Skuadra e Romës ka regjistruar fitoren e parë në sezonin e ri në Kampionatin italian duke e mposhtur Parmën me rezultat 1-0.
Fraksioni i parë i takimit të zhvilluar në Stadio Ennio Tardini nuk dha shumëçka për t’u shijuar dhe u mbyll pa gola.

Nuk kaluan shumë minuta brenda gjysmës së dytë (50’) dhe Aleandro Rosi bëri një krosim të shkëlqyer drejt kokës së Pablo Osvaldos, i cili u sigurua që skuadra e tij të kalonte në avantazh.

Giallorossët patën raste edhe në vazhdim, ndërsa një huqje të pabesueshme për ta barazuar rezultatin e bëri Jonathan Biabiany në minutën e 71-të.

Kjo është fitorja e parë e Romës pas katër xhirosh. Kryeqytetasit aktualisht kanë pesë pikë nga një fitore, dy barazime dhe një humbje.
Për shkak të mospërfshirjes në përballjen ndaj Swansea, mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, e braktisi pankinën para se të përfundonte ndeshja, ndërsa duket se kjo nuk e shqetëson trajnerin Andres Villas Boas.
“Nuk e di pse ka shkuar më herët në zhveshtore, mirëpo aty nuk ka vend për spekulime”.

“Të gjithë janë lojtarë ekiporë dhe duan që skuadra të arrijë rezultate të mira, i tillë është edhe Frank. Ai është futbollist fantastik dhe së shpejti do të jetë në formacionin startues, shumë më herët sesa prisni”, ka thënë trajneri portugez.

Mesfushori anglez në katër ndeshjet e fundit ka qenë rezervë, ndërsa në përballjen ndaj Swansea ai u largua kur trajneri në vend të Raul Meireles, inkuadroi në lojë të riun Josh McEachran.
Piloti i Ferrarit, Felipe Massa, pas garës për Çmimin e Madh të Singaporit e ka kritikuar ngasësin e McLarenit, Lewis Hamilton.
Britaniku në xhiron e 12-të me bolidin e tij e goditi kokëkuqen e Massas.

“Hamilton ma shkatërroi garën. Mbrëmë (të shtunën) ai u mundua të bëhej supermen në kualifikime, ndërsa sot e përsëriti të njëjtën”.

“Ai mund të shkaktonte një fatkeqësi të madhe. U mundova të flas me të, por ai thjeshtë nuk dëgjon”, ka thënë Massa.
Trajneri i Bayer Leverkusenit, Robin Dutt, ka pranuar se Bayern Munichu ka fituar me meritë të plotë në derbin e të shtunës në Allianz Arena.
Me golat e Thomas Muller, Daniel van Buyten dhe Arjen Robben, bavarezët e fituan bindshëm takimin ndaj Leverkusenit që kishte shpresuar për një rezultat pozitiv.

“Ne e filluam me shpresa të mëdha, por morëm dy goditje të hershme (dy golat në pjesën e parë). Bayerni ishte qartë skuadër më e mitë dhe e meritoi ta fitonte ndeshjen”, ka deklaruar Dutt.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka mohuar mundësinë që Blaugranët të transferojnë një zëvendësues të Ibrahim Afellayt gjatë afatit kalimtar dimëror.
25-vjeçari pritet t’i kalojë gjashtë muajt e ardhshëm jashtë aksionit për shkak të një lëndimi serioz të ligamentit të gjurit të majtë, ndërsa është spekuluar se Barca mund të kërkojë një lojtar tjetër.

“Lëndimi i Afellayt nuk është lajm i mirë, por është e qartë se zgjidhja është në skuadrën tonë dhe në radhët e të rinjve tanë”.

“Nuk planifikojmë të transferojmë një lojtar të ri. Mjekët e klubit do ta analizojnë rastin dhe do të vendosin për kohën e rikuperimit”, ka thënë Zubizarreta për Barca TV.
Interi do të duhet t’ia bëjë pa mesfushorin kreativ, Wesley Sneijder, në takimin e të martës në Ligën e Kampionëve kundër CSKA Moskës.
Zikaltrit regjistruan fitoren e parë në sezonin e ri kundër Bolognas, ndërsa holandezi pësoi një lëndim në atë përballje.

Klubi ka konfirmuar përmes faqes zyrtare se Sneijder nuk është përfshirë në skuadrën e përpiluar nga trajneri i ri, Claudio Ranieri, ndërsa përveç tij, të lënduar janë edhe Maicon dhe Dejan Stankovic, ndërsa Diego Forlan nuk ka të drejtë të luajë.
Juventusi barazoi kundër Catanias, ndërsa trajneri Antonio Conte i ka lëvduar lojtarët e tij për angazhimin në këtë përballje.
“Jam i lumtur me paraqitjen e bërë nga djemtë, sepse ata nuk dëshironin ta humbin këtë ndeshje dhe treguan një shpirt të jashtëzakonshëm luftarak”, ka thënë Conte për faqen zyrtare të klubit.

Përkundër kryesimit në tabelë, ai ka kërkuar nga lojtarët të qëndrojnë me këmbët në tokë dhe të vazhdojnë punën për sukses të mëtutjeshëm.

Fundjavën e ardhshme, Juventusi zhvillon derbin kundër kampionit në fuqi të Serie A, Milan.
Emmanuel Adebayor beson se po i kthehet dalëngadalë formës së tij të mëparshme.
“Po e kthej formën ngadalë dhe mendoj se i kam ndihmuar skuadrës të fitojë (ndaj Wiganit)”.

“Fatkeqësisht gjysma e dytë ishte e vështirë, sepse po luaja vetëm me një sy”.

“Nuk e shihja topin, nuk i shihja kundërshtarët apo diç tjetër, mirëpo arrita të qëndroj në fushë për 90 minuta”, ka thënë 27-vjeçari për talkSPORT.
Sulmuesi argjentinas, Lionel Messi, dëshiron të bëhet njeriu që ka shënuar më së shumti gola në histori të Barcelonës.
Rekordi aktual mbahet nga Cesar Rodriguez, i cili ka shënuar 235 gola për Blaugranët, ndërsa pas het-trikut ndaj Atletico Madridit, Messi është ngritur në kuotën e 192 golave.

“Jam i qetë për rekordin. Po e marr ndeshje pas ndeshjeje, por padyshim që jam mjaft entuziazmuar që të bëhem golashënuesi më i mirë”.

“Kanë kaluar shumë vite dhe akoma ka mbetur i njëjti lojtar (që e mban rekordin). Shpresoj që unë t’i mposht statistikat e tij. Dua të vazhdoj të thyej rekorde këtu”, ka thënë 24-vjeçari për Barca TV.
Piloti gjerman Sebastian Vettel ka dalë fitues i garës për Çmimin e Madh të Singaporit, ashtu që tani i mungon vetëm një pikë për t’u shpallur kampion.
Ngasësi i Red Bull garën e të dielës e filloi nga vendi i parë dhe shumë shpejt arriti që të krijojë diferencë prej disa sekondash nga përcjellësit e tij.

Jenson Button (McLaren) u rendit i dyti, Mark Webber (Red Bull) ishte i treti, ndërsa Fernando Alonso (Ferrari) zuri vetëm vendin e katërt.

Vettel do të shpresojë që pas dy javës në Japoni të shpallet edhe matematikisht kampion bote në Formula 1.
Zonja e Vjetër ka nxjerrë vetëm një pikë në udhëtimin e vështirë në Sicili. Takimi i zhvilluar në Stadio Angelo Massimino ndërmjet Catanias dhe Juventusit ka përfunduar me rezultat 1-1.
Vendasit luajtën shumë më mirë në gjysmën e parë në të cilën avancuan me epërsi minimale. Krosimin e ulët të Alejandro Gomez e shfrytëzoi Gonzalo Bergessio për rezultatin 1-0 (22’).

Në fraksionin e dytë u shfaq një Juventus tjetër. Mirëpo mysafirët nuk arritën të shënojnë më shumë se një gol. Ishte serbi Milos Krasic lojtari që barazoi shifrat (49’).

Përkundër barazimit, Juventusi qëndron në krye të tabelës me pikë të barabarta me Udinesen.

Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka deklaruar se gjigantët nga Serie A tashmë janë rikthyer në rrugën e duhur pas një serie të rezultateve zhgënjyese në javët e para të sezonit të ri.
Nerazzurët të shtunën shënuan fitoren e parë të sezonit, duke mposhtur Bolognën me rezultat 3-1, në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit të ri Claudio Ranieri.

“Ajo çfarë pamë sonte ishte një përqendrim i plotë. Ekipi vërtet i dha shumë pak raste Bolognës. Të vetmen kohë kur kundërshtarët tonë dukeshin të rrezikshëm ishte nga situatat me top të vdekur”.

“Ne jemi në rrugë të duhur, por ne duhet ta kapim [ritmin] sa më shpejt që është e mundur gjatë ndeshjeve të ardhshme. Kemi pasur disa rezultate të këqija, por të gjithë e dimë se sa i mirë është ky ekip”, ka thënë kapiteni i Interit.
Trajneri i Atletico Madrid, Gregorio Manzano, ka pranuar se ekipi i tij nuk kishte asnjë shans për të mposhtur Barcelonën, pasi pësoi disfatë 5-0 në derbin e mbrëmshëm në Camp Nou.
Madrilenët dështuan të tregojnë lojën e tyre të zakonshme përballë Barcelonës, që fitoi falë një hat-tricku të Lionel Messi, një goli të David Villa dhe një autogoli të Miranda.

“Ne jemi përballur me ekipin e Barcelonës që aktualisht është stabilizuar në ritëm. Ata kanë lojtarë të shkëlqyeshëm të cilët ofrojnë llojllojshmëri taktike”.

“Është e pamundshme që ndonjë ekip në botë të jetë në gjendje të fitojë shumicën e posedimit, është fizikisht e pamundshme. Të fitosh ata me këto kushte, ju duhet të bëni performancën e shekullit”, ka thënë Manzano.
Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka lavdëruar autorin e golit të vetëm në fitoren 1-0 ndaj Cesena, Clarence Seedorf.
“Seedorf bëri një ndeshje të shkëlqyeshme. Fatkeqësisht ai është 35-vjeçar dhe nuk mund të luajë vazhdimisht. Ndoshta duhet ta klonojmë!”, ka bërë shaka Allegri.

“Antonio Cassano pati një ndeshje të shkëlqyeshme [po ashtu], derisa Stephan El Shaarawy ka nevojë për kohë dhe hapësirë për t'u zhvilluar. Ai ishte më pak i mirë se të mërkurën, por nuk është lehtë të fillosh në San Siro në atë moshë”, ka shtuar trajneri Rossoner.
Claudio Ranieri është i kënaqur që e ka filluar karrierën e tij te Interi me fitore 3-1 ndaj Bolognas.
Ranieri mori nën drejtim klubin italian vetëm të enjten dhe dy ditë më pas i solli fitoren e parë të sezonit, pasi ish-trajneri Gian Piero Gasperini u shkarkua të mërkurën për shkak të rezultateve të dobëta.

“Ishte e rëndësishme të filloj me këmbë të mbarë, pasi djelmoshat duhet të kthehen në rrugë të duhur. Kam kërkuar që ata të luajnë mirë, që ishte më e rëndësishme se sa rezultati. Ishte vendimtare që ne të luftojmë për 90 minuta dhe kjo ishte një ndeshje e mirë”, ka thënë Ranieri.

Ish-trajneri i Juventusit dhe Romës po ashtu ka thënë se rikthimi i vetëbesimit te lojtarët është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër.
Tottenham është lidhur me një angazhim të Carlo Ancelottit si zëvendësim për Harry Redknapp nëse ky i fundit merr në drejtim Anglinë.
Sunday Mirror shkruan se ish-menaxheri i Chelseat nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të mbetur në futbollin anglez pavarësisht se ishte shkarkuar nga Chelsea pasi kishte fituar dy trofe në sezonin e tij të parë me klubin dhe përfundoi i dyti sezonin e kaluar, vetëm prapa Manchester United.

Krahas Ancelottit një emër tjetër që është përmendur për të pasuar Redknapp është edhe menaxheri i Evertonit, David Moyes.
Milani do të bëjë ofertë në vlerën e 12 milionë funteve për mesfushorin e Tottenhamit, Rafael van der Vaart, në afatin kalimtar të janarit.
Sunday Mirror shkruan se duket shumë me gjasa që menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, nuk do ta ndalojë holandezi pasi raportet në mes dyshes tashmë janë ftohur.

Holandezi 28-vjeçar arriti në White Hart Lane në gusht të vitit të kaluar nga Real Madridi. Forma e tij impresive dhe golat bënë shumë kritikë ta etiketojnë atë si blerjen më të mirë të sezonit.
Barcelona ka tejkaluar shifrën e 20 milionë fansave në Facebook duke u bërë ekipi i parë që arrin një shifër të tillë.

Barcelona vetëm në muajin janar kishte arritur 10 milionë 'miq' në rrjetin më të madh social në botë, ndërsa tetë muaj më pas ka dyfishuar shifrën.

"Kjo rritje e madhe nuk është rastësi, Barca po shpërndahet rreth e qark botës në shkallë të lartë falë admirimit të pamasë që josh dhe mënyrës se si i kombinon vlerat të cilat janë aq të rëndësishme në sport: punën ekipore, përuljen, mundin...".

"Njerëzit duhet të jenë krenar që janë fansa të Barcelonës dhe rrjetet sociale janë një pasqyrim i situatës aktuale të klubit", ka thënë drejtori teknik i Barcës, Didac Lee.

Real Madridi, rivali më i madh i Barcelonës si në kampionatin spanjoll po ashtu edhe në garat Evropiane, po ashtu është afër të arrijë shifrën e 20 milionë fansave në Facebook.

Duke klikuar këtu ju mund të bëheni fansa të Barcelonës, ndërsa duke klikuar këtu bëheni fans të Real Madridit në Facebook.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka lavdëruar kapitenin e skuadrës, Robin van Persie, pas dy golave të shënuar ndaj Bolton Wanderers.

Dy golat çuan në 100 numrin e shënimeve të holandezit për klubin londinez, një arritje e theksuar duke marrë parasysh se ai ka startuar në vetëm 175 ndeshje që kur u transferua nga Feyenoord shtatë vite më parë.

“Robin është një djalosh i cili flet me mendjen e tij. Mendoj se ai është një prej atyre djelmoshave të cilët zhvillohen me përgjegjësi”.

“Ju do të mendonit se ai nuk është një kapiten natyral në fillim, por ai vërtet është zhvilluar mirë në këtë rol. E kam vëzhguar atë dhe ai ia del mirë këtu”, ka thënë Wenger.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka qenë shumë i kënaqur me portierin David De Gea, pas barazimit ndaj Stoke Cityt.

United nxori vetëm një barazim 1-1 në fushë të Stoke, por ishte De Gea i cili bëri disa mbrojtje për të penguar ekipin të pësojë disfatë.

“Ai ka bërë një mbrojtje të shkëlqyeshme në pjesën e parë, duke dëbuar topin jashtë shtyllës. Ai kishte shumë vetëbesim. Ai tregoi qetësi të duhur. Asgjë nuk e shqetëson atë”, ka thënë Ferguson.

Ferguson po ashtu është ankuar në sulmuesin e Stoke, Peter Crouch, duke thënë se ai shkakton faullime për shkak të gjatësisë së tij.
Menaxheri i Tottenham, Harry Redknapp, dëshiron të nënshkruajë kontratë të përhershme me të huazuarin nga Manchester City, Emmanuel Adebayor, pas fitores ndaj Wigan Athletic.
Adebayor ishte kyç në fitoren 2-1 ndaj Wigan Athletic, duke krijuar golin e parë të Rafael van der Vaart, para se Gareth Bale të shënojë golin e dytë pas 23 minutash. Ai po ashtu luftoi për të gjetur golin e tij në ndeshje pavarësisht se Spursat ishin në avantazh.

"Nëse ai vazhdon të punojë kështu siç bën, do të doja ta mbaj atë. Ai ka qenë i shkëlqyeshëm deri tash. Por paga e tij do të jetë problem, pasi ai nuk është i lirë", ka thënë Redknapp.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka lavdëruar paraqitjen e Mario Balotellit pas fitores ndaj Evertonit.
Balotelli erdhi nga stoli për të inspiruar Qytetarët të fitojnë 2-0 ndaj Evertonit në Etihad Stadium. Deri në inkuadrimin e tij në lojë pas një ore loje, City dështoi të thyejë mbrojtjen mysafire. Por Balotelli solli një fokus të ri në sulm, duke shënuar golin e parë, para se zëvendësuesi tjetër James Milner të vulosë fitoren.

"Mario mund të bëjë një kontribut të madh këtë sezon. Jam i sigurt për këtë. Sjelljet e tij kanë qenë ashtu [në kufijtë e pranueshmes]. Por ai është një djalosh i mirë. Atij i pëlqen Manchester City. Atij i pëlqen futbolli anglez".

"Ndonjëherë kur ai shan, ai është i pakënaqur. Sot ai ishte i kënaqur. Sot ai e di se shënoi një gol të rëndësishëm", ka thënë Mancini.