Ish-trajneri i Interit, Rafa Benitez ka lansuar edhe një sulm drejt presidentit Nerazzur, Massimo Moratti, pasi klubi sipas spanjollit nuk mbajti premtimet që i kishte dhënë për transferimet.
“Më janë premtuar shumë gjëra te Interi, por nuk kemi blerë asgjë. Unë kërkova Javier Mascheranon dhe madje edhe Alexis Sanchez gjatë janarit, që do të kishte kushtuar atëherë sa gjysma e shumës që pagoi Barcelona”.

“Unë kam pasur kontakt me Romën më herët gjatë verës, ashtu si tri klube nga Spanja, dy në Gjermani dhe disa kombëtare në Azi dhe Afrikë, por unë dua të pres për projektin e duhur”, tha Benitez.
Mesfushori i Liverpoolit, Stewart Downing mendon se Liverpooli ka rast shumë të mirë për të përfunduar në top katërshe dhe të kualifikohet për Ligën e Kampionëve.
“Nëse luajmë kështu, atëherë kemi mundësi që të jemi në krye të tabelës”.

“Ne e kemi filluar mirë sezonin, por kemi kalendar të vështirë para nesh, duke filluar me udhëtimin te Stoke të shtunën”, tha Downing.
Sir Alex Ferguson thotë se portieri David de Gea do të bëhet një top-lojtar sapo të adaptohet në stilin e lojës së Ligës Premier.
De Gea u kritikua për ndeshjet e para, pas gabimeve ndaj Manchester Cityt dhe West Bromit, që mund t’u kishin kushtuar Djajve të Kuq. Por 20-vjeçari ka mbështetjen e Ferguson, i cili beson se ai do të bëhet një portier i klasit sapo të adaptohet në Angli.

“David ka bërë disa gabime në ndeshjet e para, të cilat ne nuk i kemi pritur dhe as ai. Ishte e pazakonshme pasi forma e tij te Atletico Madiri si 18-vjeçar ka qenë sensacionale. Nuk ka dyshime se ne kemi një lojtar me potencial të madh. Detyra jonë është të zbatojmë potencialin e tij dhe të sigurohemi ai të bëhet portier i klasit”.

“Ai do ta bëjë këtë sapo të fitojë përvojë dhe të adaptohet në natyrën fizike të ligës. Është një ndeshje tjetër këtu krahasuar me atë në Spanjë – këtu përballesh me më shumë harkime dhe ka më shumë kontakt. Pak nga pak, ne do të arrijmë atje me të”, ka thënë skocezi për Inside United.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte ndjen se stadiumi i ri i klubit nga Torino posedon atmosferë fituese, para inaugurimit zyrtar sonte mbrëma ndaj Notts Countyt.
Juventusi ka ftuar klubin më të vjetër në botën e futbollit, Notts County, që të jetë kundërshtar për miqësoren e inaugurimit të stadiumit të ri që ka kapacitet prej 41 mijë ulësesh dhe që ka kushtuar 100 milionë euro. Stadiumi i ri gjendet pikërisht në vendin ku ka qenë më parë Delle Alpi legjendar.

“Është një stadium që ka erë të fitoreve. Delle Alpi ka qenë dëshmitar i disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë e klubit, ku janë luajtur shumë ndeshje të rëndësishme në Serie A dhe Ligën e Kampionëve”, theksoi Antonio Conte.
Një delegacion i drejtorëve të Barcelonës pritet që të zbarkojë në Brazil të premtën, përderisa Blaugranët po vazhdojnë përpjekjet për të transferuar sulmuesin e Santosit, Neymar.
Estadao.com raporton se është aranzhuar tashmë një takim mes presidentit të Santosit, Luis Alvaro de Oliveira dhe përfaqësuesve të klubit spanjoll.

Misioni i Barcelonës është të finalizojë transferimin e Neymar para zyrtarizimit në janar. Futbollisti po kërkohet edhe nga Real Madridi dhe ka një klauzolë prej 45 milionë eurosh.
Trajneri i Lazios, Edy Reja është i gatshëm që të përballet me rrezikun që posedon Milani, kur skuadra e tij të përballet me Rossonerët në ndeshjen hapëse të Serie A të premtën mbrëma.
“Klose dhe Cisse janë lojtarë të mëdhenj. Ne kemi skuadër të fortë dhe nëse qëndrojmë të fokusuar, atëherë mund t’i shkaktojmë vështirësi Milanit”.

“Ata janë favoritët, por kjo është një ndeshje që mund të na tregojë se ku jemi në këtë fazë të sezonit. Është test me rëndësi për ne dhe shpresojmë se qëndrimi ynë do të jetë më i mirë se vitet e kaluara”, deklaroi Reja.
Ashley Young shpreson se mund ta vazhdojë me sukses partneritetin e tij me Wayne Rooneyn për Manchester Unitedin dhe Anglinë.
“Ju mund të ndërtoni marrëdhënie në një klub, dhe me mënyrën se si Wayne ka filluar, me mënyrën se si klubi e filloi këtë sezon, kjo është shumë e mundur. Kështu jam i ngazëllyer me atë se si shkuan gjërat. Në rregull, ne kemi luajtur vetëm tri ndeshje dhe sezoni është i gjatë”.

“Por, gjërat kanë filluar mirë dhe shpresoj se mund të vazhdojmë të ndërtojmë një ekip fitues. Nëse e vazhdojmë partneritetin në klub, atëherë kjo do të jetë mirë edhe për Anglinë”, u shpreh Young.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri është i gatshëm për ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Lazios, por ka kërcënuar se paraqitja duhet të jetë pa gabime.
“Gjërat tani duhet të jenë më serioze, kështu duhet të shmangim gabimet ndaj Lazios. Të premtën është ndeshje shumë e rëndësishme, pasi një fitore do të na shpiente në drejtim të duhur para sfidës ndaj Barcelonës”.

“Ne e dimë se jemi favoritët, por ne duhet të jemi të kujdesshëm pasi pikët fitohen në fushë”, deklaroi Allegri.
Mbrojtësi i Barcelonës, Daniel Alves, ka gjetur kohë për të lavdëruar nënshkrimin e ri Alexis Sanchez, pasi mendon se kiliani është adaptuar shumë mirë me jetën në Camp Nou.
Sanchez u largua nga Udinese për t’u transferuar te kampionët e Evropës gjatë afatit kalimtar veror dhe nuk ka ngecur së impresionuari bashkëlojtarët e tij të rinj.

“Alexis është prej një vendi tjetër dhe lige tjetër, dhe na ka befasuar neve ca se sa mirë ai është integruar në ekip. Ai është një yll dhe yjet integrohen në grup shpejt. Alexis është një prej atyre lojtarëve i cili kënaqet shumë me bashkhëlojtarët e tij. Ai është shumë i gjallë dhe spontan”, ka thënë Alves.
Presidenti i Getafes, Angel Torres ka shprehur mendimin e tij për futbollin ‘tiki-taka’ të Barcelonës, duke thënë se ai futboll ka filluar ta humbë momentumin e vet, përkudnër faktit se pranon që Barca është më e fortë se Reali.
“Barcelona luan nga kujtesa dhe vazhdon të bëjë kështu edhe pas pesë vitesh. Ka shumë njerëz që kanë filluar të mërziten nga futbolli i tyre”.

“Është e vërtetë se cikli i tyre po shkon mirë dhe se ata e kanë poshtëruar Real Madridin, por mendoj se ky është viti kur Reali do të fillojë t’i zëvëndësojë ata”, theksoi Angel Torres para duelit të ekipit të tij me Realin.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder mendon se Holanda duhet të emërojë Jose Mourinhon si përzgjedhës, nëse dëshiron ta fitojë Botërorin. Mesfushori vazhdon të jetë nostalgjik për njeriun që i solli Interit tri tituj para dy sezoneve.
“Nëse kombëtarja dëshiron ta ketë trajnerin më të mirë të mundshëm, atëherë duhet ta transferojë Mourinhon. Ai e bën ekipin kampion bote. Jo vetëm ekipi startues kënaqet me të, por edhe rezervistët”.

“Ai gjithmonë do të jetë numri një i pa zëvëndësueshëm për mua. Unë kurrë nuk e kam dëgjuar ndonjë lojtar të flasë keq për të. Unë e kam ndjenjën se do të punojmë bashkë përsëri gjatë karrierës time”, tha Sneijder.
Legjenda e Liverpoolit, Mark Lawrenson ka hedhur poshtë mundësinë që Liverpooli të jetë konkurrues dhe pretendent serioz për titull në Ligën Premier, duke thënë se Manchester United ka një skuadër ku mund të nxirrni tri ekipe të afta për ta fituar Ligën Premier.
“Unë nuk mendoj se Liverpooli është i gatshëm që ta fitojë titullin, kjo mund të ndodhë sezonin e ardhshëm, edhe pse është pikëpyetje e madhe. Unë kam biseduar me Michael Owen dhe edhe ai më ka thënë se me lojtarët e rinj, United ka në dispozicion tri formacione”.

“Kur e pyeta se nëse ekipi i tretë do të luftonte për mbijetesë, ai e hodhi poshtë këtë dhe kjo është shumë me prespektivë për klubin nga Old Trafford”, tha Lawrenson.
Asi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo dëshiron ta fitojë Ligën e Kampionëve, përderisa ai ka nënvizuar sërish ambiciet e tij me klubin nga Santiago Bernabeu.
“Ne duhet të fitojmë trofe të mëdhenj, La Ligën dhe Ligën e Kampionëve, për shkak se këto dy tituj ju bëjnë triumfalë në futboll. Ta fitoni Ligën e Kampionëve është faza finale e të pasurit një sezon të mrekullueshëm dhe është një prej trofeve më të rëndësishëm”.

“Unë e pata fatin ta fitoj atë me Manchester Unitedin në vitin 2008 dhe ai ishte momenti më i mirë i karrierës time. Tani shpresoj ta fitoj me Real Madridin, pasi është titulli më i rëndësishëm që mund ta fitoni me ndonjë klub”, u shpreh CR7.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka thënë se nuk ekziston kurrfarë problemi mes Ricardo Carvalhos dhe Pepes, për shkak se vendimi i Carvalhos për t’u pensionuar nga kombëtarja portugeze nuk kishte lidhje me Pepen.
“Marrëdhëniet mes Carvalhos dhe Pepes janë të shkëlqyera. Gjithmonë kanë qenë të tilla”.

“Situata rreth kombëtares portugeze nuk ka të bëjë me atë te Real Madridi. Çfarë ndodh te përfaqësuesja e Portugalisë nuk na intereson fare”, theksoi Mourinho.
Trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, thotë se pas humbjes së shanseve të Shqipërisë për kualifikim në Euro 2012, ai do të përqendrohet në rindërtimin e skuadrës.
Shqipëria pësoi dy disfata në dy ndeshjet e fundit, një nga Franca dhe një nga Luksemburgu dhe që të dyja me rezultat 2-1, nga të cilat kjo e fundit ishte turpëruese duke marrë parasysh kualitetin që kishte kundërshtari.

“Në radhë të parë, dua të përgëzoj skuadrën kundërshtare për këtë fitore, për shpirtin e garës që tregoi gjatë gjithë ndeshjes. Kjo humbje është mjaft e vështirë për t’u pranuar, pasi kishim ardhur me objektiva të tjerë në Luksemburg”, ka thënë kroati.

Pasi ka kritikuar gjyqtarin për vendimet që dëmtuan skuadrën, Kuzhe ka është zotuar se ai tashmë do të fokusohet në rinovimin e ekipit.

“Tashmë nuk kemi më objektiva në këto eliminatore, kështu që do të nisim menjëherë rinovimin e skuadrës, për t’u përgatitur për fushatën e ardhshme”, ka shtuar Kuzhe.

Me gjithë presionin që vjen pas kësaj humbjeje, Kuzhe nuk ka folur për rinovimin e kontratës, që do të thotë se gjithçka do të vendoset pasi të ulet në tavolinë me krerët e FSHF-së.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish pret që Steven Gerrard të jetë si një nënshkrim i ri për ekipin, kur ai të rikthehet nga lëndimi.
Mesfushori është duke u rikuperuar mirë pas lëndimit të vazhdueshëm në ijë, që i shkaktoi atij probleme gjatë sezonit të kaluar.

“Ai nuk është larg. Kur Steven të jetë i gatshëm për rikthim do të jetë një shtytje fantastike për secilin. Afati transferues është mbyllur, por për ne do të jetë një bonus pasi ai do të jetë si një lojtar i ri”.

“Siç ka thënë edhe vetë ai në një intervistë të shtunën, gjithçka ndjehet vërtet e fuqishme, e freskët dhe ai është i lumtur me arritjen dhe atë çfarë ka bërë – dhe ne jemi të ngazëllyer për të. Ai meriton një pushim nga lëndimet dhe ai do të mirëpritet me krahë të hapura”, ka thënë Dalglish në një konferencë shtypi.
Portieri i kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, ka marrë përgjegjësinë e pjesshme për disfatën e Shqipërisë nga Luksemburgu.
Ujkani, i cili ishte fajtori kryesor në rastin e golit të dytë të Luksemburgut, thotë se humbja i përket të gjithë skuadrës dhe jo vetëm individëve të veçantë.

“Para se të drejtojmë gishtin për të gjetur fajtorët, duhet që gjithsecili nga ne të shohë veten në pasqyrë dhe të gjejë përgjegjësitë e veta. Këtë ndeshje ne e humbëm të gjithë bashkë, nga i pari tek i fundit”, është shprehur Ujkani pas ndeshjes, siç përcjell Sporti Shqiptar.
Gennaro Gattuso është i bindur se Milani mund ta fitojë Scudetton për të dytin sezon radhazi.
Rossonerët do ta fillojnë mbrojtjen e titullit të premten në mbrëmje duke udhëtuar te Lazio.

“Lazio është një ekip që do ta bëjë çdokënd të vuajë këtë sezon. Ne përballemi në këtë ndeshje me respekt të madh, pa menduar për atë që pason”, ka thënë Gattuso për Sportitalia.

Kuqezinjtë aktualisht ka 18 Skudetto të fituara, andaj edhe dy më shumë do t’u jepnin atyre edhe yllin e dytë të përhershëm në fanella.

“Pa dyshim ylli i dytë do të ishte më impresiv për mua dhe ka një krenari të madhe në vendosjen e tij në fanellën tuaj”, ka shtuar mesfushori.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se Pep Guardiola është trajneri më i mirë në botë dhe ka shtuar se ai ka revolucionarizuar botën e futbollit me taktikat e tij.
Guardiola zëvendësoi Frank Rijkaard në stolin e trajnerit të Barcelonës në vitin 2008 dhe që atëherë ka drejtuar klubin nga Camp Nou në fitimin e tre titujve në La Liga, dy titujve në Ligën e Kampionëve dhe disa trofeve të tjera.

“Sipas mendimit tim ai është trajneri më i mirë në botë. Ka pak dyshime në këtë për mua. Ai ka revolucionarizuar futbollin dhe i ka dhënë gjithçka këtij klubi, që kemi pasur nevojë”.

“Ky ekip mund të arrijë shumë nën drejtimin e Pep dhe ne të gjithë i pranojmë vendimet e tij. Askush nuk e vendosi në dyshim kur ai la në stol Busquets në Superkupën e Evropës. Ne të gjithë kemi momentet tona kur ne nuk luajmë. As edhe Messi mund të luajë gjithmonë”.

“Ata që mendojnë se janë të paprekshëm nuk do të shkojnë larg nën drejtimin e Pep. Historia nuk llogaritet për asgjë. Ne jemi të gjithë të barabartë dhe të gjithë duhet të tregojmë se meritojmë të luajmë”, ka thënë Xavi.
Sulmuesi i Santos, Neymar, ka thënë se ai është i vetëdijshëm për interesimin e Barcelonës dhe Real Madridit, por ka shtuar se ai nuk dëshiron të bëhet subjekt i edhe një konflikti në mes dy gjigantëve spanjollë.
Raportet së fundi thanë se Barcelona ka një marrëveshje me brazilianin për një transferim në verën e ardhshme, por klubi ka mohuar thashethemet. Në anën tjetër Real Madridi po ashtu ka kërkuar fuqishëm sulmuesin dhe shpreson ta sjellë atë në Bernabeu në një të ardhme të afërt.

“Jam i kënaqur që dy prej klubeve më të mëdha janë të interesuara për mua, por nuk dua të përfshihem në luftën mes Barcelonës dhe Madridit. Gjithçka që them mund të keqinterpretohet, andaj çfarë mund të them?”.

“Nuk dua të ofendoj askënd. E vetmja gjë që mund të them është se asgjë nuk do të ndodhë deri pas Kupës Botërore të Klubeve në dhjetor”, ka thënë Neymar.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, beson se stadiumi i tyre i ri do të nxitë një revolucion në futbollin italian.
Stadiumi i Juventusit është i gatshëm për ndeshjen inauguruese kundër Notts County që zhvillohet sonte, para se Parma të udhëtojë për ndeshjen e madhe të Serie A gjatë të dielës. Dhe Del Piero mendon se edhe klubet tjera duhet të ndjekin shembullin e klubit nga Torino.

“Është një revolucion kulturor dhe sigurisht një revolucion në botën e futbollit. Është një hap i rëndësishëm për ne. Vërtet shpresoj se kjo do të bëhet një normë për futbollin italian dhe për stadiumet”, ka thënë Del Piero për Sky Sport.

Del Piero do të luajë në shtëpinë e katërt të Juventusit, pasi më herët ka luajtur në stadiumin e vjetër Comunale, që më vonë u bë Olimpico, si edhe në Delle Alpi, që është rrafshuar dhe është zëvendësuar nga stadiumi i ri. Ky i fundit do të mbajë mbi 41 mijë tifozë dhe rreshti i parë i tij është vetëm shtatë metra e gjysmë nga fusha.
Mbrojtësi i Evertonit, Royston Drenthe, ka kritikuar shpeshtësinë me të cilën Real Madridi i ndërron trajnerët.
Holandezi këtë verë u huazua në Ligën Premier nga klubi spanjoll në ditën e fundit të afatit kalimtar, pasi u detyra të stërvitet ndaras nga ekipi i parë i Realit gjatë verës. 24-vjeçari tash ka kritikuar drejtuesit e Madridit për dështim të stabilizimit të ekipit.


“Real Madridi ka pasur një prej ekipeve më të mira në botë, me një kombinim të të rinjve dhe veteranëve. Ne ishim më të mirë se Barcelona, por ekipi u shpartallua dhe situata ndryshoi”.

“Ata kanë ndryshuar trajnerët dhe pastaj e bënë këtë sërish dhe sërish. Ata ndryshojnë trajnerët [aq shpesh] sa njerëzit hanë çokollata, kjo është ajo çfarë ndodh te Real Madridi, edhe pse kam mësuar shumë atje”, ka thënë 24-vjeçari.
Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Interit, Rafael Benitez, beson se Barcelona është një ekip shumë më i mirë se Real Madridi dhe ka gjasa më të mëdha për të fituar trofe këtë sezon.
Sezonin e kaluar Madridi fitoi vetëm Kupën e Mbretit derisa Barcelona doli fituese edhe në La Liga edhe në Ligën e Kampionëve duke mposhtur ekipin madrilen në të dyja garat.

Dy klubet tashmë janë përballur këtë sezon, me Barcelonën që fitoi me rezultat të përgjithshëm 5-4 për të fituar Superkupën e Spanjës.

“Barcelona dhe Madridi janë favoritë për ta fituar Ligën e Kampionëve, por mbase Barca është një nivel më lartë. Ju duhet të shihni se si vazhdon sezoni dhe si ata do të arrijnë në lëvizjet e fundit”, ka thënë Benitez.
Kapiteni i Napolit, Paolo Cannavaro, mezi pret fillimin e kampanjës së tyre në Ligën e Kampionëve dhe thotë se ata janë të gatshëm për sfidën ndaj Manchester Cityt, që zhvillohet të mërkurën e ardhshme.
Klubi italian ka kaluar nga falimentimi në vitin 2004 dhe liga e tretë deri te futbolli në Ligën e Kampionëve, pas një revolucioni të drejtuar nga presidenti Aurelio De Laurentiis. Cannavaro tash dëshiron që ata të tregojnë veten në Angli dhe të befasojnë ekipin e Roberto Mancinit të mbushur me yje.

“Qyteti mezi pret Ligën e Kampionëve dhe ka shumë pritje nga tifozët dhe lojtarët. Në dy vitet e fundit ne vërtet kemi treguar se kush është ky klub falë trajnerit dhe ne kemi lojtarë të cilët gjithmonë dëshirojnë t’ia dalin mirë”.

“[Walter] Mazzarri na ka dhënë aq shumë, organizim, besim dh përgjegjësi. Ai ka qenë brilant”, ka thënë Cannavaro për ueb faqen zyrtare të UEFA-së.

Napoli do ta fillojë sezonin e ri këtë vikend me udhëtimin te Cesena në Serie A, para se të udhëtojë te Manchester City.