Kampioni në fuqi i US Open, Rafael Nadal, është kualifikuar në raundin e tretë të kësaj gare, pasi që francezi Nicolas Mahut u tërhoq për shkak të lëndimit në pjesën abdominale.
Edhe Roger Federer është kualifikuar në raundin e radhës pas fitores prej 6-3, 4-6, 6-4 dhe 6-2, kundrejt kroatit Marin Cilic.
Ndërkaq, në kategorinë e femrave, tenistja e tretë në botë dhe ish-kampionia e US Open, Maria Sharapova, është eliminuar nga italiania Flavia Pennetta, e cila fitoi me rezultat 6-3, 3-6 dhe 6-4.
Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, e ka bërë të qartë se përfaqësuesja e tij nuk tenton të luajë si Barcelona.
54-vjeçari më herët kishte thënë se planifikonte të adaptojë një lojë me më shumë pasime, diçka të ngjashme si Spanja dhe Barcelona, mirëpo tash ai e ka distancuar veten nga ideja për të kopjuar këto filozofi.
“A kam menduar për ndryshime të mundshme në taktikat tona? Po. Mirëpo modeli i Barcelonës është ekzagjeruar shumë dhe krahasimet mes tyre dhe nesh nuk janë bërë asnjëherë nga unë”.
“Disa ndeshje ndihmojnë për të kuptuar limitet tuaja dhe në fund ju mund ta kuptoni se ne nuk jemi si ata (Barca). Ata janë një skuadër që është edukuar për shumë vite, derisa ne jemi vetëm në fillim të rrugës”, ka deklaruar Prandelli.
Klubi gjerman Schalke planifikon të largojë dyshen Jermaine Jones dhe Jose Jurado, të cilët konsiderohen tepricë në skuadër.
Bild njofton se dy lojtarët mund të transferohen në klubet turke, ku afati kalimtar skadon më 5 shtator.
Ekipi nga Gelsenkirchen e ka zvogëluar numrin e lojtarëve këtë verë, ndërsa Jones dhe Jurado pritet të largohen për shkak të pagave të tyre të larta dhe nevojës jo të madhe për ta.
Mesfushori i Liverpoolit, Steven Gerrard, shpreson të jetë në fushë më 18 shtator për të luajtur në përballjen ndaj Tottenham Hotspur në White Hart Lane.
Kapiteni i Redsave nuk ka luajtur që nga muaji mars për shkak të lëndimit, ndërsa pas operacionit në prill, rikuperimi tij u stërzgjat për shkak të një infeksioni, i cili e ktheu në spital dhe e detyroi të mungonte në takimet e para të sezonit të ri.
Gerrard ka thënë për faqen zyrtare të klubit se ndjehet shumë mirë dhe deri kah fundi i javës së ardhshme do të fillojë stërvitjet e plota në mënyrë që të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Spursave.
Anzhi Makhachkala nuk ka arritur ta transferojë sulmuesin e Portos, Hulk, në ditën e fundit të afatit kalimtar veror, për një shumë prej 87 milionë eurosh.
Një delegacion i dërguar në Portugali nga Dagestani kishte arritur marrëveshje me brazilianin, por tentimet e Portos për t’ia rritur edhe më shumë çmimin lojtarit bëri që marrëveshja të mos arrihet.
Të dyja klubet kishin arritur një marrëveshje në ora 20:00 të mërkurën me vlerë 87 milionë euro dhe kontratë 10.5 milionë euro në vit për lojtarin.
Sidoqoftë, presidenti i Portos, Pinto Da Costa dy orë pas arritjes së marrëveshjes, kërkoi që shuma të rritej në 90 milionë euro, gjë që ishte e papranueshme për gjigantin rus.
Trajneri i ekipit të parë te Manchester United, Rene Meulensteen, ka këmbëngulur se kampionët e Ligës Premier nuk kanë frikë për mbrojtjen e titullit, pasi Arsenali dhe Chelsea, sipas tij, nuk kanë gjasa për titull.
“Ne nuk jemi të frikësuar nga askush. Manchester City është ende rival i madh. Por, Arsenali ka shkuar prapa, Liverpooli është në fazën e njëjtë të rindërtimit dhe Chelsea ka bërë transferimin e madh, Matan”.
“Por, skuadra e Chelseat është e dobët dhe tempi i tyre nuk është aq i lartë sa për ta fituar një titull”, ka deklaruar Meulensteen.
Barcelona ka marrë lajme shumë të mira, pasi kapiteni Carles Puyol pritet të jetë i gatshëm për të luajtur në ndeshjen hapëse të Ligës së Kampionëve ndaj Milanit në Camp Nou më 13 shtator.
Mbrojtësi pesë muajt e fundit ka kaluar nëpër vështirësi të mëdha pasi u lëndua në gjurin e majtë ndaj Racing Santanderit në janar. Puyol u rikthye në prill, luajti ndaj Real Madridit, por iu nënshtrua operimit pas finales së Ligës së Kampionëve.
33-vjeçari vazhdoi stërvitjet më herët gjatë javës, por nuk pritet të jetë i gatshëm për Real Sociedadin më 10 shtator.
Puyol debutoi për Barcelonën 12 vite më parë ndaj Valladolidit dhe ka fituar 17 trofe me Barcelonën.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli, ka pranuar se ekipi i tij ishte tepër i ngadalshëm dhe jo efektiv në fitoren minimale ndaj Ishujve Faroe.
“Ne kemi tentuar të ndërtojmë aksione, por ne ishim shumë të ngadalshëm. Në nivel të kombëtareve, gjithçka mund të ndodhë, por ishim të fokusuar”.
“Na mungoi pasimi final, por fusha ishte e rëndë dhe kushtet ishin të vështira. Sidoqoftë, nuk ka arsyetime kur nuk shënoni me dominimin e hershëm që kemi pasur”, potencoi Prandelli.
Trajneri i Holandës, Bert van Marwijk, ka shprehur kënaqësinë e tij pas fitores me rezultat të jashtëzakonshëm prej 11-0 ndaj San Marinos, duke thënë se ekipi i tij mund të luajë bukur ndaj secilës skuadër.
“Ndaj kundërshtarëve më të dobët si San Marino, përqendrimi është më i vogël. Sidoqoftë, ne kemi treguar se dimë të luajmë futboll të mirë ndaj secilit”.
“Unë natyrisht se e kuptoj që San Marino nuk është kundërshtar top klasi, por ishte lojë e mirë. Unë kam parë kombinime dhe gola të bukur. Ne vërtet jemi zhvilluar në një top ekip, ashtu që tani jemi krenarë me të”, është shprehur Van Marwijk.
Interi është goditur rëndë nga UEFA, pasi sulmuesi i porsatransferuar, Diego Forlan, nuk do të ketë të drejtë të luajë në fazën grupore të Ligës së Kampionëve për klubin e ri.
Forlan kishte luajtur për Atleticon në kualifikimet për Europa League, kurse tani Interi ka njoftuar në faqen zyrtare se përkundër përpjekjeve, UEFA nuk ka lejuar regjistrimin e tij për fazën grupore të Ligës së Kampionëve.
Megjithatë, Forlan do të lejohet që të luajë për fazën 1/16 të Ligës së Kampionëve në rast se Interi kualifikohet nga Grupi B.
Sir Alex Ferguson është shpallur menaxheri i muajit nga autoritetet e Ligës Premier, kurse më i miri ndër futbollistët për muajin gusht ishte Edin Dzeko.
Sir Alex Ferguson ka arritur të realizojë tri fitore në tri javët e para në Ligën Premier, duke mbajtur kryesimin në tabelë. Ekipi i tij pos tjerash ia shkaktoi Arsenalit humbjen më të rëndë në histori të klubit me rezultat 8-2.
Edin Dzeko është golashënuesi më i mirë në Ligën Premier pas tri javësh, duke shënuar plot 6 gola, mesatarisht nga dy për një ndeshje
Ylli i Santosit, Neymar, ka pranuar se ai është i lëkundur nga interesimi i Real Madridit për të.
“Unë ndihem shumë i lëkundur prej tyre, por për momentin nuk kam marrë vendim nëse do të largohem nga Brazili”.
“Nuk kam vendosur ende asgjë. E qartë është, pasi mbaroi afati kalimtar, do të luaj në Brazil. Te Santosi kam garancinë e të qenurit pranë familjes. Unë gjërat i shikoj me zemrën time dhe vendosi kur do të jetë momenti i duhur për t’u larguar”, tha Neymar për AS.
Mesfushori i Spanjës, Cesc Fabregas ka reflektuar në rëndësinë e Andres Iniestas për kombëtaren pas fitores sensacionale prej 3-2 ndaj Kilit.
“Andres Iniesta është ai që e revolucionarizoi takimin. Ai luajti shumë mirë, shënoi golin e parë dhe asistoi në golin e dytë, unë është dashur vetëm ta prek topin për të shënuar”, u shpreh Fabregas.
Spanja shënoi fitore prej 3-2 ndaj Kilit, përkundër disavantazhit prej 0-2 në pjesën e parë.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque ka lëvduar paraqitjen e ekipit të tij në fitoren prej 3-2 ndaj Kilit, por ka kritikuar mungesën e përqëndrimit në mbrojtje.
“Na mungoi përqëndrimi defensiv dhe kështu lejuam hapësira. Ne nuk kemi mundur të luajmë më keq se sa që bëmë në pjesën e parë kur pësuam dy gola”.
“Më pas ne i jemi rikthyer punës tonë të zakonshme, krijuam raste. Jam i kënaqur me rrjedhën e ndeshjes. Kjo ishte më shumë se miqësore, ndeshje e shkëlqyer, një në të cilën Kili luajti shumë mirë. Ata bënë presion dhe luajtëm mjaft mirë. Ata janë ekip i mirë”, potencoi Del Bosque.
Sulmuesi i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka reaguar ashpër pas vërshëllimave ndaj tij nga tifozët e Qipros në ndeshjen e zhvilluar në Nicosia, të cilën portugezët e fituan me rezultat 4-0.
“Unë u kam mbyllur gojën njerëzve gjatë tërë vitit. Unë nuk brengosem çfarë thonë të tjerët”.
“Unë dua të vazhdoj të punoj, unë e kam filluar sezonin në formë të mirë, me gola të rëndësishëm dhe dua të vazhdoj. Unë dua të bëj më të mirën”, tha CR7
Daniele De Rossi ka thënë se ai shpreson që Francesco Totti dhe trajneri Luis Enrique t’i tejkalojnë telashet e tyre dhe që sulmuesi veteran të qëndrojë në Romë.
Trajneri spanjoll ka sjellur disa lojtarë të rinj në Olimpico dhe kapiteni legjendar nuk ka qenë zgjedhje automatike për formacionin e tij, gjë që ka shkaktuar mos pajtueshmëri në zhveshtore.
“Totti është thesar për Romën, ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave pas Roberto Baggios, por edhe Luis Enrique është i mirë, trajner i ri që është ofensiv dhe lojal. Duhet t’u themi mjaft fraksioneve te Roma”, tha De Rossi.
Heroi i dy golave ndaj Bullgarisë, Wayne Rooney, ka deklaruar se pas fitores së lartë në transfertë Anglia është shumë pranë kualifikimit në Euro 2012.
“Ne tashmë jemi kualifikuar. Uellsi na bëri nder të madh duke mposhtur Malin e Zi. Ne jemi shumë pranë kualifikimit. Nëse fitojmë të martën ne edhe zyrtarisht do të jemi të kualifikuar”.
”Unë jam ndjerë mrië. Ishte paraqitje e mirë nga i gjithë ekipi dhe ne merituam tri pikët. Unë po kënaqem me futbollin tim, unë kam uri për mua dhe dua ta dëshmoj veten përsëri”, theksoi Rooney.
Përzgjdhësi i përfaqësueses sonë kombëtare, Josip Kuzhe, ka deklaruar pas ndeshjes së humbur me rezultat 2-1 ndaj Francës se ai më nuk ka objektiva.
“E humbëm fillin që në minutat e para. Ishim të pa organizuar dhe pësuam shumë shpejt”.
“Më pas e morëm veten, por kjo nuk na shërbeu për asgjë, sepse kemi pësuar disfatë. Largimi i Currit ma prishi gjithë planin. Ajo që çalonte ishte mesfsha. Tashmë nuk kam objektiva tjerë dhe mendoj për ri konstruktimin e ekipit për ndeshjet e ardhshme”, deklaroi Kuzhe pas takimit.
Përzgjedhësi i Francës, Laurent Blanc ka përshëndetur performancën e ekipit të tij ndaj Shqipërisë, por shtoi se ka edhe shumë gjëra që duhet të përmirësohen nga ekipi i tij.
“Ka gjëra të mira të cilat mund t’i marrim nga kjo ndeshje. Natyrisht, ne mund të përmirësohemi. Në sulm ne mund të luajmë më mirë. Një gol i tretë do ta përfundonte ndeshjen, por fatkeqësisht portieri i tyre dhe goli i tyre e ndryshoi takimin”.
“Hugo Lloris është dashur të bëjë një numër intervenimesh vendimtare. Ai ishte në formë të mirë”, tha Blanc pas ndeshjes në Qemal Stafa.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain beson se hapësira me Barcelonën po zvogëlohet edhe më shumë pas çdo ndeshje.
“Sa herë luajmë ndaj Barcelonës ne gjithmonë i afrohemi nivelit të saj”.
“Ne vërtet duam ta përfundojmë sezonin me shumë trofe në kabinet”, u shpreh Higuain për ESPN.
Mbrojtësi i Real Madridit, Ricardo Carvalho rrezikon të dënohet me tri muaj suspendim nga Liga e Kampionëve pas braktisjes së kampit të kombëtares portugeze.
33 vjeçari braktisi kampion e kombëtares portugeze kur e mësoi se nuk do të ishte startues ndaj Qipros. Pak kohë më pas, Carvalho bëri të ditur pensionimin nga kombëtarja, për shkak të mos trajtimit të duhur.
Sipas statutit të UEFA-s, dënimet nga federatat e shteteve përkatëse mund të kenë efekt edhe në paraqitjet e lojtarit në garat evropiane për klube, gjë që mund t’i ndodhë Carvalhos nëse Federata Portugeze e Futbollit hap procedurë disiplinore ndaj tij.
Asi i Barcelonës, Cesc Fabregas ka pranuar se ai nuk ka mundur ta shohë Arsenalin të shkatërruar ndaj Manchester Unitedit me rezultat 8-2 në sfidën e zhvilluar në Old Trafford.
“Unë e shikova ndeshjen ndaj Manchester Unitedit në televizor dhe e pata të vështirë. Unë kam vuajtur gjatë ndeshjes, sidomos për shkak të rivalitetit mes klubeve”.
“Por, unë jam mi bindur se skuadra do të përmirësohet në ndeshjet e ardhshme”, u shpreh Cesc.
Ish-mbrojtësi i Manchester United, Gary Neville ka pohuar se as Sir Alex Ferguson nuk do ta kishte fituar Kampionatin Botëror me Anglinë verën e kaluar.
“Ferguson do të mund të kishte nxjerrë më shumë nga skuadra”.
“Por, realiteti është se nëse do të ishim në gjendje ta mposhtim Spanjën? Jo, sepse ata ishin shumë më të mirë se sa Anglia”, pohoi Neville për BBC.
















