Ish-kampioni i Evropës, Interi, ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në transfertë te CSKA Moska me rezultat 3-2, nën kushte të vështira si atmosferike ashtu dhe të lojës së pavendosur deri në momentet e fundit.

Interi e filloi furishëm këtë takim kur Lucio pas vetëm gjashtë minutave lojë shënoi për 1-0 dhe epërsinë e Nerazzurëve në këtë takim.

Zi-kaltrit vazhdojnë me dominimin, i cili u kurorëzua me një gol nga Giampaolo Pazzini (23’), i cili shënoi nga afërsia pas harkimit të ulët të Yuto Nagatomos.

Shpresa vendasve të cilët u ringjallën ne fund të pjesës së parë me një shtyllë pingule dhe një penalti të pa akorduar kontraverse, i mbajti Alan Dzagoev (45’) me një eurogol nga goditja e dënimit me distancë 21 metra.

Në pjesën e dytë dominuan plotësisht vendasit. Pas shumë rasteve të pa konkretizuara, Vagner Love me një goditje nga gjysmëdistanca arriti që ta barazojë rezultatin dhe ta ndezë kryeqytetin rus, 2-2 (77’).

Gëzimi i tifozëve të flaktë të CSKA-s në Luzhniki zgjati vetëm 120 sekonda, pasi një asistim të jashtëzakonshëm nga Esteban Cambiasso e shfrytëzoi më së miri Mauro Zarate i cili shënoi për 3-2 dhe fitoren e madhe të Interit.

Interi pos që ka shënuar fitoren e parë në Grupin B, ka treguar se nën Claudio Ranierin po tregon shenjat e atij ekipi të vjetër i cili dy sezone më parë e fitoi garën për të cilën po flasim, Ligën e Kampionëve.
Clarence Seedorf beson se Milani ka krejt çfarë i nevojitet për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë sezon.
“Milani është një skuadër e madhe, prandaj arritja në finale dhe fitimi i saj është një objektiv për ne”, ka thënë veterani holandez.

Rossonerët janë nikoqirë të Viktoria Plzen të mërkurën mbrëma në San Siro dhe shpresojnë të nxjerrin pikë të plota nga ai takim.

“Duhet ta mposhtim Viktorian, sepse tre pikët janë vendimtare për ne”, ka shtuar Seedorf.
Trajneri i Zenit St Petersburg, Luciano Spalletti, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të jenë të përqendruar maksimalisht për takimin e të mërkurës ndaj Portos, në kuadër të Grupit G të Ligës së Kampionëve.
“Porto është një klub me histori të madhe, një ekip i madh evropian për shumë vite”.

“Porto jo vetëm që ka arritur rezultate të mira, por i ka dhënë botës një numër të madh lojtarësh dhe trajnerësh të fortë”.

“Kjo flet për fuqinë që ka klubi. Prandaj është një skuadër e cila është vështirë të mposhtet”, ka thënë Spalleti.
Mbrojtësi i Bayern Munichit, Holger Badstuber, nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt.
22-vjeçari është duke vuajtur nga një formë e gripit që nga e hëna dhe, sipas Bild, ai nuk është përfshirë në ekipin e Jupp Heynckes.

Ende nuk është bërë asnjë konfirmim zyrtar lidhur me këtë, por pritet që Jerome Boateng të startojë krahas Daniel Van Buyten në mbrojtjen bavareze.
Diego Milito dhe Giampaolo Pazzini do të jenë dyshja sulmuese e Interit në takimin e Ligës së Kampionëve kundër CSKA Moskës që zhvillohet të martën mbrëma në Luzhniki Stadium.
Mungesa e Wesley Sneijder (për shkak të lëndimit) dhe Diego Forlan (nuk ka të drejtë të luajë), e ka detyruar trajnerin e ri Claudio Ranieri që ta angazhojë Ricky Alvarezin prapa Militos dhe Pazzinit, në formacionin 4-3-1-2.

Nerazzurët pritet të luajnë me këtë formacion:

Portier: Julio Cesar
Mbrojtës: Nagatomo, Lucio, Samuel, Chivu
Mesfushorë: Zanetti, Cambiasso, Obi
Mesfushor kreativ: Alvarez
Sulmues: Pazzini, Milito

Zëvendësuesit: Castellazzi, Caldirola, Coutinho, Crisetig, Jonathan, Romano, Zarate.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, mendon se Rossonerët nuk e kanë të sigurt fitoren e të mërkurës kundër Viktoria Plzen, edhe pse ekipi italian është favorit.
Milani barazoi në përballjen e parë në Grupin H kundër Barcelonës në Camp Nou, ndërsa pritet që në takimin që do të zhvillohet në San Siro të rrëmbejnë tre pikë të plota.

“Nesër mbrëma (e mërkurë) nuk do të jetë ndeshje e thjeshtë për ne”.

“Është një ndeshje e Ligës së Kampionëve kundër një skuadre e cila ka luajtur mirë në takimet preliminare”, ka thënë Allegri, duke shtuar se ka gjasa reale që Zlatan Ibrahimovic të luajë në atë takim.
Klubi rus Anzhi dëshiron të transferojë në radhët e veta ish-mbrojtësin e Interit, Marco Materazzi.
Materazzi u largua nga Interi në fund të sezonit të kaluar dhe mbetet agjent i lirë këtë sezon. Anzhi dëshiron ta angazhojë italianin, por dëshiron që ai të varë këpucët dhe të marrë një rol administrativ te klubi.

Drejtori i Anzhit, German Tkachenko, ka thënë se ata janë në negociata me fituesin e Kupës Botërore, i cili pritet të fluturojë për në Dagestan për biseda në ditët e ardhshme.
Mesfushori i Chelseat, Frank Lampard, nuk ka plane të largohet pavarësisht se po kalon një fazë të pakëndshme në Stamford Bridge.
Lampard raportohet se ishte turrur drejt tunelit kur trajneri Andre Villas-Boas kishte përdorur mesfushorin 18-vjeçar Josh McEachran si zëvendësim të tretë në fitoren ndaj Swansea Cityt.

Në të vërtetë, Lampardit i ishte dhënë leje të shkojë në dhomën e trajtimit dhe madje kishte bërë një stërvitje të lehtë në fushë pas fitores.

Ai po dështon të rigjejë formën tij më të mirë pas qëndrimit jashtë fushe sezonin e kaluar për shkak të një lëndimi, por burime të afërta me Lampard thonë se ai është i përkushtuar të kthejë formën te Chelsea.

“Qasja e Frank është të punojë fuqishëm dhe t’i dëshmojë gjithkujt se e ka gabim. Dhe kjo është ajo çfarë ai do të bëjë. Ai nuk ka problem me Chelsean dhe e do klubin. Ai sigurisht se nuk dëshiron të largohet”, ka thënë burimi për Daily Mail.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, ka gjetur kohë për të lavdëruar Lionel Messi pas shkëlqimit të tij këtë fillim sezoni.
Argjentinasi tashmë ka shënuar tetë gola në pesë ndeshje në La Liga këtë sezon dhe pritet të tejkalojë ish-lojtarin Laszlo Kubala në listën e shënuesve më të mirë të klubit të të gjitha kohërave, derisa me shpejti i afrohet edhe rekordit të Cesar Rodriguez.

“Statistikat e Messi janë si ata të ndonjë lojtari që është afër të pensionohet, por ai ende është vetëm 24-vjeçar”, ka thënë Zubizarreta.

Messi ka shënuar 192 gola për Barcelonën që kur ka debutuar në ligë për klubin në tetor të vitit 2004, derisa Kubala dhe Rodriguez kanë nga 194, respektivisht 235 gola secili në karrierën e tyre për klubin spanjoll.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, beson se ekipi i tij ka gjithë çfarë i duhet për të tejkaluar Arsenalin.
Redknapp shpreson që ekipi i tij të kualifikohet për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm duke përfunduar në top katërsh, dhe se hapi i parë do të jetë duke mposhtur Arsenalin në derbin e këtij vikendi.

“Mendoj se ne mund ta kalojmë Arsenalin. Do jetë [luftë] e ashpër, por kurrë nuk do ta eliminoja Arsenalin”.

“Ndonjëherë kur gjërat shkojnë keq, e dini si është – gjithçka shkon keq. Nuk ka asgjë që mund ta bëni si duhet. Arsenali ka pasur një prej këtyre starteve. Dy autogola, mendojeni. Por ata kanë lojtarë të mirë”, ka thënë Redknapp.
Schalke ka konfirmuar në ueb faqen zyrtare se ata kanë caktuar Huub Stevens si trajner të ri të ekipit. Ish-taktiku i PSV ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2013.
Klubi gjerman ishte në kërkim të një trajneri të ri pas vendimit të Ralf Rangnick për të dhënë dorëheqje për shkak të problemeve shëndetësore javën e kaluar.

Ata ishin lidhur me ndihmës-trajnerin e Gjermanisë, Hansi Flick, dhe trajnerin e Baselit, Thorsten Fink, në ditët e kaluara, por kanë vendosur për 57-vjeçarin Stevens.

Stevens më herët kishte punuar te Schalke nga viti 1996 deri në vitin 2002, në të cilën kohë ai drejtoi ekipin drejt trofeut të Kupës UEFA (1997) dhe dy Kupave të Gjermanisë, DFB Pokal (2001, 2002).

Holandezi po ashtu ka drejtuar edhe klubet si Roda, Hertha Berlin, Koln, Hamburg, PSV dhe Red Bull Salzburg. Ai ka qenë i papunë që kur u shkarkua nga klubi austriak në prill të këtij viti.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, ka thënë se asnjë ekip nuk është i pamposhtshëm, derisa katalanasit vazhdojnë të marrin lëvdata pas performancave të tyre impresive.
“Barcelona luan një nivel shumë të lartë të futbollit, por çdo ditë është ndryshe dhe asnjë ekip nuk është i pamposhtshëm. Por ne po e ndjejmë se fansat janë të ngazëllyer. Ata dinë se sa shumë potencial kemi ne dhe çfarë mund të bëjmë, por ne jemi të vetëdijshëm se gjithçka vetëm sa ka filluar”, ka thënë Villa.

Barcelona është e dyta në La Liga me 11 pikë nga pesë ndeshje, derisa tash përgatiten për ndeshjen e nesërme të grupit H të Ligës së Kampionëve kundër BATE Borisov.
Edin Dzeko ka dalë në mbrojtje të politikës harxhuese shumë të kritikuar të Manchester Cityt dhe ka thënë se më shumë është zhvillimi i hovshëm i klubit, se sa xhepi i thellë, ai që sjell lojtarët e mëdhenj në klub.
“Nuk është gjithçka te paratë. Është të luash kundër klubeve si Bayern Munich, një prej më të mirëve n botë. Kjo është arsyeja se pse të gjithë ne kemi ardhur te Manchester City”, ka thënë Dzeko.

City sonte përballet me Bayern Munichut në fazën grupore të Ligës së Kampionëve dhe Dzeko pritet t’u japë anglezëve përvojën e Bundesligës, pasi kishte luajtur me Wolfsburgun para se të transferohet në Angli.
Trajneri i Dinamo Zagrebit, Krunoslav Jurcic, ka shprehur respektin e tij për Lyonin për shpreson t nxjerrë një fitore në takimin e sotëm të Ligë së Kampionëve përballë gjigantit francez.
Kroatët pësuan disfatë në ndeshjen e parë të grupit D përballë Real Madridit të zhvilluar në Zagreb dy javë më parë, por synojnë fitoren në Lyon.

“Shpresoj se ne do të largohemi nga Lyoni me kujtime të mira. Ne e respektojmë shumë Lyonin, pasi ata kanë arritur gjëra të mëdha në ligën e tyre dhe në Ligën e Kampionëve”.

“Me trajnerin e ri, ata e kanë kompletuar ndryshimin e stilit të lojës. Tash ata luajnë në kundërsulme, edhe pse ata mund të bëjnë presion në kundërshtarin në çdo kohë. Ne veçanërisht duhet të mbajnë sytë në Michel Bastos dhe Bafetimbi Gomis, të cilët janë në një formë të mirë, por Lyoni luan si një ekip i vërtetë”.

“Ne duhet të luajmë lojën tonë të zakonshme dhe të përpiqemi të shfaqim kualitetin tonë në ndeshje. Kjo është mënyra më e mirë për të fituar. Nëse tre pikë do të ishin të sigurta për Lyonin, ne do të qëndronim në shtëpi. Ne do të bëjmë më të mirën për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Jurcic për Uefa.com.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ka kërkuar fitore nga ekipi i tij në ndeshjen e sotme të grupit A të Ligës së Kampionëve përballë Villarrealit.
Napoli barazoi 1-1 ndaj Manchester Cityt në ndeshjen debutuese në garën më të madhe evropiane, dhe trajneri pret që lojtarët e tij t'ia dalin edhe më mirë përballë spanjollëve.

"Ne do të japim gjithçka për të mposhtur Villarrealin. Çdo ndeshje për ne është si finale. Ekipi po ia del mirë dhe ne e treguam këtë kundër Fiorentinës. Ne i njohim fuqitë dhe dobësitë tona".

"Ne jemi bërë ekipi që duhet mposhtur dhe ekipet vijnë këtu duke ditur se do të nxjerrin vetëm dy nga tre rezultatet e mundshme [barazim ose humbje]", ka thënë Mazzarri.
Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, beson se progresi që po vërehet në klub është i gjithi falë punës së bërë nga menaxheri gjeneral Giuseppe Marotta.
"Llogaritë tregojnë një realitet të ashpër dhe ne shohim një humbje të patolerueshme. Por, falë intervenimit të Exor, aksionarit tonë më të madh, ne mund ta përmbysim tendencat dhe të rikthehemi te objektivat e zakonshëm - të garojmë në nivelet më të larta".

"Ka pasur vështirësi ekonomike, por falë Marottas një cikël i ri me një rinovim të thellë ka lindur", ka thënë Agnelli për Tuttosport.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, synon tre pikë të plota nga takimi i sotëm përballë Bayern Munichut në Allianz Arena.
"Pse jo? Nuk jemi këtu për të humbur. Ne e dimë se do të jetë vështirë, por duam të fitojmë, nëse është e mundshme. Sigurisht se jam i kënaqur me progresin që kemi bërë, edhe pse duhet të përmirësohemi ende shumë".

"Kjo është ndeshja e dytë për ne në Ligën e Kampionëve. Tash ne jemi një ekip i mirë. Por nëse duam të arrijmë në maje si Bayern Munich, të cilët kanë një histori aq të madhe, ne duhet të punojmë shumë fuqishëm", ka thënë Mancini.

City barazoi me rezultat 1-1 në ndeshjen e parë të fazës grupore kundër Napolit derisa Bayerni shënoi fitore 2-0 ndaj Villarrealit.
Real Madridi nuk dëshiron që me çdo kusht ta fitojë Ligën e Kampionëve- ka thënë mbrojtësi spanjoll, Alvaro Arbeloa.
“Është logjike që fansat duan ta fitojnë, ne duam po ashtu, por ne e dimë se duhet t’i marrim gjërat një nga një”.

“Fillimisht duhet të arrish objektivat e vogla, para se të kalosh tek ato të mëdhatë”.

“Do të jetë e rëndësishme që ta mposhtim Ajaxin nesër (e martë), sepse do të na ndihmonte që t’i afroheshim raundit tjetër”, u ka thënë Arbeloa gazetarëve.
Mbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia, është në dyshim për takimin e të martës mbrëma kundër CSKA Moskës për shkak të një lëndimi që pësoi në stërvitje.
Lojtari zikaltër është pritur të jetë titullar kundër ekipit rus, mirëpo ai mori një goditje gjatë seancës stërvitore të të hënës, ashtu që mund të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve.

Në një komunikatë të lëshuar nga Interi thuhet se Ranocchia ishte larguar nga seanca stërvitore në Luzhniki Stadium pasditen e të hënës, ndërsa nesër (e martë) pritet të merret vendimi nëse ai do të luajë.