Me rezultat prej 5-0, Barcelona ka fituar përballë Atletico Madridit në një përballje ku dominoi në tërësi skuadra blaugrane, ndërsa shkëlqeu ‘magjistari’ Lionel Messi.
David Villa e pranoi një pasim të gjatë e preciz të mjeshtrit të mesfushës, Xavi Hernandez, për ta hapur njërin nga takimet kryesore të kësaj jave në La Liga (9’).
Miranda u bëri shërbim vendasve në minutën e 15-të duke shënuar në portën e vet për rezultatin 2-0.
Me lëvizjet e tija magjike, Lionel Messi e trefishoi epërsinë e katalunasve (26’), të cilët e fituan ndeshjen që në gjysmën e parë.
Në pjesën tjetër të takimit, mysafirët u munduan ta neutralizonin lojën e ekipit vendas me qëllimin që të mos pranonin më shumë gola.
Mirëpo, është vështirë të ndalet futbollisti më i mirë në botë në dy vitet e fundit, Leo Messi, i cili gjeti një hapësirë për ta futur topin në rrjet (78’), ndërsa ky ishte goli i katërt për Blaugranët.
Argjentinasi iu përgjigj Cristiano Ronaldos në minutat shtesë (90’+1) duke kompletuar het-trikun nga loja e hapur.
Ky triumf ia siguron Barcelonës vendin e dytë në tabelë (me pikë të barabarta me Sevillan në vend të tretë) me një pikë më pak se lideri Betis dhe një më shumë se rivali Real Madrid

Është dashur të zhvillohet java e katërt në Serie A që kampioni në fuqi, Milan, të regjistrojë fitoren e parë në sezonin e ri. Rossonerët kanë shënuar fitore minimale, por mjaft të rëndësishme kundër Cesenas në San Siro.
Veterani legjendar, Clarence Seedorf, pranoi një top nga Urby Emanuelson, për të shënuar një supergol që në fillim të ndeshjes (5’).

Deri në fund të sfidës vendasit luajtën më mirë, mirëpo nuk patën fat të shënonin një gol tjetër, ashtu që goli i Seedorf rezultoi me vlerën e tre pikëve.

Pas një fitoreje, dy barazimeve dhe një humbjeje, Milani ka pesë pikë në tabelën e Serie A.

Real Madridi ka lënë pas vetes periudhën e shkurtër negative që e përshkoi gjatë javës së kaluar, për të fituar me rezultat 6-2 përballë Rayo Vallecanos.
Ende pa filluar mirë takimi (1’), Michu i befasoi të gjithë në Santiago Bernabeu duke i kaluar mysafirët në epërsi.

Është dashur të zhvillohej minuta e 39-të e takimit që Reali ta barazonte rezultatin përmes Cristiano Ronaldos, i cili u asistua nga Ricardo Kaka.

Pa u mbyllur gjysma e parë, një krosim të Xabi Alonsos, Sergio Ramos e ktheu në drejtim të Gonzalo Higuain, dhe argjentinasi i kaloi Mbretërit në epërsi.

Nuk kaluan shumë minuta brenda pjesës së dytë (51’) dhe u akordua penalti pas ndërhyrjes në brazilianin Kaka, dhe i pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Cristiano Ronaldo.

Me golin e dytë personal në ndeshje, Michu ngushtoi epërsinë e vendasve (55’), ndërsa edhe më keq për Realin u bë kur Angel Di Maria u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë për shkak të prekjes së topit me dorë (57’).

Mirëpo, në vazhdim dukej sikur Rayo kishte mungesë lojtarësh në fushë, pasi Los Blancos shënuan edhe tre gola të tjerë me dhjetë lojtarë në fushë.

Një krosim nga këndi të Mesut Oezil e pranoi për mrekulli Raphael Varane për të shënuar një gol mjaft interesant (67’).

Oezil ishte meritor edhe për golin e pestë të Realit, sepse bërë një pasim të bukur drejt Karim Benzemas, dhe francezi me lehtësi e mposhti portierin Dani Gimenez (73’).

Pas ndërhyrjes së gabuar të portierit mysafir në Cristiano Ronaldon, u akordua edhe një penalti për vendasit, ndërsa portugezi ishte sërish i saktë (84’) për të kompletuar het-trikun e tij.

Pas kësaj përballjeje, Real Madridi ka dhjetë pikë, dy më shumë se Barcelona që po e zhvillon ndeshjen e kësaj jave kundër Atletico Madridit.

Manchester Unitedi është ndalur me barazim, 1-1, nga Stoke City në javën e gjashtë të Kampionatit anglez.
Pas një kombinimi me Darren Fletcher, portugezi Nani shënoi një gol fantastik për epërsinë e Djajve të Kuq (27’), dhe ky ishte goli i vetëm në gjysmën e parë.

Në minutat e para të pjesës së dytë, krosimin e Matthew Etherington e shfrytëzoi për mrekulli Peter Crouch për të barazuar rezultatin (53’).

Mysafirët tentuan që deri në fund të takimit të dilnin fitimtarë nga ky duel, megjithatë nuk ia arritën qëllimit.

Përkundër barazimit, United rimerr kreun me pikë të barabarta me rivalin e qytetit, Manchester City.

Goli i Nanit:



Goli i Crouch:
Skuadra e Interit ka shënuar fitoren e parë në sezonin e ri duke e mposhtur Bolognan me rezultat 3-1 në takimin e zhvilluar në Stadio Renato Dall’Ara.
Angazhimi i trajnerit Claudio Ranieri rezultoi i frytshëm për ziklatrit, të cilët megjithëse nuk treguan lojë bindëse, në fund arritën të rrëmbejnë tre pikë.

Një aksion i Diego Forlan dhe Esteban Cambiasso gjeti të lirë Giampaolo Pazzinin, i cili i kaloi në epërsi mysafirët (39’) dhe me një gol avantazh u mbyll gjysma e parë.

Në fraksionin e dytë, vendasit e morën ndeshjen në dorë duke zhvilluar lojë të bukur dhe duke krijuar presion me ç’rast siguruan një penalti, dhe i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi u tregua Alessandro Diamanti (66’).

Derisa Interi po vuante, Ranieri inkuadroi në lojë Diego Militon, i cili i dha kah tjetër takimit.

Pas një superpasimi të Pazzinit, Milito u ndal në mënyrë të gabuar brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit- për zikaltrit u akordua penalti, ndërsa Archimede Morleo u përjashtua me karton të kuq.

Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori argjentinasi Milito dhe rezultoi i suksesshëm për t’ia rikthyer epërsinë ekipit mysafir (81’).

Një gjuajtje e lirë nga Sulley Muntari u shfrytëzua nga Lucio, i cili me kokë e plasoi topin në rrjet për t’i dhënë fund këtij takimi (87’).

Aktualisht, Interi ka katër pikë nga katër takime- një fitore, një barazim dhe dy humbje.

Me rezultat prej 2-1, Liverpooli ka fituar përballë Wolverhamptonit në ndeshjen e të shtunës të zhvilluar në Anfield.
Një autogol i Roger Johnson bëri që vendasit të kalonin në avantazh të hershëm (11’).

Goli i sigurisë erdhi nga Luis Suarez, i cili shmangu kurthin e pozitës jashtë loje për të dyfishuar epërsinë (38’).

Steven Fletcher u dha shpresa mysafirëve në fillim të pjesës së dytë (49’), mirëpo në minutat në vazhdim nuk pati më gola.

Kjo fitore e ngre Liverpoolin në kuotën e dhjetë pikëve dhe mban pozitën e pestë në tabelë.

Chelsea nuk e ka pasur të vështirë ta mposhtë Swansean me rezultat 4-1, edhe pse që nga minuta e 39-të luajti me një lojtar më pak.
Fernando Torres e pranoi për mrekulli një top nga Juan Mata për t’ia dhënë avantazhin ekipit vendas (29’).

Goli i dytë ishte një aksion ekipor nga Torres që pasoi te Ashley Cole, i cili e gjeti Ramiresin, ndërsa ky i fundit e dyfishoi epërsinë (36’).

Për shkak të një ndërhyrjeje me të dyja këmbët në Mark Gower, Fernando Torres u përjashtua me karton të kuq (39’) duke i lënë vendasit në inferioritet numerik.

Mirëpo, edhe pse luanin me dhjetë lojtarë, Blutë regjistruan edhe golin e tretë, që ishte i dyti në ndeshje për Ramires (76’).

Golin e nderit për mysafirët e shënoi Ashley Williams (86’), ndërsa Didier Drogba vendosi rezultatin përfundimtar (90’+4).

Pas kësaj fitoreje, Chelsea mban vendin e tretë në tabelë me tre pikë më pak se lideri Manchester City.

Arsenali ka regjistruar fitoren e dytë të sezonit në Ligën Premier duke e mposhtur Boltonin me rezultat 3-0.
Gjysma e parë e takimit përfundoi pa gola, ndërsa Robin van Persie shënoi dy herë në pjesën e dytë (46’ dhe 71’) për të bërë që vendasit të frymojnë lirshëm.

Takimin e përfundoi Alexandre Song duke shënuar golin e tretë për klubin nga Emirates (89').

Pas kësaj fitoreje, Arsenali grumbullon shtatë pikë pas gjashtë ndeshjesh.

Mario Balotelli dhe James Milner që të dy janë inkuadruar nga stoli për të ndihmuar Manchester Cityn të fitojë me rezultat 2-0 ndaj Evertonit në Etihad Stadium.
Pasi u mundua për pjesën më të madhe të pjesës së parë, City përfundimisht gjeti rrjetën kur Balotelli, i futur në vend të Edin Dzkeos pas një ore lojë, goditi nga distanca, e cila u devijua nga Phil Jagielka për të përfunduar në rrjetën e Tim Howard.

Vendasit zgjodhën dilemën e fituesit në minutat e fundit të takimit kur James Milner, i futur në vend të Sergio Aguero, pranoi një pasim nga David Silva për të shënuar golin e tij të parë në Ligën Premier për klubin.

Me tre pikët e reja ekipi i Roberto Mancinit merr kryesimin e tabelës. Qytetarët janë një pikë mbi Manchester United pas gjashtë ndeshjes, por Djajtë e Kuq mund ta rikthejnë kreun nëse mposhtin Stoke Cityn më vonë gjatë ditës në Britannia Stadium.

Goli i Balotellit:


Goli i James Milner:
Zinedine Zidane, i cili ushtron detyrën e drejtorit futbollistik te Real Madridi, ka mbështetur trajnerin e kritikuar, Jose Mourinho, dhe beson se portugezi do ta udhëheqë ekipin drejt sukseseve pavarësisht startit të dobët.
Ekipi nga Santiago Bernabeu ka humbur nga Levante dhe ka barazuar ndaj Racing Santander në dy ndeshjet e fundit, dhe mediat kanë shkruar për një krizë të klubit spanjoll. Por Zidane mendon ndryshe.

"Ne jemi një ekip i shkëlqyeshëm i drejtuar nga trajneri më i mirë në botë: Jose Mourinho. Unë besoj se lojtarët, klubi dhe fansat kanë besim të plotë në të. Ne e dimë se gjithmonë ka kohë të vështira gjatë sezonit. Ju nuk e fitoni titullin me vetëm katër ndeshje, andaj ne duhet të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri tash, të bindur se do të arrijmë diçka", ka thënë mes tjerash francezi.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka zbuluar se ai mendon se ekipi i tij është në rrugë të duhur për sukses, dhe mezi pret tre pikët e të dielës kundër Catanias.
Ekipi nga Torino ka filluar mirë sezonin 2011/12 duke fituar dy nga tre ndeshjet e para, me performanca të përmirësuara krahasuar me sezonin e kaluar.

"Deri tash kam qenë i kënaqur, djelmoshat gjithmonë kanë interpretuar ngjarjen në mënyrën e duhur", ka thënë Conte për Corriere dello Sport.
Ylli i Manchester Cityt, Sergio Aguero, thotë se ai është i vendosur të vazhdojë të shënojë.
“Unë jam këtu për të fituar tituj dhe nuk po kërkoj trofe individual. Sekreti prapa golave të mi është puna e palodhshme, ndihma e bashkëlojtarëve dhe fati. Jam i befasuar se sa shpejt jam adaptuar në ekip dhe në lojën e angleze”.

“Nuk është e lehtë për dikë të luajë në Argjentinë dhe Angli pasi karakteristikat janë të ndryshme. Por sfida ime është të përmirësohem sa më shumë. Shoh se fansat janë lidhur me mua dhe jam i lumtur për këtë pasi kjo ishte një prej dyshimeve të mia më të mëdha”, ka thënë Aguero.
Gareth Bale thotë se ambiciet e tij janë më të mëdha se sa mund t’i ofrojë Tottenhami.
“Unë jam i lumtur te Tottenham dhe nuk dua të largohem ende. Por do kurrë nuk do të kem frikë të luaj jashtë. Jam larguar nga shtëpia në Uells për t’iu bashkuar Southampton kur isha 15 vjeç. Nuk kam frikë të dal jashtë nëse vjen ndonjë mundësi”.

“Po kënaqem te Tottenham. Dhe po kënaqem duke luajtur një javë në shtëpi, një javë jashtë. Por nëse ndonjëherë vjen diçka në të ardhmen, nuk do të kem frikë ta shfrytëzoj këtë mundësi”, ka thënë Bale.
Arsenali raportohet se ka mbyllur marrëveshjen me Guim Laporta, djalin 14-vjeçar të ish-presidentit të Barcelonës, Joan.
Më herët Laporta kishte akuzuar Arsenalin se ia kishte vjedhur talentin më të madh të ri Barcelonës. Por tash Topçinjtë kanë marrë edhe një talent tjetër nga Nou Camp dhe pikërisht djalin e tij, Guim.

Arsenali po ashtu raportohet se është duke menduar të bëjë ofertë për shërbimet e mbrojtësit të Brighton, Lewis Dunk.

Sipas Daily Mail, një vëzhgues i Arsenalit kishte qëndruar në tribuna gjatë disfatës 2-1 nga Liverpooli në mesjavë në kuadër të Carling Cup. Mbrojtësi 19-vjeçar qëndroi në stol gjatë gjithë ndeshjes, megjithatë raportet thonë se Arsenali do të vazhdojë të përcjellë lojtarin.
Sulmuesi i Atletico Madrid, Radamel Falcao, mezi pret të takohet me kampionin e La Liga, Barcelonën, derisa po kalon një formë të shkëlqyeshme në fillimin e karrierës së tij në Spanjë.
“Është e veçantë për çdo lojtar të luajë në këto ndeshje”, ka thënë sulmuesi për Mundo Deportivo, duke shtuar se madrilenët synojnë tre pikë të plota nga derbi i sotëm.

“Le të shkojmë për fitore. Ne kemi respekt për Barcelonën, por ne nuk kemi frikë. Para tre fitoreve të njëpasnjëshme, ndjenja ishte po aq e mirë, dhe kjo tash është shtuar nga fitoret dhe golat”.

“Ekipi është shumë mirë, ne kemi një skuadër shumë të mirë dhe jemi plot vetëbesim në udhëtimin tonë në Camp Nou”, ka vazhduar kolumbiani.
Pronari i Romës, Thomas Di Benedetto, ka mbështetur trajnerin e kritikuar Luis Enrique, pavarësisht fillimit të ngathët të sezonit.
41-vjeçari ende nuk ka shënuar një fitore që kur është transferuar te ekipi nga Serie A dhe ka filluar të ndjejë presionin e shtuar. Por pavarësisht kësaj, pronari amerikan ka deklaruar se ende ka besim në ish-trajnerin e ekipit B të Barcelonës.

“Ne kemi besimin më të madh te Luis Enrique dhe drejtorin Walter Sabatini. Fansat duhet të jenë ca të durueshëm. Ne kërkojmë kombinimin e duhur për stilin tonë të lojës dhe jam i sigurt se rezultatet do të vijnë së shpejti”, ka thënë 62-vjeçari për Sky Sport Italia.

Roma do të përballet me Parmën në ndeshjen e radhës që zhvillohet nesër.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, thotë se ai do të ishte i lumtur ta shohë sulmuesin e Santos, Neymar, t’i bashkohet atij në Santiago Bernabeu.
29-vjeçari është lidhur fuqishëm me të dy gjigantët spanjollë, Real Madrid dhe Barcelona, me agjentin e tij, Wagner Ribeiro, që publikisht ka deklaruar se preferon ta shohë klientin e tij te klubi nga kryeqyteti spanjoll.

“Gjatë verës, emri i Neymar shpesh është përmendur në Spanjë. Është e qartë se ne nuk dimë asnjë detaj rreth negociatave, por do të doja ta kem Neymar si bashkëlojtar”, ka thanë Kaka për Sportv.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka dhënë mbështetjen e tij të qartë për trajnerin e Los Blancos, Jose Mourinho.
Mbretërit kanë kaluar nëpër një javë të vështirë duke regjistruar një humbje dhe një barazim në La Liga, ndërsa kritikët nuk e kanë lënë të qetë trajnerin portugez. Por Perez ka dalën mbështetje të tij.

“Ne e kemi trajnerin më të mirë në botë me një ekip të mrekullueshëm”, ka deklaruar Perez.
Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, pohon se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë respekt për Carlos Tevezin dhe besojnë se ai është i përkushtuar tërësisht ndaj skuadrës.
Pas deklaratave se dëshiron të largohet nga klubi, trajneri Roberto Mancini ia mori argjentinasit shiritin e kapitenit, megjithatë përkundër spekulimeve të shumta, Tevez qëndroi në Etihad Stadium.

“Kam shumë respekt për Carlosin, sepse ai është një djalë i shkëlqyer dhe një futbollist i madh”.

“Ai nuk e pasur asnjëherë mungesë respekti për klubin në asnjë lloj forme apo të mos na ketë respektuar neve si bashkëlojtarë”, ka thënë Hart për Football Focus.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se do të befasohej nëse sulmuesi i Manchester Unitedit, Michael Owen, do të siguronte një vend në përfaqësuesen e Anglisë.
Pas dy golave të shënuar në përballjen ndaj Leeds United në kuadër të League Cup, pati sugjerime se Owen mund ta veshë sërish fanellën e kombëtares angleze. Megjithatë, Redknapp thotë se sulmuesi duhet të bëjë shumë më tepër se aq për t’u kthyer në përfaqësuese.

“Do të befasohesha. Pa keqkuptime. Më pëlqen Michael. Ai është një djalë i shkëlqyer dhe një lojtar i mirë”.

“Por të shënosh dy gola në Carling Cup dhe të kthehesh në ekipin e Anglisë? Nuk mund ta kuptoj këtë”, citon Daily Mirror fjalët e Redknapp.
Ish trajneri i Schalke 04 dhe PSV, Huub Stevens, pritet të angazhohet në postin e trajnerit të Hamburgut- shkruan Bild.
Klubi nga Bundesliga është në kërkim të një trajneri pas shkarkimit të Michael Oenning për shkak të rezultateve të dobëta në këtë fillim-sezoni.

Marco van Basten dhe Louis van Gaal kanë qenë emrat e përfolur për këtë post, mirëpo raportet më të reja në Gjermani spekulojnë se Stevens është i pari në listën e kandidatëve.
Transferi i sivjetmë i Manchester Cityt, Sergio Aguero, ka njoftuar se është një admirues i madh i sulmuesit të Manchester Unitedit, Michael Owen, për të cilin thotë se ishte arsyeja pse argjentinasi kishte filluar ta shikojë Ligën Premier.
“E shikoja Ligën Premier në televizor. Më pëlqen më shumë se La Liga dhe Sere A”.

“Më pëlqente Michael Owen. Gjithmonë e përcillja atë te Liverpooli. Prandaj fillova ta shikoj Ligën Premier”.

“Stili i lojës këtu është ndryshe nga futbolli spanjoll, por do të përshtatem sa më shpejtë që është e mundur dhe do të mundohem të fokusohem maksimalisht gjatë seancave stërvitore”, ka thënë Aguero për Manchester Evening News.