Pas humbjes nga Franca në Tiranë, përfaqësuesja e Shqipërisë është mposhtur sërish, kësaj radhe nga skuadra inferiore, Luksemburg.
Kombëtarja kuqezi asnjëherë më parë nuk kishte humbur nga kundërshtari i të martës mbrëma, ndërsa kësaj radhe dështoi me rezultat 2-1.

Gilles Bettmer ia solli epërsinë skuadrës së tij (27’) dhe gjysma e parë u mbyll me epërsi minimale për vendasit.

Në gjysmën e dytë gjërat u vështirësuan edhe më shumë për kombëtaren shqiptare, pasi që Ansi Agolli u përjashtua me karton të kuq (54’).

Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe dhjetë minuta më vonë e barazuan rezultatin, ndërsa realizues ishte Erjon Bogdani (64’).

Mungesa e një lojtari në fushë bëri që Luksemburgu ta rikthente epërsinë përmes Aurelien Joachim (78’), ndërsa përjashtimi i Bogdanit me karton të kuq (85') shoi shpresat e Shqipërisë për të nxjerrë një barazim.

Pas kësaj humbjeje, Shqipëria mbetet e parafundit në Grupin D me tetë pikë, katër më shumë se Luksemburgu që gjendet i fundit.
Anzhi Makhachkala është duke e shqyrtuar mundësinë për t’i bërë ofertë trajnerit të Turqisë, Guus Hiddink, që të marrë postin e trajnerit në klubin rus.
Drejtuesit e klubit janë në rrugë për të ndërtuar një skuadër të fuqishme, sidomos pas transferimeve të Samuel Eto'o dhe Yuri Zhirkov, ndërsa tash dëshirojnë edhe një strateg të mirë.

“Hiddink është njëri nga top-trajnerët, prandaj interesimi i Anzhit për holandezin nuk është një befasi”, ka thënë një burim për Tvoi Den.
Ylli brazilian Robinho beson se Milani mund ta mposhtë Barcelonën në takimin që do të zhvillohet në Camp Nou të martën e ardhshme në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve.
Rossonerët udhëtojnë në Spanjë me vetëdije të plotë se do të përballen me skuadrën më të mirë të sezonit të kaluar, mirëpo Robinho, i cili e njeh nga afër Barcën ka thënë se ekipi i tij mund të fitojë kundrejt Blaugranëve.

“Të gjithë duam të shkojmë në Camp Nou të luajmë dhe jam i bindur se Milani ka kualitet për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Robinho për Milan Channel.
Zëvendëskryetari i Federatës Italiane të Futbollit, Demetrio Albertini, e ka quajtur Mario Balotellin një kampion, mirëpo ka thënë se ai duhet të ketë kujdes që të mos bëjë gabime si deri më tani.
Sulmuesi i ri është kritikuar sërish këtë javë, pasi është parë duke përdorur një iPad gjatë ndeshjes kualifikuese kundër Ishujve Faroe.

“Ne duhet t’i tregojmë Marios për fatin që ka dhe se si ai është përgjegjës për të ardhmen e tij. Ai është një djalë shumë i mirë që sillet shumë mirë me ekipin e Italisë, mirëpo nganjëherë e përzien futbollin me aspektin medial”.

“Ne e dimë se ai është një kampion i madh, mirëpo qëndrimet e tij nuk janë ideale në momente të caktuara”, ka thënë ylli i dikurshëm i Milanit për Sky Sport Italia.
Sulmuesi i Interit, Diego Forlan, ka thënë se nuk e ka ditur se nuk mund të luajë në fazën grupore të Ligës së kampionëve me klubin e tij të ri.
Pasi e transferuan nga Atletico Madridi, zikaltrit tentuan ta përfshinin atë në skuadrën prej 25 lojtarësh që do të garojnë në Ligën e Kampionëve, mirëpo kuptuan se ai nuk mund të luajë deri pas përfundimit të fazës grupore, sepse ka luajtur në raundin e tretë kualifikues të Europa League kundër Stromsgodset.

“E vërteta është se nuk i kam ditur rregullat e UEFA-s. Unë jam bazuar në atë që më është thënë, se do të mund të luaja, duke qenë se nuk kam luajtur ndaj Victoria Guimaraes”, ka thënë Forlan për Radio Onda Cero.
Anësori i Bayern Munichut, Arjen Robben, pritet të mungojë në takimin e të shtunës kundër Freiburgut, pas problemeve me ashtin pubik.
27-vjeçari ka punuar shumë në ditët e fundit për t’u rikuperuar, mirëpo akoma ka shenja inflamacioni në ashtin e tij.

Holandezi është shoqëruar me lëndime të shumta në këtë fillim sezoni duke munguar në takimin ndaj Kaiserslauternit, ndërsa tash duket se ai do të mungojë edhe ndaj Freiburgut.

Ndërkaq, ai pritet të jetë në fushë në përballjen e radhës, të cilën bavarezët e zhvillojnë kundër Schalkes.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e fundjavës kundër Sunderlandit.
Muajin e kaluar çeku lëndoi ligamentet e gjurit në stërvitje, ndërsa është pritur që ai të mungojë së paku katër javë. Mirëpo, duket se rikuperimi i tij po shkon shumë shpejtë.

Trajneri i Bluve, Andre Villas-Boas, nuk beson aq shumë te portieri tjetër Hilario, prandaj do të presë me kënaqësi lajmin nëse Cech do të jetë në dispozicion në fundjavë.
Trajneri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, konsideron se Manchester City dhe Chelsea do të jetë dy sfiduesit kryesorë për titullin e Ligës Premier kundrejt skuadrës së tij.
Të dyja klubet nga Mançesteri e kanë filluar sezonin e ri me tri fitore nga tri ndeshje, ndërsa Blutë kanë regjistruar dy fitore dhe një barazim.

Megjithatë, Sir Alex mendon se rreziku do të vijë edhe nga City edhe nga Chelsea. Nga City për faktin që kanë bërë investime të mëdha, ndërsa Blutë e kanë përvojën në anën e tyre.
Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, do të mungojë gjashtë javë, pasi e ka operuar tendinin e Akilit.
Sipas babait të lojtarit, Vermaelen ka udhëtuar në Suedi për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje në nyjën e këmbës së majtë.

“Mjeku në Stokholm, ku Thomas është operuar herën e fundit, e ka diagnostikuar problemin tash”.

“Ai nuk ka rrezikuar asgjë dhe menjëherë e ka operuar Thomasin. Ai pret që të mos jetë në dispozicion për pesë ose gjashtë javë”, ka thënë babai i Vermaelen për Sporza.
Mesfushori i porsatransferuar te Real Madridi, Nuri Sahin, shpreson që të kthehet në aksion sa më shpejtë që është e mundur.
Lojtari turk e ka dëmtuar një ligament në gjurin e majtë, ashtu që pritet të mungojë deri në muajin nëntor.

22-vjeçari e ka shfrytëzuar profilin e tij në Twitter për të thënë se shpreson që kthimi i tij të jetë shumë më i shpejtë saqë është menduar në fillim, dhe se ai është duke u angazhuar maksimalisht që kjo të ndodhë.
Oliver Bierhoff, i cili ka një rol në stafin teknik të përfaqësueses së Gjermanisë, thotë se gjermanët janë plot ambicie në prag të Euro 2012, pasi synojnë ta fitojnë titullin e Evropës për të parën herë që nga viti 1996.
Gjermania mposhti Austrinë me rezultat 6-2 gjatë të premtes për të siguruar biletën për në finalet e vitit të ardhshëm që mbahen në Poloni dhe Ukrainë, dhe Bierhoff është i bindur se ata janë në rrugë drejt suksesit.

“Ne jemi në rrugën e duhur, edhe pse ende kemi punë për të bërë. Komentet e fundit nga lojtarët dhe stafi tregojnë se cila është ambicia jonë. Ne synojmë ta fitojmë Euro 2012”, ka thënë Bierhoff për Goal.

“Është e qartë se ne po përballemi me një konkurrencë të vështirë nga ekipet si Holanda, Spanja dhe disa kombëtare të tjera. Megjithatë, lojtarët më japin një ndjenjë të fuqishme se ata janë të vendosur ta fitojnë atë kësaj here se sa të përfundojnë të dytë ose të tretë. Ekipi ende është në zhvillim dhe është gjë e mirë që lojtarët e ri vazhdojnë të shtojnë dominimin e tyre”, ka shtuar ish-sulmuesi.

Gjermania sonte do të zhvillojë një miqësore kundër Polonisë.
Cristiano Ronaldo e ka përshkruar menaxherin e Manchester United, Sir Alex Ferguson, si “baba të dytë” dhe ka refuzuar të përjashtojë një rikthim në Angli në të ardhmen.
Sulmuesi i Real Madridit, 26-vjeçar, u largua nga Old Trafford në vitin 2009 për t’u transferuar në Bernabeu për një shumë rekorde që kap vlerën e 94 milionë eurove.

Portugezi ende ka ndjenja ndaj ish-klubit të tij dhe e ka krahasuar trajnerin aktual, Jose Mourinho, me Sir Alex derisa ka zbuluar se atij i mungon futbolli i Ligës Premier.

“Sir Alex Ferguson është babai im i dytë – ai më ka ndihmuar shumë të përmirësohem dhe tash Z. Mourinho po ashtu pasi ata të dy janë menaxherë me përvojë të cilët fitojnë shumë gjëra, andaj për mua ata janë trajnerët më të mirë”.

“Kam kujtime të mira nga Manchesteri dhe kur shikoj ndonjë ndeshjet më mungon shumë pasi është një pjesë e imja të cilën e kam lënë në Angli. Vetëm sepse luaj në Madrid nuk më mungon kontakti me djelmoshat e vjetër, andaj kur kam mundësi flas me Sir Alex”, ka thënë mes tjerash Ronaldo për Sky Sports.
Sulmuesi i Romës, Bojan Krkic, ka thënë se atij i mungon gjithçka e Barcelonës, derisa kujton me lakmi kohën e tij me kampionët e Evropës.
Sulmuesi 21-vjeçar është produkt i akademisë së të rinjve të Barcelonës, por ka dështuar të sigurojë vend të rregullt në ekipin e parë në Camp Nou, pavarësisht se ka bërë mbi 100 paraqitje zyrtare dhe ka vendosur të zhvendoset te Roma këtë verë.

“Më mungon gjithçka që e rrethon klubin. Më mungojnë kolegët, shokët dhe gjithkush që kujdesej për Barcelonën. Më mungojnë shumë gjëra. Më pëlqen gjithçka që kam këtu dhe gjithmonë e kam këtë ndjenjë të nostalgjisë. Kjo nuk është gjë e keqe”.

“Nuk ka asnjë klub të vetëm atje i cili mund të garojë me Barcelonën. Ata gjithmonë synojnë ta fitojnë La Ligën, Ligën e Kampionëve dhe gjithçka tjetër. Grupi lojtarëve të cilin e shihni në dhomën e veshjeve të Barcës është unik. Atje ka shumë lojtarë vendorë dhe të tjerë të cilët vërtet kujdesen për Barcelonën po ashtu. Situata aktuale është falë tyre”, ka thënë Krkic për Radio Catalunya.
Fabio Capello ka paralajmëruar lojtarët e tij të neutralizojnë lojën e Gareth Bale, pasi ky është kërcënimi kryesor për Anglinë.
Dy ekipet do të takohen sonte në kuadër të grupit G eliminator për Euro 2012, pasi të dyja fituan në ndeshjet e të premtes, Anglia ndaj Bullgarisë, dhe Uellsi ndaj Malit të Zi.

“Bale gjithmonë e bën dallimin. Ai është një lojtar shumë, shumë i rëndësishëm për Uellsin. Ne kemi nevojë të gjejmë një sistem për të ndaluar atë dhe të ndalojmë të tjerët të pasojnë për të. Ne duhet të jemi të kujdesshëm çdoherë kur ai e pranon topin”, ka thënë Capello.

Për shkak të lëndimit, anësori i Tottenhamit nuk ishte në gjendje të luajë në muajin mars kur dy ekipet u takuan në Millennium Stadium, ndeshje të cilën Anglia e fitoi me rezultat 2-0.
Ylli i Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger, mezi pret takimin miqësor përballë Holandës që do të zhvillohet në nëntor dhe thotë se gjermanët nuk kanë frikë nga holandezët.
Gjermania u bë ekipi i parë që u kualifikua në Euro 2012 duke mposhtur Austrinë me rezultat 6-2 gjatë të premtes, dhe ata konsiderohen si një prej favoritëve për ta fituar turneun e vitit të ardhshëm, së bashku me ekipet si Spanja dhe Holanda.

“Nuk kam qenë krejtësisht i kënaqur me paraqitjen tonë kundër Austrisë të premten. Ata thjesht nuk ishin në nivelin tonë. Ne më shumë do të luanim kundër ekipeve si Spanja dhe Holanda”.

“E di se lojtarët si Mark van Bommel dhe Arjen Robben janë vërtet të mirë dhe ata janë lojtarë të shkëlqyeshëm. Megjithatë, ne nuk kemi frikë nga Holanda”, ka thënë Schweinsteiger.

Gjermania do të presë Holandën në një miqësore më 15 nëntor. Të dyja kombëtaret janë takuar gjashtë herë që pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1990, me Holandën që ka fituar në tre raste dhe gjermanët që kanë dalë fitues vetëm një herë.
Diego Forlan ka sulmuar ish-trajnerin e Atletico Madrid, Quique Sanchez Flores, duke e fajësuar taktikun për raportet e tyre të vështira sezonin e kaluar.
Uruguaiani humbi rolin e startuesit te Atletico në sezonin e kaluar për shkak të raporteve jo të mira me trajnerin dhe u largua nga klubi spanjoll këtë verë për t’u transferuar te Interi, edhe pse Sanchez Flores ishte zëvendësuar nga Gregorio Manzano.

“Ai kishte probleme personale me mua dhe e bëri shumë të qartë, edhe pse unë nuk kisha bërë asgjë keq. Unë nuk kisha absolutisht probleme me të. Quique Flores ka qenë në drejtim të disa ekipeve edhe ai ka pasur probleme kudo që ka qenë. Ne të gjithë e dimë se si punon ky xhentëlmen”.

“Mbase qasja ime ndaj tij nuk ishte e përkryer, por kurrë më parë nuk kam pasur probleme me ndonjë trajner. Unë jam 32 vjeçar dhe tashmë kam punuar me disa trajnerë”, ka thënë Forlan.
Presidenti i UEFA-së, Michel Platini, gjatë një interviste për Corriere dello Sport ka thënë se futbolli italian nuk po vuan nga kriza.
“A është futbolli italian në krizë? Nuk besoj në këtë si president i UEFA-së. Po, kam fituar dy trofe evropianë me Juventusin dhe ata ishin kohë të mira, por jo [nuk janë në krizë], pasi vitin e kaluar Interi fitoi Ligën e Kampionëve”.

“Futbolli është i përbërë nga cikle dhe të krijosh një ekip nuk është e lehtë, por është e lehtë ta shkatërrosh atë. Megjithatë, ekipet e mira gjithmonë kanë sukses – ato si Real Madrid, Benfica, Inter, Milan dhe Manchester United [janë shembujt më të mirë]”, ka thënë Platini.
Roger Federer ka treguar klasin e tij duke shkatërruar Juan Monaco në tre sete (6-1, 6-2, 6-0) në rundin e katërt të turneut US Open, për t’u kualifikuar kështu në çerekfinale.
Ndeshja nuk zgjati më shumë se një orë e gjysmë dhe kampioni i 16-fishtë botëror i Grand Slam-eve dhe i pesëfishtë i US Open theu argjentinasin më shumë falë lojës së tij, por edhe falë gabimeve të Monacos.

Federer në çerekfinale do të takohet me francezin Jo-Wilfried Tsonga, i cili mposhti Mardy Fish po gjatë ditës së djeshme.

Novak Djokovic po ashtu ka siguruar biletën për në çerekfinale falë fitores ndaj Alexandr Dolgopolov.
Përzgjedhësi i ekipit kombëtar të Brazilit, Mano Menezes, është i ngazëllyer me performacën e Ronaldinhos në fitoren 1-0 ndaj Ganës në miqësoren e zhvilluar mbrëmë në Londër.
Mesfushori i Flamengos bëri paraqitjen e tij të parë në 10 muaj dhe edhe pse nuk e ndezi stadiumin, megjithatë tregoi ca shkëlqim dhe ishte afër të shënojë në disa raste.

“Ai [Ronaldinho] luajti shumë mirë dhe ai është një lojtarë të cilin ne kemi nevojë ta kthejmë në ekip. Futbolli ndërkombëtar është shumë më i shpejtë sot dhe ai e kishte ca të vështirë në fillim”.

“Por pastaj ai u fut në ritëm dhe tregoi se çfarë mund të bëjë në pjesën e dytë. Ai luajti vërtet shumë mirë dhe portieri [i Ganës, Adambathia Kwarasey] bëri një mbrojtje të mirë nga ai. Ne kemi nevojë ta sjellim atë sërish në ekipin kombëtar”, ka thënë Menezes.
Menaxheri i Valencias, Unai Emery, thotë se ekipi i tij do të duhet të luajë në formën më të mirë për të tejkaluar rivalin Atletico Madrid gjatë sfidës së vikendit.
Klubi nga kryeqyteti spanjoll është ndarë nga dy prej sulmuesve më të mirë të viteve të fundit, Sergio Aguero dhe Diego Forlan, megjithatë ka sjellë në skuadër Radamel Falcao dhe Diego si zëvendësime, dhe Emery beson se madrilenët nuk duhet të merren si një rival i lehtë.

“Ne tashmë mendojmë për ndeshjen kundër Atletico, një ekip i cili lejoi të largohen dy prej emrave më të mëdha, por që i ka zëvendësuar ata me lojtarë të rëndësishëm. Atletico është ende një ekip shumë i rrezikshëm dhe e shtuna do të jetë e para e një serie intensive të luftërave për të cilën ne do të kemi nevojë për gjithë ekipin”, ka thënë Emery.
Mbrojtësi francez Eric Abidal mohon të ketë refuzuar ofertën për kontratë të re të Barcelonës.
Agjenti i Abidal, David Venditelli, thotë se klienti i tij do të ketë nevojë për më shumë kohë për të marrë një vendim rreth të ardhmes së tij.

“Lojtari nuk e ka refuzuar ofertën për marrëveshje të re. Ne duam ta studiojmë subjektin me qetësi dhe në fund të vitit mendoj se klubit do t’i jepet një përgjigje”, ka thënë Venditelli.

Edhe vetë lojtari ka folur rreth spekulimeve për një largim të tij.

“Unë jam në negociata me Barcelonën dhe çdo herë që ka bisedime, klubet e tjera tregojnë interesimin e tyre, por Barcelona është klubi im dhe unë flas vetëm me ta dhe shpresoj se ne do të arrijmë diçka”, ka thënë Abidal.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, nuk mund të garantojë qëndrimin më shumë se deri në fundi të këtij sezoni.
Del Piero ka marrëveshje njëvjeçare te Juventusi dhe do të mbushë 37 vjet në nëntor, derisa është në dyshime nëse do të vazhdojë të luajë edhe pas këtij sezoni.

“Duke e ditur se ky mund të jetë sezoni im i fundit, kjo më shtyn të jap 200 për qind. Unë ende nuk kam vendosur nëse do të jetë sezoni i fundit te Juventusi ose në përgjithësi. Por gjatë 20 viteve, do të isha i lumtur të shoh prapa në këtë aventurë”, ka thënë Del Piero për Gazzetta dello Sport.