Juventusi ka kompletuar transferimin në formë huazimi të anësorit të Le Mans, Marcelo Estigarribia.
Marrëveshja përfshin edhe mundësinë që Bianconerët në fund të sezonit të mund ta blejnë paraguaianin për shumën prej pesë milionë eurosh.
23-vjeçari është përforcimi më i ri i Zonjës së Vjetër që po tenton të bëhet konkurrent serioz në Serie A që dalëngadalë të kthejë namin e dikurshëm.
Pas turpërimit nga Manchester Unitedi, trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se klubi do të tentojë transferimin e tre lojtarëve para mbylljes së afatit kalimtar veror.
Topçinjtë kanë vetëm një pikë nga tri ndeshjet e para në Ligën Premier, ndërsa humbja prej 8-2 kundrejt Djajve të Kuq, ka bërë që drejtuesit e klubit të mendojnë seriozisht për hapat e mëtutjeshëm.
Pas ndeshjes, Wenger ka thënë se përfaqësues të skuadrës janë duke punuar që të gjejnë një sulmues, një mbrojtës dhe një mesfushor, duke e bërë të qartë se klubi ka para për blerjen e tyre.
Trajneri ka pranuar se është nën presion të madh, por është i vendosur që të mos japë dorëheqje nga Arsenali.
Sulmuesi uruguaian, Diego Forlan, ka arritur marrëveshje me Atletico Madridin për ta shfuqizuar kontratën e tij, raporton Marca.
Pas këtij akti, pritet që Forlan të kompletojë transferimin te Interi që ka mungesa në fazën e sulmit që pas kalimit të Samuel Eto'o te Anzhi Makhachkala.
Është spekuluar se Atletico do të përfitojë rreth pesë milionë euro me shitjen e uruguaianit, mirëpo njoftimet e fundit sugjerojnë se sulmuesi do të transferohet në Itali me parametrat zero.
Jose Mourinho ka vazhduar me deklaratat e tij kontroverse duke thumbuar federatën spanjolle të futbollit (RFEF) që ka paralajmëruar dënime të rënda për portugezin pas incidenteve në ndeshjen ndaj Barcelonës.
“Gjithçka është pjesë e lojës, e jetës. Por, krahasuar me kampionatet tjera ku kam trajnuar, këtu duket një fushatë kundër meje. Është një luftë e pa barabartë. Me gjithë këto gurë që po hidhen drejt meje, ju mund të ndërtoni një monument”.
“Por, jam i lumtur këtu dhe e kam ndjenjën e të qenit në vendin e duhur. Unë nuk do ta ndryshoja këtë për asgjë. Unë mund të jem gabim, por unë gjithmonë them atë që ndjej, pa frikë dhe pa menduar për pasojat. Unë është dashur të jetoj 100 vjet më parë”, u shpreh Mourinho.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka pranuar se ai duhet të marrë vendime kontroverse për ta shpjerë klubin përpara.
“Unë shikoj mendimet e njerëzve, por nëse unë e përjetoj thellësisht një vendim atëherë e bëj. Shpeshherë është kontrovers. Unë nuk mendoj se di gjithçka për futboll, por kam përvojë të madhe”.
“Ju duhet të jeni të hapur, por po ashtu të jeni të përkushtuar duke pasur besim. Ne brengosemi për mendimet e njerëzve, por në fund të ditës duhet të marrim vendime. Unë personalisht tentoj të bëj më të mirën për klubin”, tha francezi.
Sir Alex Ferguson ka goditur rëndë bosin e Arsenalit, Arsene wenger, duke thënë se ai nuk do të kishte lejuar kurrë që Manchester United të kalojë gjashtë vjet pa fituar asgjë.
“Unë nuk do të kisha lejuar që kjo të ndodhte. Mediat do ta luanin rolin e tyre dhe përpos kësaj, unë kurrë nuk e kam menduar këtë”.
“Wenger ka mënyrën e tij të menaxhimit, unë timen. Ju bëni më të mirën që besoni se është dhe këtë po tenton ta bëjë edhe Wenger”.
“Unë nuk e di filozofinë e tij, por për një kohë të gjatë ai ka pasur një grup të ri të lojtarëve francezë edhe pse duket që tani kjo nuk po funksionon”.
“Për vite të tëra ne kemi luftuar vetëm me Arsenalin për titullin. Më pas erdhi Chelsea dhe tani është edhe Manchester City në radar”, deklaroi Ferguson.
Real Madridi ka shënuar fitore të lartë prej 6-0 si mysafir i Real Zaragozas në takimin e zhvilluar të dielën mbrëma në Estadio de la Romareda.
Një asistim i Mesut Oezil e gjeti përpara golit Cristiano Ronaldon, i cili e hapi takimin (24’).
Një top të kthyer nga Sergio Ramos e shfrytëzoi Marcelo për ta dyfishuar epërsinë (28’) dhe ky ishte rezultati përfundimtar i pjesës së parë.
Me një goditje të bukur nga distanca, Xabi Alonso e ngriti epërsinë në 3-0 (64’), ndërsa portugezi Ronaldo regjistroi edhe golin e dytë personal pas asistimit të Angel Di Maria (71’).
Pak minuta pasi u inkuadrua në lojë, Ricardo Kaka shënoi golin e pestë në ndeshje me ndihmën e bashkëkombësit të tij Marcelo (82’).
Cristiano Ronaldo kompletoi het-trikun e tij, ndërsa edhe në këtë gol ishte i përfshirë Kaka, i cili ofroi asistimin.
Manchester Unitedi i ka paralajmëruar rivalët se do ta kenë të vështirë që ta rrëzojnë nga froni duke e mposhtur Arsenalin me rezultat 8-2 në kuadër të derbit kryesor të javës së tretë të Ligës Premier.
Danny Welbeck e hapi takimin pas një asistimi të Anderson (22’), ndërsa pesë minuta më pas, David de Gea mbrojti penalltinë e Robin Van Persiet.
Djajtë e Kuq e përfunduan takimin që në pjesën e parë duke shënuar edhe dy gola, përmes Ashley Young (28’) dhe Wayne Rooney (41’).
Në fund të pjesës së parë u mendua se mysafirët do të ktheheshin në lojë pas golit të shënuar nga Theo Walcott (45’+3), mirëpo ky gol nuk ndryshoi asgjë, pasi United ishte shumë i fuqishëm edhe në fraksionin e dytë të lojës.
Ashley Young e Wayne Rooney bashkëvepruan edhe në gjysmën e dytë për ta ngritur epërsinë në 4-1, ndërsa ishte numri dhjetë ai që realizoi golin e dytë personal (64’).
Sulmuesi anglez ishte i përfshirë edhe në golin e pestë të vendasve, pasi asistoi te Nani (67’).
Në listën e golashënuesve u regjistrua edhe Ji-Sung Park për setin e parë (70’), ndërsa Robin van Persie e shënoi një gol sa për statistika (74’).
Lojtari i ndeshjes, Wayne Rooney, kompletoi het-trikun e tij nga pika e bardhë (82’), ndërsa lojtarët e Arsenalit mezi pritnin që gjyqtari ta përfundojë takimin.
Ndërsa Djajtë nuk ndaleshin së shënuari. Ata e realizuan edhe golin e tetë, i cili mban firmën e Ashley Yong (90’).
Kjo fitore e pozicion Manchester Unitedin në krye të tabelës me pikë të barabarta me rivalin lokal, Manchester City.
Kemi raportuar para pak kohësh se rikthimi sensacional i Leita Kakas te Milani është çështje e kryer dhe duket se kjo do të ndodh vërtet.
Mediat italiane raportojnë se Milani dhe Real Madridi janë duke negociuar detajet e fundit të marrëveshjes, pasi u arrit akordi për pagën e lojtarit dhe oferta është pranuar nga Los Blancos.
Vet Kaka besohet të jetë shumë i gëzuar për këtë transfer, përderisa po ashtu mendohet se vajza e Silvio Berlusconit dhe e dashura e Alexandre Patos, Barbara Berlusconi, e cila është mikeshë e afërt me bashkëshorten e Kakas, ishte ajo që bëri presion që transferi të realizohet, zyrtarizimi i të cilit pritet të bëhet në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Manchester City ka vazhduar me fitore edhe në javën e tretë të Ligës Premier, duke mposhtur në transfertë Tottenhamin me rezultat të lartë 5-1.
Ndeshja në fillim ishte e baraspeshuar me të dyja skuadrat që kishin raste të mira. Vendasit rrezikuan me anë të Bales dhe Crouch, por nuk arritën deri të goli.
Samir Nasri debutoi në fanellën e Manchester Cityt, duke shkëlqyer. Samir Nasri me anë të një harkimi të ulët e gjeti në zonë Edin Dzekon që realizoi nga afërsia për 1-0 (34’).
Nuk kaloi shumë kohë dhe në po të njëjtin krah përsëri Samir Nasri lansoi një harkim për Dzekon i cili në mënyrë mjeshtërore realizoi me kokë për 2-0 (41’).
Në pjesën e dytë u zyrtarizua fitorja e Cityt me anë të Edin Dzekos fenomenal (55’) që shënoi hettrik në këtë takim.
Hettrik të asistimeve realizoi Samir Nasri dhe këtë vetëm në debutim, duke treguar se është në formën më të mirë. Ishte ky goli kur francezi i ndihmoi Agueros të shënojë golin e tretë personal në dy ndeshje për Cityn dhe të katërtin në këtë takim për 4-0 (60’).
Golin e nderit e shënoi Younes Kaboul me Rafael Van der Vaart që asistoi (68’). Rezultati përfundimtar ishte 5-1 për ‘qytetarët’ e Mançesterit, pasi Dzeko shënoi edhe një gol në minutën e fundit.
Me këtë fitore Manchester City ngjitet në pozitën e parë të tabelës në Ligën Premier, duke lënë prapa Liverpoolin. City ka tri fitore nga tri takime dhe pa marrë parasysh rezultatin e ndeshjes Manchester United – Arsenal, skuadra e Roberto Mancinit do të mbesë në krye.
Enigma rreth rastit Nuri Sahin është duke u zgjeruar edhe më tej, pasi përkundër pohimeve të stafit mjekësor të Real Madridit se turku është në gjendje të luajë, është Jose Mourinho ai që ka bërë të ditur se Sahin nuk do të luajë ndaj Zaragozës.
Sahin është pritur të debutojë ndaj Zaragozës, por një lëndim i pësuar në stërvitje të martën ka bërë që ai të qëndrojë jashtë fushave edhe për tri deri në katër javë.
Sahin u transferua te Real Madridi nga Dortmundi në fillim të verës për një shumë prej 15 milionë eurosh.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas është përfshirë në një luftë fjalësh me menaxherin e Norwich, Paul Lambert, me këtë të fundit që ka pohuar se Blutë nuk treguan respekt pasi një prej trajnerëve të klubit londinez invadoi pjesën ku duhet të qëndrojë stafi teknik i Norwich.
“Unë nuk e di kush, por ai ka ardhur drejt e në territorin tonë. Unë nuk flas rrjedhshëm portugalisht, por nëse ai di gjuhën glaswegiane, atëherë ai e di se çfarë kam thënë. Nuk mund ta bëni atë, është mos respekt”, theksoi Paul Lambert, menaxheri i Norwich.
Përgjigja e Villas Boas ishte e shpejtë, i cili tha se ishte normale që emocionet kapluan stafin e tij.
”Unë e di se Paul u kënaq me këtë që ndodhi. Është e vështirë t’i kontrollosh emocionet në pankinë. Por, do të ishte e çuditshme për mua që stafi im teknik të jetë mos respektues ndaj Norwich, vetëm për shkak të disa emocioneve. Nëse Paul nuk di të menaxhojë situatën, aëherë më vjen keq, ai është i pa fat”, theksoi Villas Boas.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është tepër i bindur se ekipi i tij mund ta arrijë nivelin e Barcelonës dhe pse jo ta mposhtë ekipin më të mirë në botë.
“Barcelona është ekipi më i fortë këtej pari, por ne jemi në dijeni për fuqinë tonë dhe e dimë se mund të luajmë mirë ndaj tyre”.
“Ka gjasa që të bëjmë mirë në Barcelonë, ne e kemi vendosmërinë për këtë”, theksoi Allegri.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti ka deklaruar se një marrëveshje për sulmuesin e Atletico Madridit, Diego Forlan tashmë është arritur.
“Mendoj se Forlan është duke i zgjidhur problemet me Atletico Madridin. Ne do të shohim çfarë do të ndodhë në orët në vazhdim”.
“Sa për Kuckan, ne po flasim me Genoan për të. Sidoqoftë, kur vjen te Zarate dhe Tevez, une dyshoj se ka gjasa që ata të transferohen”, tha Moratti për Sky.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp ka pranuar se ai është i frikësuar nga fuqia e Manchester Cityt, teksa beson se ata do të jenë rivalë të mëdhenj të Manchester Unitedit për titullin në Ligën Premier.
“Si mund të luani ndaj tyre? Nuk kam parë skuadër të tillë. Ata sigurisht se do ta fitojnë titullin herët apo vonë. Nëse hyni në treg dhe konkuroni me ta, ju nuk keni gjasa. Dhe paratë e shpenzuara nuk janë asgjë për pronarin e tyre”.
“Kur keni gjithë ato para dhe i keni shpenzuar për krijimin e ekipit, atëherë sigurisht se jeni optimist për të ardhmen. Ata kanë lojtarë fantastik në fushë, ata kanë ndoshta nga dy lojtarë të klasit botëror në çdo pozitë.
Trajneri i Interit, Gian Piero Gasperini ka paralajmëruar transferimin e një sulmuesi te klubi nga Meazza, pas alarmit që shkaktoi disfata në miqësoren ndaj Chievos.
“Jane edhe tri ditë në afatin kalimtar veror dhe ne do të fillojmë nga këtu. Ne kemi ide të qarta”.
“Gjithçka është e vështirë në treg, ne nuk e dimë se cilat transfere do të mbyllen. Nëse jemi në gjendje ta përmirësojmë skuadrën në sulm, atëherë do të jemi më të fuqishëm”, potencoi Gasperini.
Agjenti i Gagos, Lombilla Marcelo është në Romë për të negociuar transferimin e argjentinasit te klubi nga kryeqyteti i Italisë.
“Unë nuk dua të them asgjë, të shohim çfarë do të ndodhë”, theksoi agjenti i mesfushorit të Realit për Sky.
Roma është duke kërkuar me ngulm Gagon që nuk është në planet e Mourinhos, përderisa edhe Lassana Diarra ishte pranë kalimit te Tottenhami, por mos pajtueshmëritë kontraktuale bënë që francezi të qëndrojë në Bernabeu.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është paraqitur në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Real Zaragozës, duke folur edhe një herë për rivalin e përbetuar, Barcelonën.
“Barca fitoi dy tituj? Më falni, nuk jam në ngjarje. Dhe e dini si? Nuk më intereson. Unë preferoj të luaj dhjetë ndeshje parasezonale se sa të fitoj dy tituj të tillë. Ne kemi luajtur në tetë ndeshje mirë, dhe ndaj Galatasarayt nuk ishim të mirë. Sipas tetë ndeshjeve të mira mendoj se do të jemi më të mirë se sa sezonin e kaluar”.
“Në javën e parë mund të ketë gjithmonë befasi dhe prandaj kam kërkuar përqëndrim maksimal prej lojtarëve të mi. Zaragoza është ekip i vështirë, ata kanë një trajner i cili është një prej më të preferuarve për mua”, tha Mourinho.
Arsenali ka arritur të transferojë Chu-Young Park pas një tratative të shpejtë 11 orëshe.
Kapiteni i Koresë së Jugut ishte pranë kalimit te Lille nga Monachoo, por mbrëmë Arsene Wenger befasoi të gjithë duke arritur marrëveshjen.
Park kishte kryer testet mjekësore për Lille, por disa minuta para nënshkrimit të kontratës pranoi një telefonatë nga Arsene Wenger që e bëri transferin të dështojë dhe të arrijë marrëveshje për vete.
“Ne nuk kemi pasur asnjë telefonatë, asgjë. Nga çfarë kam mësuar, ai mund të jetë lojtar i Arsenalit. Sikur Monaco, edhe Lille është i frustruar. Gjithçka ishte zyrtarizuar”, theksoi presidenti i Lille, Michel Seydoux.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes ka lëvduar ekipin e tij pas paraqitjes impresive prej 3-0 ndaj Kaiserslauternit në Fritz-Walter Stadion.
“Kjo ishte ndeshja jonë më e mirë deri tani, për mendimin tim. Ekipi luajti sikurse gjithçka ndodhi automatikisht, por ne duhet të jemi më efektivë para golit. Ne i mbyllëm në mbrojtje dhe kjo më pëlqeu”.
“Të vini këtu dhe të fitoni 3-0 nuk është lehtë. Unë gjithmonë kam thënë se ekipi do të përmirësohet dhe mendoj se ne luajmë shumë më mirë se sa dy javë më parë”, tha ai.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas ka dhënë diagnozë pozitive për sulmuesin Didier Drogba i cili pësoi një lëndim serioz ndaj Norwich Cityt.
Drogba për plot pesë minuta ishte pa vetdije në fushë pas një dueli të ashpër me një prej lojtarëve të Norëichit, duke shkaktuar frikë dhe panikë në stadium. Sidoqoftë, Villas Boas ka konfirmuar se Drogba është shëndoshë e mirë.
“Ai është pak më mirë tani. Ai do të skanohet dhe të shohim se i cilës shkallë është lëndimi në kokë. Më duhet ta komplimentoj stafin që ishte në gjendje të reagojë shpejtë pas kësaj situate të rrezikshme”, u shpreh Villas Boas.
Jordan Henderson ka lëvduar bashkëlojtarin Luis Suarez pas fitores prej 3-1 ndaj Boltonit, që i dërgoi The Reds në krye të tabelës.
“Ne nuk kemi luajtur aq shumë së bashku, por unë mendoj se ndeshje pas ndeshje po bëhet mirë e më mirë. Ishte paraqitje shumë e mirë ekipore. Sigurisht do të ishte mirë të mbanim portën të pastër në fund, por ju nuk mund të keni gjithçka që dëshironi”.
“Ne të gjithë e njohim Suarezin, ai është top lojtar. Ai krijon gjëra dhe shënon gola. Ai është fantastik pasi gjithmonë e do topin. Ai ka luajtur në Copa America, por kjo nuk ka ndikuar te ai. Ai është tmerr për mbrojtësit”, tha Henderson.
















