Trajneri i kritikuar i Interit, Gian Piero Gasperini, ka thënë se zikaltrit do të reagojnë me një rezultat pozitiv ndaj Novaras të martën.Nerazzurët ende nuk kanë regjistruar fitore në asnjë garë këtë sezon, ndërsa barazimi pa gola ndaj Romës në fundjavë i shtoi edhe më shumë kritikat kundrejt ekipit të Gasperinit.
“Gjithmonë ka pasur kritika dhe fjalë të këqija kundrejt Interit. Mirëpo mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur kritikave do të jetë në fushë”, ka thënë trajneri në një konferencë për media.
Jenson Button në sezonin e ardhshëm mund të bëhet kolegë skuadre i Fernando Alonsos te Ferrari- shkruan AS.Sipas të përditshmes spanjolle, britaniku nuk është i kënaqur që te McLareni, ku qe dy vite është nën hijen e Lewis Hamilton, prandaj po e shtyn vazhdimin e kontratës me skuderinë aktuale.
Po ashtu, thuhet se kampioni i botës nga viti 2009 ka raporte të mira me Alonson, gjë që mund të jetë një nga faktorët kryesorë në vendimin e tij.
Megjithatë, edhe te kokëkuqja, Button vështirë se mund të çlirohet nga hija e Alonsos, nën të cilën gjendet aktualisht Felipe Massa.
Përfaqësuesja e Spanjës në basketboll sapo është shpallur kampon i Evropës në Lituani, ndërsa ylli i Los Angeles Lakers, Pau Gasol, e dëshiron edhe medaljen e artë në Lojërat Olimpike- trofeu i vetëm që i mungon kësaj përfaqësueseje.Gasol, i cili i ka ndihmuar kombëtares së tij për t’u shpallur kampion bote (2006) në Japoni, si dhe në Eurobasketin e vitin 2009 në Poloni, ka thënë se Spanja shkon në Londër me një qëllim të vetëm.
“Olimpiada e ardhshme është qëllimi ynë. E dimë se është vështirë për ta fituar atë turne, por kemi pritje të mëdha”.
“Do të jetë vështirë të mposhten amerikanët, ky është fakt, por në Londër shkojmë të garojmë. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Gasol.
Presidenti i Lazios, Claudio Lotito, ka thënë se e ka refuzuar tentimin e trajnerit Edy Reja për t’u larguar nga klubi.Forma jo e mirë nëpër të cilën kalon Lazio në këtë fillimsezoni, ka bërë që Reja të kërkojë largimin nga posti i trajnerit, përkundër se agjenti i tij kishte deklaruar se ai nuk largohet.
“Unë nuk e pranova dorëheqjen dhe nuk do ta lë trajnerin të largohet. Derisa unë jam president, trajneri do të jetë i paprekshëm”.
‘Reja vetëm dëshironte ta shprehë pakënaqësinë e tij në një qytet, i cili nuk e do”, citon Sky Sport Italia fjalët e Lotitos.
Fiorentina ka njoftuar se Alberto Gilardino do të mungojë rreth gjashtë javë si pasojë e lëndimit të këmbës në përballjen e të dielës ndaj Udineses.Sulmuesi italian u lëndua në gjysmën e dytë pas përplasjes me portierin e Udines, Samir Handanovic, dhe menjëherë është dërguar në spital.
Mjeku i Fiorentinas, Paolo Manetti, ka thënë për ViolaChannel se Gila ka pësuar një frakturë të vogël në tibia dhe i duhen së paku gjashtë javë për rikuperim.
Real Madridi ka marrë lajme jo të mira nga stafi mjekësor, pasi Fabio Coentrao dhe Pepe nuk do të mund të luajnë në ndeshjen e mesjavës kundër Racing Santanderit.Dy portugezët e zhvilluan gjithë takimin e të dielës ndaj Levantes, mirëpo ata janë ankuar për dhimbje pas ndeshjes.
Testimet mjekësore kanë treguar se të dy lojtarët kanë pësuar lëndime të lehta, mirëpo nuk do të jenë në gjendje të luajnë të mërkurën.
Pritja e gjatë për rikthimin e formës së Fernando Torresit duket se nuk ua ka humbur shpresën bashkëlojtarëve të tij. Njëri prej tyre, portieri Petr Cech, është i bindur se transferi 50 milionë-funtesh i Bluve do të shënojë gola.Në derbin ndaj Manchester United, spanjolli shënoi golin e dytë për Chelsean në 24 ndeshje, mirëpo huqi raste të shumta, ndërsa më i spikatur ishte rasti kur dështoi të shënonte në portën e zbrazët.
“Nuk jam i shqetësuar, ai do të shënojë”, ka thënë Cech për PA, duke treguar se Torres vazhdimisht po përmirësohet.
Kapiteni i Arsenalit, Robin van Persie, ka shprehur frustrimin e tij rreth fillimit të dobët të sezonit nga Topçinjtë.Të zgjedhurit e Arsene Wenger kanë marrë vetëm katër pikë nga pesë ndeshje, ndërsa dështimi i tyre më i freskët ishte humbja prej 4-3 nga Blackburni.
“Kjo po më pengon dhe po ndodh shumë shpesh. Secilën herë që fillojmë pozitivisht, vazhdojmë t’i bëjmë gabimet e njëjta dhe kjo është befasuese”, ka thënë holandezi.
Federata Bullgare e Futbollit ka njoftuar se e ka shkarkuar trajnerin e deritanishëm, Lothar Matthaus.Legjenda gjermane mori drejtimin e përfaqësueses së Bullgarisë një vit më parë (shtator 2010), pas dorëheqjes së Stanimir Stoilov, mirëpo ish-ylli i Bayern Munichut ka qenë shënjestër e kritikave pasi nuk arriti ta kualifikojë këtë vend në Euro 2012.
“Kontrata e Matthaus nuk do të rinovohet. Bullgaria ka arritur rezultate të dobëta nën drejtimin e tij dhe ka tensione mes tij dhe lojtarëve”, ka thënë presidenti i federatës, Borislav Mihaylov.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards, thotë se është i lumtur që klubi i tij më në fund mund të konkurrojë me rivalët e qytetit, Manchester United.Deri më tani në këtë fillimsezoni, ‘Pasanikët’ janë rivalë të vërtetë të kampionit anglez, nga i cili kanë dy pikë më pak.
“Është gjithmonë mirë kur ka konkurrencë. Përherë kemi jetuar nën hijen e United, prandaj është mirë të konkurrojmë me ta tash”, ka thënë 23-vjeçari për Sky Sports News.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është pranë rikthimit në fushë, pasi të hënën ka filluar stërvitjet e plota.Lojtari spanjoll është jashtë aksionit që kur u lëndua në muajin e kaluar, ndërsa Sport njofton se ai së shpejti do të jetë në dispozicion të Pep Guardiolas.
Blaugranët kanë pranuar katër gola në tri ndeshjet e tyre të fundit, ndërsa rikthimi i Pique, padyshim se do t’i kënaqë drejtuesit e skuadrës, e në veçanti trajnerin.
Sulmuesi i ri i Juventusit, Mirko Vucinic, ka kërkuar nga bashkëlojtarët që të mos vetëkënaqen tepër me fillimin mbresëlënës në sezonin e ri në Serie A.Bianconerët i kanë fituar të dyja ndeshjet e para në Kampionatin italian, ndërkohë që rivalët e drejtpërdrejtë, si Milan, Inter e Roma, kanë dështuar ta bëjnë këtë.
“I kemi fituar dy ndeshjet e para, mirëpo duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë me angazhimin e madh”, ka thënë Vucinic për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshjet e radhës në kampionatin italian zhvillohen në mesjavë, ndërsa Juventusi të mërkurën është nikoqir i Bolognas.
Përfaqësuesi i trajnerit të Lazios, Edy Reja, ka thënë se 65-vjeçari nuk e ka në plan që të largohet nga klubi kryeqytetas.Pas fillimit të dobët të Lazios në sezonin e ri, Reja gjendet nën presion të madh, ndërsa ka pasur spekulime se ai mund të largohet nga posti i trajnerit.
“Ai nuk do të japë dorëheqje”, e ka bërë të qartë agjenti Marko Naletilic në një prononcim për Radio Mana Mana.
Portieri i Bayern Munich, Manuel Neuer, është i kënaqur me paraqitjen defensive të ekipit të tij në fitoren e të dielës 2-0 ndaj Schalke.“Jam i ngazëllyer që fituam. Schalke ishte afër dy herë në pjesën e parë, ata ishin të pafat. Por ne ishim shumë të mirë në mbrojtje. Ne ishim shumë të qëndrueshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme. Sigurisht kam pasur më shumë punë kur kam luajtur për Schalken sezonin e kaluar”, ka thënë Neuer.
Bayerni kryeson tabelën e Bundesligës pas fitores në udhëtim ndaj Schalke me 15 pikë nga gjashtë takimet e para të sezonit.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, ka gjetur kohë për të lavdëruar bashkëlojtarin e ri Cesc Fabregas pas startit të shkëlqyeshëm të tij me gjigantët katalanas.Fabregas u rikthye te Barcelona më herët gjatë kësaj vere pas tetë vitesh me Arsenalin. Dhe nuk ka humbur kohë për të treguar ndikimin e tij në Camp Nou duke shënuar gola po thuajse në çdo ndeshje.
“Fabregas ka bërë një punë të shkëlqyeshme për ne dhe tashmë i ka dhënë një kontribut të madh ekipit. Vërtet është nder të luaj krahas tij. Ai dhe Lionel Messi janë një dyshe e shkëlqyeshme në fushë dhe ata kanë një lidhje të mrekullueshme”, ka thënë Alves.
Mesfushori i Tottenhamit, Gareth Bale, është i bindur se ekipi i tij mund të sigurojë përfundimin në top katërsh këtë sezon, pas triumfit 4-0 ndaj Liverpoolit.“Nuk ka dyshime në dhomën e veshjeve se ne mund të përfundojmë në top katërsh. Ne treguam këtë sot (të dielën), edhe kur Liverpooli kishte 11 lojtarë, ne i sulmonim ata”.
“Ne e treguam këtë kundër Wolves vikendin e kaluar dhe në momente të caktuara në ndeshjet kundër United dhe Man City. Ne të gjithë jemi të bindur se mund të arrijmë në top katërsh dhe jam i sigurt se do të arrijmë”, ka thënë Bale.
Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, ka porositur klubin të harrojë disfatën nga Napoli dhe të ‘ecë përpara’.Kampionët e Italisë u mposhtën me rezultat 3-1 në fushë të Napolit, ndërsa mbeten pa fitore edhe pas dy javësh në Serie A, pasi në ndeshjen e parë barazuan 2-2 ndaj Lazios. Megjithatë Seedorf ka kërkuar që çdokush në klub të mbetet i qetë.
“Ne u munduam të rikthehemi në ndeshje, por nuk arritëm. Ne e urojmë Napolin. Por le të ecim përpara, ende ka shumë për të shkuar – ne jemi vetëm në ndeshjen e dytë. Sigurisht, ne jemi të zhgënjyer që humbim pikë, veçanërisht në fillim të sezonit, por ekipi luajti shumë mirë”.
“Ishte keq që Napoli barazoi menjëherë. Ata kanë një armë fantastike – kundërsulmet – dhe kundërsulmet çuan edhe në golin e dytë. Ne u përpoqëm dhe bëmë presion, andaj nuk mund të jemi shumë të zhgënjyer. Gjatë të mërkurës, ne presim një rival tjetër të vështirë”, ka thënë Seedorf për faqen zyrtare të klubit.
Milani në mesjavë do të presë Udinesen në San Siro.
Sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, ka hedhur shikimin kah triumfi në Serie A pasi shënoi hat-trick për të ndihmuar ekipin e tij të mposhtë me rezultat 3-1 kampionin në fuqi, Milanin.Ekipi italian aktualisht është në maje të tabelës pasi ka shënuar dy fitore 3-1, një kundër Cesena dhe një kundër Milanit, në dy javët e para të sezonit të ri në kampionatin italian të futbollit.
“Si fëmijë, gjithmonë më është thënë të ëndërroj. Do të doja ta fitoj Skudeton, por ne e dimë se do të jetë shumë vështirë”.
“Ia dedikoj fitoren fansave, ata e merituam këtë rezultat. Ne e dimë se cilat janë të metat dhe kufizimet tona. Ne e dimë se duhet të punojmë siç kemi punuar deri tash”, ka thënë Cavani.
Ndeshja e radhës në Serie A për Napolin është ajo në udhëtim te Chievo gjatë të mërkurës.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është ankuar se lojtarët e tij i kanë dhënë Napolit shumë hapësirë për kundërsulme, në disfatën e mbrëmshme 3-1 të ekipit të tij.Kampionët e Serie A kaluan në epërsi pas vetëm 12 minutash falë një goli me kokë të shënuar nga Alberto Aquilani, por Napoli përmbysi rezultatin pas më pak se 40 minuta me një hat-trick nga Edinson Cavani.
“Ishte një ndeshje shumë e çuditshme. Ne kishim shumë posedim dhe ishim në avantazh, por pastaj ata ishin ca me fat që barazuam po thuajse menjëherë”.
“Ne nuk duhej t’i kishim lejuar ata të luajnë në kundërsulme, ne e dinim se ata do të luanin kështu. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, neve vetëm na mungoi vendosmëria në disa momente”, ka thënë Allegri.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, është më se i kënaqur pasi ka parë ekipin e tij të dominojë në fitoren 4-0 ndaj Liverpoolit.Liverpooli nuk ishte në formë të mirë derisa Spursat shpërthyen, së pari duke shënuar me anë të Luka Modric pas vetëm shtatë minutash lojë, ndërsa shënuan edhe tre gola të tjerë në pjesë të dytë, kur Redsat luanin me nëntë lojtarë pas përjashtimit të Charlie Adam dhe Martin Skrtel.
“Ata nuk mund të jetonin me ne në 30 minutat e para. Mendoj se ne luajtëm futboll fantastik. Ne absolutisht dominuam, lëvizëm topin shpejt dhe shënuam golin, por mendoj se mund të kishim qenë dy ose tre gola avantazh në atë moment”, ka thënë Redknapp.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka refuzuar të bëjë me gisht kah Sami Khedira si fajtor kryesor për disfatën 1-0 nga Levante.Reali mbeti me 10 lojtarë pak para fundit të pjesës së parë pasi Khedira u dërgua jashtë loje me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa Arouna Kone në pjesë të dytë arriti të shënojë golin e fitores. Por Ramos nuk mendon se Khedira ishte i vetmi fajtor për disfatën.
“Kjo ishte një ndeshje e vështirë, ishte turp pasi ne do të dëshironim të kishim marrë të tre pikët. Të jesh me një lojtar më pak, kjo i lejon kundërshtarit të krijojë mundësi, por kjo nuk është arsyetim dhe ne nuk duhet të fokusohemi në një lojtar, ne jemi të gjithë fajtorë”, ka thënë Ramos për AS.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, beson se ekipi i tij dëshmoi se mund të garojë për titullin e Ligës Premier këtë sezon, pavarësisht se pësuan disfatë 3-1 ndaj Manchester United.Blutë u tronditën në ndeshjen e djeshme pasi United kaloi në epërsi 3-0 në pjesë të parë falë golave nga Chris Smalling, Nani dhe Wayne Rooney, para se Fernando Torres të ngushtojë disavantazhin me të filluar pjesa e dytë.
“Mendoj se ne treguam se jemi në nivel të kampionëve. Ne do të jemi aty lart duke garuar për titull dhe jam krenar që Sir Alex konfirmoi këtë opinion. Manchester United janë në një pozitë të mirë tash por është shumë herët. Asgjë çfarë ndodh tash nuk do të vendosë tabelën në fund. Pesë kandidatë janë aty dhe gjithçka mund të ndodhë”.
“Për momentin ne jemi pesë pikë prapa United, por Liga Premier është shumë e paparashikueshme. Ne gjithmonë e konsiderojmë veten si kandidatë për titull. Më e rëndësishme është të besojmë në mënyrën me të cilën luajmë. Mendoj se ne krijuam shumë shanse dhe u përpoqëm të sulmojmë sa më shumë që mundemi”, ka thënë Villas-Boas.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, është ndarë i zhgënjyer me ekipin e tij pasi edhe pse ata kishin dy gola avantazh lejuan Fulhamin të barazojë.Ekipi i Mancinit ishte impresiv për shumicën e ndeshjes, megjithatë nuk arriti të ruajë avantazhin pasi Bobby Zamora dhe Danny Murphy shënuan në pjesën e dytë për të neutralizuar dy golat e Sergio Aguero.
“Mendoj se kjo do të jetë një mësim për ne. Ne luajtëm mirë për 60 minuta dhe shënuam vetëm dy gola, ky është problemi për ne. Fulhami, për 10-15 minuta luajti mirë dhe shënoi golin e parë. Nuk jam i zemëruar, jam i zhgënjyer pasi ne pranuan gola në mënyrë trashanike”.
“Munda të bëj vetëm dy ndryshime, një mbrojtës ose sulmues, pasi nuk kishim mesfushorë [në stol] pasi James [Milner] ka një lëndim, De Jong ka lëndim”, ka thënë Mancini për Sky Sports.
Real Madridi ka shijuar humbjen e parë të sezonit, ndërsa trajneri Jose Mourinho e ka fajësuar mesfushorin Sami Khedira dhe arbitrin Javier Turienzo Alvarez për dështimin e skuadrës së tij.“Ishte një penalti e pastër, që do t’ia jepte Iborras kartonin e dytë të verdhë, dhe kjo pati ndikim të qartë në rezultat!”, ka thënë Mourinho duke e qartësuar se po t’i jepej Realit penaltia dhe po të ishin të dyja skuadrat me nga dhjetë lojtarë, ndryshe do të shkonin punët.
Po ashtu, portugezi një pjesë të fajit ia ka lënë edhe mesfushorit gjerman, Sami Khedira, i cili mori dy kartonë të verdhë dhe u përjashtua në minutën e 40-të.
















