Arsenali ka konfirmuar se ka arritur marrëveshje me Manchester Cityn për shitjen e mesfushorit francez, Samir Nasri.
Njoftohet se Roberto Mancini më në fund ka siguruar shërbimet e francezit për shumën prej 24 milionë funtesh.
Përmes një komunikate të lëshuar në faqen zyrtare të Topçinjve, njoftohet se Nasri do të mungojë në takimin ndaj Udineses për të udhëtuar në Mançester, ku pas ekzaminimeve mjekësore do ta kompletojë transferimin e tij.
Përforcimi i ri i Chelseat, Juan Mata, thotë se ndikim në transferimin e tij te Blutë ka pasur edhe shoku i tij te kombëtarja spanjolle, Fernando Torres.
Mata kërkohej edhe nga dy klube të tjera londineze, Arsenali dhe Tottenhami, por ai zgjodhi të veshë fanellën Blu për sezonin e ardhshëm.
“Doja të vija në Angli për të fituar trofe – dhe kjo është arsyeja se pse e zgjodha Chelsean. Po ashtu ishte çështje e arritjeve sportive, jo parave. Arsenali dhe Tottenhami që të dy ishin të interesuar në mua, por ata nuk krahasohen me Blutë”.
“Dua të fitoj titullin e Ligës Premier dhe kjo është e mundshme te Chelsea. Fernando Torres ndihmoi vendimin tim, por biseda e drejtpërdrejtë me Villas-Boas ishte faktor vendimtar”.
“Ai më shpjegoi se si stili i tij bazohet në formacionin 4-3-3 dhe sa i rëndësishëm do të isha në planet e tij. Frank Lampard është një përbindësh i futbollit dhe të luaj në krah të tij është e mrekullueshme”, ka thënë Mata.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka përjashtuar rikthimin në Serie A dhe thotë se ai dëshiron të mbetet në Spanjë, duke u dhënë kështu fund shpresave të Interit dhe Milanit për të nënshkruar me të.
Për tashmë një kohë flitet se Kaka do të rikthehet te Milani, ndërsa së fundi u shkrua se edhe Interi përgatit ofertë për lojtarin, por vetë lojtari thotë se nuk ka arsye të largohet nga klubi.
“Projekti im është të mbetem te Madrid dhe të fitoj besimin e trajnerit tonë”, citohet të ketë thënë ai për Milannews.it.
Ish-fituesi i Topit të Artë thuhet se është cak edhe i klubit francez Paris Saint-Germain.
Kapiteni i Chelseat, John Terry, thotë se ata janë të gatshëm ta rikthejnë titullin në Stamford Bridge, pavarësisht se kanë shumë lojtarë të moshuar në skuadër.
Terry mendon se çdokush që e eliminon Chelsean nga gara për titull duhet të mendojë edhe një herë.
“Disa njerëz mendojnë se Lamps, Didier dhe unë kemi qenë këtu për një kohë të gjatë për të qenë të përqendruar. Por është e kundërta. Ne jemi ata që kujdesemi që ekipi të mbetet i bashkuar çdo ditë, ata të cilët japim shembull”, ka thënë Terry.
Pep Guardiola ka lavdëruar lojtarët e tij pas fitores pa keqardhje ndaj Napolit që solli trofeun e 35-të Joan Gamper dhe shprehu dëshirën për të shijuar më shumë sukses këtë sezon.
Cesc Fabregas shënoi golin e tij të parë për Barcelonën, para se Seydou Keita, Pedro, dhe dy gola të Lionel Messi t’i japin fitoren 5-0 ekipit katalanas.
“Të fitojmë titullin e dytë të sezonit është gjë e mirë, por ne duhet të fitojmë më shumë. Me mbështetjen e tifozëve ne mund ta bëjmë këtë”, ka thënë Guardiola pas ndeshjes.
Trofeu i radhës për Barcelonën mund të jetë Superkupa e Evropës ndaj fituesit të Europa League, Portos, ndeshje e cila zhvillohet të premten.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, është i ngazëllyer me fitoren ndaj Tottenhamit.
Ferguson ishte plot lëvdata për ekipin e tij, në veçanti për paraqitjen pas pauzës mes pjesëve.
“Paraqitja në pjesën e dytë ishte absolutisht fantastike. Ishte një ndeshje e shpejtë në pjesën e parë, ishte nga fundi-në-fund. Tottenhami kishte shumë posedim, por në pjesën e dytë ne thjesht u ngritëm”, ka thënë Fergie.
Skocezi po ashtu ishte i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të rinj, në veçanti të Danny Welbeck.
“Në pjesën e parë ai (Welbeck) nuk luajti si sulmues i qendrës. Ai ishte më shumë si mesfushor. Ne kishim nevojë për më shumë prani në repartin ofensiv, një cak në sulm dhe në pjesën e dyti ai ishte shumë më i mirë aty”, ka thënë më tej bosi i United.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, u ka thënë lojtarëve të tij të mësojnë më shumë se sa të dëshpërohen pas disfatës 5-0 nga Barcelona në trofeun Joan Gamper.
Cesc Fabregas, Seydou Keita, Pedro dhe Lionel Messi, i cili shënoi dy gola, u shkruan në listën e golashënuesve në ndeshjen e mbrëmshme në Camp Nou, derisa italianët dështuan të tregojnë ndonjë ndikim.
“Ne duhet të marrim shumë gjëra nga ky mësim kundër Barcelonës. Edhe kur ata ishin 5-0 ata ende na sulmonin. Ne ishim në ndeshje për pak më shumë se 30 minuta, por kur ata kaluan 2-0 kjo vërtet na lëndoi neve”.
“Dua t’i jap komplimente Pep Guardiolës për urinë që ka rrënjosur te lojtarët e tij. Barcelona ka një ekip të shkëlqyeshëm, i cili është ndërtuar për shumë vite dhe nuk mund ta krahasoni atë me askënd”, ka thënë Mazzarri për Sky Sport Italia pas ndeshjes.
Napoli takohet me Genoan gjatë të dielës në ndeshjen e parë të sezonit të ri në Serie A.
Babai i mesfushorit të Chelseat, John Obi Mikel, është gjetur i gjallë, raportojnë mediat angleze.
Michael Obi, i cili drejton një kompani transporti në Nigeri, nuk ishte parë e as dëgjuar që kur nuk u kthye në shtëpinë e tij në Jos më 12 gusht. Ai mendohet se është gjendur në Kano, rreth 300 kilometra larg vendit ku ishte rrëmbyer.
Kompania menaxhuese e mesfushorit të Chelseat, SEM, ka lëshuar një deklaratë mbrëmë për të konfirmuar gjetjen e babait të lojtarit.
“SEM është e ngazëllyer të konfirmojë se sot herët Michael Obi ka telefonuar familjen e tij për t’u treguar se është liruar nga rrëmbyesit. SEM ka pritur deri tash për të liruar informacionin, me qëllim që të sigurohet se Michael ishte i sigurt”.
“John Obi Mikel dëshiron t’i falënderojë të gjithë në Nigeri, familjen dhe miqtë, Chelsean dhe fansat dhe agjentët e tij për mbështetjen e plotë gjatë kësaj kohe të tmerrshme”, thuhet në deklaratë.
Rrëmbyesit raportohet se janë arrestuar nga policia.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ishte i zhgënjyer me paraqitjen e ekipit të tij në pjesën e dytë, pasi ata u mposhtën me rezultat 3-0 nga Manchester United.
Danny Welbeck ua dha avantazhin Djajve të Kuq pas një ore lojë në Old Trafford para se Anderson dhe Rooney të shënojnë edhe nga një gol për të vulosur fitoren e thellë.
“Është zhgënjyese. Pas 70 minutash nuk kishte asgjë në ndeshje. Ne kishim shumë posedim dhe megjithatë ne u goditëm. Mendova se do të nxjerrim një pikë. Pastaj futëm një sulmues dhe u hapëm dhe dolëm jashtë loje keq”, ka thënë Redknapp.
Ndeshja ishte e para e sezonit për Tottenhamin, pasi ndeshja e javës së parë ndaj Evertonit u anulua për shkak të trazirave në Londër.
Danny Welbeck është i ngazëllyer me kontributin e tij në fitoren 3-0 të Manchester United ndaj Tottenhamit në Old Trafford.
Pas pjesës së parë pa gola, Welbeck i dha avantazhin United herët në pjesë të dytë para se Anderson dhe Rooney të shënojnë edhe nga një gol për të vulosur fitoren e thellë.
“Çdo pikë e vetme është vitale. Ne kemi nevojë për sa më shumë pikë dhe duhet ta mbajmë topin në qarkullim. Tempoja filloi shpejt, por disa fjalë të mençura nga xhaxhai në pauzë ndihmuan”.
“Mendoj se kjo tregoi se sa mirë menaxheri e ka kombinuar ekipin. Sapo ju përfshiheni në 11-shen e parë ju duhet të punoni fuqishëm për të mbajtur vendin”, ka thënë Welbeck për Sky Sports 1.
E ardhmja e Amaurit mund të jetë në Gjermani, pasi Wolfsburg është i fundit që i shtohet listë së ekipeve që lidhen me transferimin e sulmuesit të Juventusit.
Sky Sport Italia raporton se ekipi i Bundesligës dëshiron të forcojë repartin sulmues pasi tashmë ka forcuar mbrojtjen duke nënshkruar me mbrojtësin e Liverpoolit, Sotirios Kyrgiakos, dhe atë të Trabzonspor, Hrvoje Cale, gjatë të hënës.
Dhe të gjithë sytë tash janë kthyer kah 31-vjeçari italo-brazilian i cili është lidhur me disa klube të Serie A këtë verë e të cilët kanë refuzuar të paguajnë pagën e tij vjetore prej 4 milionë euro.
Nëse arrin një ofertë konkrete nga Wolfsburg, Juventusi besohet të jetë i gatshëm ta shesë atë, pasi nuk e sheh më si pjesë të planeve.
Anësori i Valencias, Juan Mata, dëshiron të përshëndetet nga Los Che para transferimit te Chelsea.
Dy klubet kanë arritur marrëveshje për transferimin e spanjollit, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore pritet të nënshkruhet kontrata mes lojtarit dhe Bluve.
“Udhëtoj në Londër për ekzaminimet mjekësore dhe do të kthehem t’ju them lamtumirë të gjithëve ashtu siç e meritoni... faleminderit shumë!”, ka shkruar Mata në Twitter.
Është thënë se Chelsea dhe Valencia janë pajtuar për shumën prej 27 milionë eurosh për transferimin e 23-vjeçarit, mirëpo asnjë nga klubet nuk ka konfirmuar asgjë në lidhje me detajet financiare.
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, ka shënuar fitore prej 3-0 kundër Tottenham Hotspur në ndeshjen e dytë të sezonit të ri të zhvilluar të hënën mbrëma në Old Trafford.
Fraksioni i parë i lojës u mbyll pa gola duke u përcjellë me një përqendrim të mirë të mbrojtjeve të të dyja skuadrave. Përmendim rastin e Cleverleyt për nikoqirët, ndërsa Bale dhe Van der Vaart nga mysafirët e testuan De Gean.
Në pjesën e dytë gjithçka ndryshoi në favor të kampionit në fuqi. Pas një krosimi të Tom Cleverley, Danny Welbeck e mposhti me kokë portierin Friedel (61’) për ta hapur takimin.
Realizimi i dytë ishte një supergol i United. De Gea e pasoi topin te Young, i cili lëvizi në të majtë për ta gjetur Rooneyn, ndërsa sulmuesi anglez pasoi te Anderson. Ky i fundit e gjeti Welbeckun brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, i cili ia ktheu topin, dhe braziliani shënoi për rezultatin 2-0 (76’).
Pak minuta pasi hyri në lojë veterani i Djajve të Kuq, Ryan Giggs, menjëherë u bë kreatori i golit të tretë duke depërtuar brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit dhe duke krosuar te Wayne Rooney, i cili i dha fund takimit (87’).
Pas kësaj fitoreje, United pozicionohet i dyti me pikë të barabarta me rivalin lokal Manchester City.
Barcelona ka regjistruar fitore të lartë prej 5-0 kundër Napolit në një ndeshje miqësore të vlefshme për trofeun “Joan Gamper”, e zhvilluar të hënën mbrëma në Camp Nou.
Skuadra më e mirë në Evropë shënoi dy herë në pjesën e parë dhe tri herë në të dytën kundrejt napolitanëve që këtë sezon do të garojnë në Ligën e Kampionëve.
Transferi i ri i Blaugranëve, Cesc Fabregas, hapi serinë e golave (26’), ndërsa Seidou Keita vendosi rezultatin e pjesës së parë (31’).
Në pjesën e dytë ishte Pedro Rodriguez që ngriti epërsinë në 3-0 (62’), ndërsa lojtari më i mirë në botë, Lionel Messi, shënoi dy herë (66’ dhe 77’) për ta zbukuruar edhe më shumë këtë takim.
















