Drejtori sportiv i Real Madridit, Zinedine Zidane, është regjistruar në një universitet në Limoges të Francës, ndërsa pas dy vitesh pritet ta marrë diplomën e njëjtë që e ka trajneri aktual i Trekolorëve, Laurent Blanc.Mesfushori legjendar do të ndjekë kursin e njëjtë me ish-mesfushorin e Romës dhe Interit, Olivier Dacourt, i cili është regjistruar në të njëjtën klasë me të.
Kjo lëvizje e Zizu padyshim se do t’i forcojë edhe më shumë spekulimet se 39-vjeçari është në kërkim serioz të postit të trajnerit të përfaqësueses së tij.
Përzgjedhësi i Italisë, Cesare Prandelli, ka konfirmuar se sulmuesi i Parmës, Sebastian Giovinco, do të jetë titullar në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2012, të cilën Italia e zhvillon të martën kundër Irlandës së Veriut.24-vjeçari, i cili është golashënuesi më i mirë në Serie A aktualisht (me pesë gola të shënuar), do të luajë në sulm krahas Antonio Cassanos (Milan), duke e zëvendësuar kështu Giuseppe Rossin (Villarreal).
Giorgio Chiellini është tërhequr në qendër të mbrojtjes, ndërsa Claudio Marchisio do të pushojë, në vend të tij do të inkuadrohet Alberto Aquilani.
Italia tashmë e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian që do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë në vitin e ardhshëm, ndërsa Irlanda e Veriut gjendet jashtë gare.
Njëmbëdhjetëshi i parë i Italisë: Buffon; Cassani, Barzagli, Chiellini, Balzaretti; De Rossi, Pirlo, Montolivo, Aquilani; Cassano, Giovinco.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, ka bërë të ditur se qëllimi i Redsave këtë sezon është që të sigurojnë një vend në top-katërsh.“Objektivi është të vazhdojmë të përmirësohemi... Objektivi kryesor mbetet rikthimi në Ligën e Kampionëve, prandaj Liga Premier është prioritet”.
“Tifozët po ëndërrojnë për sukses, por është një projekt i ri me një ambicie të rinovuar. Ne kemi mbështetjen më të mirë në botë, ata janë gjithmonë me ne”.
“Është shumë herët të parashikohet titulli- ne jemi në një fazë tranzicioni, duke u rindërtuar, dhe shpresojmë të kthehemi në favoritë sa më shpejtë që është e mundur”, ka thënë Reina.
Jordan Henderson është i kënaqur me mënyrën si ka filluar karriera e tij te Liverpooli dhe shpreson që të luajë nga fillimi në derbin kundër Manchester Unitedit.Pasi nuk startoi në derbin lokal ndaj Evertonit, anglezi shpreson që të luajë nga fillimi në takimin e fundjavës ndaj Djajve të Kuq.
“Shpresoj të filloj në derbin e radhës (të shtunën ndaj United)”, ka thënë mes tjerash Henderson për Sky Sports News.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, e konsideron Mario Balotellin si njeriun që mund të jetë vendimtar në Ligën e Kampionëve këtë sezon.“Jam i lumtur me të. Jam i sigurt se këtë herë ai do të vazhdojë të luajë mirë. Ai do të bëhet arma jonë vdekjeprurëse në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Mancini për Il Domani dello Sport.
I pyetur rreth startit të Cityt në Ligën Premier, ai ka thënë: “Jemi të parët në Ligën Premier me Unitedin. Jemi një ekip i vërtetë, na mungon vetëm përvoja. Jam i lumtur”.
David Villa thotë se është përmirësuar si lojtar që pas transferimit te Barcelona, ndërsa për këtë e konsideron më meritor Lionel Messin.“Jam krenar që po luaj mirë dhe po e shijoj futbollin nga një pozitë, e cila nuk ishte e imja deri së fundmi”.
“Pedro më ka ndihmuar shumë. Kur kisha dyshime, e shikoja atë. Kur isha paksa i humbur në fushë, do ta shikoja Pedron se çfarë bënte në anën tjetër dhe ai duhej të më drejtonte”.
“Messi është një lojtar që kërkon shumë nga ata që janë përreth tij, sepse duhet të jesh gjithmonë i gatshëm”.
“Nganjëherë duket e pamundur të të ketë parë, por ai të sheh. Duhet të jesh gati për të pamundurën kur luan me Messin, sepse nuk është vetëm për atë që bën ai, por për atë që i detyron të bëjnë të tjerët”.
“Sinqerisht, jam përmirësuar duke luajtur krahas tij. Në të ardhmen kur t’i shikoj fotografitë e Messit në të cilat unë jam pranë tij, do të jem në gjendje të them: ‘Kam luajtur me Leo Messin’. Ky është një privilegj”, ka thënë Villa për El Pais.
Mesfushori i Chelseat, Florent Malouda, ka përshëndetur qëndrueshmërinë e legjendave, Ryan Giggs (Manchester United) dhe Javier Zanetti (Inter), duke i konsideruar si figura frymëzuese për ndërtimin e karrierës së tij.Francezi, i cili luan te Blutë që nga viti 2007, shpreson që të ndjekë hapat e dyshes së përmendur, si edhe ato të ish-kapitenit të Milanit, Paolo Maldini, duke mbetur pjesë e rëndësishme e klubit edhe në moshë “të shtyrë”.
"Ryan Giggs dhe Javier Zanetti janë pika reference për karrierën time, po ashtu siç ishte edhe Paolo Maldini”.
“Po ndodh gjithnjë e më pak në ditët e sotme, por është gjë e jashtëzakonshme të qëndrosh te një klub që mund të fitojë gjithçka dhe të jesh garues edhe në të tridhjetat”, ka thënë 31-vjeçari për Fifa.com.
Trajneri i Gjermanisë, Joachim Loew, u ka thënë gazetarëve se koncepti i ekzistimit të një njëmbëdhjetëshi bazë nuk është opsion për skuadrën e tij, por ai preferon një ekip ku ka konkurrencë.“Në Gjermani duhet që t’i themi ‘lamtumirë’ idesë për 11 lojtarë të rregullt”.
“Në futbollin evropian shihet shumë qartë se nevojiten shumë më tepër se 11 lojtarë për të kompensuar lëndimet”.
“Si trajner, kuptohet se e favorizoj konkurrencën. Vendet e rregullta i takojnë historisë”, ka thënë Loew.
Real Madridi është duke përcjellë situatën e yllit të ri të Borussia Dortmundit, Mario Gotze.Që pas inkuadrimit në ekipin kryesor të Dortmundit, 19-vjeçari konsiderohet si një nga lojtarët më me perspektivë në Evropë.
Ai ka joshur interesimet e Arsenalit dhe Bayern Munichit, ndërsa Marca njofton se Reali është seriozisht i interesuar për shërbimet e tij.
Florent Malouda thotë se Franca është plot vetëbesim në prag të ndeshjes së nesërme kualifikuese për Euro 2012 kundër Bosnjë e Hercegovinës.Franca mposhti Shqipërinë të premten dhe aktualisht mban kreun e grupit D me një pikë më shumë se Bosnja. Kjo do të thotë se francezëve u mjafton edhe një pikë për të dalë të parët dhe për të siguruar kualifikimin e drejtpërdrejtë në kampionatin evropian.
“Ne po nisemi në këtë ndeshje me vetëbesim; ne i njohim kundërshtarët tonë dhe ne absolutisht duhet të fitojmë ndaj tyre. Ne luajmë në shtëpi dhe duhet ta kthejmë këtë në avantazhin tonë dhe të sigurohemi që kjo të mos na shqetësojë”.
“Ne do të nisemi në ndeshje me mentalitet fitues. Një lojtar me përvojë duhet të përballet me presionin e ndeshjeve të mëdha dhe të përgatitet për këto gjëra, dhe të reagojë ndaj saj në mënyrën e duhur”, ka thënë mesfushori i Chelseat.
Menaxheri gjeneral i Corinthians, Edu, ka zbuluar se gjiganti brazilian ende është i interesuar për të nënshkruar me sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez.“Ishte shumë vështirë për të nënshkruar me të gjatë verës pasi ne kishim pak kohë; afati ynë kalimtar mbyllej. Tash ne jemi në Angli për të filluar negociatat, për të parë si është situata”.
“Ne do të shohim nëse mund të arrijmë një marrëveshje – ai është shumë i famshëm në Brazil dhe gjithkush e pëlqen, dhe fansat e duan atë. Situata po ndryshon. Le të shohim – unë dua ta shoh si është Carlos Tevez këtu, dhe si është situata”.
“Pastaj do të shkoj në Brazil do të flas me presidentin dhe do të shoh nëse mund të bëjmë diçka. Ka shumë gjëra për të menduar. Carlos Tevez ka shumë gjëra rrotull tij”, ka thënë Edu.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, është duke bërë plane për të nënshkruar disa prej lojtarëve më të mirë të rinj në botë.El Mundo Deportivo shkruan se ylli i Santos, Neymar, mbetet prioritet për Blaugranët, derisa edhe mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva po ashtu është në radar.
Portieri i Arsenalit, Wojciech Szczesny po ashtu është diskutuar, edhe pse Barca është në negociata me Lanus për portierin e ri Esteban Andrada.
Në repartin defensiv, mbrojtësi i Valencias, Jordi Alba dhe ai i Boltonit, Gary Cahill, janë duke u menduar, ndërsa në mesfushë, lojtari i Internacional, Oscar.
Në sulm, sulmuesi i Napolit, Edinson Cavani, është favorit për trajnerin Pep Guardiola, derisa Zubizarreta është duke përcjellë nga afër edhe progresin e yllit të Portos, Juan Manuel Iturbe.
Trajneri i Anglisë, Fabio Capello, do ta marrë Wayne Rooneyn në kampionatin evropian vitin e ardhshëm.Capello është i zhgënjyer me Rooneyn pas zemërimit dhe kartonit të kuq të së premtes në ndeshjen ndaj Malit të Zi. Derisa këtë javë pritet një vendim i UEFA-së për kohëzgjatjen e suspendimit, Capello është zotuar se nuk do ta lërë sulmuesin jashtë Euro 2012.
“Do ta marr Rooneyn në Euro, po. Shpresoj të jetë përjashtim për një ndeshje, mendoj se do të jetë”, ka thënë Capello.
Ruud Gullit mendon se Milani duhet ta tejkalojë krizën e lëndimeve për t’u kthyer sërish në garën për titull.Legjenda Rossonere ka frikë se mungesa e dy brazilianëve po i dëmton shanset e Milanit.
“Është jetësore që ata të rikthejnë Robinhon dhe Paton. Golat e Patos tash janë më se të nevojshëm”, ka thënë Gullit.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, ka deklaruar se Holanda është një prej favoritëve për ta fituar Euro 2012 që zhvillohet gjatë verës së ardhshme në Poloni dhe Ukrainë.“Është e drejtë të thuhet se Holanda është një prej katër, ndoshta pesë ekipeve të cilat janë favoritë për të fituar Euro 2012. Mendoj se shumica në Evropë pajtohen me mua për këtë”.
“Asnjë ekip nuk ka bërë kaq shumë progres si ne që nga kampionati i fundit Evropian. Ekipet si Franca dhe Italia nuk kanë bërë hapa të ngjashëm përpara”, ka thënë Van Persie për Telegraaf-in holandez.
Zlatan Ibrahimovic nuk mund të përfundojë te Real Madridi pasi, sipas agjentit Ernesto Bronzetti, Florentino Perez nuk blen lojtarë më të mëshuar se 30 vjet.Suedezi është lidhur me një transferim në kryeqytetin spanjoll gjatë afatit kalimtar dimëror, pas deklaratave se ai është lodhur nga futbolli.
“Unë jam mik i Perez dhe ai nuk blen lojtarë të cilët tashmë janë 30 vjeç. Ai e bëri atë vetëm një herë me Ricarlo Carvalho, por kjo ishte sepse ai kërkohej nga Jose Mourinho”, ka thënë Bronzetti.
Ish-kapiteni i kombëtares Shqiptare dhe ish-kandidati për kreun e FSHF-së, Rudi Vata, raportohet se është i gatshëm të marrë nën drejtim ekipin kuqezi nëse Josip Kuzhe largohet.Sporti Shqiptar përcjell se Vata, i cili jeton në Hamilton të Skocisë, gjatë një interviste për “The Sun” është shprehur se gjasat janë të mëdha që ai të drejtojë Shqipërinë pas largimit të Kuzhe.
“Kontrata e Kuzhes po përfundon dhe FSHF po kërkon një trajner tjetër për zëvendësimin e tij. Do të më pëlqente shumë nëse më emërojnë trajner të Shqipërisë. Besoj se jam mjaft i përgatitur. E di që njerëzit do të thonë se nuk kam eksperiencën e duhur, por eksperienca e paktë si trajner nuk është bërë pengesë për Slaven Biliçin e Kroacisë, apo Jurgen Klismanin e Gjermanisë”.
“Mendoj që në Shqipëri ka shumë lojtarë të rinj të talentuar. Mendoj gjithashtu se jam i përgatitur për të përcjellë idetë e mia në kombëtare. E mendoj në çdo kohë këtë. Kam luajtur 59 ndeshje me Shqipërinë, ndër të cilat 40 herë kam qenë kapiten. Gjithashtu kam jetuar në katër vende të ndryshme. Kam qenë pjesë e Shqipërisë në të kaluarën dhe dua të jem pjesë e kombëtares edhe në të ardhmen”, ka thënë Vata.
Agjenti i Eden Hazard thotë se Real Madridi është një opsion joshës për klientin e tij.Ylli i Lille është një nga yjet në ngritje në Evropë, dhe së fundi u përfol për një interesim të Real Madridit për të. Dhe agjenti i tij nuk e ka përjashton një transferim të tij që në janar, me Realin si opsion të mundshëm.
“Është e vërtetë, Reali është një klub i veçantë, dhe sërish është e njëjta gjë: Kush nuk dëshiron të luajë për Madridin?”.
“Hazart ka treguar në këtë fillim sezon se është i gatshëm të luajë për një ekip të madh, qoftë Madrid ose ndonjë klub tjetër i atij niveli”, ka thënë agjenti.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti, është duke përcjellë situatën e Pep Guardiolës te Barcelona.Corriere dello Sport thotë Moratti tashmë është inkurajuar nga komentet prej Guardiolës, i cili ka refuzuar të shohë përtej fundit të këtij sezoni në lidhje me kontratën e tij me Barcën.
Moratti është një fans i madh i Guardiolës dhe me Claudio Ranierin që ka kontratë deri në qershor ai mendon të bëjë hapa konkret për të sjellë spanjollin në Itali sezonin e ardhshëm.
Drejtori i Real Madridit, Zinedine Zidane, thotë se ata mund të jenë të kënaqur me sezonin e tyre deri tash.Zidane beson se forma e madrilenëve gradualisht po arrin kulmin.
“La Liga është shumë konkurruese. Ne jemi mirë, kishte disa ndeshje vështirësi, por është normale. Mendoj se Real Madridi është në rrugë të duhur”, ka thënë Zizou.
Strategu Fabio Capello ka njoftuar se do ta lë Wayne Rooneyn jashtë përfaqësueses së Anglisë në ndeshjen miqësore kundër Spanjës që do të zhvillohet në stadiumin Wembley.Sulmuesi i Manchester Unitedit u përjashtua me karton të kuq në takimin ndaj Malit të Zi dhe do të mungojë së paku në një ndeshje të Euro 2012, ndërsa Capello dëshiron të jetë i gatshëm për takimin ku do të mungojë Rooney duke provuar alternativa tjera në miqësoren ndaj kampionit në fuqi.
“Rooney nuk do të luajë kundër Spanjës. Dua të testoj lojtarë të rinj, një stil të ri dhe një lëvizje ndryshe, diçka ndryshe”.
“Kjo ndoshta lë të kuptohet se ai do të jetë i freskët për Kampionatin Evropian dhe nganjëherë do të inkuadrohet në gjysmë të ndeshjes”.
“Por jo nga fillimi, ai nuk do të startojë. Duhet ta përgatisim njëmbëdhjetëshin e parë që do të startojë në Evropian”, ka thënë italiani për Daily Mirror.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, mendon se tifozëve të futbollit anekënd botës u pëlqen mënyra se si ai luan.Gjatë ndeshjes së Portugalisë ndaj Qipros në muajin shtator, Ronaldo është fishkëllyer, ndërsa tifozët e kanë thirrur emrin e Lionel Messi, ndërsa portugezi tash ka folur mbi këtë çështje.
“Këto gjëra (fishkëllimat në Qipro) janë të parëndësishme. Dhe unë nuk shqetësohem për to”.
“Mendoj se të gjithë ata që e duan futbollin janë të kënaqur kur Cristiano Ronaldo luan”, citon AS.com fjalët e portugezit.
Sulmuesi i Romës, Bojan Krkic, mendon se nuk është trajtuar si duhet gjatë qëndrimit te Barcelona.21-vjeçari u transferua në Itali gjatë afatit kalimtar veror, duke qenë se nuk po siguronte një vend të rëndësishëm te Blaugranët.
“Ishte e jashtëzakonshme të luaja për Barcelonën, por gjatë muajve të fundit atje, nuk më jepej shumë rasti për të luajtur, dhe për një lojtar kjo është shumë e rëndësishme”.
“Nuk kam asgjë kundër Guardiolas, sepse ai është trajneri më i mirë, por është e qartë se nuk isha i lumtur sezonin e fundit, sepse nuk më jepej mundësia që e meritoja”, ka thënë Krkic për Sport.es.
Al Wasl nuk do të bëjë ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez- ka deklaruar trajneri kësaj skuadre, Diego Maradona.Argjentinasi ka probleme me trajnerin Roberto Mancini, ndërsa pas ndeshjes së Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut, spekulohet se ai do të largohet nga City.
“Tevez është shumë i shtrenjtë. Ai kushton shumë para dhe tash për tash ne kemi një buxhet për rreth pesë për qind të vlerës së tij”, ka thënë Maradona për Sport 360.
Përzgjedhësi i Holandës, Bert van Marwijk, ka lansuar një sulm drejt Bayernit të Munichut pasi ishte bërë e ditur se Arjen Robben iu nënshtrua një operimi në ije dhe do të jetë jashtë aksionit për dhjetë ditë.“Ata na fajësojnë ne për lëndimet e tij, në vend se të jenë falënderues që e kemi ekzaminuar. Ata na fajësojnë neve krejt papritmas dhe kjo na çmend”.
“Kur e kemi ftuar për ndeshjet ndaj Suedisë dhe Moldavisë, Arjen më ka thënë se nuk ishte i gatshëm. Ai më ka thënë se po luante me dhimbje te Bayerni. Ne kujdesemi për Robbenin, përkundër faktit se Bayerni nuk e lejon këtë”, tha Van Marwijk.
















