Barcelona nuk e ka lejuar Real Madridin që ta shijojë gjatë pozitën e parë në tabelë, pasi me fitore prej 3-0 kundër Racing Santanderit e ka rikthyer primatin në La Liga.Pas kombinimeve me Andres Iniestan duke qitur jashtë lojë pesë mbrojtës, Lionel Messi kaloi vendasit në epërsi nga afërsia (11’).
Goli i dytë erdhi nga aksioni i Pedros dhe Xavit, ndërsa ishte ky i fundit që e plasoi në rrjet (28’) dhe me epërsi të dyfishtë përfundoi pjesa e parë.
Në gjysmën e dytë, Blaugranët shënuan vetëm një herë, ndërsa ishte sërish Leo Messi që e shfrytëzoi goditjen e Iniestas për ta trefishuar avantazhin e katalunasve (68’), ndërsa ky ishte goli i dhjetë për të këtë edicion në Kampionatin spanjoll.
Pas shtatë ndeshjeve, Barcelona ka pesë fitore dhe dy barazime, gjegjësish 17 pikë, një më tepër se rivali i përbetuar, Real Madrid.
Blutë kanë regjistruar fitore prej 3-1 përballë Evertonit në takimin e të shtunës mbrëma në Stamfrod Bridge.Daniel Sturridge e zhbllokoi rezultatin (31’), pas asistimit të Ashley Cole, ndërsa John Terry dyfishoi epërsinë pas gjuajtjes së lirë nga Frank Lampard (45’+2).
Ramires shënoi për rezultatin prej 3-0, pasi pranoi një top nga Juan Mata (61’), kurse golin e nderit për mysafirët e shënoi Apostolos Vellios në minutën e 81-të.
Pas kësaj fitoreje, Chelsea i afrohet Manchester Unitedit në një pikë diferencë, ndërsa ka tre pikë më pak se lideri Manchester City.
Përkundër shpresave që dha ardhja e trajnerit Claudio Ranieri, duket se kriza tek Interi nuk ka kaluar.Zikaltrit janë mposhtur me rezultat 2-1 nga Catania, edhe pse gjysmën e parë e mbyllën me avantazh prej një goli.
Esteban Cambiasso shënoi në minutën e gjashtë, por me dy gola të shpejtë në fillim të gjysmës së dyte, nga Sergio Almiron (47’) dhe Francesco Lodi nga pika e bardhë (51’), sicilianët e fituan ndeshjen.
Pas gjashtë ndeshjeve të zhvilluara, Interi qëndron në pozitën e 17-të me vetëm katër pikë të grumbulluara.
Me rezultat prej 4-1, Real Madridi e ka mposhtur Real Betisin në ndeshjen e të shtunës mbrëma të zhvilluar në Santiago Bernabeu.Më meritori për këtë fitore të Los Blancos, ishte argjentinasi Gonzalo Higuain, i cili tundi tri herë rrjetën kundërshtare.
Fraksioni i parë i lojës u mbyll pa gola, ndërsa porsa nisi gjysma e dytë (46’), Higuain kaloi vendasit në epërsi pas asistimit të Cristiano Ronaldos.
Portugezi ishte i përfshirë edhe në golin e dytë, duke qenë se pasoi te Ricardo Kaka, i cili në mënyrë maestrale shënoi golin e dytë për Merengues (59’).
Jorge Molina u dha shpresa mysafirëve në minutën e 69-të, mirëpo Higuain i shoi këto shpresa pas vetëm një minute (70’).
Argjentinasi kompletoi het-trikun e tij në minutën e 73-të duke paraboluar portierin Casto dhe duke u barazuar në listën e golashënuesve me Lionel Messin.
Pas kësaj fitoreje, Real Madridi pozicionohet në maje të tabelës me dy pikë më shumë se Barcelona që ndeshjen e kësaj jave e zhvillon kundër Racing Santanderit.
Beteja e parë e drejtpërdrejtë mes dy rivalëve të përbetuar në futbollin anglez e zhvilluar në Anfield mes Liverpoolit dhe Manchester Unitedit ka përfunduar me rezultat 1-1.Ishte kjo një sfidë që si zakonisht në Anfield u përball me mungesë të golave dhe rasteve. Kjo ndoshta u diktua edhe më shumë nga formacionet kontraverse.
Steven Gerrard luajti nga fillimi i takimit si i rikthyer nga lëndimi, përderisa befasia ishte lënia në stol e Wayne Rooneyt dhe Chicharitos, pasi skocezi Ferguson vendosi t’ia fillonte takimit të madh me Ryan Giggs dhe Danny Welbeck në sulm.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, me disa tentime të kota nga distanca dhe me një lojë tejet monotone.Në fraksionin e dytë shohim ndeshje komplet tjetër. Liverpooli filloi ta atakonte me seriozitet portën e Djajve, ndërsa efektet vërehen tek pas një ore lojë.
Një gjuajtje të lirë për mrekulli e ekzekutoi Steven Gerrard (68’), gol me të cilin e kaloi në epërsi Liverpoolin dhe shënoi rikthimin e tij të fuqishëm në fushat e blerta pas lëndimit.
Sir Alex Ferguson si strateg i madh që është, reagon dhe fut në lojë Wayne Rooneyn, Nanin dhe Javier Hernandez. Dhe, kur flasim për këtë të fundit, sigurisht duhet të kemi respekt të veçantë.Kjo pasi Chicharito shfrytëzoi një harkim në zonë për të shënuar me kokë për 1-1 dhe barazimin e rezultatit. Edhe njëherë Hernandez tregoi se di ta bëjë diferencën atëherë kur duhet më së shumti, pa marrë parasysh se kishte një ‘hektar’ hapësirë në zonën e The Reds (81’).
Ndeshja vazhdoi dhe Liverpooli ishte shumë pranë golit të fitores me anë të Kuyt, por tentimet e The Reds u treguan të kota dhe kështu, beteja e parë direkte këtë sezon përfundoi pa fitues.
Me këtë barazim Manchester United do të ketë 20 pikë në pozitën e parë në tabelë, duke i dhënë mundësi Manchester Cityt që ndaj Aston Villas ta marrë kreun e klasifikimit. Liverpooli mbetet në pozitën e pestë me 14 pikë.
















