Arsenali ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit gjerman, Per Mertesacker, nga Werder Bremeni.
26-vjeçari kalon në Emirates nga Bundesliga dhe do t’u ofrojë Topçinjve përvojë në qendër të mbrojtjes.

“Jemi të entuziazmuar që ta mirëpresim Per Mertesackerin në skuadër... Besoj se ai do të përshtatet mirë në Ligën Premier dhe do të ofrojë cilësi të mëdha për skuadrën”, ka thënë trajneri Arsene Wenger.

Mertesacker e ka falënderuar ish-skuadrën e tij, Werder, ndërsa transferimin në Londër e konsideron si plotësim të ëndrrës dhe hap të rëndësishëm në karrierë.
Mbrojtësi i Real Madridit, Ricardo Carvalho, ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës ka njoftuar për pensionimin nga përfaqësuesja e Portugalisë.
33-vjeçari u largua nga fusha stërvitore të mërkurën, pasi kishte kuptuar se nuk do të ishte startues në ndeshjen e të premtes ndaj Qipros, ashtu që vendosi të mos udhëtonte drejt Nicosias, dhe i ka dhënë fund qëndrimit në kombëtare, sepse mendon se meriton trajtim më të mirë.

“Ndjehem në formë të shkëlqyer, fizikisht dhe mendërisht, ashtu siç edhe kanë treguar performancat e mia për klubin dhe ekipin kombëtar”.

“Nëse ata më bëjnë të ndjehem sikur barrë dhe nuk ma thonë, e vetmja mundësi është që të largohem”.

“Nuk e kam planifikuar ta përfundoj karrierën me kombëtaren në këtë mënyrë, por e bëj këtë me bindje të plotë se gjithmonë e kam nderuar vendin tim”, ka deklaruar mbrojtësi i Realit.

Carvalho ka debutuar për Portugalinë në vitin 2003 në një ndeshje kundër Shqipërisë, ndërsa gjatë karrierës ka bërë 74 paraqitje dhe ka shënuar katër gola.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, beson se David De Gea do të përmirësohet dhe do të jetë shumë i suksesshëm te Manchester United, pas startit të pa sigurt me klubin e ri.
“De Gea sigurisht se është portier i mirë. Unë nuk kam parë shumë nga ai më parë, por ajo ishte diçka që unë e kam vërejtur menjëherë”.

“Pasimet e tij janë sikur të Van der Saar. Ai rallë herë degazhon për sulmuesit. Ai është i ri dhe duhet të mësojë ende. Ai po punon. Ai ka karakter të fortë. Pas ndeshjes ndaj Cityt, ai nuk është shfaqur i ndikuar”, tha Rooney.
Manchester City ka konfirmuar transferimin e ish- mesfushorit të Manchester Unitedit, Owen Hargreaves.
30-vjeçari braktisi Djajtë e Kuq pasi në fund të qershorit i skadoi kontrata, ndërsa tash ka nënshkruar për një vit me rivalin e United.

Mesfushori anglez i kushtoi Manchester Unitedit 19 milionë euro kur u transferua nga Bayern Munichu në vitin 2007, mirëpo karriera e tij në Old Trafford është përcjellë me lëndime të shumta.
Barcelona do ta përcjellë nga afër supertalentin e Santosit, Neymar, gjatë sezonit të ardhshëm.
Përderisa braziliani është shumë i dëshiruar nga Real Madridi, është presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ai që ka urdhëruar angazhimin e njerëzve nga Camp Nou për ta përcjellë 19 vjeçarin.

Sport shkruan se agjenti i Barcelonës, Jordi Melero është në Brazil për të përcjellë Neymar dhe ai do ta bëjë këtë në ndeshjet e kampionatit brazilian në javët në vijim.
Interi ka vazhduar me transferime në ditën e fundit të afatit kalimtar veror duke konfirmuar arritjen e të riut nga Brescia, Lorenzo Tassi.
16-vjeçari ka luajtur vetëm një herë për ekipin kryesor të skuadrës së rënë në Serie B, mirëpo konsiderohet si lojtar premtues dhe përplot potencial.

Pritet që Interi ta mbrojë atë nga presioni i futbollit të nivelit të lartë, dhe vetëm kur të vijë koha do ta nxjerrë në skenë.
Milani ka arritur që brenda pak minutash të zyrtarizojë transferimin e mesfushorit të Palermos, Antonio Nocerino.
Nocerino ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Milanin, në një marrëveshje permanente.

Në negociata dhe në marrëveshje ishte përfshirë edhe Ricardo Ferreira i cili do të jetë në bashkëpronësi të klubeve.
Roma ka transferuar tre lojtarë, Fernando Gagon nga Real Madridi, Miralem Pjanic nga Lyoni dhe Fabio Borinin nga Parma.
Transferimet e Romës kanë ardhur të gjitha në orët e fundit, duke përëbërë kështu goditje të fuqishme para mbylljes së afatit kalimtar.

Të gjitha transferimet janë kryer për një shumë totale prej jo më shumë se 15 milionë eurosh.
Edhe zyrtarisht Wesley Sneijder do të qëndrojë te Interi, pasi agjenti i mesfushorit holandez ka hedhur poshtë spekulimet se klienti i tij është duke i zhvilluar testet mjekësore në Old Trafford.
”Kjo është absolutisht e pa vërtetë. Ai nuk është në Mançester për testet mjekësore”, theksoi Soren Lerby për TMW.

Wesley Sneijder ishte subjekt spekulimi disa mujor për largim nga Interi drejt Manchester Unitedit, një ëndërr kjo që do të mbetet e pa realizuar për Djajtë e Kuq.
Pas konfirmimit të transferimit të Diego Forlan, Interi ka arritur të sigurojë shërbimet e sulmuesit të Lazios, Mauro Zarate, pas dështimit për transferimin e Rodrigo Palacios nga Genoa.
Bëhet fjalë për një marrëveshje huazimi njëvjeçar të vlefshëm 2.7 milionë euro, me opsionin që Nerazzurët ta blejnë komplet kartonin për 15 milionë euro.

“Jam shumë i kënaqur për kalimin tim te Interi. Unë kam qenë i gatshëm të luaj edhe pa pagë për këtë klub”, theksoi Zarate pas kalimit te Interi.
Arsenali ka kompletuar transferimin e futbollistit të Fenerbahces, Andre Santos për një shumë prej 7 milionë eurosh.
Futbollisti ka qenë në radarin e Arsenalit pas skandalit të basteve që shkatërroi Fenerin, megjithëse lojtari nuk e ka përmendur këtë si arsyen kryesore për largimin e tij.

“Unë nuk jam larguar nga Fenerbahce për shkak të skandalit të basteve. Doja të kaloja te një klub tjetër, të bëja një kthesë në karrierën time”, theksoi Andre Santos pas kalimit te Arsenali.
Diego Forlan ka kompletuar transferimin e tij te gjiganti italian, Interi, pasi iu nënshtrua testeve mjekësore dhe qëndroi dje në Appiano Gentile.
Shuma e transferimit të 32 vjeçarit nuk është bërë e ditur ende, mirëpo supersulmuesi uruguaian ka nënshkruar kontratë dyvjeçare me klubin zi-kaltër.

“Jam i lumtur që jam këtu, Interi është klub shumë i rëndësishëm me lojtarë të mëdhenj. Unë dua të luaj mirë dhe të fitoj, unë u premtoj të gjithë tifozve se do të bëj më të mirën për klubin që t’i arrijë synimet e tij”, theksoi Forlan për Sky.
Tottenham Hotspur ka arritur marrëveshje me West Ham United për të nënshkruar me mesfushorin Scott Parker.
30-vjeçari, i cili u zgjodh Lojtar i Vitit nga Asociacioni i Futbollistëve Profesionist sezonin e kaluar edhe pse u eliminua nga Liga Premier, arrin në White Hart Lane për një shumë që raportohet të jetë 8 milionë funte.

“Ne jemi të ngazëllyer të zbulojmë se kemi arritur marrëveshje me West Hamin për transferimin e përhershëm të Scott Parker”, thuhet në deklaratën e klubit londinez.
Mesfushori i Liverpoolit, Joe Cole, i është bashkuar Lille në formë të huazimit njëvjeçar.
29-vjeçari erdhi në Anfield si transferim i lirë nga Chelsea verën e kaluar, por lëndimi dhe forma e dobët e penguan atë të tregojë ndonjë ndikim. Arritjet e reja si Jordan Henderson, Charlie Adam dhe Steward Downing, e bënë edhe më të vështirë përfshirjen e Cole në ekipin e parë, dhe ai tash është lejuar të largohet drejt kampionatit francez.

“Liverpool FC bën të ditur se ka përmbyllur marrëveshjen me Lille për një transferim huazimi të Joe Cole. 29-vjeçari do t’i bashkohet kampionëve të Francës për pjesën e mbetur të sezonit”, shkruhet në deklaratën në faqen zyrtare të klubit anglez.

Ndërkohë transferimin e ka konfirmuar edhe klubi francez, që shprehet ‘i kënaqur dhe krenar’ që ka joshur një lojtar të kalibrit të tij.
Juventusi ka konfirmuar transferimin e Eljero Elias nga Hamburgu për një shumë prej 9 milionë eurosh.
Anësori fantastik holandez do të nënshkruajë një kontratë katërjveçare për klubin nga Torino, ndërsa u largua nga kampi i kombëtares holandeze vetëm e vetëm për ta kompletuar transferin te klubi italian.

“Juventusi bën të ditur arritjen e marrëveshjes me Hamburgun për transferimin definitiv të lojtarit holandez Eljero Elia. Juventusi ka paguar 9 milionë euro, të cilave mund t’u shtohet edhe një milion varësisht nga paraqitjet e futbollistit”, shkruan në komunikatën e Juventusit.
Simon Kjaer i është bashkuar Romës në formë huazimi nga Wolfsburgu, konfirmuan zyrtarë të Lega Calcios.
22 vjeçari Kjaer ishte i frustruar pse marrëveshja nuk u finalizua gjatë të martës, por tani duket se çdo dyshim për arritjen e marrëveshjes është zhdukur.

Danezi i kreu testet mjekësore javën e kaluar para finalizimit të marrveshjes mes dy klubeve.
Anësori i Hamburgut, Eljero Elia, është shprehur mjaft i lumtur pas arritjes në Torino për realizmin e ekzaminimeve mjekësore dhe për të nënshkruar me gjigantin italian Juventus.
Mëngjesin e të martës, Elia braktisi kampin stërvitor në Holandë dhe u nis për në Itali për të kompletuar transferimin e tij.

“Jam shumë i lumtur”, ka deklaruar lojtari porsa ka shkelur në aeroport dhe më pas është dërguar për ekzaminimet mjekësore.

Pas testeve, 24-vjeçari do të nënshkruajë kontratë, e cila do t’i kushtojë Juves rreth nëntë milionë euro.
Real Madridi ka zbuluar se Pedro Leon është rikthyer te Getafe në formë huazimi, derisa në Serie A, Milani po ashtu ka huazuar Massimo Oddon te Lecce.
Spanjolli iu bashkua Realit verën e kaluar për 10 milionë euro pas një sezoni impresiv te Getafe, por dështoi të gjejë hapësirë në sistemin e lojës së Jose Mourihos. 24-vjeçari tash rikthehet te ish-klubi i tij në formë të huazimi njëvjeçar, ndërsa klubi ka mundësi ta shndërrojë transferimin në të përhershëm sezonin e ardhshëm.

“Real Madridi dhe Getafe kanë arritur marrëveshje për huazimin e Pedro Leon te klubi i fundit. Getafe mban të drejtën për të blerë lojtarin në fund të sezonit”, shkruhet në deklaratën e Realit.

Edhe Milani ka zbuluar se edhe Oddo do të largohet në formë huazimi njëvjeçar drejt Lecce.

“Milan bën të ditur se Massimo Oddo është lejuar t’i bashkohet Lecces në formë huazimi”, shkruhet në deklaratën e Milanit.