Kampioni i Italisë në fuqi, Milan, ka pësuar humbje prej 3-1 si mysafir i Napolit.
Njeriu që e dënoi Milanin ishte, Edinson Cavani, i cili realizoi het trik në takimin e zhvilluar në San Paolo.

Të parët në epërsi kaluan mysafirët, me anë të mesfushorit të transferuar këtë edicion, Alberto Aquilani (12’), mirëpo në fund të takimit ky mbeti vetëm goli i nderit për Rossonerët.

Pas vetëm një minute, Cavani e barazoi rezultatin, ndërsa më pas i kaloi vendasit në epërsi (36’).
Në minutat e para të pjesës së dytë (51’), Cavani kompletoi het-trikun e tij dhe vendosi rezultatin përfundimtar duke e ngritur skuadrën e tij në krye të tabelës me pikë të barabarta me Juventusin, Udinesen dhe Cagliarin.
Real Madridi ka pësuar humbje të papritur në terren të Levantes me rezultat 1-0.
Edhe pse Mbretërit ishin favoritë absolut në këtë takim, ata shijuan një dush të ftohtë duke u larguar kokulur nga stadiumi Ciudad de Valencia.

Hero i vendasve ishte Arouna Kone, i cili në minutën 68-të shënoi golin me vlerën e tre pikëve.

Duhet përmendur se mysafirët nga minuta e 40-të luajtën me një lojtar më pak në fushë, pasi Sami Khedira përjashtua me kartonin e dytë të verdhë.
Përfaqësuesja e Spanjës në basketboll është shpallur kampion i Evropës, pasi në finalen e Eurobasket 2011 e ka mposhtur Francën me rezultat 98-85.
Spanjollët në kampionatin e zhvilluar në Lituani luftuan për ta mbrojtur titullin e fituar në Poloni, në tentim të titullit të dytë në histori.

Ndërkohë, francezët asnjëherë nuk kanë qenë kampionë të Evropës, porse kanë luajtur një herë në finale në vitin e largët 1949.

Për të arritur në finalen e sivjetme, Spanja eliminoi Maqedoninë (92-80), ndërsa Franca doli më e fortë se Rusia (79-71).

Pas një loje mjaft efikase në finale, Spanja rezultoi më e suksesshme në të gjitha fraksionet e lojës, dhe në fund me rezultat të përgjithshëm prej 98:85 (25:20, 25:21, 25:21, 23:23), u shpall kampion i edicionit të 37-të të Eurobasketit.
Me rezultat prej 2-0, Bayern Munichu e ka mposhtur Schalken në Veltins Arena, në ndeshjen kryesore të javës së gjashtë në Bundesliga.
Nils Petersen krijoi epërsinë e parë (21’) për mysafirët, pasi një pjesë të punës e kreu Franck Ribery.

Pesëmbëdhjetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Thomas Mueller dyfishoi epërsinë dhe vendosi rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitoreje, Bayern Munichu mban pozitën e parë në tabelë me 15 pikë, dy më shumë se Werder Bremen dhe Monchengladbach që mbajnë pozitat dy dhe tre.
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, tregoi dominimin e vet në Kampionatin anglez duke e mposhtur Chelsean me rezultat 3-1 në derbin kryesor të javës së pestë që u zhvillua të dielën në Old Trafford.
Goditjen e lirë të Ashley Young e shfrytëzoi Chris Smalling, i cili e hapi takimin në minutën e tetë.
Anësori portugez, Nani, pranoi një top nga Jonny Evans për të lëshuar një goditje të jashtëzakonshme nga distanca për epërsinë e dyfishtë të vendasve (37’).

Në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë, Wayne Rooney e vulosi fitoren e Djajve të Kuq që në fraksionin e parë të lojës.

Me të filluar gjysma e dytë (46’), Fernando Torres i dha shpresa skuadrës mysafire duke shënuar golin që rezultoi të ishte goli i nderit për Blutë.

Në minutën e 57-të, Rooney dështoi të realizonte nga pika e bardhë pasi rrëshqiti dhe goditja e tij u ndal nga Petr Cech.

Në vazhdim, Torres bëri huqjen e sezonit duke mos arritur të shënonte në portën e zbrazët, ndërsa një rast shumë të mirë e pati edhe Berbatov për ta fundosur edhe më shumë Chelsean.

Pas kësaj fitoreje, Manchester United distancohet në krye të tabelës me 15 pikë, dy më shumë se Manchester City që barazoi si mysafir i Fulhamit.
Mbrojtësi veteran i Interit, Javier Zanetti, ka shprehur zhgënjimin e tij pas barazimit pa gola të të shtunës mbrëma kundër Romës në Giuseppe Meazza.
“Jemi të zhgënjyer pse nuk fituam, sepse mendoj që Interi pati rastet më të mira gjatë mbrëmjes. Merituam më shumë se një barazim”.

“Jemi të zemëruar se, përkundër që luajtëm ndaj një ekipi të shkëlqyer, që e mbante topin shumë mirë, ne asnjëherë nuk vuajtëm”, ka thënë argjentinasi për Inter Channel.
Juventusi ka regjistruar edhe fitoren e dytë në Serie A duke mposhtur Sienan si mysafir me epërsi minimale prej 1-0.
Realizues i vetëm në ndeshje ishte Alessandro Matri, i cili shënoi pas asistimit të Mirko Vucinic (54’).

Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Udinese duke e mposhtur Fiorentinan me rezultat 2-0.

Ndërkohë që Lazio është mposhtur para tifozëve të vet me rezultat 1-2 nga Genoa.
Jermain Defoe shënoi golin e dytë. Tottenham Hotspur ka dalë fitues i njërit nga derbit e javës së pestë në Ligën Premier duke e mposhtur Liverpoolin me rezultat 4-0.
Spursat zhvilluan lojë më të mirë në fraksionin e parë, megjithatë arritën të realizojnë vetëm një herë, edhe atë në fillim të ndeshjes (7’) me anë të Luka Modric.

Redsat u desh që nga minuta e 28-të ta vazhdonin takimin me një lojtar më pak, pasi që Charlie Adam u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Edhe më keq u bë në gjysmën e dytë, pasi edhe Martin Skrtel mori kartonin e dytë të verdhë (63’).

Kështu me superioritetin numerik në fushë, vendasit nuk e patën të vështirë të realizojnë edhe gola të tjerë.

Fillimisht, Jermain Defoe dyfishoi epërsinë (66’) dhe më pas Emmanuel Adebayor shënoi dy herë (68’ dhe 90’) për ta vendosur rezultatin përfundimtar.
Riccardo Montolivo nuk është më pjesë e Fiorentinës, thotë presidenti i klubit italian Mario Cognini.
Mesfushori italian që nga janari është në mosmarrëveshje me ekipin rreth kontratës së tij dhe ka kërkuar të largohet nga klubi, gjë që ka bërë që drejtuesit e klubit ta largojnë atë nga planet e tyre.
“Montolivo ka dëshmuar se ai nuk është më lojtar i Fiorentinës. Ai ka konfirmuar dëshirën e tij për t’u larguar dhe tash kjo gjë është e mbyllur. Ai në mënyrë eksplicite ka thënë se ka ambicie për një klub më të suksesshëm se Fiorentina. Ai nuk beson në projektin tonë”.

“Ne mendojmë se lojtari ka marrë telefonata nga burime të jashtme. Duke reaguar kështu ai ka dëshmuar se nuk është më një lojtar i Fiorentinës dhe nuk e ka vendin këtu. Megjithatë, Montolivo është nën kontratë dhe mbetet në dispozicion të Sinisa Mihajlovic, ashtu që trajneri do të vendosë nëse do ta luaj ose jo”, ka thënë presidenti i Violas.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka hedhur poshtë thashethemet se sulmuesi Sergio Aguero mund të rikthehet në Spanjë në fund të sezonit.
Aguero ka qenë subjekt i spekulimeve që e kanë lidhur atë me një transferim te Real Madridi, por Mancini ka qenë i shpejtë për të eliminuar çdo spekulim dhe ka deklaruar se Aguero ka një kontratë për të mbyllur në Etihad Stadium.

“Do jetë e vështirë që ai t’i bashkohet Real Madridit pasi ai ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare. Nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Ishte e rëndësishme që ne u kualifikuam drejtpërdrejtë në Ligën e Kampionëve dhe që atëherë kemi sjellë më shumë lojtarë të mirë. Jam i kënaqur pasi ne luajmë mirë”, ka thënë Italiani për Sunday Express.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, beson se kundërshtari i sotëm, Napoli, ka një ekip më të fuqishëm se sezonin e kaluar, dhe do të jetë një konkurrent i fuqishëm për titull këtë sezon.
Të dyja ekipet nxorën barazime të rëndësishme në Ligën e Kampionëve në mesjavë me
Milanin që barazoi 2-2 ndaj Barcelonës dhe Napolin që barazoi 1-1 ndaj Manchester Cityt, ndërsa sonte do të përballen në derbin e javës në Serie A.

“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme pasi Napoli sjellë lojtarë të rinj në mesfushë dhe ka forcuar ekipin, andaj i shoh ata si kandidatë për Skudetto”.

“Opsionet tona janë të limituara nga lëndimet, por ne do të shkojmë te Napoli duke kërkuar të bëjmë një ndeshje të shkëlqyeshme. Në të tilla situata ekipi duhet të dëshmojë fuqinë. Mos harroni se ne startuam dobët edhe sezonin e kaluar, por pastaj gjetëm ekuilibrin dhe fituam titullin”, ka thënë Allegri në konferencën e shtypit.

Milani, që filloi sezonin e Serie A me një barazim 2-2 ndaj Lazios, do të jetë pa sulmuesit Zlatan Ibrahimovic dhe Robinho, derisa Massimo Ambrosini dhe Kevin-Prince Boateng po ashtu kanë marrë lëndime.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, beson se ekipi i tij do të përballet me testin më të vështirë të sezonit në prag të takimit të sotëm derbi ndaj Chelseat, në Old Trafford.
Djajtë e Kuq e kanë filluar sezonin e ri me disa performanca të shkëlqyeshme kundër ekipeve si Arsenali dhe Tottenhami, por anglezi e di se Chelsea do të paraqesë një kërcënim më të madh se dy rivalët e mëhershëm.

“Ndeshja ndaj Chelseat do të jetë e vështirë dhe ne kemi nevojë të jemi në formën më të mirë. Dukshëm Arsenali është gjithmonë një rival i vështirë, por me lëndimet që ata kishin kur erdhën në Old Trafford ne ishim favoritë për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Rooney.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka lëshuar lëvdata për paraqitjen e ekipit të tij në fitoren 8-0 ndaj Osasunas në La Liga gjatë të shtunës.
Pas dy barazimeve të fundit kundër Real Sociedad dhe Milan, Barcelona bëri një performancë bindëse për të shënuar plot tetë gola, tre nge Messi, dy nga Villa, një nga Cesc dhe Xavi dhe një autogol nga Roversio.

“Ne luajtëm shumë mirë dhe kemi punuar fuqishëm për të ndihmuar njerëzit të kënaqen me atë që u bë një shou i mirë. Ishte sikur të shkosh në kinema ose teatër”, ka thënë Guadiola.
Arsene Wenger pranon se Arsenali po shijon një start të tmerrshëm të sezonit pasi Topçinjtë u turpëruan kundër Blackburnit në takimin e djeshëm.
Djelmoshat e Wenger ishin në avantazhin 2-1 në pjesën e parë, para se vendasit ta përmbysin rezultatin në 4-3 falë edhe dy autogolave të Alex Song dhe Laurent Koscielny.

Kjo do të thotë se Topçinjtë mbledhin vetëm katër pikë nga pesë ndeshje në ligë këtë sezon, që është fillimi më i keq i epokës Wenger në klub, që nga viti 1996. Ata po ashtu kanë pranuar 14 gola, më shumë se çdo ekip tjetër në Ligën Premier.

“Është vështirë të shpjegohet performanca e pjesës së dytë, pasi mendoj se ne krijuam shumë shanse”.

“Ne kishim problem të fillojmë të luajmë sërish në pjesën e dytë dhe duket sikur kishim mungesë të fokusit në atë çfarë e dinim se ata ishin shumë të fuqishëm, dhe kjo nënkupton gjuajtjet e lira dhe harkimet nga këndi”.

“Mbi të gjitha, ne humbëm një ndeshje ku shënuam pesë gola dhe kjo është zhgënjyese”, ka thënë Wenger.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se ekipi është duke luajtur nën nivel, por ka kërkuar nga kritikuesit të mos fajësojnë menaxherin Gian Piero Gasperini për rezultatet e fundit të ekipit të tij.
Duke folur për televizionin holandez pas barazimit të mbrëmshëm pa gola ndaj Romës, mesfushori ka thënë se nuk është Gasperini ai që duhet fajësuar, por kjo është përgjegjësi e ekipit.

“Është shumë e lehtë të bësh me gisht kah trajneri pasi secili e bën këtë. Fatkeqësisht gjërat nuk shkojnë mirë për ne për momentin. Ne nuk jemi në gjendje të shfrytëzojmë shumë shanse që krijojmë. Është përgjegjësi e jona dhe ne duhet të përmirësohemi si ekip” ka thënë Snedijer.

Interi filloi sezonin me disfatën 2-1 në Superkupën e Italisë ndaj Milanit, pastaj startoi në Serie A me humbje 4-3 nga Palermo, pas të cilës tronditi të gjithë kur u mposht në fushë të vet me rezultat 1-0 nga Trabzonspor në Ligën e Kampionëve.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka thënë se sulmuesi Nicolas Anelka sipas gjasave do të largohet nga klubi në fund të sezonit kur kontrata e tij skadon.
Pozita e Anelkas në ekipin e Chelseat ka qenë nën kërcënim dhe, derisa ka impresionuar këtë sezon, 32-vjeçari duket se dëshiron të largohet, sipas menaxherit të tij.

“Nico është një person shumë, shumë i lumtur, ai i takon Chelseat në kontratën e tij të fundit. Ne do të bëjmë përpjekjet tona për të rinovuar, por edhe Nico duhet t’i marrë vendimet e tij dhe nuk jam i sigurt nëse ai do të dëshirojë [të rinovojë kontratën]”, ka thënë AVB.

I pyetur edhe nëse Anelka ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Stamford Bridge, portugezi ka thënë, “Po”.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka shprehur ngazëllimin e tij pasi ekipi i tij shënoi fitore 8-0 ndaj Osasunas në La Liga gjatë takimit të zhvilluar mbrëmë dhe thotë se ky rezultat do t’ua shtojë atyre vetëbesimin.
Villa shënoi dy gola, me Lionel Messi që shënoi hat-trick. Xavi dhe Cesc po ashtu shënuan nga një gol, derisa Roversio shënoi një autogol.

“Fitorja 8-0 na jep neve vetëbesim, dhe po ashtu të shënoj dy gola më jep mua kënaqësi të madhe personale. Ne shfrytëzuam këtë ndeshje për të rritur vetërespektin tonë”.

“Është vështirë të thuash se kur ju barazoni në dy ndeshje radhazi, ju duhet të luani mirë. Por unë mendoj se ne luajtëm shumë mirë [kundër Osasunas], dhe madje edhe në këto barazime ne luajtëm shumë mirë”, ka thënë Villa.

Villa tash do të fillojë të përgatitet për ndeshjen e javës së ardhshme kundër ish-ekipit të tij Valencia, dhe premnon një ndeshje të mundimshme në Mestalla
Trajneri i Interit, Gian Piero Gasperini, thotë se ai është i inkurajuar nga performanca e ekipit në barazimin 0-0 kundër Romës në San Siro gjatë derbit të mbrëmshëm.
Ish-kampionët e Italisë dështuan të shënojnë por kishin mjaft raste për të siguruar fitoren, diçka që për taktikun është shumë e kënaqshme pas ndeshjes zhgënjyese në Ligën e Kampionëve në mesjavë.

"Pashë një Inter të mirë i cili krijoi shumë shanse. Ne luajtëm kundër një ekipi që lejoi shumë pak hapësirë. Dy net më parë ne luajtëm në një ndeshje të vështirë [kundër Trabzonspor], por sonte ne kishim një përmirësim në paraqitjen tonë”, ka thënë Gasperini për Sky Sport Italia.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë shaka me deklarimet e Pep Guardiolas (i cili ka thënë se do të ishte normale që Barcelona të mos fitojë asgjë këtë stinor) duke thënë se objektivi i Real Madridit këtë sezon është që të mos bie nga La Liga.
“Ne do të luftojmë që të mbesim në Ligën e parë dhe të fitojmë 40 pikë. Derisa t’i sigurojmë 40 ose më shumë pikë, qëllimi ynë kryesor është që të shmangim rënien”.

“Sa më shpejt që ta arrijmë këtë, aq më shpejtë do të mendojmë për objektivat tjera. Duhet të vazhdojmë të fitojmë pikë”, ka thënë portugezi në konferencën për gazetarë para takimit të të dielës ndaj Levantes.
Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Albiol, është pranë arritjes së një marrëveshjeje për të kaluar te Malaga gjatë afatit kalimtar dimëror.
Radio Marca njofton se spanjolli do t’i bashkohet klubit andaluzian gjatë janarit, ndërsa pritet të nënshkruajë kontratë trevjeçare.

Albiol iu bashkua Realit në vitin 2009 për 15 milionë euro, ndërsa në sezonin e parë ai ishte i preferuari i trajnerit Manuel Pellegrini, i cili tash e drejton Malagan.

Mirëpo, me arritjen e Jose Mourinhos, 26-vjeçari zakonisht gjendet në bankën rezervë, duke qenë se qendrën e mbrojtjes e mbulojnë dy portugezët, Ricardo Carvalho dhe Pepe.
Mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso, mendon se gjiganti spanjoll është duke bërë progres të vazhdueshëm drejt qëllimeve të mëdha.
“Skuadra është shumë e mirë dhe ne duhet të përgjigjemi në fushë për të fituar diçka me rëndësi në fund të sezonit”.

“Në kampionat, ne startuam shumë mirë, ka ndjesi pozitive në zhveshtore. Kanë mbetur edhe 36 ndeshje dhe duhet të shkojmë dalëngadalë”, theksoi Xabi.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka lëvduar ndryshimin e mënyrës së lojës nga Sir Alex Ferguson, duke thënë se ajo e ka ndihmuar që të ketë startin më të mirë në karrierë.
“Ne kemi ndryshuar stilin tonë të lojës dhe jam shumë i ngazëllyer që kjo më është përshtatur. Definitivisht ky është starti më i mirë i ndonjë sezoni në karrierën time”.

“Unë kurrë nuk kam shënuar dy het-triqe radhazi, kështu që shpresoj se do të vazhdoj me këtë formë”, tha Rooney për The Sun.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai dëshiron të fitojë trofe me trajnerin aktual Jose Mourinho, duke thënë se portugezi luan rol të madh në sukseset e klubit.
“Ai është trajneri që është, një prej më të mirëve në botë dhe ajo që dua më së shumti është të fitoj tituj me të”.

“Real Madridi është klubi më i pasur në botë, ekipi që ka fituar më shumë tituj. Ne ndjejmë se presioni është më i lartë kur ecim rrugëve”, tha CR7.
Sulmuesi brazilian, Adriano, ka deklaruar se ai duhet të humbë edhe më shumë peshë para se të debutojë për Corinthians.
“Jam shumë pranë debutimit. Duhet të humbi vetëm tre ose katër kilogramë. Më duhet edhe një muaj për t’u rikthyer në fushë”.

“Jeta ime e natës? Unë kërkoj nga gazetarët dhe njerëzit që të shikojnë jetët e tyre dhe të mos më gjykojnë mua”, potencoi Adriano.
Bosi i Chelseat, Andres Villas Boas, i është përgjigjur njërit prej trajnerëve të Manchester United, Rene Meulensteen, i cili ka thënë se Blutë kanë një skuadër shumë të moshuar.
“Unë e shoh të çuditshme që ai ka thënë diçka të tillë, kur e dimë mjaft mirë rëndësinë që e kanë pasur lojtarë si Ryan Giggs, Edwin Van der Sar dhe Paul Scholes”.

“Këtë javë madje Giggs shënoi në Ligën e Kampionëve dhe u lëvdua nga të gjithë. Cili është dallimi mes kësaj që thashë dhe lojtarëve që kemi ne?”, ka thënë Villas Boas.
Real Madridi pohon të jetë klubi më i pasur në historinë e sportit, pas fitimeve të jashtëzakonshme të gjeneruara në tërësi në të gjitha sportet.
Real Madridi është në krye me 480 milionë euro të fituara deri në qershor të këtij viti, përfshihen këtu edhe sporte tjera.

“Është shuma më e madhe e gjeneruar nga ndonjë institucion sportiv në botë”, theksoi Florentino Perez në një deklaratë të tij për zhvillimet e fundit.