Me rezultat prej 4-0, Real Madridi ka shënuar fitore përballë Espanyolit në një udhëtim të vështirë në Estadi Cornella El Prat.
Ishte mbrëmja e Gonzalo Higuain, i cili u angazhua në sulmin e Los Blancos në mungesë të Karim Benzemas, dhe arriti të shënojë tri herë.

Goli i parë erdhi pas një asistimi të Cristiano Ronaldos, me ç’rast argjentinasi u tregua konkret (17’).

Higuain pranoi një top të gjatë nga Alvaro Arbeloa dhe goditi me të parën për të shënuar një gol mjaft të bukur për rezultatin 2-0 (66’).

Ish- lojtari i Espanyolit, Callejon, shënoi golin e tretë për mysafirët (82’), mirëpo të gjithë punën e kreu Ronaldo.

Higuain e kompletoi het-trikun e tij në minutën e 89-të duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtjes vendase.

Kjo fitore e pozicionon Real Madridin në vend të tretë në tabelë me një pikë diferencë nga liderët, Barcelona dhe Levante.
Juventusi ka shënuar fitore prej 2-0 në derbin kundër kampionit në fuqi të Serie A, Milan, në një takim të cilin e diktuan nga fillimi deri në fund lojtarët me fanellat bardhezi.Bianconerët e dominuan në tërësi fraksionin e parë duke e kontrolluar lojën dhe duke qenë më kërkues ndaj golit, megjithatë e kishin të vështirë të thyenin mbrojtjen rossonere.

Një rast për t’u përmendur nga kjo pjesë ishte goditja e transversales nga sulmuesi malazez Mirko Vucinic.

Vendasit e patën një rast të shkëlqyer edhe në fillim të gjysmës së dytë, mirëpo Abbiati rezultoi më i suksesshëm.
Lojtarët me fanellat bardhezi vazhduan ta menaxhonin ndeshjen edhe në vazhdim, duke qenë më të saktë me pasime, duke kontrolluar mesfushën dhe duke krijuar raste të shumta, por mungonte goli.

Mirëpo, angazhimi maksimal i vendasve u shpagua në minutat e fundit të takimit. Një aksionit i ndërtuar nga Claudio Marchisio, në kombinim me bashkëlojtarët, u përfundua pikërisht nga mesfushori italian, i cili shënoi golin e parë për Zonjën e Vjetër (87’). Ishte sërish, Marchisio lojtari që vulosi fitoren duke e mposhtur për të dytën herë Abbiatin në minutat shtesë të takimit (90’+2).

Me tre pikët e reja, Juventusi rikthen kreun e tabelës në Kampionatin italian, me pikë të barabarta me Udinesen.
Barcelona ka shënuar fitore prej 1-0 si mysafir i Sporting de Gijon në takimin e të dielës mbrëma të zhvilluar në Estadio Municipal El Molinon.
Nuk ishte kjo një fitore e zakonshme e Blaugranëve me shumë gola, megjithatë ata kanë rrëmbyer tre pikët e nevojshme për t’u pozicionuar në krye të tabelës.

Adriano ishte heroi i mysafirëve, i cili shfrytëzoi një top të kthyer pas goditjes së Xavit për ta shënuar golin e fitores.

Barcelona mban vendin e parë në tabelë me 14 pikë, aq sa ka edhe Levante në vend të dytë.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, edhe njëherë ka folur me nota të larta për yllin e tij, Lionel Messi, duke thënë se ai e ka vendin me legjendat tjera të futbollit.
“Ai e ka barazuar edhe një legjendë tjetër të Barcelonës, i cili atëkohë ndryshoi klubin. Me futbollin e Kubalas, stadiumi Les Corts u bë tepër i vogël për të pritur njerëzit dhe prandaj u ndërtua Camp Nou”.

“Mënyra e vetme që Messi nuk do ta arrijë Cesarin dhe 235 golat e tij është nëse ai largohet, por ne shpresojmë se ai do të mbetet për shumë vite. Unë vetëm mund ta përgëzoj për atë që ka bërë me 24 vitet e tij”, ka thënë Guardiola.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka deklaruar se klubet italiane duhet të fillojnë të ndërtojnë stadiumet e tyre.
“Nëse të gjitha klubet italiane kanë në pronësi stadiumet e tyre, atëherë fitimet do të ishin shumë më të mëdha. Fatkeqësisht, ne jemi me vite të dritës larg këtij ndryshimi. Çfarë ndodhi me Juventusin është e pa përsëritshme”.

“Gjëja e vetme që ne mund të bëjmë është të modernizojmë San Siron për të shpresuar fitimin në kandidaturën për një finale të Ligës së Kampionëve”, potencoi Galliani.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, i ka marrë pak kohë vetes për ta lëvduar superyllin brazilian, Leite Kaka.
“Kaka është lojtar fantastik që ka kaluar nëpër shumë vështirësi dhe ne për këtë arsye duhet t’i marrim gjërat më ngadalë me të, sepse ne duam që ai të jetë në formë optimale dhe të jetë i kënaqur me veten”.

“Ne nuk duam ta prishim gjithë punën e bërë me të”, potencoi Mou.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger, ia ka bërë të qartë Manchester Cityt që të harrojë ndonjë tentim për transferimin e Robin Van Persiet në Etihad Stadium, pas raportimeve të mediave angleze se RVP është zëvendësuesi ideal për Carlos Tevez.
“Robin Van Persie është në kontratë deri në vitin 2013”.

“Pse duhet të shesim lojtarët në janar? Manchester City ka probleme sepse ka shumë sulmues. Ata paguajnë gjysmën e krejt kampionatit vetëm për të luajtur diku. Pse duhet të blejnë sulmues? Është vërtet vështirë për t’u kuptuar”, ka thënë francezi.
PSG dhe Interi janë tejet të interesuar për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Manchester Cityt, Carlos Tevez.
Sunday Mirror shkruan se City duhet të heqë dorë nga çmimi prej 40 milionë funtesh që kërkon për argjentinasin, pasi siç ka thënë edhe vet Mancini, Tevez nuk do të luajë kurrë më për Cityn.

Interi do të ofrojë 25 milionë funte për argjentinasin me t’u hapur afati kalimtar në janar. Interi madje pritet të kërkojë zbritje edhe më të madhe të çmimit nëse për tri muajt e ardhshëm Tevez nuk luan fare.
Legjenda argjentinase, Diego Maradona, e ka quajtur bosin e Manchester United, Sir Alex Ferguson, si ‘qesharak’, pas ndërhyrjes së skocezit në çështjen Carlos Tevez.
Carlos Tevez është suspenduar nga Manchester City pasi refuzoi të luajë në ndeshjen ndaj Bayernit dhe zërat pas këtyre veprimeve kontroverse kanë prekur edhe rivalët e United, me Ferguson që ka mbajtur anën e Mancinit. Kjo duket se nuk i ka pëlqyer fare Maradonës.

“Ferguson nuk duhet të flasë për Tevezin, pasi ai u bë trajner i madh vetëm pasi mori lojtarë të mëdhenj”.

“Ferguson e ka mbrojtur Mancinin dhe unë e njoh Mancinin mirë, e njoh edhe Tevezin dhe nëse Ferguson vërtet nuk e di si është puna, atëherë ai nuk duhet të flasë fare pasi është shumë qesharak”, tha Maradona duke akuzuar rëndë strategun e United.
Luis Suarez u shpreh tepër i ngazëllyer që bashkëlojtari i tij, Andry Carroll shënoi në fitoren e madhe të Liverpoolit ndaj Evertonit të shtunën.
“Ne tentuam edhe me një sulmues. Si sulmues qe jeni, gjithmonë tentoni të shënoni, por sot jam më shumë i ngazëllyer me golin e Carroll”.

“Për mua ende është e pa besueshme për cilin klub po luaj, që nëntë muaj vazhdimisht tifozët po më përkrahin. Është gjë e pa besueshme”, deklaroi Suarez.
Tottenham Hotspur ka dalë fitues i derbit londinez duke e mposhtur rivalin Arsenal në White Hart Lane me rezultat 2-1.
Mysafirët bënë një performancë mbresëlënëse në gjysmën e parë, mirëpo një gol i shënuar pak minuta para përfundimit të pjesës së parë e mohoi gjithë atë që treguan. Derisa Arsenalit i mungonte kreativiteti para golit, ishin vendasit atë që rezultuan më konkretë. Një asistim të ish-sulmuesit të Arsenalit, Emmanuel Adebayor, e shfrytëzoi Rafael Van der Vaart për t’i kaluar Spursat në epërsi dhe për t’i dërguar të qetë në pushim.

Në gjysmën e dytë, Alexandre Song e gjeti për mrekulli Aaron Ramseyn, i cili i barazoi shifrat (51’).

Në vazhdim vendasit ishin më të rrezikshëm edhe pse Arsenali luante mirë, ndërsa me një goditje nga distanca, Kyle Walker i shokoi të gjithë me një gol të bukur (73’) për ta rikthyer epërsinë e Tottenhamit.

Pas fitores, Tottenham Hotspur grumbullon 12 pikë dhe gjendet në vendin e gjashtë me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa Arsenali me vetëm shtatë pikë të fituara pozicionohet në vendin e 15-të.
Legjenda e Manchester United, Paul Scholes, beson se rivaliteti i Djajve me Liverpoolin është duke dëmtuar rëndë vet Anglinë.
“Ekziston rivalitet shumë i madh mes klubeve në këtë vend dhe nuk është mirë kjo kur kemi ndeshjet me kombëtaren. Kur isha me Anglinë, ishin shumë lojtarë të United dhe Liverpoolit në një skuadër të cilët nuk kanë folur me njëri-tjetrin. Shumica e lojtarëve ishin tifozë të flaktë të ManU, kurse pjesa tjetër mbështeste Liverpoolin”.

“Ne nuk ishim vetëm futbollistë, ne po ashtu donim klubet për të cilat luanim dhe gjithmonë kishte rivalitet. Ju nuk mund të ndërtoni një ekip, të bëni një shpirt kur ekziston rivaliteti tillë”, tha Scholes.
Sir Alex Ferguson beson se Manchester United është ekipi i vetëm që kërkoi fitoren në takimin ndaj Norwich, që përfundoi me triumf për Djajtë.
“Ne ndjejmë se kemi bërë më mirë. Ne merituam fitoren sepse ishim ekipi që kërkoi fitoren”.

“Mendoj se ne ishim të keq në pjesën e parë. Ne ndryshuam në pjesën e dytë, por përkundër dominimit ata kanë pasur raste të cilat nuk i shfrytëzuan. Ata luajtën mjaft mirë”, potencoi skocezi.
Mesfushori i Interit, Joel Obi, i cili ishte viktimë e referimit skandaloz në ndeshjen derbi ndaj Napolit, ku u përjashtua nga loja nga gjyqtari Rocchi, u ka kërkuar falje tifozëve të Interit, teksa shprehu zhgënjimin me referimin.
“Kontakti krah më krah, për të cilin gjyqtari dha penalti, ndodhi jashtë zonës. Unë e fitova topin dhe lojtari i Napolit ishte në këmbë, kështu që nuk po e kuptoj as kartonin e parë të verdhë”.

“Sidoqoftë, unë u kërkoj falje të gjithë tifozëve dhe bashkëlojtarëve të mi. Unë falënderoj tifozët për përkrahjen. Ne nuk do të dorëzohemi”, u shpreh Obi.
Chelsea ka shënuar fitore të lartë në udhëtim te Boltoni në Reebok Stadium me rezultat 5-1.
Nuk është e çuditshme që Chelsea ka fituar aq thellë, pasi menjëherë janë vërejtur efektet e mungesës së Fernando Torres në formacionin bazë.

Daniel Sturridge hapi serinë e golave në minutën e dytë, para se Frank Lampard (15’) dhe përsëri Daniel Sturridge (26’) të shënojnë për 3-0. Lampard i dha fundin pjesës së parë me golin e tij të dytë në këtë takim dhe të katërtin për Chelean (27’).

Dedryk Boyata shënoi golin e nderit për Boltonin, kurse Frank Lampard e realizoi hettrikun në minutën e 60-të me asistimin e Didier Drogbas.

Me këtë fitore Chelsea mban pozitën e tretë me 16 pikë, tri më pak se rivalët Manchester United dhe Manchester City që janë liderë të përbashkët.
Bosi i Arsenalit, Arsene Wenger synon që të qëndrojë edhe 15 vjet në krye të klubit nga Emirates, teksa këmbëngul se atij i mungojnë titujt pas gjashtë viteve të kaluara pa trofe.
“Unë jam në gjendje të qëndroj edhe 15 vjet. Por, kjo varet nga klubi. A dëshirojnë ata që unë të qëndroj?”.

“Më pas varet nga shëndeti im, sepse është diçka që e shqyrtoni në moshën time. Ndeshjet e futbollit kërkojnë shumë energji”, theksoi francezi.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri beson se lojtarët e tij duhet të shfaqin në maksimum aftësitë e tyre teknike nëse dëshirojnë ta mposhtin Juventusin të dielën mbrëma.
“Do të jetë ndeshje fascinuese me shumë tension, por sezoni është i gjatë dhe asgjë nuk vendoset sot”.

“Ne duhet të shfaqim superioritet teknik për të fituar, kjo është fundamentale”, pohoi Allegri.
Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri ka pranuar se fitorja e skuadrës së tij me rezultat 3-0 ndaj Interit në kuadër të Serie A të shtunën ishte dhurata më e mirë që ka mundur të marrë ai për një ditëlindje.
“Unë falënderoj lojtarët që ma bënë dhuratën më të mirë që kam mundur të kërkoj ndonjëherë për ditëlindjen time. Incidentet ndodhin në futboll dhe unë e kam thënë edhe sezonin e kaluar kur është akorduar penalti kundër nesh ndaj Milanit dhe e humbëm atë takim”.

“Mendoj se ne luajtëm mirë në përgjithësi dhe merituam fitoren. Na është mohuar një penalty e qartë ndaj Fiorentinës javën e kaluar, kështu që gabimet mund të prekin të gjithë”, u shpreh Mazzarri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mbrojtësit portugez, Ricardo Carvalho, për ndeshjen kampionale ndaj Espanyolit sonte mbrëma.
Carvalho luajti gjatë tërë ndeshjes ndaj Ajaxit pas rikthimit nga lëndimi në kokë, dhe tani duket se do të qëndrojë përsëri jashtë fushave pas dëmtimit në shpinë.

Nuk dihet se sa kohë Carvalho do të jetë jashtë fushave, por Reali ka konfirmuar në faqen zyrtare se qendërmbrojtsi nuk do të luajë në Cornella-El Prat.

Real Madridi është në pozitën e 7-të në La Liga me 10 pikë nga pesë ndeshje, përderisa Espanyol është në pozitën e 12-të me gjashtë pikë.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson beson se ai mund të qëndrojë në futboll edhe për katër vjet të tjera.
69 vjeçari është bosi që ka qëndruar më shumë dhe më i suksesshëm në historinë e Manchester United, duke fituar 12 titujt të Ligës Premier, pesë FA Cup, katër kupa të Ligës, dhe dy herë Ligën e Kampionëve.

“Më kanë mbetur edhe tri katër vjet. Unë ndihem mirë. Por, kur do të largohem, unë do ta lë një ekip të ri të fortë, i cili do të vazhdojë të jetë i suksesshëm edhe me pasardhësin tim”, tha Fergie.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, i cili e përcolli takimin Inter-Napoli nga tribunat pas përjashtimit nga loja me të përfunduar pjesa e parë, ka akuzuar rëndë referimin e gjyqtarit Rocchi, ndërsa atij i është bashkangjitur edhe Massimo Moratti.
Gjyqtari i takimit që përfundoi me fitore të Napolit përjashtoi së pari Joel Obin, akordoi penalti që nuk ekzistoi dhe pas intervenimit të Julio Cesar llogariti si të rregullt golin e Napolit edhe pse lojtari hyri në zonë para kohe.

“Lojtarët ishin duke luajtur aq mirë, dhe ai prishi gjithçka. Ai më përjashtoi vetëm pse i kam thënë thjeshtë se ai ka gabuar në vendimet e tij”, theksoi Ranieri.

As Moratti nuk ishte më i butë, duke u shprehur: “Është zhgënjyes niveli i referimit, që ishte aq i mjerë, aq i mjerë, sa që është mëkat që kishte ndikim në fushë për 90 minuta”.
Trajneri i Romës, Luis Enrique ka pohuar se ekipi i tij më në fund ka filluar të luajë futbolin që ai dëshiron ta shohë, pasi Giallorosët shënuan fitore prej 3-1 ndaj Atalantas të dielën.
“Ky është futbolli që ne duam ta luajmë – të mbajmë topin me qëllim që të shënojmë gola. Ne duhet të jemi të durueshëm nëse duam të kemi sukses, dhe nuk mund të bëhet shpejt kjo”.

“A ka ekipi më shumë besim tani? Mendoj se po. Ne luajtëm ndaj ekipit më në formë në kampionat, kështu që më duhet t’i përgëzoj lojtarët”, u shpreh Enrique.
Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas është lënë jashtë fushave të lojës për tri javët e ardhshme, pasi pësoi një dëmtim në kofshë gjatë stërvitjes të shtunën.
Cesc ishte në formë të jashtëzakonshme që prej transferimit nga Arsenali, ndërsa tani ky dëmtim do ta lë atë jashtë ndeshjeve me kombëtaren ndaj Skocisë dhe Çekisë ashtu sikurse ndaj Viktoria Plzen dhe Racing Santanderit.

Cesc u bashkohet Andres Iniestës, Alexis Sanchez dhe Ibrahim Afellay në listën e të lënduarve, por nga ana tjetër lajm i mirë për Guardiolën është rikthimi i Puyol dhe Pique.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka konfirmuar se Karim Benzema ka pësuar një lëndim dhe do të mungojë në ndeshjen në transfertë ndaj Espanyolit në La Liga.
“Benzema është i lënduar dhe nuk mund të luajë. Ai ka pësuar një lëndim që do ta mbajë atë larg fushave disa javë. Ai do të mungojë ndaj Espanyolit dhe edhe ndaj Betisit”.

“Unë? Reali mund të ketë pasur trajner më të mirë se sa Jose Mourinho, lojtarë më të mirë se sa që ka tani, por kurrë nuk ka pasur president më të mirë se as Florentino Perez”, potencoi portugezi.