Mediumet italiane dhe ato angleze kanë filluar të spekulojnë shumë për të ardhmen e sulmuesve Zlatan Ibrahimovic, Edin Dzeko dhe Mario Balotelli.
Besohet se Adriano Galliani ka kërkuar një marrëveshje shkëmbimi mes Ibrahimovic dhe Dzekos, një hipotezë mjaft reale kjo kur merret parasysh se Ibra nuk ka më motiv për lojë te Milani dhe Dzeko ka probleme me menaxherin Mancini.

Nëse kjo ide hidhet poshtë nga City, atëherë Milani do të kërkojë para plus Mario Balotellin për Zlatan Ibrahimovicin i cili kërkohet me ngulm nga Roberto Mancini.
Manchester United është duke i intensifikuar përpjekjet për transferimin e mesfushorit defanziv të Villarrealit, Bruno Soriano.
AS shkruan se po ka zëra se Sir Alex Ferguson do të bëjë ofertë për mesfushorin gjatë janarit dhe do të paguajë 8 milionë euro për ta sjellur atë në Old Trafford.

Edhe tek Villarreali besojnë se Soriano i takon Unitedit, sidomos pas largimit të Santi Cazorlas te Malaga, i cili ishte lojtari kryesor te Nëndetësja e Verdhë.
Presidenti i Corinthians, Andres Sanchez, thotë se klubi i tij pritet që të bëjë edhe një ofertë tjetër për asin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, por oferta pritet të jetë më e vogël se as ajo e ofruar gjatë verës prej 45 milionë eurosh.
“Ne bëmë një ofertë gjatë afatit kalimtar, ai është lojtar që na intereson, por vetëm në janar do të shohim nëse ka gjasa”.

“Ai nuk vlen 45 milionë euro, ne do të bëjmë ofertë më të vogël se kjo shumë. Unë nuk e di nëse ata do të pranojnë, pasi diferenca financiare është e madhe. Unë e kam një vlerë në mendje, por nuk dua ta them. Oferta prej 45 milionë eurosh nuk vlen më pas problemeve të tij. Çfarë nëse ato i përsërit këtu”, u shpreh presidenti i Corinthians.
Mesfushori i Manchester Cityt, Samir Nasri, shprehet se Franca duhet që të fitojë më shumë përvojë nëse dëshiron që të konkurrojë me të mëdhenjtë.
“Gjithë ajo që na nevojitet është që të fitojmë më shumë përvojë dhe që të luajmë edhe disa ndeshje së bashku si ekip”.

“Ne kemi shumë cilësi. Franca është vendi i dytë me më shumë lojtarë në Ligën e Kampionëve. Kështu që ekipet tjera nuk janë larg nesh. Dallimi i vetëm është se ekipet tjera kanë luajtur së bashku edhe më parë në gara të mëdha”, u shpreh Nasri.
Ylli gjerman, Thomas Mueller, ka zbuluar se ai ka refuzuar gjigantin anglez Chelsea vetëm për të qëndruar te skuadra më e trofeshme gjermane, Bayern Munich.
“Pas Botërorit refuzova disa oferta, duke përfshirë një nga Chelsea. Por, unë nuk mendoj se kishte sens largimi në një moshë aq të re”.

“Një transfer do të ishte pa nevojë për mua në vitin e parë si profesionist. Në moshën time kam nevojë për minuta. Madje nuk shoh arsye pse duhet të largohem nga Bayerni një ditë”, theksoi ai për Bild.
Juventusi është duke e menduar një transferim të mbrojtësit të Real Madridit, Ricardo Carvalho, për afatin kalimtar të janarit.
Kontrata e 33 vjeçarit në Santiago Bernabeu skadon në fund të sezonit dhe besohet se klubi është duke e shqyrtuar shitjen e tij në janar dhe tashmë të interesuarit janë gjetur.

Juventusi besohet se është në gjendje të paguajë diku rreth 5 milionë euro për shërbimet e mbrojtësit portugez, i cili nuk po arrin t’u rezistojë hapave të shpejtë të zhvillimit të mbrojtësve të rinj të Los Blancos.
Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Armando Maradona ka deklaruar se ai i ka ndihmuar Lionel Messit të besojë se është lojtari më i mirë në botë edhe kur nuk ishte i tillë.
“Messi është djalosh i mrekullueshëm dhe e meriton të jetë më i miri”.

“Kur ai së pari mposhti Ronaldon, më pas i kam thënë se duhet të sigurohet që ta mbajë në vend të dytë. Dhe vitin e kaluar Ronaldo përfundoi përsëri i dyti”, potencoi Maradona për Sport.
Drejtori i Borussia Dortmundit, Hans-Joachim Watzke ka hedhur poshtë spekulimet që thoshin se mesfushori Mario Goetze tashmë i është shitur Real Madridit.
Mediumet spanjolle raportuan të hënën në mëngjes se Reali po e monitoron Goetzen dhe se kishte arritur para marrëveshje me klubin gjerman.

“Së pari, nuk ka ofertë nga Real Madridi. Së dyti, është mjaftë e qartë që Goetze nuk është në shitje. Për këto arsye, ky është një diskutim trivial. Nuk mund ta përdor fjalën ‘i pa shitshëm’ pasi them se vetëm tani nuk do ta shesim, pa marrë parasysh ofertën”, deklaroi Watzke.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta ka pohuar se klubi nuk ka lansuar një ofertë zyrtare për sulmuesin Carlos Tevez.
“Spekulimet për një tranferim të mundshëm të Tevez janë normale kur flasim për Juvnetusin, por ne nuk kemi angazhuar askënd për të negociuar për Tevez”.

“Ne kemi një skuadër që i plotëson kërkesat tona dhe pas çdo ndeshje ne vlerësojmë repartet tona. Ne nuk e kemi shqyrtuar transferimin e Tevez, ai është lojtar i madh, por ne jemi klub i madh dhe spekulimet janë normale”, ka thënë Marotta për Tuttomercatoweb.
Josip Kuzhe thotë se synimi i tij personal kur ka ardhur në krye të kombëtares shqiptare ka qenë ta shkruajë Shqipërinë “në hartën e futbollit evropian”.
Megjithatë, Shqipëria e mbylli garën kualifikuese për Euro 2012 në pozitën parafundit të grupin D, duke lënë prapa vetëm Luksemburgun. Trajneri kroat thotë se ky dështim nuk është për shkak të mungesës së kualitetit në ekipin shqiptar, por për shkak se rivalët në grup ishin të fuqishëm.

“Nuk kam pasur ndonjë objektiv të përcaktuar qartë kur erdha në krye të Shqipërisë. Megjithatë, brenda vetes kisha një synim personal, ta fusja Shqipërinë në hartën e futbollit evropian, sepse ka qenë disi e mënjanuar. Dëshira ishte e madhe, por kundërshtarët në grup ishin të fortë, ndaj nuk e mbyllëm ku duhej këtë fazë eliminatore”, ka thënë Kuzhe për mediat shqiptare.
Daniele de Rossi ka deklaruar se klubi është më i rëndësishëm se kontrata e tij dhe mund të jetë më mirë që ai të largohet nga ekipi.
“Pavarësisht se çfarë ndodh me kontratën time dhe të ardhmen time, gjëja më e rëndësishme është e ardhmja e Romës”.

“Kush e di, ata mund të kursejnë para nga kontrata ime dhe t’i harxhojnë ato për të përmirësuar ekipin. Shoh gjëra të mira që ndodhin në klub dhe kjo i përshtatet mirë të ardhmes së Giallorossëve”, ka thënë Rossi për Rai Sport.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është i bindur se trajneri Pep Guardiola do të nënshkruajë kontratë të re me kampionët e Spanjës dhe Evropës.
“Nuk dua të shtoj presion në Guardiolën. Ai do t’i bëjë gjërat në tempon e tij, siç ka bërë çdo vit. Ai gjithmonë ka nënshkruar marrëveshje të re, dhe besoj se do ta bëjë edhe këtë vit”.

“Ai e do punën e tij këtu dhe lojtarët besojnë në të. Mendoj se ky ekip është më i miri në histori dhe kurrë nuk duhet të thyhet. Pep nuk ka asnjë arsye të largohet nga klubi”, ka thënë Pique për El Mundo Deportivo.
Përzgjedhësi i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, thotë se dy barazime ndaj një ekipi si Rumania është një rezultat i kënaqshëm.
Shqipëria barazoi 1-1 në ndeshjen e mbrëmshme në Qemal Stafa të fundit për kualifikimet për Euro 2012, ndërsa me po të njëjtin rezultat kishte barazuar edhe në ndeshjen e parë në udhëtim.

“Duke marrë parasysh të kaluarën e përballjeve midis Rumanisë dhe Shqipërisë, me dy barazimet e arritura mendoj se duhet të jemi të kënaqur. Por kur udhëheq për një kohë të gjatë dhe më pas mundesh në fund, të vjen keq”.

“Gjithsesi, ky rezultat është pozitiv, sepse Rumania është një skuadër e mirë dhe me kualitete”, ka thënë Kuzhe në konferencën për shtyp.
Carlos Tevez mund të suspendohet edhe për katër javë të tjera nga Manchester City, me hulumtimin rreth refuzimit të tij të luajë, që thuhet se tashmë ka përfunduar.
Tevez ishte suspenduar për dy javë për shkak të incidentit në ndeshjen ndaj Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, por ai thuhet se do të kthehet në stërvitje të enjten, kur suspendimi i tij të skadojë.

Sipas The Sun, zyrtarët e Cityt përpiqen të gjejnë mënyrë për të penguar Tevez të rikthehet në klub, me një kërkesë drejtuar Asociacionit të Futbollistëve Profesionist, që ai të suspendohet për gjashtë javë të tjera.

Klubi po ashtu dëshiron ta ndëshkojë lojtarin me ndalim pagese për gjashtë javë, që do t’i kushtonte argjentinasit një milionë funte.
Nemanja Vidic ka bërë të ditur se ai mund të largohet nga futbolli ndërkombëtar pasi humbi penaltinë vendimtare në disfatën 1-0 të Serbisë në Slloveni, në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2012.
“E morra përgjegjësinë dhe jam i vetëdijshëm për pasojat e penaltisë së ekzekutuar në mënyrë të dobët. Ishim pajtuar që unë ta ekzekutoj, por doja ta marr përgjegjësinë. Do t’i mbaj pasojat e penaltisë së humbur. Nëse do të shënoja, ndeshja do të merrte kahe tjetër”.

“Më vjen keq që më kurrë nuk do të luaj në një Kampionat Evropian, për shkak të kualifikimeve të ardhshme [janë shumë larg]”, ka thënë Vidic.
Gianluigi Buffon e ka përshkruar Antonio Cassanon si “shpirti” i ekipit kombëtar italian, pas fitores së tyre ndaj Irlandës së Veriut.
“Cassano ka shënuar dy gola të mrekullueshëm, por kjo nuk është ndonjë gjë e re. Është vështirë të shohësh atë të shënojë një gol të shëmtuar”.

“Cassano është shpirti i këtij ekipi. Herë pas here ai del nga rruga. Ne jemi si një klasë dhe ai është një student shtesë i cili vjen dhe shkon, derisa ne përpiqemi të fokusohemi”, ka thënë portieri i Juventusit.
Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, ka paralajmëruar lojtarët të mos vetëkënaqen duke menduar se do ta fitojnë Kampionatin Evropian verën e ardhshme.
“Ka shumë rivalë të fuqishëm: Anglia, Gjermania, Italia, Franca. Ka shumë kundërshtarë të fuqishëm në Kampionatet Evropiane dhe nuk do të jetë e lehtë, aspak. Për të fituar një garë si kjo do të jetë shumë vështirë”, ka thënë 60-vjeçari.

Spanja ka fituar të gjitha tetë ndeshjet e fazës kualifikuese duke shënuar 26 gola dhe duke pranuar vetëm gjashtë.
Trajneri i Francës, Laurent Blanc, është liruar pasi ekipi i tij shmangu disfatën nga Bosnja për t’u kualifikuar drejtpërdrejt në finalet e Euro 2012, pasi përfundoi e para në grupin D.
Edin Dzeko heshti publikun francez kur shënoi golin e avantazhin për Bosnjën pesë minuta para fundit të pjesës së parë, por një gol i vonshëm nga Samir Nasri i shënuar nga pika e bardhë barazoi rezultatin dhe i siguroi Francës pikën e nevojshme për të ruajtur kreun e grupit.

“Këto kualifikime ishin vështirë të sigurohen. Ne ishim të përgatitur për një ndeshje të vështirë, dhe ajo çfarë ndodhi në fushë ishte pritje e jona”.

“Edhe pse paraqitja e Francës ishte zhgënjyese, kjo ishte kryesisht falë kualitetit të ekipit të Bosnjës, që ishte plot vetëbesim dhe kontrolloi ndeshjen. Ishte ndeshje e vështirë, por në fund ishte një satisfaksion i madh pasi ne jemi kualifikuar për Euro 2012”, ka thënë Blanc.
Ylli i Manchester United dhe Portugalisë, Nani, ka shprehur frustrimin e tij me disfatën 2-1 ndaj Danimarkës në ndeshjen vendimtare për kualifikimet për Euro 2012.
“Danimarka ka një ekip të mirë, ne pësuam një gol të hershëm në ndeshje dhe pastaj kur e kërkonim barazimin, ne krijuam hapësira në mbrojtje, nga të cilat ata e shfrytëzuan avantazhin”.

“Ka ditë si kjo. Ne jemi të zemëruar, ky rezultat është zhgënjim për secilin”, ka thënë Nani.
Sulmuesi i Spanjës, David Silva, është i ngazëllyer me paraqitjen e tij në fitoren 3-1 ndaj Skocisë në ndeshjen e fundit kualifikuese për Euro 2012.
Ylli i Manchester Cityt ishte startues në ndeshje dhe shënoi dy nga tre golat e ekipit për të ndihmuar kampionët e Evropës dhe Botës të mbyllin kampanjën kualifikuese në grupin I me të gjitha ndeshjet e fituara.

“Jam shumë i kënaqur me performancën time dhe shpresoj të vazhdoj në të njëjtën rrugë. Puna ime është vetëm të luaj dhe ne duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë Silva.
Venezuela ka shënuar fitoren e parë ndonjëherë ndaj Argjentinës duke dalë fitues në ndeshjen kualifikuese për Botërorin 2014.
Venezuelasit bënë një lojë kryekëput defensive me argjentinasit që e patën të vështirë të thyejnë mbrojtjen e përbërë prej dy rreshta me nga katër lojtarë.

Të vetmin gol për vendasit e ndeshjes e shënoi Fernando Amorebieta në pjesën e dytë të takimit.

Pavarësisht se pati disa tentime shënimi me anë të lojtarëve si Gonzalo Higuain, Lionel Messi e Pablo Zabaleta, Argjentina ishte larg formës së treguar gjatë vikendit kundër Kilit.

Venezuela nuk kishte fituar asnjë nga 18 ndeshjet e mëhershme ndaj Argjentinës.
Sulmuesi i Milanit dhe Italisë, Antonio Cassano, thotë se ai ka në plan t’i japë fund karrierës futbollistike pas Kupës Botërore 2014.
29-vjeçari ndihmoi Italinë të fitojë me rezultat 3-0 ndaj Irlandës veriore në ndeshjen e mbrëmshme të fundit për kualifikimet për Euro 2012, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.

“Jam i lumtur që marr kaq shumë komplimente, ishte koha. Pas 13 vitesh gjatë të cilave jam kritikuar, disa fjalë të mira aty këtu janë të mira”.

“Ndjehem mirë, tash dua të vazhdoj në ekipin e Italisë. Tre vite, dua të kem tre sezone të shkëlqyeshme. Pastaj mund të ndaloj. Mendoj se do të luaj futboll vetëm për kaq kohë, të kem një Euro 2012 dhe një Kupë Botërore të mirë, pastaj në moshën 33 vjeçare t’i jap fund ashtu që të mund të kënaqem me familjen time”.

“Pas Kupës Botërore 2014? Po, kjo është ideja ime, dua të largohem kur të jetë koha e duhur”, ka thënë Cassano për Rai Sport, për të shtuar: “Kur të pensionohem, ju mund të bëni shaka me Mario Balotellin. Ai është një karakter tjetër i mirë për ju”.