Arsenali ka arritur të dalë fitues përballë grekëve të Olympiakos Piraeus, të cilët i ka mposhtur me rezultat 2-1 në takimin e zhvilluar në Emirates.Vendasit krijuan epërsi të dyfishtë në pjesën e parë me anë të Alex Oxlade-Chamberlain (8’) dhe Andre Santos (20’), ndërsa David Fuster ngushtoi epërsinë për mysafirët.
Ky rezultat mbeti deri në fund të takimit, pasi në gjysmën e dytë nuk pati gola.
Nga ana tjetër, me rezultat 3-0, Marseille e ka mposhtur kampionin e Gjermanisë, Borussia Dortmund, për të kryesuar në Grupin F me gjashtë pikë.
Barcelona dhe Milani kanë regjistruar fitore përballë kundërshtarëve të tyre, BATE Borisov, respektivisht Viktoria Plzen, në kuadër të Grupit H të Ligës së Kampionëve.Blaugranët shënuan pesë herë në shtëpi të BATE, duke treguar se edhe këtë sezon janë një nga favoritët kryesorë për ta fituar këtë garë.
Me autogolin e Volodkos u hap seria e golave, ndërsa Pedro Rodriguez (22’) dhe Lionel Messi (38’) vendosën rezultatin e pjesës së parë.
Në gjysmën e dytë, Messi shënoi golin e dytë personal (56’), ndërsa David Villa vendosi rezultatin përfundimtar në fund të takimit.
Ndërkohë, rikthimi i Zlatan Ibrahimovic te Milani ishte mjaft frymëzues në fitoren prej 2-0 kundër Viktorias.
Boshnjaku me pasaportë suedeze kaloi në epërsi Rossonerët nga pika e bardhë (53’), ndërsa i njëjti lojtar ishte asistues në golin e dytë, të cilin e realizoi Antonio Cassano (66’).
Me nga katër pikë në dy takime, Barcelona dhe Milani kryesojnë në Grupin H.
Me rezultat 1-1 ka përfunduar takimi mjaft interesant i Grupit E ndërmjet Valencias dhe Chelseat, që u zhvillua të mërkurën mbrëma në Mestalla.Në gjysmën e parë të takimit skuadrat ishin më të përmbajtura duke zhvilluar një lojë relativisht të barabartë, ndërsa i tillë ishte edhe rezultati, 0-0.
Me të filluar gjysma e dytë, mysafirët u treguan më të vendosur duke krijuar raste të njëpasnjëshme, por i jashtëzakonshëm rezultoi portieri Alves me intervenimet e tij.
Mirëpo, pas një pasimi të bukur të Florent Malouda, Frank Lampard e la të shtangur ‘të pamposhtshmin’ Alves për epërsinë e Bluve (56’).
Në vazhdim të ndeshjes, vendasit e dominuan takimin duke e kërkuar golin e avantazhit, mirëpo përkundër rasteve të shumta e kishin të vështirë të shënonin.
Vetëm në minutën e 87-të, Los Che e nivelizuan ndeshjen përmes Roberto Soldados, i cili shënoi nga pika e bardhë.
Takimi tjetër i Grupit E, i zhvilluar ndërmjet Bayer Leverkusen dhe Racing Genk, ka përfunduar me fitoren e gjermanëve prej 2-0.
Pas xhiros së dytë, këtij grupi i prin Chelsea me katër pikë, ndërsa Leverkuseni ka tre pikë në vend të dytë.
Trajneri i dikurshëm i Milanit, Carlo Ancelotti, beson se Zlatan Ibrahimovic u jep Rossonerëve një forcë shtesë.Transferimi i suedezit nga Barcelona në sezonin e kaluar ishte një nga pikat kryesore që Milanit arriti ta fitojë titullin e kampionit të Italisë, ndërsa Ancelotti mendon se Ibra është çelës i suksesit.
“Ibrahimovic ishte shumë i rëndësishëm për Interin, por më pak i rëndësishëm për Barcelonën”.
“Ai ka qenë një faktor përcaktues te Milani dhe ai e ka rikthyer entuziazmin atje”, ka thënë Ancelotti për Sky Sport Italia.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është i lumtur me ndryshimet që ka pësuar skuadra që pas angazhimit të Claudio Ranierit në postin e trajnerit.“Ranieri ka filluar shumë mirë dhe ai e ka marrë kontrollin mbi skuadrën në nivel psikologjik”.
“Nuk ka qenë lehtë, por këto dy rezultate (fitoret në Serie A dhe në Ligën e Kampionëve) janë shumë të rëndësishme”, citon La Repubblica fjalët e Morattit.
Ish-shefi ekzekutiv i Juventusit, Jean-Claude Blanc, mund të bëhet drejtor i përgjithshëm i Paris Saint-Germain, njofton Le Parisien.Që pas dorëheqjes nga posti te Bianconerët në maj të këtij viti, 48-vjeçari nuk ka kurrfarë angazhimi me ndonjë klub.
Sipas Le Parisien, Blanc pritet të caktohet drejtor i përgjithshëm kah mesi i tetorit, kur PSG do ta ndërrojë strukturën e vet udhëheqëse.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, beson se Chelsea, Manchester Unitedi dhe Real Madridi, janë sfiduesit kryesorë të skuadrës së tij për titullin e sivjetmë të Ligës së Kampionëve.“Favoritët janë të zakonshmit. Chelsea do të përparojë nën drejtimin e trajnerit të ri, derisa Manchester Unitedi do të jetë i fortë dhe Real Madridi do të jetë sfidues, sepse ata janë gjithmonë në garë”.
“Pastaj jemi edhe ne. Jemi të entuziazmuar që ta bëjmë atë që s’e ka bërë askush (që kur quhet Liga e Kampionëve) dhe ta fitojmë Ligën e Kampionëve dy vjet radhazi”, ka thënë spanjolli.
Sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, ka thënë fjalë të mira për Valencian para takimit të të mërkurës mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve.Blutë janë mysafirë të Los Che në stadiumin Mestalla, ndërsa ish-sulmuesi i Atletico Madridit e di se sa vështirë është që të fitohet atje.
“Është një vend shumë i vështirë për të luajtur si mysafir. Secilën herë që shkoja me Atleticon, nuk më kujtohet që ndonjëherë kam fituar atje”.
“Valencia është një nga skuadrat më të mëdha (spanjolle), por shpresoj të jetë ndryshe këtë herë”, ka thënë 27-vjeçari për faqen zyrtare të Chelseat.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke menduar që të pushojë dyshen, Robin van Persie dhe Mikel Arteta, në përballjen e Ligës së Kampionëve kundër Olympiakosit.Francezi nuk ka në dispozicion dhjetë lojtarë si pasojë e lëndimeve, megjithatë Goal.com shkruan se ai është i gatshëm që ta fillojë ndeshjen me një skuadër më të dobët.
Portali sportiv njofton se Alex Oxlade-Chamberlain dhe Marouane Chamakh do të zënë vendet e Artetas, respektivisht Van Persiet, nëse ata nuk luajnë.
Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka mohuar thëniet se ekipi spanjoll ka nevojë për më shumë kohë para se ata të arrijnë kulmin e formës.“Ekipi i Real Madridi është kështu si është, ne këto ngritje dhe rënie. Unë jam i interesuar të di nëse ata mund të përmirësohen në ndeshjet e mëdha të Ligës së Kampionëve dhe kundër Barcelonës”.
“Pjesa tjetër mbetet e njëjta, lojtarët e rinj do të luajnë minuta të pakta. Është tmerr t’i japësh kohë një ekipi i cili ka luajtur së bashku dhe që ka nënshkruar me lojtarë të cilët do të jenë vetëm rezervë”, ka thën Schuster.
Gjermani po ashtu ka lavdëruar Xabi Alonson, të cilin e ka përshkuar lojtar i të gjitha zonave.
Ish-sulmuesi i Brazilit, Romario, ka thënë se ai ka qenë një lojtar më i mirë se Diego Maradona, dhe beson se arritjet e tij në karrierë janë më impresive se ato të argjentinasit.Romario veshi fanellat e klubeve si Vasco da Gama, PSV, Barcelona, Valencia dhe Flamengo, gjatë karrierës së tij impresive dhe konsiderohet si një prej sulmuesve më të mirë të të gjitha kohërave.
“Pele, Romario dhe Maradona janë lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Pele është padyshim numri një për mua – dhe unë jam i dyti. Kam bërë shumë më shumë se Maradona. Kam fituar më shumë tituj dhe kam shënuar më shumë gola”, ka thënë 35-vjeçari gjatë një interviste televizive.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, thotë se Rossonerët janë të fokusuar në ndeshjen e sotme të Ligës së Kampionëve përballë Viktoia Plzen.Gjiganti italian takohet me ekipin çek në kuadër të grupit H të Ligës së Kampionëve, ndërsa në fundjavë ka derbin e Serie A përballë Juventusit. Por Allegri thotë se ata do të mendojnë për Juven vetëm pas takimit të sotëm.
“Do të nxjerri ekipin më të fuqishëm, pastaj do të fillojmë të mendojmë për Juventusin gjatë të enjtes. Gjithë çfarë dua të mendoj tash është kjo ndeshje dhe të rikthej Zlatan Ibrahimovic”, ka thënë Allegri për Gazzetta dello Sport.
Sir Alex Ferguson i ka quajtur lojtarët e tij ‘të pakujdesshëm’ pasi ata lejuan Baselin të rikthehen nga disavantazhi 2-0 për të kaluar madje në avantazh 3-2, në barazimin e mbrëmshëm në Old Trafford.Danny Welbeck kaloi vendasit në avantazh të dyfishtë në pjesën e parë, por zviceranët arritën të rikthehen dhe ta përmbysin atë me dy gola të Alex Frei dhe një të Fabian Frei, para se Ashley Young të shënojë golin e barazimit për Djajtë e Kuq.
“Mendoj se kishte pakujdesi te ne gjatë ndeshjes. Pjesa sulmuese ishte shumë e mirë – ne bëmë një futboll shumë të mirë, veçanërisht në pjesën e parë. Por kishte pakujdesi te ne dhe vërtet, ata mund të kishin shënuar tre gola në pjesë të parë”.
“Mendoj se në shumë aspekte kjo ishte një ‘mirë se erdhe në futbollin evropian’ pasi ata ishin shumë tolerant në disa momente të ndeshjes. Ne ishim të pakujdesshëm. Është një thirrje për zgjim në shumë aspekte. Mungesa e përqendrimit na bëri që ne ta dorëzojmë ndeshjen, por ne e shpëtuam”, ka thënë Fergie.
Carlos Tevez ka mohuar se ai kishte refuzuar të luajë në disfatën 2-0 të Manchester Cityt ndaj Bayern Munich gjatë të martës.Me 30 minuta të mbetura, Tevez supozohet se është ftuar nga Roberto Mancini, por ai kishte refuzuar të luajë në Allianz Arena, me italianin që më vonë tha se ai ishte tronditur nga qëndrimi i sulmuesit dhe tha se ai kishte ‘përfunduar’ me argjentinasin. Por Tevez thotë se ai është keqkuptuar dhe ka kërkuar falje për tifozët e Cityt.
“Do të doja të kërkoj falje për të gjithë fansat e Manchester Cityt, me të cilët gjithmonë kam pasur një lidhje të fuqishme, për çdo keqkuptim që mund të ketë ndodhur në Munich. Ata e dinë se kur unë jam në fushë gjithmonë kam dhënë më të mirën për klubin”.
“Në Munich gjatë të martës jam nxehur dhe isha gati të luaj. Kjo nuk është koha e duhur për t’u futur në detaje rreth asaj se pse kjo nuk ndodhi. Por unë dua të deklaroj se kurrë nuk kam refuzuar të luaj”.
“Kishte një konfuzion në stol dhe besoj se qëndrimi im mund të jetë keqkuptuar. Sa i takon të ardhmes unë jam i gatshëm të luaj kur kërkohet dhe të plotësoj obligimet e mia”, ka thënë Tevez.
Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, është ngazëllyer me paraqitjen e ekipit të tij në fitoren 2-0 ndaj Manchester Cityt, e veçanërisht me paraqitjen e dyshes Frank Ribery dhe Bastain Schweinsteiger.“I gjithë ekipi luajti në mënyrë krejtësisht të përkryer në pjesën e dytë, dhe Franck Ribery dhe Bastian Schweinseiger ishin thjesht të klasit botëror sonte. Në fillim ne ishim nervozë, por lojtarët rikuperuan situatën gjatë pjesës së parë”.
“Ne luajtëm kundër një ekipi të jashtëzakonshëm, por dominuam ndaj tyre në pjesën e dytë. Së bashku ishte një paraqitje e mirë grupore nga ekipi”, ka thënë Heyckness në konferencën për media pas ndeshjes.
Mesfushori i Napolit, Marek Hamsik, ka thënë se fitorja 2-0 ndaj Villarrealit nuk do të thotë asgjë, nëse ata nuk vazhdojnë më tej me fitore.Sllovaku shënoi golin e parë në ndeshjen e mbrëmshme të grupit A, para se Edinson Cavani të dyfishojë epërsinë me anë të një goli nga pika e bardhë.
“Ne jemi shumë të lumtur. Napoli nuk ka luajtur në këtë garë për shumë vite. Ne jemi shumë të fuqishëm, por ne duhet të vazhdojmë më tej me fitore. Vetëm me vendosmërinë e duhur ne mund të vazhdojmë t’ia dalim mirë. Për momentin ne nuk kemi arritur asgjë, pasi ende janë edhe katër ndeshje të mbetura”, ka thënë Hamsik për Sky Sport.
Mesfushori i Interit, Esteban Cambiasso, thotë se ata ishin përgjigjur mirë në fushë në ndeshjen në udhëtim kundër CSKA Moskës, në të cilën Interi fitoi me rezultat 3-2.Argjentinasi ka thënë se pasi Nerazzurët kishin dy gola avantazh, nuk është dashur të lejojnë pranimin e një goli që në pjesë të parë.
“Po të ishim në gjendje ta ruanim avantazhin 2-0 në pauzën mes pjesëve, ndeshja do të ishte shumë më ndryshe, mbase ne do të kishim shënuar edhe një gol dhe do të ishim në gjendje ta zgjidhnim pa probleme. Nuk doli kështu, por ne kishim një përgjigje të shkëlqyeshme”, ka thënë Cambiasso.
Drejtori i bordit të Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, ka lavdëruar paraqitjen e ekipit pasi bavarezët mposhtën me rezultat 2-0 Manchester Cityn në ndeshjen e grupit A të Ligës së Kampionëve.Edhe pse fillimisht e pa veten në presion nga anglezët, Bayerni arriti të ruajë ritmin e ndeshjes dhe shënoi dy gola në pjesën e parë, që të dyja nga Mario Gomez, të cilat ishin vendimtare për fitoren.
“Ishte një paraqitje e mirë dhe një performacë e shkëlqyeshme ekipore, edhe pse Manchester City po ashtu ishte i shkëlqyeshëm në 30 minutat e para, kur ata treguan se sa ekip i mirë janë. Por në pjesën e dytë ne ishim plotësisht mbi ta”, ka thënë Rummenigge për faqen zyrtare të klubit gjerman.
Me tre pikët e reja Bayerni mban kreun e grupit me gjashtë pikë, dy më shumë se Napoli, që po ashtu fitoi 2-0 në ndeshjen ndaj Villarrealit.
Nënshkrimi i verës i Real Madridit, Hamit Altintop, luajti minutat e para për gjigantin spanjoll pasi u inkuadrua në lojë si zëvendësim i vonshëm në fitoren e mbrëmshme të Ligës së Kamionëve ndaj Ajaxit.28-vjeçari iu bashkua ekipit të Jose Mourinhos si transferim i lirë nga Bayern Munich gjatë verës, por nuk mundi të luajë për shkak të një lëndimi të marrë në para-sezon.
“Jam i lumtur që kam bërë debutimin tim. Kam pasur një proces të mirë rikuperimi pas operacionit dhe jam ndjerë mirë. Nuk është lehtë, por do t’i marr gjërat ngadalë për të ndihmuar ekipin”, ka thënë Altintop për faqen zyrtare të Realit.
Lojtari i ndeshjes në përballjen Real Madrid-Ajax, Ricardo Kaka, mendon se skuadra e tij është në rrugë të duhur, pas fitores prej 3-0 kundër ekipit holandez.Braziliani ishte pjesëmarrës në golin e parë, shënoi të dytin dhe asistoi në të tretin, duke bërë që Los Blancos të kryesojnë me gjashtë pikë në Grupin D.
“Këto ndjenja janë të mira. Zhvilluam një lojë të mirë, po ia kalojmë mirë në grup”.
“Por nuk është vetëm kjo ndeshje, në ndeshjet e fundit ne jemi përmirësuar”, ka thënë Kaka për TVE.
Ai ka shtuar se është i lumtur që ndjehet mirë fizikisht dhe po mundohet që ngadalë ta rikthejë formën e tij për të fituar trofe me Realin.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka njoftuar se Carlos Tevez ka refuzuar të inkuadrohet si zëvendësues në humbjen prej 2-0 nga Bayern Munichu në Allianz Arena.“E angazhova De Jongun në vend të Dzekos, sepse dëshiroja që ai të qetësonte gjithçka brenda pesë minutash që të mos pranonim golin e tretë dhe pastaj e doja Carlos Tevezin në fushë”.
“Atëherë ai refuzoi të hynte, ai refuzoi të hynte në fushë. Për mua është një situatë e keqe, sepse është e pamundur që një lojtar të refuzojë të luajë dhe t’i ndihmojë skuadrës”.
“Ai ishte i zhgënjyer që nuk luajti, por ne luajmë me 11 lojtarë. Për ta bërë atë është e pamundur. Sonte në këtë ndeshje ne patëm një problem. Më herët asnjëherë nuk kemi pasur problem- ne e filluam shumë mirë sezonin- të gjithë lojtarët kanë luajtur, por nuk mund ta pranoj që një lojtar të refuzojë të hyjë në lojë. Nuk mund ta pranoj këtë”.
“Për mua, ai ka marrë fund. Po të varej nga unë, ai do të ishte jashtë klubit”, citohet Mancini nga SkySports.
Ashley Young ka rezultuar shpëtimtari i Manchester Unitedit, pasi ka arritur ta shënojë golin e barazimit në fund të ndeshjes kundër Baselit, e cila përfundoi me rezultat 3-3.Vendasit e filluan shumë mirë takimin duke shënuar dy gola të shpejtë me anë të Danny Welbeck (16’ dhe 17’) dhe në të dyja rastet ishte asistues Ryan Giggs.
Mirëpo në gjysmën e dytë, me golat e Fabian dhe Alexander Frei (58’ dhe 60’), zviceranët e barazuan rezultatin.
Për t’i befasuar të pranishmit në Old Trafford, Alexander Frei i kaloi mysafirët në epërsi nga penaltia.
Ndërsa shpëtimtar i Djajve të Kuq doli Ashley Young, i cili pas asistimit të Nanit e barazoi rezultatin (90’).
Benfica e ka fituar takimit tjetër të Grupit C duke e mposhtur Otelul Galatin me rezultat minimal.
Pas xhiros së dytë, në këtë grup prijnë Baseli dhe Benfica me nga katër pikë.
Real Madridi ka treguar fuqinë e vet duke e mposhtur Ajaxin në Bernabeu me rezultat 3-0.Mysafirët e filluan më mirë takimin duke shkaktuar probleme para portës së Iker Casillas, mirëpo pas disa minutash, Los Blancos filluan ta imponojnë lojën e tyre.
Pas një aksioni të jashtëzakonshëm dhe kombinimeve të sakta të lojtarëve vendas, Cristiano Ronaldo kaloi Realin në epërsi pasi topin e fundit e pranoi nga Karim Benzema (25’).
Goli dytë erdhi nga braziliani Kaka, i cili e pranoi një top nga Ronaldo dhe gjithçka e zgjidhi vet (41’), duke i dërguar Mbretërit në pushim me epërsi të dyfishtë.
Pak minuta brenda gjysmës së dytë (49’), Kaka depërtoi thellë pranë portës dhe ia pasoi topin Benzemas, i cili shënoi për rezultatin 3-0.
Në vazhdim ra tempi i lojës, duke qenë se vendasit ishin të kënaqur me rezultatin, ndërsa mysafirët e kishin të vështirë ta shënonin së paku golin e nderit, megjithatë nuk munguan rastet deri në fund të takimit.
Në përballjen tjetër të Grupit D, Lyoni ka fituar me rezultat 2-0 kundër Dinamo Zagrebit.
Pas dy ndeshjes, Real Madridi prin me gjashtë pikë, ndërsa ndiqet nga Lyoni që ka katër pikë.
Bayern Munichu u ka treguar drejtuesve të Manchester Cityt se paraja nuk është gjithçka duke e mposhtur skuadrën e tyre me rezultat 2-0 në Allianz Arena.Bavarezët e dominuan përballjen, ndërsa dilemës për fituesin i dhanë fund që në gjysmën e parë.
Ishte sulmuesi Mario Gomez lojtari më meritor për këtë fitore, pasi që realizoi të dy golat e vendasve (38’ dhe 45’+1).
Në ndeshjen tjetër të Grupit A, Napoli e ka mposhtur Villarrealin me rezultat 2-0.
Pas xhiros së dytë, Bayerni kryeson me gjashtë pikë, ndërsa Napoli ka katër pikë.
















