Kampioni i Spanjës në fuqi, Barcelona, nuk i ka lënë shumë hapësirë gëzimit të Real Madridit pas fitores së lartë të të shtunës mbrëma, pasi që e ka mposhtur Villarrealin me rezultat 5-0 në derbin kryesor të kësaj jave në La Liga që u zhvillua të dielën në Camp Nou.
Thiago Alcantara e përfundoi për mrekulli një aksion të Blaugranëve pas asistimit të Cesc Fabregas (25’).
Një kombinim të bukur mes Leo Messi dhe Cesc, transferi i ri i katalunasve e kompletoi me gol (45’) për ta mbyllur pjesën e parë me epërsi të dyfishtë.
Nuk kaluan shumë minuta brenda pjesës së dytë (47’) dhe Alexis Sanchez trefishoi epërsinë i ndihmuar nga Alcantara.
Dy golat e radhës i takuan më të mirit në botë, Lionel Messi, i cili fillimisht u asistua nga Andres Iniesta (52’) e më pas nga Alcantara (75’).
Me pikët e para të fituara në sezonin e ri, Barcelona do të renditet pas Real Madridit falë një goli më pak të shënuar.
Martin Skrtel beson se Liverpooli ka një skuadër të aftë për t’i sfiduar rivalët për titullin e Ligës Premier.
Nga tri ndeshjet e para të Kampionatit anglez, Redsat kanë rrëmbyer shtatë pikë, ndërsa mbrojtësi mendon se ata kanë një skuadër konkurrente.
“Për këtë sezon kemi transferuar disa lojtarë dhe kemi një skuadër vërtet të fortë tash”, u ka thënë Skertel gazetarëve.
Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, ua ka bërë të qartë lojtarëve të tij se dëshiron pikë maksimale nga ndeshjet e ardhshme në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Tre Luanët të premten luajnë kundër Bullgarisë dhe të martën ndaj Uellsit, ndërsa trajneri dëshiron fitore në të dyja përballjet.
“Ndeshjet ndaj Bullgarisë dhe Uellsit janë të rëndësishme për ne. Ne e luajmë përballjen e fundit kundër Malit të Zi dhe duhet të jemi në krye të grupit para asaj ndeshje, sepse do të jetë shumë e vështirë’.
Agjenti i Milos Krasic, Marko Naletilic, ka heshtur spekulimet se klienti i tij mund të përfshihet në marrëveshjen për transferimin e Alex nga Chelsea.
Bianconerët janë të interesuar për shërbimet e mbrojtësit të Bluve, ndërsa është spekuluar që Krasic mund t’i ofrohet Chelseat si huazim në mënyrë që klubi nga Stamford Bridge të lejojë transferimin e Alex.
Po ashtu, ka pasur spekulime se serbi mund të kalojë te Anzhi Makhachkala apo ish-klubi i tij, CSKA Moscow.
Sidoqoftë, agjenti i tij ka mohuar gjithçka duke thënë se nuk ka kurrfarë gjasash që anësori të largohet nga bardhezinjtë gjatë këtij afati kalimtar.
Mesfushori defensiv, Andrea Poli, ka kaluar në Giuseppe Meazza në formë huazimi pas marrëveshjes mes Nerazzurëve dhe Sampdorias.
Interi ka njoftuar se ka siguruar shërbimet e Polit, i cili do të qëndroje te zikaltrit në formë huazimi, ndërsa klubi e ka të hapur edhe opsionin e blerjes së tij.
Në këtë mënyrë, skuadra e trajnerit Gian Piero Gasperini plotësohet edhe me një lojtar dhe është në pritje të zyrtarizimit të Diego Forlan.
Mesfushori i Chelseat, Yossi Benayoun, ka njoftuar se ai është në bisedime me disa skuadra dhe mund të largohet nga Stamford Bridge.
Nuk dihen emrat e klubeve që janë seriozisht të interesuar për shërbimet e izraelitit, ndërsa spekulohet se ish-klubi Liverpool dhe kampioni i Francës, Lille, dëshirojnë shërbimet e tij.
Benayoun nuk ka arritur të lë mbresa te Blutë që pas transferimit nga Redsat në vitin e kaluar, ashtu që ai nuk bën pjesë në planet e skuadrës.
Diego Forlan ka konfirmuar se do t’i bashkohet Interit, ndërsa qëndrimi i tij te Atletico Madridi po përfundon.
Sulmuesi uruguaian mbajti një konferencë për media në Madrid për të deklaruar se nuk do të luajë më në Vincente Calderon, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore ai do të nënshkruajë për klubin nga Serie A.
“Do të shkoj te një klub i madh dhe atje gjendet një sfidë e madhe para meje. Dua ta falënderoj Massimo Morattin për këtë shans”.
“Gjithmonë do ta mbështes Atletico Madridin dhe ishte një nder që të luaj këtu”, ka thënë 32-vjeçari duke ia uruar gjitha të mirat tashmë ish-klubit të tij.
Mesfushori i Bayern Munich, Frank Ribery, ka thënë se ai ndjehet në formë të kompletuar dhe se po kënaqet me futbollin.
Francezi ka kaluar disa sezone për t’u harruar në Allianz Arena, por Bayerni ka fituar të tre ndeshjet e Bundesliga, dhe ish-ylli i Marseille ka filluar të ndjehet komfort te gjiganti gjerman.
“Për momentin ne dëshirojmë ta dërgojmë Bavarinë në një nivel tjetër, të kënaqemi sërish, dhe të çmendemi në fushë. Jam shumë i freskët, ndjehem mirë. Po kënaqem në fushë sërish, me vrapimet e mia, driblimet – të gjitha gjërat më kanë munguar gjatë dy sezoneve të kaluar”, ka thënë Ribery.
Ribery është ftuar në kombëtaren franceze nga trajneri Laurent Blanc dhe të premten pritet të luajë në ndeshjen kundër Shqipërisë që zhvillohet në Loro Boriçi të Shkodrës.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka dalë në mbrojtje të menaxherit të Arsenalit, Arsene Wenger, pas turpërimit të Topçinjve në ndeshjen kundër Manchester United, kur u mposhtën me rezultat 8-2 në Old Traford.
Wenger zemëroi fansat me vendimin e tij për ta shitur Cesc Fabregas te Barcelona dhe Samir Nasri te Manchester City këtë verë pa nënshkruar zëvendësimet adekuate, dhe disfata e djeshme ka shtuar edhe më shumë presionin në francezin.
“Ne nuk duhet të harrojmë çfarë ka bërë Wenger për futbollit në përgjithësi dhe për Arsenalin në veçanti. Ata ende janë një ekip i shkëlqyeshëm, pavarësisht çfarë ndodhi kundër Manchesterit. Këto gjëra ndodhin në futboll. Manchester United ka aq shumë lojtarë të mirë, derisa Arsenali ishte pa shumë lojtarë për shkak të lëndimit”.
“Kjo humbje nuk ishte për shkak të largimit të Cesc dhe Nasri, por edhe për shkak të mungesës së Jack Wilshere për shkak të lëndimit dhe disa lojtarëve të tjerë të cilin nuk ishin në dispozicion”, ka thënë Guardiola.
Arsenali do të kërkojë të rikthehet nga disfata ndaj Mancehster United gjatë vikendit të ardhshëm, më 10 shtator, kur do të takohet me Swansea City.
Sulmuesi i Juventusit, Amauri, ka zbuluar se ai është ‘i interesuar’ t’i bashkohet ekipit fancez Paris Saint-Germaine dhe ka thënë se edhe klubi francez është i interesuar për të.
Amaurit i është thënë nga drejtuesit e Juves se ai nuk është më në planet e tyre pavarësisht se ka kontratë deri në qershor të vitit 2012.
Amauri, i cili kaloi sezonin e kaluar te Parma, u lidh me një transferim te Palermo, Genoa, Napoli dhe Fiorentina, por nuk ndodhi asnjë lëvizje, kjo e penguar nga kërkesat e larta të tij për pagë.
“Agjentët më kanë thënë se ka një interesim nga Paris Saint-Germain. Është lakmuese, edhe pse Leonardo nuk më ka kontaktuar ende. Juve ma ka bërë të qartë se nuk jam pjesë e planeve të tyre, por do të largohem vetëm për një ekip të të njëjtit nivel. Përndryshe, do të qëndroj deri në janar. PSG është një klub i madh dhe jam i interesuar për këtë”, ka thënë Amauri për L’Equipe.
Heroi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili shënoi hat-trick në fitoren 6-0 ndaj Real Zaragoza, ka falënderuar bashkëlojtarët që i ndihmuan atij të arrijë golin e 100-të, jubilar, për Real Madridin.
“Ne duhet të urojmë njëri-tjetrin pasi luajtëm mirë dhe mund të largohemi të lumtur. Shënova golat e mi falë bashkëlojtarëve. Ata më ndihmojnë mua dhe unë ju ndihmoj atyre. Kjo është e tillë. Ne jemi një ekip i duhur dhe do ta fitojmë ligën duke luajtur kështu”, ka thënë Ronaldo.
“Ekipi është më i rëndësishmi. Ne përpiqemi të ndihmojmë me gola, por përpjekjet kolektive janë më të rëndësishme. Ne kemi shijuar startin më të mirë të mundshëm në ligë dhe tash nuk duhet të fokusohemi në atë çfarë bëjnë të tjerët. Duhet të përqendrohemi t’i fitojmë të gjitha ndeshjet tona dhe mendojmë vetëm për vete”, ka shtuar portugezi.
Legjenda e Real Madridit, Guti, është lidhur me një transferim në kampionatin amerikan të futbollit, MLS.
Guti aktualisht ka kontratë me Besiktasin, por nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur jashtë Evropës në vitet e fundit të karrierës së tij.
Mesfushori është lidhur me një transferim te LA Galaxy, ku ai do të arrinte si zëvendësim për David Beckham.
Ky i fundit, një ish-bashkëlojtar i Gutit te Real Madridi, do të mbetet pa kontratë më vonë gjatë këtij viti.
Samir Nasri ka qenë i ngazëllyer me debutimin me fitore te Manchester City në ndeshjen përballë Tottenhamit.
Ish-mesfushori i Arsenalit, ishte pjesë e ekipit që fitoi 5-1 në White Hart Lane, derisa kontribuoi edhe me dy asistime.
“Ky është një vend i vështirë për të fituar. Unë pata një ndeshje të mirë, por më e rëndësishmja është se ne fituam 5-1 dhe u dërguam sinjal klubeve të tjera”.
“Ky është vetëm fillimi i sezonit, është e rëndësishme të ruash vetëbesimin, por jam i bindur se ne kemi një ekip të shkëlqyeshëm këtu dhe mund të fitojmë gjëra”, ka thënë Nasri.
Kaka duket i ngazëllyer që është shkruar në listën e golashënuesve në fitoren 6-0 të Real Madridit ndaj Real Zaragozas.
Mesfushori, i cili është lidhur me shumë klube, mes tjerash edhe me ish-klubin e tij, Milanin, dhe me anglezët e Arsenal, thotë se ai dëshiron të mbetet te Reali dhe beson se ka mbështetjen e trajnerit Jose Mourinho.
“Jam i kënaqur me fillimin tonë të ligë. Kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne. Gjithmonë kam qenë i qartë se dua të arrij sukses te Real Madridi. Mourinho ka thënë se ai llogarit në mua dhe shpresoj të shfrytëzoj mirë shanset që fitoj. Ne të gjithë jemi të kënaqur me ndeshjen”, ka thënë Kaka.
Wayne Rooney mendon se Manchester United ia doli shumë më mirë se Manchester City gjatë ndeshjeve të këtij vikendi.
City mposhti Tottenhamin me rezultat 5-1 në White Hart Lane, para se United të fitojë me rezultat 8-2 ndaj Arsenalit në Old Trafford.
“Mendoj se edhe nëse ata [Arsenali] do ta kishin ekipin e plotë ose jo, ne do të dilnim, luanim dhe shënonim gola. Ata kishin disa lojtarë jashtë, por nëse shikojmë performancon tonë, ishte e brilante”.
“Dukshëm ishte një rezultat i mirë për Man Cityn, një fitore e mirë, por ne duhet të koncentrohemi te vetja dhe nuk mendoj se dikush tjetër mund ta mposhtë Arsenalin me rezultat 8-2 këtë sezon”, ka thënë Rooney.
Klubi në krizë, Arsenali, është duke lansuar ofertë për mbrojtësin e Chelseat, Alex.
The Sun shkruan se menaxheri i Topçinjve përfundimisht ka kuptuar se duhet të reagojë pasi u shpartalluar në mënyrë të turpshme në disfatën 8-2 nga Manchester United në takimin e djeshëm.
Ekipi nga Emirates tash ka kontaktuar Chelsean për të pyetur për Alex dhe Blutë janë të gatshëm ta shesin lojtarin. Arsenali e vlerëson atë me 7 milionë funte, por rivalët e tyre londinez duan 10 milionë.
Alex, 29-vjeçar, ishte vetëm në bankën e rezervave në takimin të shtunës dhe e ardhmja e tij në Stamford Bridge është e paqartë.
Edin Dzeko ka lavdëruar ndikimin e Samir Nasri në fitoren e Manchester Cityt ndaj Tottenhamit.
Ish-mesfushori i Arsenalit, Nasri, krijoi dy nga katër golat e Dzekos në fitoren 5-1 ndaj Tottenhamit.
“Samir Nasri do të jetë fantastik për ne në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që e kemi atë këtu pasi ne kemi një ekip të madh dhe e treguam këtë, por ne duam të përmirësohemi në çdo ndeshje”.
“Ai është një lojtar i shkëlqyeshëm, ai tregoi te Arsenali se sa i mirë është. Jam i lumtur që e shoh atë këtu dhe dua ta falënderoj atë dhe gjithë ekipin pasi unë nuk mund të shënoj katër gola pa ekipin”, ka thënë Dzeko.
















