Kombëtarja e Francës ka arritur të nxjerrë një barazim prej 1-1 përballë Bosnje e Hercegovinës për të marrë biletën për në Ukrainë dhe Poloni.
Edin Dzeko krijoi epërsi për mysafirët pesë minuta pa u mbyllur gjysma e parë dhe ky avantazh zgjati deri në minutën e 78-të.

Pas një penaltie të akorduar për Trekolorët, Samir Nasri ishte i saktë nga pika e bardhë për t’ia siguruar përfaqësueses së tij pozitën e parë në Grupin D me një pikë më shumë se Bosnje e Hercegovina.

Derisa Franca kualifikohet direkt për në Euro 2012, ballkanasit do ta kërkojnë kualifikimin përmes “play-offit”.
Kampioni në fuqi i Evropës dhe botës, Spanja, e ka shënuar edhe fitoren e tetë nga tetë ndeshje në Grupin I, si pjesë e kualifikimeve për Euro 2012.
Viktima e radhës e ‘Furisë së kuqe’ ishte Skocia, të cilën e mposhti me rezultat 3-1, për t’ia mohuar kështu konkurrimin në “play-off”.

Shkëlqimi i David Silvas në gjysmën e parë, i cili realizoi dy herë (6’ dhe 44’), dhe një gol i realizuar nga David Villa pas pushimit (54’), regjistruan rekordin fitoreve të Spanjës.

Ndërkohë, krejt çfarë bënë mysafirët ishte një gol i nderit nga David Goodwillie nga pika e bardhë (66’) që nuk mjaftoi që Skocia të luajë në “play-off”, pasi vendin e dytë e ka zënë Republika Çeke pas fitores prej 4-1 si mysafir i Lituanisë.
Edhe pse e kishte siguruar kualifikimin në Euro 2012, Italia ka luajtur për fitore në përballjen e fundit kualifikuese ndaj Irlandës së Veriut.
Antonio Cassano ishte heroi i Azzurëve duke realizuar dy gola, nga një në secilën pjesë (21’ dhe 53’), ndërsa autogoli i Gareth McAuley (74’) e ngriti në 3-0 epërsinë e italianëve.

Në vend të dytë në Grupin C gjendet Estonia me 16 pikë, pasi që Serbia është mposhtur si mysafir i Sllovenisë.
Me një fitore komode prej 2-1 kundër Portugalisë, përfaqësuesja e Danimarkës e ka siguruar kualifikimin në Kampionatin Evropian- Euro 2012.
Michael Krohn-Dehli (13’) dhe Nicklas Bendtner (61’) shënuan golat vendimtarë që ia siguruan përfaqësueses së tyre vendin e parë në Grupin H.

Në minutat shtesë të, Cristiano Ronaldo shënoi një gol nga gjuajtja e lirë, mirëpo që shërbeu vetëm si ngushëllim për skuadrën e tij.

Danimarka e përfundon fushatën në vend të parë në Grupin H me 19 pikë dhe kualifikohet drejtpërdrejtë, ndërsa Portugalia pozicionohet e dyta me 16 pikë dhe duhet ta kërkojë fatin në “play-off”.
Suedia e ka siguruar biletën për Euro 2012 duke e mposhtur liderin e Grupit E, Holandën, me rezultat 3-2, në një ndeshje mjaft dramatike.
Kim Kallstrom e hapi serinë e golave (14’), para se Klaas-Jan Huntelaar ta barazonte rezultatin (23’).

Dirk Kuyt i kaloi mysafirët në epërsi në gjysmën e dytë (50’), ndërsa me dy gola të shpejtë, Sebastian Larsson nga pika e bardhë (52’) dhe Ola Toivonen (53’), bënë që Suedia të rrëmbente tre pikët vendimtare.

Përfaqësuesja e Suedisë zë vendin e dytë në Grupin E me 24 pikë nga dhjetë ndeshje dhe siguron kualifikimin për turneun e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Poloni dhe Ukrainë.
Rusia është kualifikuar drejtpërdrejtë në Euro 2012 të martën mbrëma pas fitores prej 6-0 kundër Andorrës në Luzhniki Stadium.
Të zgjedhurit e Dick Advocaat e dominuan ndeshjen nga fillimi deri në fund për të siguruar pozitën e parë në Grupin B para Irlandës që u rendit e dyta.

Me golit e Alan Dzagoev (5’ dhe 44’), Sergey Ignashevich (26’), Roman Pavlyuchenko (30’), Denis Glushakov (59’) dhe Diniyar Bilyaletdinov (78’), Rusia siguroi tre pikë të reja për t’u ngritur në kuotën e 23 pikëve.

Nga ana tjetër, Republika e Irlandës fitoi me rezultat 2-1 kundër Armenisë për t’u pozicionuar në vend të dytë të këtij grupi.
Përfaqësuesja e Gjermanisë ka shënuar fitore prej 3-1 kundër Belgjikës, për të mbyllur kualifikimet për Kampionatin Evropian me efikasitet të qind për qindtë- 10 fitore në 10 ndeshje.
Kombëtarja e Belgjikës nuk u tregua sfiduese për të zgjedhurit e Joachim Loew, të cilët e fituan ndeshjen që në gjysmën e parë.

Dy gola të shpejtë të Mesut Ozil (30’) dhe Andre Schurrle (33’) e dyfishuan epërsinë e gjermanëve, ndërsa një gol i shënuar në fillim të pjesës së dytë (48’) nga Mario Gomez vulosi gjithçka.

Golin e nderit për mysafirët e shënoi Marouane Fellaini në fund të ndeshjes (86’).

Nga ana tjetër, Turqia ka fituar me epërsi minimale kundër Azerbajxhanit për të zënë vendin e dytë në Grupin A dhe për të siguruar “play-offin”.
Kombëtarja kuqezi nuk ka arritur të shënojë fitore në takimin e fundit kualifikues për Euro 2012 në kuadër të Grupit D. Takimi i zhvilluar në “Qemal Stafa” mes Shqipërisë dhe Rumanisë ka përfunduar me rezultat 1-1.
Hamdi Salihi shënoi me kokë pas krosimit të Bakajt (24’) për t’ia dhënë epërsinë kombëtares shqiptare dhe për ta mbyllur gjysmën e parë me epërsi minimale. Sulmuesi shkodran kishte edhe një mundësi shumë të mirë për dyfishimin e rezultatit, por nuk arriti ta devijonte topin në rrjet nga një distancë e afërt kur porta ishte krejtësisht e boshatisur.

Romania shënoi golin e barazimit përmes Srgian Luchin (71’), i cili e plasoi topin në rrjet pas një goditjeje këndi. Goli i barazimit i revoltoi tifozët shqiptarë, të cilët hodhën shumë fishekzjarrë në fushë duke bërë që ndeshja të ndërpritet për një moment.

Shqipëria e mbyll fushatën kualifikuese për Euro 2012 në vendin e parafundit në Grupin D me nëntë pikë të grumbulluara.
Edin Dzeko mendon se Bosnje e Hercegovina është në gjendje që ta mposhtë Francën në përballjen e të martës mbrëma në kuadër të Grupit D, të vlefshme për kualifikim direkt në Euro 2012.
“Mrekullitë ekzistojnë dhe mposhtja e Francës është e mundur. Fitorja kundër Luksemburgut të premten ishte shumë e rëndësishme, por do të jetë një tregim tjetër kundër Francës, sepse ata janë favoritë”.

“Është e vërtetë se francezët janë të dobësuar nga lëndimet, por atyre u munguan shumë lojtarë të rëndësishëm edhe në takimin e parë në shtatorin e vitit të kaluar, por ata fituan 2-0”.

“Franca është një skuadër e rrezikshme e pasur me kualitet, por nuk mendoj se kualiteti i tyre dallom shumë nga i yni”, citon fifa.com fjalët e boshnjakut.
Ish-legjenda e Romës, Roberto Pruzzo, ka thënë se pret një ndeshje të balancuar në derbin romak mes Giallorossëve dhe Lazios.
“Parashikoj një ndeshje të baraspeshuar, në të cilën edhe Lazio edhe Roma do të përballen me një nivel të njëjtë në fushë”.

“Mendoj se Biancocelestët do të vuajnë më shumë nga aspekti psikik, sepse duhet t’u japin fund katër humbjeve të njëpasnjëshme në derbi”.

“Nga ana tjetër, Roma ende është një skuadër që po ndërtohet. Mendoj se të zgjedhurit e Luis Enriques do të luajnë me temp të lartë në mënyrë që ta mbajnë Laizon prapa”.

“Roma do të përballet me një skuadër të mirë të Lazios, e cila ka përvojë dhe e di se kur të kalojë në avantazh”, ka thënë Pruzzo për Goal.com.
Legjenda portugeze, Luis Figo, ka deklaruar se Cristiano Ronaldo është njeriu që do t’ia sigurojë kualifikimin Portugalisë në Euro 2012.
Përfaqësuesja e Portugalisë të martën mbrëma është mysafir i Danimarkës në Kopenhagë, ndërsa me një barazim do ta siguronte udhëtimin në Poloni dhe Ukrainë, si fituese e Grupit H.

“Është ndeshja kyçe për kualifikim, do të ishte dështim nëse Portugalia nuk kualifikohet si kryesuese e grupit”.

“Por mendoj se do t’ia arrijmë - kemi kualitet me lojtarët, si Ronaldo, Nani, Bruno Alves, Moutinho e Meireles”.

“Ronaldo është shumë i rëndësishëm. Ai është njëri nga dy lojtarët kryesorë në botë dhe lojtari më i shtrenjtë i të gjitha kohërave”.

“Danimarka ka kualitet, por Ronaldo po luan në formë të mirë dhe është e pamundur ta ndalësh”, ka deklaruar Figo për Goal.com.
Ylli brazilian i shumëkërkuar, Neymar, ka deklaruar se është i lumtur që është mjaft i njohur në botën e futbollit edhe pse akoma nuk është transferuar në Evropë.
Sulmuesi i Santosit kërkohet nga disa skuadra elitare evropiane, ndërsa ai ka thënë se nuk ka nevojë që ta ndërrojë kontinentin për t’u bërë i njohur.

“Jam shumë i lumtur për simpatinë që kanë njerëzit jashtë Brazilit, si dhe ata brenda. Kjo tregon se nuk kam nevojë të luaj në Evropë që të bëhem i njohur”, ka deklaruar Neymar për Globoesporte.
Mesfushori i dikurshëm i Arsenalit, Edu, beson se bashkëkombësi i tij, Andre Santos, do të dëshmojë se është një tjetër zbulimi i madh i trajnerit Arsene Wenger, por fillimisht i duhet kohë të përshtatet në futbollin anglez.
Santos u transferua nga Fenerbahce në Emirates gjatë afatit kalimtar veror, mirëpo ende nuk e ka gjetur veten në njëmbëdhjetëshin startues të Topçinjve.

“Ai është një lojtar shumë i mirë dhe një djalosh shumë i mirë. Me topin ai është teknikisht fantastik, një lojtar tipik brazilian”.

“Mirëpo, secili brazilian ka nevojë për kohë që t’i përshtatet ligës, sepse liga angleze është shumë ndryshe. Jam qind për qind i sigurt se tifozët do ta duan, sepse ai është shumë i mirë me topin”, ka thënë Edu.
Drejtori i Bayern Munich, Karl-Heinz Rummenigge, ka gjetur kohë për të lavdëruar portierin Manuel Neuer pas performancave të tij në muajt e parë të sezonit të ri.
“Ai ka treguar se ka mishëruar mentalitetin e famshëm të Bayernit në një shkallë të jashtëzakonshme. Manuel është adaptuar me këtë situatë shumë shpejt. Ai i ka tejkaluar pritjet tona”.

“Është mrekulli që ai ka pranuar vetëm një gol pas tetë ndeshjesh në Bundesliga, që flet për volumin e kualitetit të tij si portier. Ai bëri atë mbrojtje të mahnitshme në Hoffenheim, që tregon e ai po bën hapin e ardhshëm të cilin portieri i Bayernit duhet ta marrë”, ka thënë Rummenige.
Real Madridi është duke përgatitur një ofertë të majme për sulmuesin e Manchester United, Javier Hernandez.
The Sun shkruan se Chicharito është caku 30 milionë funtësh i Real Madridit. Gjigantët spanjoll e kanë renditur sulmuesin e United në maje të listës së dëshirave.

Por menaxheri Alex Ferguson është i paepur ta mbajë 23-vjeçarin meksikan në Old Trafford. United dëshiron që ai të nënshkruajë marrëveshje të re pesëvjeçare, duke ia rritur pagën nga 24 mijë në 75 mijë funte në javë.

Reali, në anën tjetër, është i gatshëm t’i ofrojë atij dyfishin e kësaj shume dhe të paguajë shumën e plotë të transferimit që është pesë herë më e madhe se që pagoi United kur e transferoi atë nga Chivas 18 muaj më parë.
Kapiteni i kuqezinjve, Altin Lala, shpreson në një fitore në ndeshjen e sotme njëkohësisht edhe të fundit për kualifikimet për Euro 2012 përballë Rumanisë.
Shqipëria aktualisht ndodhet e parafundit në tabelë duke lënë prapa vetëm Luksemburgun, dhe një fitore ndaj Rumanisë do të zbuste ca zemërimin që erdhi pas rezultateve të dobëta së fundi.

“Shpresojmë që të zhvillojmë një ndeshje të mirë, meqë është dhe ndeshja e fundit dhe ku kemi pasur rezultate negative. Shpresojmë ta mbyllim me rezultat pozitiv”.

“Natyrisht që Rumania është ekip i vështirë, ka lojtarë shumë të mirë. Por ne duhet të impenjohemi dhe pavarësisht se ndeshja e fundit nuk e ka motivacionin e duhur, te ne ka angazhim dhe motivacion për të marrë një fitore ndaj Rumanisë. Jemi të gjithë100 për qind të motivuar”, ka thënë Lala.
Philippe Mexes është i gatshëm të debutojë me fanellën e Milanit në derbin e këtij vikendi kundër Palermos.
Mexes deri tash ka qenë i paaftë për të luajtur pasi ka kaluar gjashtë muajt e fundit duke u rikuperuar nga dëmtimi i ligamenteve të gjurit.

“Do të ishte nder të zëvendësoj Alessandro Nestan, një prej mbrojtësve më të shkëlqyeshëm në botë. Ne kemi kaluar një periudhë të vështirë, por do ta marrim veten. Unë jam 100 për qind dhe do të jem në San Siro kundër Palermos”, ka thënë Mexes.
Ish-menaxheri i Lazios, Delio Rossi, mendon se ish-klubi i tij tash është më superior ndaj rivalit lokal, Romës.
Të dyja klubet ishin aktive në afatin kalimtar veror, por kanë treguar filozofi të ndryshme ndaj blerjeve. Derisa Roma ka sjellë në radhët e veta lojtarë të rinj dhe premtues, Lazio është fokusuar për të sjellë lojtarë të moshuar dhe me përvojë.

“Lazio është para Romës, ata janë më të dëshmuar si ekip tash. Ata e kanë mbajtur taktikun e tyre dhe pastaj nënshkruar me lojtarë të cilët i ka kërkuar Edy Reja”.

“Megjithatë, e ardhmja i takon Romës. Ata janë një ekip i ri. Me një fjalë, Lazio është ekipi i të sotmes, Roma është i të nesërmes”, ka thënë Rossi.
Blerim Xhemaili thotë se ai ende nuk ka treguar formën e tij të vërtetë te Napoli.
Mesfushori shqiptar nga Maqedonia, i cili aktivizohet për kombëtaren e Zvicrës, pritet të rikthehet në ekip gjatë vikendit kundër ish-ekipit të tij Parmës, pasi qëndroi një kohë të shkurtër jashtë fushe për shkak të një lëndimi të lehtë.

“Nuk jam i kënaqur me atë që kam dhënë deri tash. Dua të jap kontributin tim dhe java e pushimit do të më ketë ndihmuar mua shumë”, ka thënë Xhemaili.
Ruud Gullit thotë se Milani e ka lënduar veten pasi ka lejuar Andrea Pirlon të largohet në drejtim të Juventusit.
Pirlo, tash lojtar i Juventusit, u largua nga Milani si lojtar i lirë pasi dështoi të arrijë marrëveshje të re me klubin.

“Gjithmonë është e vlefshme të kesh dikë si Pirlo në ekip. Pirlo dhe Zlatan Ibrahimovic janë dy kampionë të cilët mund ta bëjnë diferencën. Gjithmonë do të doja t’i kem ata dy në ekipin tim”, ka thënë Gullit për Gazzetta dello Sport.

Holandezi së fundi tha se Milanit i mungojnë edhe dy brazilianët, Robinho dhe Alexandre Pato, që të dy të lënduar.
Trajneri dhe lojtari i Anzhi Makhachkala, Roberto Carlos, ka bërë të ditur se ai do të bojkotojë mediat pas publikimit të disa intervistave në të cilat ishin inkorporuar fjali të pathëna nga braziliani.
Ish-mbrojtësi i Real Madridit u tha se kishte shprehur interesim për të nënshkruar me lojtarë si Steven Gerrard, Nicolas Anelka dhe Robin van Persie, por ai thotë kurrë nuk i ka përmendur këta emra.

“Fjalët më janë atribuuar mua për nënshkrime mitike, emrat e të cilëve janë një befasi e plotë. Në asnjë intervistë unë nuk kam përmendur emra konkretë”.

“Nga ky moment unë nuk do të jap më intervista për t’i lejuar vetes të përqendrohem krejtësisht në punën e trajnerit te Anzhi”, ka thënë Carlos.

38-vjeçari iu bashkua klubit rus nga Corinthians në shkurt të këtij viti dhe më 30 shtator u emëruar lojtar-trajner i skuadrës.
Kapiteni i Udineses, Antonio Di Natale, zbulon se synimi i tij është të arrijë shifrën e 150 golave në Serie A, por shton se fokusi do të jetë në mbijetesën e ekipit këtë sezon.
“Ëndrra ime është të shënoj 150 gola në Serie A, dhe të lë prapa shumë kampionë. Megjithatë, ne duhet të mendojmë për të siguruar 40 pikë pasi kjo ligë është e çuditshme”.

“Ne kemi filluar mirë krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar. Por, ekipi është i ri dhe ne i dimë limitet tona”, ka thënë Di Natale për La Repubblica.

Udinese të dielën takohet me Atalantan dhe ata aktualisht ndajnë kreun me Juventusin, që të dyja me nga 11 pikë na pesë ndeshje.
Kapiteni i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, thotë se ekipi i tij do të synojë fitore kundër Danimarkës në ndeshjen e sotme, të fundit kualifikuese për Euro 2012.
Portugalisë i mjafton edhe një barazim në Kopenhagë për të ruajtur pozitën e parë në grupin H, por sulmuesi i Real Madridit thotë se ata do të kërkojnë fitore.

“Portugalia do të shkojë në Danimarkë për të fituar ndeshjen, ky është synimi ynë. Ne e dimë si janë rrethanat, por ne duam të fitojmë ndeshjen për kualifikim të drejtpërdrejtë. Ky gjithmonë është mentaliteti i ekipit dhe jam i sigurt se ne do të bëjmë një ndeshje të mirë”, ka thënë Ronaldo për AS.
Sulmuesi i Romës, Bojan Krkic, thotë se ai nuk do të kthehej te Barcelona nëse trajneri Pep Guardiola e kërkon atë sërish në Camp Nou.
“Nëse Guadiola më fton tash nuk do të kthehesha te Barcelona. Kam kaluar kohë të gjatë pa folur me Guardiolën. Nuk mund të gjeja fjalët e duhura kur shihesha me të. Nuk mendoj se mora atë që meritoja”, ka thënë Krkic.

Kjo deklaratë vjen vetëm disa ditë pasi ai tha se ishte nënvlerësuar te klubi spanjoll. 21-vjeçari u largua nga Barcelona gjatë verës dhe iu bashkua Romës për një shumë prej 12 milionë euro.
Ylli i Manchester United, Ryan Giggs, ka fituar shpërblimin Shputa e Artë për vitin 2011.
Princi Alberti i II-të i Monakos ia ka prezantuar trofeun mesfushorit pasi ai fitoi numër rekord të votave në internet. 37-vjeçari tash do t’i lërë gjurmët e tij të përhershme të shputave në ‘shëtitoren e kampionëve’ ku janë ‘të vulosur’ edhe disa nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit si Diego Maradona, Zinedine Zidane dhe Alfredo Di Stefano.Giggs duke pranuar ëmimin nga Princi Alberti II i Monakos “Është një nder i madh të fitoj një çmim të tillë dhe të lë gjurmët e këmbëve krahas disa prej futbollistëve më të mëdhenj është një privilegj i vërtetë”.

“Kam qenë me fat që kam luajtur në krah të disa lojtarëve të shkëlqyeshëm, luaj për menaxherin më të mirë dhe luaj për klubin më të mirë në botë”.

“Për momentin ende po shijoj futbollin andaj nuk kam menduar se çfarë do të bëj kur të përfundoj, por nëse gjithçka përfundon nesër, mund të them se kam pasur një karrierë fantastike dhe nuk do ta shkëmbeja me askënd”, ka thënë Giggs gjatë prononcimit të tij.Giggs duke lënë gjurmët dhe nënshkrimin Giggs mposhti ish-bashkëlojtarin e tij David Beckham për ta fituar çmimin, si edhe të nominuarit e tjerë, Gianluigi Buffon, Didier Drogba, Samuel Eto'o, Iker Casillas, Javier Zanetti dhe Carles Puyol. Shputa e Artë u jepet veteranëve të futbollit të cilët janë mbi 29 vjeç dhe të cilët kanë shkëlqyer individualist ose kolektivisht gjatë karrierës së tyre.
Lionel Messi vazhdon të marrë lëvdatat më të mira nga bashkëlojtarët e tij te Barcelona, ndërsa kësaj radhe është Xavi Hernandez që pohon se argjentinasi është lojtari më i mirë në planet.
“Nuk dyshoj se Messi është futbollisti më i mirë në botë dhe njëri nga më të mirët në histori”.

“Ne kënaqemi me lojën e tij, në fushë dhe jashtë fushe, dhe është e mahnitshme ajo që bën ai”.

“Messi është shumë modest, një bashkëlojtar i shkëlqyer dhe një pikë referente për Barcelonën”, ka thënë mjeshtri i mesfushës për TV3.
Ish-trajneri i Brazilit, Carlos Dunga, ka thënë fjalë të mira për treshen braziliane të Milanit, Alexandre Pato, Robinho dhe Thiago Silva. “Pato? Kur luan, ai është gjithmonë në gjendje që të shënojë. Do të ishte më mirë po të luante me më shumë qëndrueshmëri, por ai është një kampion”.

“Sa i takon Robinhos, ai është shumë i rëndësishëm dhe gjithmonë e vë kundërshtarin në vështirësi me aftësitë e tij”.

"Thiago Silva ka treguar të gjitha kualitet e tija në fushë këtë sezon dhe ai është pikë referente për këtë skuadër të Milanit”, ka thënë Dunga për Milannews.it.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, beson se Claudio Ranieri është duke bërë gjithçka që mundet për të zgjidhur problemet e zikaltërve.
Ranieri e zëvendësoi Gian Piero Gasperinin, i cili u shkarkua për shkak të startit të dobët në sezonin e ri, ndërsa përkundër humbjes prej 3-0 nga Napoli, Zanetti e ka lëvduar trajnerin e ri për angazhimin e tij.

“Aktualisht Ranieri kërkon që skuadra të jetë më kompakte, në mënyrë që të zgjidhim problemet tona”, ka deklaruar argjentinasi për Sky Sport Italia.
Anzhi Makhachkala interesohet për transferimin e sulmuesit të Arsenalit, Robin van Persie dhe atë të Chelseat, Nicolas Anelka- ka njoftuar lojtari/trajneri i klubit, Roberto Carlos.
Klubi rus që mbështetet nga miliarderi Suleyman Kerimov është në kërkim të yjeve të futbollit, ndërsa Carlos ka thënë se Van Persie, Anelka, Nene (PSG) e Neymar (Santos) janë lojtarët që monitorohen nga skuadra e tij.

“Ne duam ta bëjmë një klub të kalibrit të Real Madridit ose Barcelonës. Anelka nuk është lojtari i vetëm (që e kërkojmë). Nene nga PSG dhe Van Persie nga Arsenali janë lojtarët që po i përcjellim.

“Dhe Neymari? Kam folur me të. Nëse Reali, Barca ose Manchester Unitedi nuk mund ta paguajnë çmimin e transferimit, ne do ta paguajmë. Suleyman Kerimov mund të ofrojë çfarë ai dëshiron”, ka deklaruar 38-vjeçari për programin televiziv francez, Canal Football Club.
Trajneri i Francës, Laurent Blanc, e ka përshkruar ndeshjen e fundit kualifikuese në Grupin D kundër Bosnje e Hercegovinës si një finale, ndërsa ka thënë se të zgjedhurit e tij nuk ia kanë frikën kundërshtarit të të martës.
Trekolorëve u duhet një barazim për të siguruar kualifikimin automatik në Euro 2012, ndërsa nëse Bosnje e Hercegovina do ta fitonte takimin, atëherë do të ishin ballkanasit ata që do të kualifikoheshin direkt.

“Është si një finale për ne, atmosfera do të jetë si një finale. Bosnja është një skuadër e mirë, ka lojtarë të shkëlqyer që luajnë në top-skuadrat evropiane. Ne i respektojmë, por nuk ua kemi frikën”.

“Ne jemi përgatitur për ndeshjen dhe motivimi i lojtarëve të mi është ta fitojnë ndeshjen, por nuk mund të luajmë në mbrojtje dhe të kërkojmë barazim 0-0, sepse ky do të ishte gabim”, ka thënë Blanc në një konferencë për gazetarë.