Anësori i Arsenalit, Andrey Arshavin, ka folur rreth vendimit të klubit për shitjen e Cesc Fabregas dhe Samir Nasri, të cilët i ka quajtur të pazëvendësueshëm. Lojtari rus mendon se skuadra e tij duhet ta ndërtojë stilin e ri të lojës pas transferimeve të reja që ka bërë Arsene Wenger.
“Humbja e Fabregas dhe Nasrit është shumë e madhe. Teksa po qëndroja në stol në takimin kundër Udineses, i thash Bendtnerit se nuk kemi lojtarë të cilët duhet t’i pasojnë topa Van Persiet ose të shfrytëzojnë anën e fortë të sulmuesve tanë. Bendtner më tha se vetëm Xavi do ta zëvendësonte Cescun”.
“Jam i lumtur që kam pasur rastin të luaj me një lojtar aq të madh. Disa janë të pazëvendësueshëm. Me Artetan dhe lojtarët tjerë në pozitën e tij, ne do të luajmë tjetër futboll në krahasim me atë të periudhës së Cesc dhe Samir”, ka thënë Arshavin.
Anësori rus është në dyshim nëse skuadra do të jetë e fortë për t’u bërë ballë klubeve, si Manchester City, Manchester United dhe Chelsea.
Juventusi është duke e përgatitur një ofertë për transferimin e mbrojtësit të krahut të Benficas, Joan Capdevila.
Spanjolli iu bashkua klubit portugez gjatë kësaj vere si transfer i lirë për të zëvendësuar Fabio Coentraon, i cili shkoi drejt Real Madridit, mirëpo ai e ka gjetur veten prapa Emersonit në zgjedhjet e trajnerit të Benficas.
Ai po ashtu nuk bën pjesë në listën e lojtarëve që do të luajnë në Ligën e Kampionëve në fazën grupore, ashtu që agjenti i lojtarit ka thënë se klienti i tij është i zhgënjyer.
Më herët Napoli është interesuar për ish-lojtarin e Villarrealit, ndërsa ilsussidiario.net njofton se Juventusi planifikon ta transferojë 33-vjeçarin gjatë afatit kalimtar të janarit.
Përfaqësuesja e Francës në basketboll ka regjistruar fitore mjaft të vështirë prej 96-95 kundër Serbisë për të kryesuar Grupin B në xhiron e fundit të fazës së parë të Eurobasketit që mbahet në Lituani.
Francezët edhe një herë dëshmuan se janë fizikisht dominues dhe po ashtu konfirmuan se, krahas spanjollëve, janë favoritët kryesorë për ta fituar kampionatin.
Ata që shënuan më shumë për Francën në këtë takim ishin Tony Parker (24 pikë) dhe Nicolas Batum (18 pikë), ndërsa Marko Keselj (25 pikë) dhe Nenad Krstic (22 pikë) ishin më të vërejturit te Serbia.
Sulmuesi i Santosit, Neymar, nuk do të largohet nga klubi aktual deri në fund të sezonit evropian, ka thënë babai i lojtarit.Spekulimet rreth të ardhmes së brazilianit janë intensifikuar edhe pas mbylljes së afatit kalimtar, sipas të cilave, ai ka marrëveshje për t’iu bashkuar Barcelonës.
Megjithatë, klubi brazilian dhe babai i lojtarit kanë mohuar diçka të tillë duke e bërë të qartë se 19-vjeçari do të qëndrojë edhe një sezon të plotë te Santosi.
“Neymar dëshiron të qëndrojë te Santosi deri në prill të vitit 2012”, ka thënë babai i lojtarit, Neymar da Silva Santos, për Radio Mana Mana.
Përfaqësuesja e Zvicrës U-21 ka shënuar fitore të lartë prej 4-0 kundër Kroacisë në kuadër të kualifikimeve në Grupin 5.Steven Zuber e hapi serinë e golave (8’) dhe me rezultat minimal u mbyll gjysma e parë.
Në pjesën e dytë (62’), Nzuzi Toko dyfishoi epërsinë, ndërsa Pajtim Kasami shënoi për rezultatin 3-0 (79’).
Rezultatin përfundimtar e vendosi Haris Seferovic në minutën e 81-të.
Portieri i Francës, Hugo Lloris, ka theksuar ambicien që përfaqësuesja e tij duhet ta mposhtë Rumaninë në ndeshjen e të martës, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.
Trekolorët kryesojnë në Grupin A dhe pas fitores së vështirë kundër Shqipërisë janë në rrugë të mirë për kualifikim.
“Qëllimi ynë është që t’i fitojmë të tre pikët, por ne e dimë se kjo do të jetë një ndeshje e vështirë, krahasuar me fitoren prej 2-1 kundër Shqipërisë”, ka thënë Lloris.
Mesfushori i Tottenham Hotspur, Sandro, ka thënë se do t’i pëlqente që të provonte futbollin italian pasi ka mësuar për një interesim të Romës për shërbimet e tij.“Jam i lumtur që Roma është interesuar për mua, por nuk kishte asgjë konkrete”.
“Një të ardhme në Itali? Padyshim. Nuk ishte vetëm Roma e interesuar për mua këtë sezon. Kishte edhe skuadra tjera, mirëpo asnjëherë nuk pati një ofertë konkrete”, ka thënë 22-vjeçari për Radio Mana Sport 24.
Kampionati italian i futbollit do të fillojë të premten, pasi që Lega Serie A ka nënshkruar një marrëveshje të përkohshme me Unionin e lojtarëve (AIC) për një kontratë kolektive.Mosmarrëveshjet mes klubeve dhe lojtarëve bënë që java e parë e Serie A të shtyhej, ndërsa mendohej se nuk do të zhvillohej as java që vjen.
Mirëpo, tash është arritur marrëveshje që Kampionati të vazhdojë normalisht, derisa bisedimet për një kontratë kolektive janë ngrirë deri në fund të sezonit.
Milani do ta fillojë sezonin të premten si nikoqir i Lazios, Juventusi pret Parmën në stadiumin e ri, Interi udhëton te Palermo, ndërsa Roma pret Cagliarin.
Fernando Gago thotë se nuk është ndier keq që e ka braktisur Real Madridin për t’iu bashkuar Romës në formë huazimi.Mesfushori argjentinas u largua nga Bernabeu, pasi Jose Mourinho i kishte thënë se ishte tepricë, pas arritjeve të Nuri Sahin, Jose Callejon e Hamit Altintop.
“Nuk kam pasur asnjëherë probleme me Mourinhon, ai mori vendimet e tija unë i mora të miat”.
“Jam larguar nga Madridi me raporte të mira. E vërteta është se unë fillova mirë me Blancos duke luajtur rregullisht dhe duke fituar një titull, por më pas u lëndova dhe asnjëherë nuk isha në gjendje që të gjej vend në formacionin e parë”, ka thënë 25-vjeçari për Il Corriere dello Sport.
Apeli i Arsenalit ndaj ndalesës së UEFA-s për dy ndeshje në Ligën e Kampionëve kundrejt Arsene Wenger, është refuzuar, ashtu që strategu francez nuk do ta drejtojë skuadrën e tij në dy takimet e radhës në këtë garë.
Trajneri i Topçinjve ishte suspenduar për shkak të thyerjes së një ndalimi të mëparshëm duke u paraqitur në takimin ndaj Udineses, dhe kështu UEFA vendosi ta dënojë për dy ndeshje mosparaqitje.
Arsenali reagoi duke apeluar te trupi disiplinor dhe i kontrollit pranë kësaj organizate, megjithatë vendimi mbetet i pa luhatur, kështu Wenger do të mungojë ndaj Borussia Dortmundit dhe Olympiakosit në ndeshjet grupore.
Mbrojtësi i Chelseat, David Luiz, mundohet që ta joshë bashkëkombësin e tij, Neymar, drejt Stamford Bridge.Ylli i Santosit konsiderohet si njëri nga lojtarët më me perspektivë, ndërsa Real Madridi dhe Barcelona kanë kërkuar me ngulm shërbimet e 19-vjeçarit.
Po ashtu, thuhet që ai ka qenë në shënjestër të Bluve në vitet e fundit. Ndërsa Luiz, i cili po shkëlqen te Chelsea që nga janari kur u transferua nga Porto, po mundohet t’i ndihmojë klubit në sjelljen e Neymar.
“Padyshim që do ta dëshiroja Neymarin në ekipin tim, por varet nga ai që të vendosë se ku dëshiron të luajë- shpresoj që të nënshkruajë për Chelsean”, citon London Evening Standard fjalët e Luiz.
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, beson se tentimi për ta kopjuar Barcelonën është i vështirë, ndërsa mendon se e vetmja mënyrë për t’i mposhtur Blaugranët është duke i ndërruar mënyrat e lojës.Të zgjedhurit e Pep Guardiolas duken të pandalshëm, sidomos pasi fituan La Ligan dhe Ligën e Kampionëve në sezonin e kaluar, ndërsa kohë më parë fituan edhe Superkupën e Spanjës përballë rivalit të përbetuar, Real Madrid.
“Është vështirë të kopjohet mënyra e lojës së Barcelonës. Mendoj se mënyra e tyre e lojës mund të kalohet nëse skuadrat tjera adaptojnë stile të ndryshme”, ka thënë për Sky Sport Italia legjenda e dikurshme e Francës dhe Juventusit.
Legjenda e dikurshme e Milanit, Marco Van Basten, beson se holandezi Eljero Elia do të shkëlqejë te Juventusi.Anësori 24-vjeçar u transferuar në Torino gjatë këtij afati kalimtar veror për shumën prej nëntë milionë eurosh nga Hamburgu, ndërsa ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Bianconerët.
“Elia është lojtar i shpejtë dhe shumë i mirë në driblim. Ai është i shkëlqyer në situatat një në një dhe zakonisht fiton kundrejt markuesve të tij”, citohet Van Basten nga La Repubblica.
Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, beson se nuk do të zgjatë shumë dhe klubet do të gjejnë përgjigje për stilin e lojës së Barcelonës.
Katanalasit konsiderohen si një prej ekipeve më të mira në historinë e futbollit, por Capello mendon se dominimi i tyre nuk është i patejkalueshëm.
“A shoh dikë ta stopojë Barcelonën në të ardhmen e afërt? Mendoj se po. Do të jetë e mundshme, pasi ne jemi me fat tash që mund t’i studiojmë kundërshtarët. Ju mund të gjeni zgjidhje për të ndaluar Barcelonën, duke kuptuar fuqinë e tyre. Ju mund ta studioni shumë.
“Po ashtu, kur ju fitoni shumë, ndonjëherë humbni diçka për të qenë të fokusuar në çdo ndeshje, për të dashur të fitoni. [Pastaj] Disa lojtarë bëhen edhe më të vjetër”, ka thënë Capello.
Barca fitoi La Ligën dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar dhe filloi sezonin e ri duke fituar Superkupën e Spanjës ndaj Real Madridit dhe duke mposhtur Porton në Superkupën e Evropës.
Sulmuesi i Lazios, Miroslav Klose, ka deklaruar se ekipi aktual i Gjermanisë është një prej më të mirëve pjesë e të cilit ka qenë ai.Sulmuesi veteran bëri debutimin e tij zyrtar për Gjermaninë në vitin 2001 dhe që atëherë ka qenë pjesë e tre Kupave të Botës, por ai mendon se ekipi që nga Kupa Botërore 2010 është më i miri se kurrë më parë.
“Ne tashmë kemi treguar disa performaca të shkëlqyeshme gjatë 10 viteve të mia me ekipin kombëtar, por ky është ekipi më i fuqishëm që kemi pasur nëse shikojmë në lojtarët dhe talentët që ka”.
“Djelmoshat vërtet po bëjnë një punë të shkëlqyeshme. Ne kemi bërë një hap përpara pas Kupës Botërore në Afrikën e Jugut. Megjithatë, ne ende nuk jemi në fund të zhvillimit tonë pasi ekipi ende mund të përmirësohet më tej”, ka thënë Klose.
Gjermania është ekipi i parë që është kualifikuar në Euro 2012 me edhe tre ndeshje të mbetura, pasi mposhti Austrinë me rezultat 6-2 për të siguruar edhe pozitën e parë në Grupin A.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka kritikuar Jose Mourinhon pas sjelljeve të shfaqura nga trajneri i Real Madridit në ndeshjen e dytë të Superkupës së Spanjës në Camp Nou.Mourinho ia futi gishtin në sy asistentit të Pep Guardiolës, Tito Vilanova, gjatë përleshjes në çastet e fundit të ndeshjes dhe Cruyff mendon se ish-trajneri i Chelseat dhe Interit ka shkuar shumë larg kësaj here.
“Ajo çfarë ai bëri ishte një akt arrogance dhe impotence. Shumë thonë se ai e bëri atë për të shpërndarë vëmendjen dhe për të bërë që njerëzit të flasin më shumë për incidentin se sa për vetë ndeshjen, por unë nuk besoj në këtë”.
“Problemi është se ai po bëhet i obsesionuar me pamundësinë për të mposhtur Barcelonën. Ai e ka kaluar kufirin këtë herë. Shumë gjëra kanë ndodhur në mes të dy ekipeve në të kaluarën, por kurrë nuk ka qenë kaq keq”, ka thënë Cruyff.
Zëvendëspresidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, thotë se Cesc Fabregas po dëshmon më shumë vlerë se sa çmimi të cilin Blaugranët i paguan Arsenalit.
Fabregas, transferimi i të cilit i kushtoi kampionit të Evropës plot 35 milionë funte, ka shënuar tashmë tre gola për Barcën, një në miqësore ndaj Napolit, një në La Liga ndaj Villarrealit dhe një në Superkupën e Evropës ndaj Portos.
“Pasi kemi parë rolin e tij që nga arritja, është e vërtetë se Cesc meriton 60 milionë euro, sa Arsenali kërkonte fillimisht. Djaloshi po tregon nivele të larta dhe kualitet në tre javë stërvitje. Transferimi ishte shumë i mirë”.
“Në një treg që është aq i hapur Cesc vlen shumë para. Ishte gjë e komplikuar për të mbyllur marrëveshjen. Negociatat kanë qenë shumë të vështira”, ka thënë Bartomeu.
Bayern Munich raportohet se është duke përcjellë situatën e Fernando Llorente te Athletic Bilbao.
Me ardhjen e trajnerit të ri Marcelo Bielsa ndikimi i Llorente në ekip është në rënie ndërsa lojtari është i shqetësuar edhe për vendin e tij në përfaqësuesen e Spanjës, shkruan Cadena Ser.
Llorente ka qenë cak i kamotshëm i presidentit të Real Madridit, Florentino Perez, edhe pse gjiganti madrilen nuk ka dërguar asnjë ofertë formale për spanjollin gjatë afatit kalimtar veror.
Tash duket se edhe Bayern Munich po i kushton një vëmendje të afërt situatës së sulmuesit dhe është duke menduar të bëjë ofertë në afatin kalimtar të janarit.
Panathinaikos ka marrë disa lajme jo të këndshme pasi anësori i këtij ekipi, shqiptaro-greku Sotir Nini (Sotiris Ninis), do të jetë jashtë fushe për gjashtë muaj për shkak të një lëndimi në gju, raporton ueb faqja e UEFA-së.
21-vjeçari shënoi golin e vetëm që i dha Greqisë tre pikë në ndeshjen e të premtes kundër Izraelit, por morri një lëndim në gju dhe u detyrua të largohet pas 77 minutash.
Ylli i Panathinaikos, i cili është i lindur në Himarë të Shqipërisë, iu nënshtrua ekzaminimeve gjatë vikendit kur u vërejt se ai kishte dëmtuar ligamentet më të rëndësishme.
Nini do të jetë jashtë gjatë tre ndeshjeve të mbetura kualifikuese për Euro 2012, ndërsa do të mungojë edhe për pjesën më të madhe të sezonit në kampionatin grek.
Pippo Inzaghi do të zhvillojë biseda me trajnerin Massimiliano Allegri për shkëputjen e kontratës, pasi ai u la jashtë Ligës së Kampionëve.Inzaghi, 38-vjeçar, ishte tronditur kur u la jashtë ekipit të Milanit që do të luajë në Ligën e Kampionëve, shkruan Corriere della Sera.
Veterani, pasi ka mësuar për shkarkimin e tij, nuk është paraqitur në stërvitje të premten, pasi kishte marrë leje nga zëvendëspresidenti Adriano Galliani.
Sot do të jetë rasti i parë kur Inzaghi dhe Allegri do të përballen me njëri-tjetrin që nga vendimi.
Inzaghi raportohet se mund të transferohet te Atalanta nëse vendos të shkëpusë kontratën me gjigantin italian.
Anësori i Manchester United, Nani, thotë se ai shpreson të ndërtojë ‘vitin e tij më të mirë’ me Djajtë e Kuq këtë sezon dhe të tregojë se ai mund të bëjë shumë më shumë për klubin.Portugezi tashmë po shijon sezonin e pestë me Djajtë e Kuq dhe është bërë pjesë integrale e tyre, por thotë se ai do të vazhdojë të punojë fuqishëm për t’u përmirësuar edhe më tej.
“Viti i kaluar ishte më i miri, përfundimisht sezoni im më i qëndrueshëm, tash shpresoj që ky do të jetë viti im. Do të jap më të mirën. Nëse jam i gatshëm për çdo ndeshje, jam 100 për qind i sigurt se do të jap më të mirën dhe do t’ia dal mirë për ekipin tim”.
“Ky është një shans i mirë për të treguar se mund t’ia dal më mirë, se jam një lojtar i mirë, me mentalitet të fuqishëm. Gjithmonë punoj fuqishëm për të arritur sukses dhe për të ndihmuar ekipin të fitoj[ tituj”, ka thënë Nani.
Kolo Toure është i vendosur të dëshmojë se ai mund të tregojë formën më të mirë edhe pa tableta dietetike kur të bëjë rikthimin e tij në fushë në Ligën Premier.
Mbrojtësi i Bregut të Fildishtë është duke mbyllur suspendimin prej gjashtë muajsh dhe tash është rikthyer në stërvitje derisa synon të dëshmojë se ai është mjaft i mirë për të qenë pjesë e ekipit të Roberto Mancinit.
30-vjeçari konsumoi atë që ai mendonte se ishin tableta për dietë, por i ishte shqiptuar përjashtimi kur u zbulua që tabletat ishin bendroflumethiazide, që ndodhet në listën e barnave të cilat janë të ndaluara nga Federata Angleze.
“Ndjehem si 24, 25-vjeçar. Dua t’u tregoj të gjithë njerëzve të cilët mendojnë se Kolo Toure kishte nevojë për tableta, tableta uji, për të qenë një futbollist më i mirë. Unë vetëm desha t’u tregoj atyre dhe këtë edhe do të bëj”.
“Do të jap 100 për qind në çdo ndeshje të vetme për t’u treguar këtyre njerëzve se nuk kam nevojë për tableta uji për të qenë një mashkull më i mirë. Kam qenë në këtë Ligë për po thuajse 10 vite, duke qenë i pamposhtshëm me Arsenalin, duke bërë shumë ndeshje të mia. Vetëm dua t’u dëshmoj atyre”, ka thënë Toure për City TV.
Trajneri i përfaqësuese së Brazilit në futboll, Mano Menezes, shprehet optimist se Ronaldinho mund të rikthejë formën e tij të vjetër dhe ta dëshmojë veten si një prej lojtarëve kyç të ekipit të tij.31-vjeçari, i cili u la jashtë finaleve të Kupës Botërore 2010 në Afrikën e Jugut dhe që atëherë ka luajtur vetëm një herë në disfatën 1-0 nga Argjentina, është përfshirë në ekipin e Menezes për miqësoren ndaj Ganës që zhvillohet sonte në Craven Cottage të Londrës.
Megjithatë, ish-ylli i Paris Saint-Germain, Barcelonës dhe Milanit, ka rikthyer formën duke shënuar 15 herë për Flamengon dhe Menezes ka shpjeguar se ai meriton të veshë fanellën kombëtare edhe njëherë.
“Ronaldinho është kampion i botës me Brazilin [Kupa Botërore 2002] dhe pas rikthimit të tij në vendlindje ai është rikthyer në formë dhe ka luajtur shumë mirë. Ai po bëhet një prej lojtarëve më të mirë të sezonit dhe siç ka qenë i suksesshëm me Flamengo ai mund ta ndihmojë edhe ekipin kombëtar”, ka thënë Menezes për AFP.
Fabio Capello ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me formën e Andy Carroll, pasi e kishte lënë sulmuesin jashtë formacioni gjatë fitores 3-0 ndaj Bullgarisë.22-vjeçari filloi me Liverpoolin në dy ndeshjet e para në Ligën Premier, por duhej të inkuadrohej nga stoli për dy ndeshjet e fundit, pasi nuk arriti të tregojë ndonjë ndikim.
Trajneri italian ka thënë se formë të dobët po kalon edhe Frank Lampard, i cili po ashtu ishte lënë jashtë përfaqësueses për fitoren në Sofje.
“Carroll mbase nuk është në kulmin e lojës së tij. Unë i zgjedh lojtarët në momentet më të mira të formës, por Andy nuk luajti në ndeshjet e fundit me Liverpoolin. Po ashtu, ai është i lartë. Ai ka nevojë të luajë ndeshje, ndeshje, ndeshje në fillim të sezonit [për t’u kthyer në formë]”.
“Kur lojtarë të tillë, si Lampard, si Andy, janë të gatshëm dhe në kulm të formës, ata janë shumë të rëndësishëm”, ka thënë Capello.
Eric Abidal mund të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni pasi Paris Saint-Germain ka shfaqur interesim për të nënshkruar me mbrojtësin francez, shkruan Sport.Kontrata aktuale e 31-vjeçarit me klubin spanjoll do të skadojë në verën e ardhshme dhe Abidal dëshiron të nënshkruajë marrëveshje të re.
Megjithatë, Abidal ka për synim marrëveshje dyvjeçare, derisa Barcelona duket se dëshiron t’i ofrojë atij kontratë njëvjeçare me një opsion për edhe një sezon tjetër nëse ai arrin të ruajë formën.
PSG është duke monitoruar negociatat nga afër dhe është gati të ndërhyjë dhe t’i ofrojë Abidal kontratë deri në verën e vitit 2015.
Abidal iu bashkua Barcelonës nga Lyoni në qershor të vitit 2007 dhe që atëherë ka bërë mbi 100 paraqitje zyrtare për ekipin nga Camp Nou.
















