequiel Lavezzi, beson se Lionel Messi do të mbetet te Barcelona për pjesën e mbetur të karrierës së tij.
“Messi gjithmonë pyet për Napolin, por unë besoj se ai dëshiron ta mbyllë karrierën e tij aty ku e filloi, dhe kjo është te Barcelona”, ka thënë Lavezzi për Corriere dello Sport.

Duke folur në prag të miqësores së të hënës në kuadër të Gamper Trophy që zhvillohet në Camp Nou, argjentinasi po ashtu ka lavdëruar ekipin e Pep Guardiolës.
Mesfushori i Liverpoolit, Alberto Aquilani, ka thënë se ai është afër t’i bashkohet kampionit të Italisë, Milanit.
Mesfushori nuk ishte pjesë e Redsave në fitoren 2-0 ndaj Arsenalit gjatë të shtunës, pasi aktualisht është me pushime.

E ardhmja e tij vazhdon të mbetet në ajër, por javën e kaluar italiani tha se nuk e ka problem edhe nëse mbetet në Anfield. Megjithatë, ai tash thotë se një transferim në San Siro është i mundshëm.

“Jam afër t’i bashkohem Milanit”, citohet të ketë thënë Aquilani për La Gazzetta dello Sport.
Phil Neville ka nënshkruar vazhdimin e kontratës me Evertonin deri në vitin 2013.
Kapiteni kishte kontratë e cila skadonte në fund të sezonit të ri dhe duke vazhduar edhe për një vit ai ka shfaqur përkushtimin ndaj klubit.

“Ndjehem vërtet krenar dhe ky klub kurrë nuk më ka lënë poshtë. Klubi ka treguar besim në mua dhe për dy vitet e ardhshme do të jap gjithçka për këtë klub futbolli. Këtë kam bërë në gjashtë vitet e kaluara dhe këtë do të vazhdoj ta bëj”, ka thënë ai për faqen zyrtare të klubit.
Andrea Pirlo është i gatshëm të përballet me ish-bashkëlojtarët e tij në takimin e sotëm të Trofeo Berlusconi, kur do të përballen dy gjigantët italianë, Juventusi dhe Milani.
Pirlo rikthehet në San Siro për të parën herë që kur u largua nga kampionët e Italisë në qershor dhe derisa nuk ka frikë, emocionet pritet të jenë të larta.

“Ndjej një emocion, por herët ose vonë ishte e qartë se do të luaja kundër Milanit. Është mirë që kjo të ndodhë menjëherë”, ka thënë Pirlo për La Stampa.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka thënë se do të duhet kohë para se ekipi i tij të luftojë për tituj, por ka dhënë shenja se Biankonerët megjithatë janë ambicioz.
Conte, i cili zëvendësoi Luigi Del Nerin këtë verë në stolin e gjigantit nga Torino, ka synime të qarta dhe mirë të menduara për ekipin e tij në prag të fillimit të sezonit të ri.

“Juventusi është mësuar me fjalën Scudetto (në italishte do të thotë titull). Por ne e dimë se do të duhet kohë, ne duhet të jemi të durueshëm. Ne punojmë për të qenë konkurrues. Ka një dallim me Milanin dhe Interin, por ne nuk shqetësohemi”, ka thënë Conte për Il Corriere dello Sport.

Juve sot do të përballet me Milanin në kuadër të Trofeu Berlusconi.
Klubi francez Rennes, raportohet se ka refuzuar një ofertë të Arsenalit në vlerën e 20 milionë eurove për mesfushorin Yann M’Vila.
Sunday Mirror shkruan se Arsene Wenger tashmë ka harxhuar në transferimin e Alex Oxlade-Chamberlain nga Southampton, Carl Jenkinson nga Charlton, Gervinho nga Lille, dhe sulmuesit të Kosta Rikës, Joel Campbell. Por fansat kërkojnë emra më të qëndrueshëm.

Dhe Wenger tash është kthyer kah M’Vila, i cili është ende vetëm 21-vjeçar, por e ka dëshmuar veten si një mesfushor klasi te Rennes dhe tashmë ka luajtur 11 herë për Francën.

Por Canal+ raporton se klubi francez tashmë ka refuzuar një ofertë të londinezëve për lojtarin. M’Vila, i cili është lidhur edhe me Interin, Real Madridin dhe Milanin, së fundi ka nënshkruar vazhdimin kontratës me klubin deri në verën e vitit 2015.
Chelsea raportohet se është duke synuar një transferim të portierit të Juventusit, Marco Storari.
Tuttosport shkruan se Storari është duke u menduar nga Blutë pas lëndimit që pësoi Petr Cech.

Storari qëndroi në ballë të golit për pjesën më të madhe të sezonit të kaluar, gjatë të cilës kohë Gianluigi Buffon ishte jashtë fushe për shkak të operacionit në shpinë.

Tash thuhet se Chelsea ka dërguar vëzhgues për të përcjellë performacën e Storarit gjatë mini-turneut Trofeu TIM. Trofeu në fjalë i zhvilluar të enjten në Bari dhe ku luajtën tre rivalët, Juventus, Inter dhe Milan, u fitua nga Nerazzurët.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, është i ngazëllyer me formën e ekipit në prag të ndeshjes së sotme përballë Milanit në Trofeu Berlusconi.
“Ka edhe një javë para fillimit të sezonit dhe duket sikur vera 2011 ka ruajtur motin më të nxehtë për ditët e para të kampanjës zyrtare. Për aq kohë sa kam qenë të Juventusi, kjo fazë është shënuar nga një takim që është po thuajse aq tradicional sa edhe sezoni, edhe pse është vetëm një miqësore”.

“Flas për Trofeun Berlusconi, të cilin do ta luajmë në San Siro kundër Milanit. Ne kemi pasur një para-sezon të mirë, duke u stërvitur fuqishëm dhe duke ndërtuar një ekip të ri me premtime të shkëlqyeshme. Të dielën, 21 gusht, do të ketë edhe një test tjetër të rëndësishëm për ne, pastaj fillojmë...”, ka thënë Del Piero për ueb-faqen zyrtare të klubit.
Trajneri i Milanit, Masimilliano Allegri ka dhënë shenja se Antonio Cassano do të mbetet në ekip, duke thënë se ai pret një sezon të shkëlqyeshëm nga sulmuesi.
Cassano ka qenë cak i spekulimeve për një largim nga Milani së fundi, kjo për shkak të konkurrencës së madhe për vend në formacionin e parë dhe për shkak se ai është jashtë favoritëve. Por lëndimet e sulmuesve të tjerë kanë bërë që Allegri të mbajë shpresa te Cassano.

“Ibrahimovic do të mungojë në Trofeo Berlusconi për shkak të një lëndimi, andaj Antonio Cassano do të fillojë kundër Juventusit. Për momentin, ai është sulmuesi i vetëm në dispozicion, ai po punon mirë dhe përgatitet të ketë një sezon të shkëlqyeshëm. Ai e di se ka konkurrencë të ashpër te Milani dhe ai duhet gjithmonë të jetë i gatshëm ta dëshmojë veten”, ka thënë Allegri.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i pakënaqur me fillimin e lehtë të sezonit që ka Manchester City.
Derisa United duhet të përballet me të gjithë sfiduesit për titull në javët e para, rivalët e tyre kanë një renditje jo aq kërkuese të ndeshjeve.

“Për disa arsye, City ka dalë si ekipi i vetëm me ndeshje të lehta. Të gjitha top ekipet tjera kanë po thuajse ndeshje shumë të vështira kundër njëri-tjetrit. Nëse kalojmë këtë periudhë në pozitë të mirë, ne mund të vazhdojmë edhe më tej të jemi pozitiv”, ka thënë Ferguson.
Transferimi i mesfushorit të Arsenalit, Samir Nasri, te Manchester City, është bllokuar, shkruajnë mediat angleze.
Sunday Mirror shkruan se Arsenali ka pranuar ofertën prej 25 milionë funte për francezin, dhe Nasri ka pranuar pagën prej 180 mijë funte në javë, por klubi nga Eastlands ka refuzuar të paguajë edhe 3 milionë funte për përfaqësuesit e lojtarit.

Megjithatë, klubet ende besojnë se një marrëveshje mund të arrihet nëse agjentët e Nasri ulin kërkesat e tyre.

Nasri luajti në disfatën e djeshme 2-0 ndaj Liverpoolit, dhe u pranua relativisht mirë nga fansat e Arsenalit, me përjashtim të disa fishkëllimave kur emri i tij u përmend.
Brazili është shpallur kampion i ri botëror nën moshën 20-vjeçare falë fitores 3-2 në kohën shtesë ndaj Portugalisë.
Amerikanojugorët kaluan në epërsi falë një autogoli të Sergio Oliveira, që prishi rekordin e Portugalisë prej 615 minutash pa pranuar gola. Por golat nga Alex dhe Nelson Oliveira duket sikur i dhanë titullin evropianëve, derisa Oscar arriti të barazojë për Brazilin me një minutë të mbetur.

I njëjti lojtar, Oscar, ishte i vetmi që shënoi në kohën shtesë duke i dhënë Brazilit fitoren dhe kurorën e kampionit të botës U20.
Bosi i Chelseat, Andres Villas Boas ka thënë se lojtarët e tij ishin tepër të frikësuar në fillim të takimit ndaj WBA-së, por në fund u shpreh i kënaqur me përmbysjen e rezultatit.
“Në pjesën e parë ne kemi vuajtur nga frika sepse ne kemi lënë golin e parë të hyjë shumë herët dhe më pas nuk kemi mundur ta shprehim talentin tonë. Më shumë ishte bllokim mental se sa diçka tjetër”.

“Rezultati ka të bëjë pak me ndryshimet që bëmë. Në pjesën e parë unë bisedova me lojtarët për t’i liruar ata. Por, goli i barazimit pati ndikim emocional në kundërshtarin dhe nga ky fakt e shënuam edhe golin e fitores”, pohoi Villas Boas.
Interi dhe Anzhi Makhachkala kanë arritur marrëveshje verbale për transferimin e yllit kamerunas, Samuel Eto’o.
Kështu raporton Sky Sport Italia, që beson se marrëveshja e arritur peshon plot 28 milionë euro, me lojtarin që pritet të përfitojë 20 milionë euro në sezon, duke u bërë sportisti më i paguar në botë.

Kamerunasi ishte golashënuesi më i mirë i Interit sezonin e kaluar, duke realizuar 37 gola në të gjitha garat.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish ishte i ngazëllyer me fitoren 2-0 ndaj Arsenalit në Emirates, që ishte e para në këtë stadium për klubin nga Anfield dhe fitorja e parë në udhëtim ndaj Arsenalit pas 11 vjetësh.
“Ne jemi tepër të ngazëllyer. Mendoj se ishte ndeshje fantastike futbolli dhe edhe nëse do të kishim barazuar, mendoj se do të isha i kënaqur”.

“Ne jemi të kënaqur me fitoren, mendoj se e merituam, është mirë që kemi filluar mbarë sezonin e ri”, u shpreh Kenny.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka thënë se nuk ka gjasa që ai të japë dorëheqje nga posti i menaxherit të Arsenalit.
“Unë gjithmonë ndihem nën presion, jo më shumë se zakonisht. Nuk ka gjasa që të jap dorëheqje. Unë e kam thënë këtë dje. Unë do të jap më të mirën për klubin”.

“Çdo humbje na lodh. Ne jemi tepër të zhgënjyer. Vendimtar ishte përjashtimi. Për ne tani e vetmja gjë që na mbetet është të ngrisim sërish moralin e lojtarëve pasi luajmë ndaj Udineses, e më pas ndaj Unitedit. Luajmë ndaj të mëdhenjve në udhëtim dhe nuk guxojmë të dështojmë”, u shpreh Wenger.
Getafe ka zbuluar se Daniel Guiza është rikthyer në klub si transferim i lirë pasi kontrata e tij me Fenerbahcen ishte ndërprerë.
Sulmuesi 31-vjeçar ka nënshkruar marrëveshje trevjeçare me ekipin nga Madridi dhe rikthehet te klubi të cilin e përfaqësoi nga viti 2005 deri në vitin 2007.

Guiza iu bashkua klubit turk tre vite më parë nga Mallorca, pas një kampanje impresive e cila e pa atë të shënojë 27 gola në La Liga dhe të bëhet golashënuesi më i mirë në ligë.

Megjithatë, koha e tij te Fenerbahce u godit nga lëndimet me spanjollin që bëri vetëm katër paraqitje sezonin e kaluar. Ai ka shënuar gjashtë gola për Spanjën në 21 paraqitje.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini ka dhënë shenja se Carlos Tevez mund ta rrezikojë formacionin startues në rast se nuk i përkushtohet klubit.
“Ai nuk është 100 për qind i gatshëm, por ai është i gatshëm të luajë 45 minuta, ai do të jetë në gjendje për këtë. Unë do të pres deri të shtunën pasdite për të vendosur, por nëse është e mundur, ai do të jetë në skuadër”.

“Unë respektoj jetën e tij dhe arsyet e tij pse dëshiron të largohet nga klubi. Ne kemi edhe 10 ditë deri në fund të afatit kalimtar veror dhe nëse nuk arrihet marrëveshja për largimin e tij, ai do të qëndrojë. Carlos e di se mund të qëndrojë. Unë jam i sigurt se ai do të jetë i përkushtuar pasi është profesionist”, tha Mancini.
Mesfushori i Tottenhamit, Rafael Van der Vaart ka këmbëngulur se Tottenhami mund të futet në top katërshe edhe pa kroatin Luka Modric.
“Po ka shumë spekulime për të ardhmen e Luka Modric, por ne nuk e dimë nëse ai do të largohet. Unë shpresoj ai të qëndrojë, por ne kemi lojtarë tjerë fantastik të cilët janë mjaft të mirë sa për të përfunduar në top katërshe”.

“Manchester City ka shpenzuar shumë gjatë verës, ashtu si Manchester United. Por, ne jemi ndryshe te Tottenhami dhe kjo nuk është problem për mua”, u shpreh holandezi.
Sulmuesi i Atletico Madridit, Radamel Falcao ka thënë se shuma e transferimit që ka paguar klubi spanjoll për të, plot 40 milionë euro, bën që ai të ketë përgjegjësi shtesë.
“Unë i jam shumë falënderues Portos. Unë dua të falënderoj edhe Atleticon, ky është ekip shumë i madh në kampionatin më të mirë në botë”.

“Është përgjegjësi për mua që ata kanë paguar 40 milionë euro për mua. Unë dua t’ia kthej borxhin klubit që më ka besuar për arritjen e objektivave”, u shpreh Falcao.
Mbrojtësi i Chelseat, Alex i ka bërë thirrje Juventusit të bëjë një ofertë për të, duke thënë se ai do të pranonte me kënaqësi të luante për Juventusin.
“Unë kam mësuar se Juventusi është i interesuar, por ata më kërkojnë si huazim”.

“Kjo nuk më përshtatet as mua e as klubit. Gjithë ajo që di është se agjenti im ka qenë në kontakt me drejtorët e Juventusit. Unë nuk jam i interesuar për të kaluar si huazim dhe as Chelsea nuk e do këtë. Unë do të pranoja një kontratë katërvjeçare”, ka thënë Alex.
Sulmuesi i Lazios, Mauro Zarate, mund ta shohë veten shumë shpejtë te kampioni i botës për klube, Interi, gjithnjë sipas Sportitalia.
Interi është duke kërkuar forca sulmuese për të zëvëndësuar Samuel Eto’on që pritet të largohet nga Interi dhe tani pas Forlanit e Tevezit, opsion tjetër duket të jetë Zarate.

Spartak Moska dhe Arsenali kanë qenë të lidhur në të kaluarën me ish-sulmuesin e Velez Sarsfield dhe mbetet të shihet nëse është i vërtet ky raport i mediumit italian.