Porteri i Manchester United, David De Gea ka shpjeguar rastin e tij të para një jave, kur mediat e ishullit raportuan se ai ishte zënë duke vjedhur ca ëmbëlsira në një market. Në një intervistë për një radio spanjolle, De Gea ka thënë se gjithcka ishte keqkuptim dhe nuk bëhet fjalë ashtu sic ka dal në media.

"Isha në supermarket me miq dhe të afërm të mi. Provova disa prej tyre, dhe më pas e kuptova se nuk e kishta portofilin me vete. Provova të shkoj në makinë për ta marrë, dhe sigurimi tentoi të më ndalojë për të mos shkuar pa paguar. Provova ta shpjegoj por anglishtja ime nuk është e mirë" ka thënë portieri spanjoll.
Trajneri i Francës, Laurent Blanc, ka deklaruar se nuk është i sigurt nëse Zinedine Zidane do të bëhej trajner i mirë për përfaqësuesen e tij.
Mesfushori legjendar, i cili aktualisht është drejtor te Real Madridi, të hënën ka thënë se nuk e mohon mundësinë që në një të ardhme të angazhohet si trajner i Francës.

“Nuk e di nëse mund ta paramendoj Zidanen si trajner të kombëtares, por do të më pëlqente nëse njerëzit e futbollit do t’i përkushtoheshin më shumë sportit sesa botës televizive”.

“Mendoj se ky shembull, nëse realizohet, do t’i frymëzonte të tjerët. Nëse ai dëshiron, atëherë duhet ta bëjë atë”, ka thënë Blanc në një konferencë për media.
Portieri i dikurshëm anglez, David Seaman, ka thënë se është shumë e dhimbshme të shohë se nëpër çfarë momenti është duke kaluar Arsenali.
Seaman, i cili është tri herë fitues i Ligës dhe katër herë i Kupës FA, thotë se Arsenali duhet të përqendrohet më tepër në fazën defensive duke marrë parasysh numrin e madh të golave të pranuar deri më tani.

“Nga ajo që unë shoh nuk duket se shumë njerëz e dinë se çfarë po bëjnë ose në çfarë pozitash duhet të jenë”, ka deklaruar ish-portieri i Topçinjve.
Mjeku i Barcelonës, Ricard Pruna, ka thënë se Lionel Messi është njëri nga lojtarët më të shëndetshëm në Camp Nou.
Argjentinasi edhe këtë sezon vazhdon të shfaqë formë të jashtëzakonshme në secilën ndeshje duke mos shprehur aspak shenja lodhjeje.

Pruna ka thënë se Messi është në gjendje t’i kontrollojë periudhat e tij të pushimit dhe ta kontrollojë ushqimin që konsumon- duke i kombinuar ato me angazhimin fizik.

“Ai është njëri nga lojtarët me kondicion më të mirë te Barcelona”, citon Sport.es fjalët e mjekut Pruna.
Ish-drejtori gjeneral i Juventusit, Luciano Moggi, e ka kritikuar kampionin e Italisë, Milan, pas humbjes prej 2-0 në derbin e të dielës mbrëma në Torino.
“Pashë një e ekip që më shumë vrapoi sesa luajti. Milani nuk bëri asgjë, prandaj rezultati ishte i pashmangshëm”, ka deklaruar 74-vjeçari për Il Sussidiario.

Moggi ka folur edhe për humbjen e Interit prej 0-3 nga Napoli duke thënë se arbitri Gianluca Rocchi gaboi edhe me përjashtimin e Joel Obi edhe me akordimin e penaltisë.
Ish-trajneri i Chelseat, Carlo Ancelotti, e ka lavdëruar menaxherin e Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, duke e etiketuar si “unik”.
“Si një trajner, ai është unik. Ai nuk merret me drejtimin e stërvitjeve, ai dërgon të tjerë dhe ka një staf të shkëlqyer. Ai e kupton futbollin si rrallëkush”.

“Me të cilido lojtar përmirësohet, shembulli më i fundit është Young”.

“Ai (Ferguson) është në gjendje ta marrë një korean pakëz të njohur (Ji-Sung Park) dhe ta bëjë atë një shtyllë te Manchesteri”, ka thënë Ancelotti për La Repubblica.
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, ka pranuar se ai ka filluar të mendojë për jetën pas futbollit.
Suedezi me prejardhje boshnjake është i vetëdijshëm se është pranë fundit të karrierës, por thotë se do të vazhdojë edhe disa vite para se t’i japë fund.

“Kam filluar të plakem, koha ka kaluar shpejtë, por dua të luaj edhe ndonjë vit. Tash ndihem më i pjekur dhe po ashtu kam edhe dy fëmijë. Koha ka fluturuar shpejtë dhe unë kam ndërruar shumë klube gjatë karrierës”.

“Porsa të pensionohem nga futbolli do të filloj ta shijoj jetën. Nuk e di se kur do të pensionohem, por dua të vazhdoj të luaj edhe pakëz më gjatë”, ka thënë 30-vjeçari.
Andrea Barzagli e konsideron Juventusin si meritor për rikthimin e tij në përfaqësuesen e Italisë, pasi tre vite ishte lënë jashtë.
Trajneri Cesare Prandelli e ka riftuar fituesin e Kupë së Botës nga viti 2006 që të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë kundër Serbisë dhe Irlandës në kuadër të Grupit C të kualifikimeve për Euro 2012.

“Nëse jam këtu me Italinë, kjo është për shkak të Juventusit. Jam i lumtur me atë që po bëj, por nuk bën që të kënaqem asnjëherë”, ka thënë Barzagli.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mendon se ai mund të vazhdojë të thyejë rekorde të golave të shënuar në Primera Division, pasi e ka fituar çmimin e golashënuesit më të mirë në La Liga për sezonin e kaluar.
“Në futboll asgjë nuk është e pamundur dhe secili rekord mund të thyhet”.

“Shpresoj ta kaloj rekordin e mëparshëm, por dua t’i falënderoj bashkëlojtarët e mi që e kanë bërë të mundur që unë ta fitoj trofeun”.

“Do të shohim çfarë do të ndodhë në të ardhmen, kurrë nuk i dihet, por unë mund ta thyej atë rekord”, citon Marca fjalët e portugezit.
Ish-trajneri i përfaqësueses së Italisë, Marcello Lippi, ka deklaruar se ish klubet e tij, Juventus dhe Napoli, janë në rrugë të mirë për ta fituar titullin e Italisë këtë edicion.
Të dyja skuadrat arritën të fitojnë kundrejt gjigantëve milanezë, Inter dhe Milan, ndërsa Lippi mendon se janë pikërisht këto dy klube që do të luftojnë për titull.

“Mendoj se edhe Juventusi edhe Napoli do të luftojnë për titull këtë sezon. Megjithatë, aty janë edhe Milani, Interi dhe Udinese”, ka thënë Lippi për Ansa.
Nuri Sahin pritet të kthehet pas dy javësh në aksion- thotë trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho.
Lojtari turk akoma nuk ka debutuar në një ndeshje zyrtare për Realin, pasi që e ka lënduar gjurin, ndërsa strategu portugez ka deklaruar se faza e rikuperimit po shkon për mrekulli dhe shumë shpejtë ai do të jetë pjesë e skuadrës.

“Shpresojmë se Sahin do të kthehet pas dy javësh. Tash është pushimi për ndeshjet e përfaqësueseve, gjë që është mirë për rikuperimin e tij”, citon Marca fjalët e Mourinos.
Portieri i Olympique Lyonnais, Hugo Lloris, ka nënshkruar kontratë të re me klubin francez, e cila do ta mbajë atë në Stade Gerland deri në vitin 2015.
Kontrata e deritanishme e 24-vjeçarit skadonte në vitin 2013, ndërsa drejtuesit e Lyonit vendosën që t’ia zgjatnin atë edhe për dy vite shtesë.

“Olympique Lyonnais njofton me kënaqësi për vazhdimin e kontratës së Hugo Lloris edhe për dy vite të tjera”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga klubi.
Mesfushori i Milanit, Clarence Seedorf, ka thënë se Juventusi meritoi të dalë fitues në ndeshjen e mbrëmshme.
“Ata ishin një ekip më i mirë. Humbja, të cilën ne për pak sa nuk e shmangëm, është rezultat i drejtë”.

“Megjithatë, ne nuk duhet të humbim zemër, pauza ndërkombëtare tash do të jetë e mirë për ne”, ka thënë Seedorf.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka lavdëruar ekipin e tij pas fitores 4-0 ndaj Espanyolit.
Reali u kritikua javën e kaluar pas dy rezultateve negative në La Liga, por madrilenët janë rikthyer së fundi duke shënuar tre fitore bindëse radhazi.

“Ne kemi arritur të dalim nga situata e vështirë. Ne kemi shënuar 13 gola në një javë dhe jam i lumtur për këtë ekip dhe veçanërisht për lojtarët të cilët nuk kanë luajtur shumë dhe ishin fantastik sonte, si Lassana Diarra, Alvaro Arbeloa dhe Gonzalo Higuain”, ka thënë Mourinho në konferencën për media pas ndeshjes së mbrëmshme.
Zlatan Ibrahimovic ka pranuar se Juventusi kishte merituar të dalë fitues në derbin e të dielës mbrëma në Serie A përballë Milanit.
“Ishte një ndeshje e vështirë, ata ishin më të mirë se ne. Rezultati ishte i duhuri. Ata ishin më të mirë në të gjitha nivelet”.

“Ne nuk e luajtëm ndeshjen tonë së bashku. Urime për ta për ndeshjen mirë të luajtur”, ka thënë Ibra në një deklaratë për faqen zyrtare të Milanit.
Andre Villas-Boas nuk ka dyshime se Chelsea mund të luftojë për titullin e Ligës Premier këtë sezon, pas fitores së thellë prej 5-1 ndaj Bolton Wandererd gjatë të dielës.
“Ky ekip është plot fuqi garuese dhe talenti kurrë nuk ka munguar. Ne kemi mjaft talent për të luftuar për Ligën Premier. Ne kemi kërkuar këtë fitore për një kohë të gjatë”.

“Kjo ndodhi këtu pasi ne ishim më pjellor në ballë të golit. Në nivel personal, do të doja t’ia dedikoj këtë fitore stafit tim teknik dhe lojtarëve të mi”, ka thënë Villas-Boas.
Gianluigi Buffon e ka krahasuar ekipin e Juventusit të drejtuar tash nga Antonio Conte me ekipin që kishte ndërtuar Marcello Lippi në vitet 1990-ta dhe Fabio Capello në dekadën e ardhshme.
Pas triumfit ndaj kampionit në fuqi, Milanit, në derbin e mbrëmshëm, Juve qëndron në pozitën e parë të tabelës së Serie A dhe Buffon mendon se ata kanë potencial për të fituar trofe të mëdhenj sërish.

“Ky Juventus është në proces të bëhet ekip i vlerave, sikur ai i Marcello Lippit dhe ai i Fabio Capellos. Çdokush kishte dyshuar se ato ekipe do të luftonin për tituj dhe nëse se mund ta fitonin Ligën e Kampionëve”.

“Ne jemi një ekip i mirë që është i aftë të luftojë për titujt kryesor sërish. Ne jemi në rrugë të duhur”, ka thënë Buffon për Tuttosport.
Bacary Sagna është edhe një mbrojtës i rëndësishëm i Francës i cili do të mungojë në takimin e vikendit përballë Shqipërisë të vlefshme për kualifikimet për Euro 2012.
Mbrojtësi i djathtë i Arsenalit, Bacary Sagna, ka thyer këmbën në disfatën e të dielës prej 2-1 ndaj Tottenhamit dhe federata franceze e futbollit ka konfirmuar se ai do të mungojë në fushë për tre muaj.

“Mjeku i ekipit të Francës, Fabrice Bryand, është informuar nga kolegët e Arsenalit për një frakturë të paqëndrueshme në fibulën e djathtë të Bacary Sagna. Mbrojtësi do të operohet nesër dhe pritet të jetë jashtë fushe për tre muaj. Laurent Blanc ka ftuar mbrojtësin e Lille, Mathieu Debuchy”, thuhet në deklaratën e Federatës Franceze.
Trajneri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ka lavdëruar performancën e ekipit të tij në pjesën e dytë në fitoren ndaj rivalit të Londrës veriore, Arsenalit.
“Ne e merituam fitoren; ne ishim të shkëlqyeshëm pas pauzës dhe kishim shanse të mira gjatë pjesës së dytë”.

“Ne shënuam atë golin para pauzë dhe të jem i sinqertë për pak sa nuk e bëra ndryshimin në pauzë për të trashur mesfushën duke sjellë edhe një, por mendova të vazhdoj dhe shikova si shkojnë gjërat. Pastaj, fatkeqësisht ata pastën një start më të mirë në pjesën e dytë dhe shënuan golin”.

“Ata kishin pushtetin në atë moment dhe duke shikuar ndeshjen ju mund të kishit menduar se ne ishim në telashe, por pastaj ne vërtet u përmirësuam; ne u bëmë më të mirë dhe më të fuqishëm dhe vërtet i morëm gjërat në duar në pjesën e dytë”, ka thënë Redknapp.
Eric Abidal do të mungojë 10 ditë në fushë përfshirë këtu edhe ndeshjen e Francës ndaj Shqipërisë të vlefshme për kualifikimet për Euro 2012.
Mbrojtësi francez u lëndua gjatë fitores së mbrëmshme të Barcës me rezultat 1-0 ndaj Sporting Gijon, ndërsa u zëvendësua nga Maxwell në fillim të pjesës së dytë.

Testet kanë treguar se ai ka pësuar një dëmtim në këmbën e majtë dhe pritet të rikuperohet nga një javë deri në 10 ditë.

Kjo do të thotë se ai do të mungojë në dy sfidat e radhës të cilat është dashur t’i luajë me kombëtaren e Francës, atë kundër Shqipërisë më 7 tetor dhe kundër Bosnjës më 10 tetor.
Arsene Wenger ka pranuar e Arsenali tash nuk mund të shpresojë të luftojë për titullin e Ligës Premier, pas disfatës 2-1 ndaj Tottenhamit.
“Mendoj se për momentin ne duhet t’i caktojmë vetes cak real dhe të luftojmë me ekipet të cilat synojnë pozitën e Ligës së Kampionëve. Nëse ju thoni sot se ne do ta fitojmë ligën, kjo nuk është realistike”.

“Për momentin ne jemi 12 pikë prapa Manchester United dhe Manchester City. Ne duhet të luftojmë për t’u rikthyer në një pozitë më të mirë, ky është realiteti.

Wenger po ashtu është ankuar në vendimet e gjyqtarëve gjatë derbit londinez, duke thënë se goli i parë i Rafael van der Vaart ishte një gol me dorë dhe se holandezi është dashur të largohet nga ndeshja me kartonin e dytë të verdhë.
Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, beson se ekipi i tij meriton të mposhtë Milanin gjatë derbit të mbrëmshëm.
Juve dominoi ndeshjen dhe ishte Marchisio ai i cili shënoi të dy golat e fitores dhe që të dyja në minutat e fundit të takimit, për të ndihmuar ekipin të pushtojë kreun e tabelës.

“Ne besuam në fitore deri në fund dhe kjo u tregua në golin tonë të parë. E rëndësishme ishte fitorja dhe neve kurrë nuk na mungoi motivimi. Ne filluam mirë, por nuk ishte lehtë të fitojmë sonte”.

“Megjithatë, le ta marrim këtë fitore tash, e merituam, stadiumi i ri e meritoi. Ne kurrë nuk u dorëzuam dhe jam i ngazëllyer”, ka thënë Marchisio.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka thënë se ekipi i tij nuk ishte në formën më të mirë, por se është i kënaqur me fitoren 1-0 ndaj Sporting Gijon.
“Ne kishim përballë një Sporting Gijon të shkëlqyeshëm, me shumë njerëz në mbrojtje, shumë afër njëri-tjetrit. Nuk kishte hapësira pasi ata mbyllën gjithçka shumë mirë”.

“Çdo herë që ne vijmë nga Liga e Kampionëve, ne hasim vështirësi. Ne luajtëm 30 minuta të para të mira. Pastaj, ne nuk ishim brilant për shkak të ndeshjes së mirë të Sporting, por ne e kontrolluam dhe ata nuk krijuan asnjë shans”, ka thënë Guardiola.
Gonzalo Higuain thotë se hat-tricku i tij impresiv në fitoren 4-0 në udhëtim te Espanyol është ajo që i është dashur për të rritur vetëbesimin e tij.
Real Madridi shënoi edhe një fitore për t’u ngjitur në pozitën e tretë në ligë falë tre golave të argjentinasit dhe Jose Callejon.

“Luajta një ndeshje të plotë dhe jam i lumtur për këtë pasi kjo më ndihmon mua të arrij, optimumin. Kam vuajtur shumë në rikthimin tim nga lëndimi. Jam rikuperuar dhe kisha nevojë për një ndeshje si kjo. Mezi pres të luaj mirë kështu dhe të shënoj sërish”, ka thënë Higuain.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, beson se Juventusi meritoi plotësisht fitoren 2-0 në derbin e mbrothëm, dhe e ka quajtur performancën e ekipit të tij si më të keqën e sezonit.
“Juventusi pati një ndeshje të shkëlqyeshme, derisa ne nuk e bënë detyrën tonë. Nuk jam i kënaqur me rezultat, por ata bënë më shumë se ne”.

“Është turp të pranosh gol katër minuta para fundit, pavarësisht performancës tonë të dobët, ne shpresonim të sjellim një pikë në shtëpi. Është normale që pas një muaji e gjysmë me të njëjtët lojtarë ata të lodhen”.

“Ne kishim disa shanse për të shënuar, ne mund të kishim siguruar barazim, dhe është për të ardhur keq që këto gjëra nuk funksionuan kështu. Kjo ishte performanca më e keqe e sezonit, Juve e meritoi fitoren”, ka thënë Allegri.