Një ndeshje të zbehtë kanë zhvilluar Olympique de Marseille dhe Arsenali në Stade Velodrome, por në fund Topçinjtë dolën fitimtarë.
Ishte një përballje e zhvilluar kryesisht në mesfushë me pak raste shënimi, mirëpo falë golit të Aaron Ramsey në minutat shtesë (90’+2), Arsenali rrëmbeu tre pikë të plota.

Në ndeshjen tjetër të Grupit F, Olympiakos Piraeus ka fituar me rezultat 3-1 përballë kamponit gjerman, Borussia Dortmund.

Këtij grupi i prin Arsenali me shtatë pikë, ndërsa Marseille ka gjashtë pikë nga tri ndeshje.
Milani ka shënuar fitore shumë të rëndësishme në shtëpi ndaj Bate Borisov me rezultat 2-0, teksa në anën tjetër me po të njëjtin rezultat kampionia në fuqi e Evropës, Barcelona, mundi në Camp Nou ekipin çek Viktoria Plzen.
Milani e dominoi nga fillimi takimin ndaj Bates por nuk arriti ta gjente rrugën e golit.

E kur flasim për golat, sigurisht sinonim i tyre është Zlatan Ibrahimovic, i cili e kaloi në epërsi ekipin e tij me një goditje nga prej rreth 20 metra (33’).

Milani vazhdoi ta dominonte takimin, sidomos pas inkuadrimit në lojë të Robinhos. Por, dikush tjetër e kaloi në epërsi kampionin e Italisë. Kevin Prince Boateng shënoi për 2-0 (70’) dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi.

Nga ana tjetër Barcelona mposhti me probleme të theksuara Viktoria Plzenin, jo me probleme në lojë, por në probleme për të shënuar, pasi mysafirët nga Çekia janë mbrojtur gjatë gjithë takimit me 11 lojtarë.

Andres Iniesta shënoi golin e parë të takimit pas dhjetë minutash lojë me asistimin e Lionel Messit.

Barcelona nuk arriti të gjente dot rrugën e golave, derisa David Villa të shënonte për 2-0 dhe fitoren e Blaugranëve në shtëpi.

Barcelona dhe Milani praktikisht kanë siguruar kualifikimin në fazën tjetër pasi kanë nga shtatë pikë. Ndeshja e fundit e këtij grupi mes dy skuadrave të kategorisë së rëndë pritet me gjasë të përcaktojë dhe liderin e grupit, kurse takimi do të zhvillohet në San Siro.
Blutë kanë regjistruar fitore të thellë prej 5-0 kundër Racing Genk në ndeshjen e vlefshme për Grupin E të Ligës së Kampionëve.
Në minutat e para të takimit (8’), Raul Meireles me një goditje nga distanca i kaloi vendasit në epërsi.

Fernando Torres pranoi një top nga Frank Lampard për ta dyfishuar epërsinë (11’). Spanjolli e shënoi edhe golin e tretë për Chelsean, ndërsa asistues ishte Meireles (27’).

Pa përfunduar gjysma e parë (42’), Blutë shënuan edhe një gol, ndërsa realizues ishte Branislav Ivanovic.

Salomon Kalou shfrytëzoi një top të kthyer nga goditja e Torres për të shënuar golin e pestë (72’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar.
Samir Nasri dhe Nigel de Jong janë në dyshim për t’u paraqitur në ndeshjen derbi ndaj Manchester United, gjithnjë sipas stafit mjekësor të Manchester Cityt.
Të dy lojtarët janë zëvendësuar pas dëmtimeve të pësuara në ndeshjen ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve, ndërsa janë nën dyshim për supersfidën derbi ndaj Unitedit.

Nasri u largua nga fusha duke çaluar rëndë pas dëmtimit të pësuar, përderisa De Jong lëndoi muskulin. Ende nuk dihet sa do të mungojnë lojtarët në fjalë, por Mancini ka mjaft alternativa.
Roberto Mancini tashmë e ka nënvizuar ndeshjen ndaj Napolit si vendimtare për kualifikim tutje në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve pas fitores së vështirë ndaj Villarrealit.
“Po, jam i sigurt se ndeshja ndaj Napolit do të jetë më e rëndësishmja. Por, para kësaj ne do t’i shkojmë Villarrealit dhe është me rëndësi t’i marrim pikët në El Madrigal”.

“Por, ndeshja në Napoli do të jetë vendimtare. Nuk e di për cilën pozitë, pasi edhe pozita e parë tani është e hapur”, është shprehur italiani.
Sulmuesi i Bayernit, Mario Gomez, ka kërkuar falje për penaltinë e humbur në ndeshjen ndaj Napolit, e cila ka mundur t’i japë fitoren Bayernit.
“Më duhet t’i kërkoj falje ekipit për huqjen e penaltisë. Ideja ime ishte mesi i golit, por disi e dërgova në anën e djathtë”.

“Por, përkundër këtij fakti, ne kemi pasur shumë raste për ta fituar takimin. Në fund të takimit ne jemi larguar me një pikë, tepër të pa kënaqur pasi kemi mundur të fitojmë. Ne duhet ta mposhtim Napolin në shtëpi, ashtu si Villarrealin”, theksoi Gomez.
Ish-drejtori i Juventusit, njëkohësisht krijuesi i Calciopolit, Luciano Moggi, është shprehur i habitur me qëndrimin e Juventusit ndaj Alessandro Del Pieros, të cilit ia kanë bërë të ditur të pensionohet në fund të sezonit.
“Unë vërtet nuk e kuptoj deklaratën e Agnellit. Unë mendoj se është mjaft e rrezikshme që kjo ta demoralizojë Del Pieron. Është mënyrë jo e mirë për t’u marrë me një lojtar që ka bërë aq shumë për klubin”.

“Del Piero është ende lojtari më i rrezikshëm teknikisht te Juventusi. Ai mund t’i shkaktojë telashe secilës mbrojtje, ka edhe shumë për t’i dhënë klubit”, u shpreh Moggi.
Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka deklaruar se ai mund të luajë bashkë me Gonzalo Higuain pa ndonjë problem të madh si partner në sulmin madrilen.
“Higuain është sulmues i madh dhe ne mund të luajmë bashkë në sulm. Nuk ekziston absolutisht asnjë problem mes nesh. Ne duam t’i ndihmojmë klubit”.

“Është normale që kemi konkurrencë në klub, por e shohim si diçka që na jep besim të gjithëve. Higuain shënoi nga tri gola për ne radhazi dhe ne kemi konkurrencë të fortë njëri me tjetrin”, ka deklaruar francezi.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas ka thënë se ai nuk do t’ia falte vetes kurrë nëse nuk do të fitojë titull me Blutë e Londrës.
“Mendoj se dua të kem një karrierë me të cilën dua të krenohem, kurdo që të përfundojë. Koha do të vijë kur unë do të ndihem krenar për atë që kam arritur dhe do të lë pozitën time”.

“Të kem dhe të ndërtoj një ekip që luan futboll të mirë është me rëndësi. Duhet të jetë argëtues. Nuk do t’ia kisha falur vetes kurrë nëse nuk do të fitoja trofe të mëdhenj me këtë klub”, theksoi portugezi.
Sulmuesi i Real Madridit, Angel Di Maria mendon se performanca e Los Blancos në Santiago Bernabeu ndaj Lyonit ishte kryesisht e bazuar në kundërsulme.
“Lyon priti shumë në mbrojtje dhe kërkoi të shënonte në fund të pjesës së parë. Ne e kontrolluam topin, dhe e shfrytëzuam rastin me anë të kundërsulmeve”.

“Me nëntë pikë në tabelë, ne e dimë se po shkojmë në Lyon me përparësinë e të qenurit lider. Ekipi është në forëm të mirë dhe nuk e vëreni kush është titullar, pasi gjithqka po shkon mirë”, tha Di Maria.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta ka thënë se skuadra Nerazzure do të rikthehet fuqishëm në Serie A nëse luan ashtu sikurse ndaj Lille.
“Ishte shumë fitore e rëndësishme ndaj një ekipi që luan futboll të mirë, edhe pse ata shkaktuan shumë probleme, sidomos në pjesën e parë, me mbrojtjen e fortë dhe sulmin e shpejtë”.

“Ne nuk duhet ta harrojmë kampionatin, duhet të kujtojmë se nuk është situatë e mirë ajo ku jemi ne. Nëse luajmë sikur sot, shpejt do të rikthehemi në maje. Ne jemi një ekip që kur luan me karakter dhe dëshirë, jeim shumë të fuqishëm”, tha Motta.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho thotë se virtualisht ekipi i tij e ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Portugezi Mourinho siç duket ka filluar të mendojë për fazën KO që tani dhe për këtë arsye thotë se dëshhiron të jetë i pari në grup.

“Është më mirë të jesh i pari se i dyti. Na duhen edhe tri pikë, por është vitale që të përfundojmë mbi Ajaxin dhe Lyonin. Më pëlqeu gjithçka ndaj Lyonit. Niveli i lojës ishte i përkyer, gjithçka shkoi mirë”, theksoi portugezi.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti ndjen se besimi ka filluar të kthehet në skuadrën e tij pas fitores minimale në transfertë ndaj Lille.
“Ishte natë e mirë për ne dhe fitorja ishte e rëndësishme për shumë arsye. Tani e kemi pozicionuar veten mirë për ta rigjetur besimin, por ka ende shumë punë për të bërë”, theksoi Moratti.

Interi është në vendin e 17-të në Serie A me vetëm 4 pikë nga gjashtë ndeshje ndërsa të shtunën e pret Chievon në Meazza.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka deklaruar se do ta respektojë kontratën deri në fund, pa marrë parasysh kahjen që do të marrë ekipi i tij.
“Unë kam edhe tri vjet në kontratën time me Arsenalin dhe unë gjithmonë e kam respektuar atë. Po më duket se PSG po vjen me një ofertë në një kohë kur Marseille nuk është aq i fortë”.

“Lyon e ka dominuar futbollin francez në 10 vitet e fundit. Marseille e fitoi para dy viteve dhe vitin e kaluar Lille, kurse tani duket se PSG po vjen në kohën e duhur për ta forcuar kampionatin”, u shpreh francezi Wenger që është joshur nga kryeqytetasit francez.
Agjenti Claudio Pasqualin mendon se Alessandro del Piero do të luajë jashtë Italisë kur të largohet nga Juventusi verën e ardhshme.
Presidenti i Juventusit tha dje se Del Piero nuk do të jetë më lojtar i Juventusit pas fundit të këtij sezoni, por lojtari e ka bërë të qartë se edhe pse jo me fanellën Bardhezi ai do të vazhdojë të luajë futboll.

“Presidenti Andrea Agnelli ka thënë se Del Piero nuk do të jetë më lojtar Bianconer, por kjo nuk do të thotë se ai do të ndalojë me futbollin. Ai mund të kërkojë një përvojë jashtë vendit”.

“Agnelli dhe Del Piero janë miq, andaj nëse Presidenti e ka marrë këtë iniciativë për ta dhënë këtë lajm, mendoj se ata janë pajtuar për këtë. Vetëm Ale e di se ku qëndron e ardhmja e tij”, ka thënë Pasqualin.

Agjenti po ashtu ka thënë se më me gjasa është që ai të luajë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se në Spanjë.
Kombëtarja shqiptare ka ruajtur pozitën e 71-të në renditjen e FIFA-s për muajin tetor, pavarësisht se ka pësuar një disfatë dhe ka shënuar një barazim.
Shqipëria u mposht me rezultat 3-0 në Francë derisa barazoi 1-1 me Rumaninë gjatë javës së kaluar, për të përfunduar e parafundit në grupin D kualifikues për Euro 2012.

Kuqezinjtë kanë humbur në pikë, nga 474 në 462, por ky dallim nuk ka ndikuar që Shqipëria të bie në renditje.

Nga vendet tjera të Ballkanit, Bullgaria ka rënë për 20 pozita, duke u rreshtuar e 75-ta, derisa Maqedonia është ngjitur një pozitë, në të 91-tën. Turqia dhe Bosnja po ashtu janë ngjitur nga një vend dhe rreshtohen në pozitat e 26, respektivisht 21, derisa Serbia ka rënë për dy pozita dhe tash rreshtohet e 23.

Greqia është vendi i Ballkanit që rreshtohet më së larti, në pozitën e tetë, derisa Kroacia ka rënë nga top 10-shi, dhe tash rreshtohet e 12-ta.
Kampioni në fuqi i Evropës dhe Botës, Spanja, ka shtuar avantazhin ndaj finalistit të Botërorit 2010, Holandës, në renditjen e FIFA-s.
Spanjollët shënuan fitore ndaj Çekisë dhe Skocisë këtë muaj në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012, derisa Holanda mposhti Moldavinë, por humbi ndaj Suedisë.

Gjermania, Uruguai dhe Brazili kompletojnë top pesëshin me nikoqirin e Kupës Botërore 2014 që ka bërë lëvizjen më të madhe në mesin e top ekipeve, pasi është ngjitur dy pozita.

Greqia është ngjitur për tre pozita për t’u reshtur e teta, dhe Danimarka është ngjitur shtatë vende dhe tash pozicionohet në të dhjetën. Kroacia ndërkohë ka rënë tre vende në të 12-tën dhe është jashtë top 10-shit për të parën herë këtë vit, pas dështimit për t’u kualifikuar drejtpërdrejt në Euro 2012.

Bregu i Fildishtë është ende vendi afrikan më së larti i rreshtuar në listë, duke pushtuar pozitën e 19-të, pavarësisht se ka humbur tre vende këtë muaj.

Japonia është ekipi më i mirë aziatik i rreshtuar në pozitën e 17-të, por Australia nuk është shumë prapa, duke pushtuar pozitën e 20-të.
Real Madridi është i gatshëm të bëjë ofertë për kapitenin e Arsenalit, Robin van Persie.
Daily Mail shkruan se Reali është duke përgatitur ta transferojë holandezin për një mega-ofertë në vlerën e 30 milionë funteve në janar.

Jose Mourinho është i gatshëm ta bindë Arsene Wenger me një ofertë të majme kur afati kalimtar të rihapet në Vitin e Ri, edhe pse Van Persie është vetëm gjashtë muaj larg të qenit agjent i lirë.

Topçinjtë janë të paepur që sulmuesi të nënshkruajë kontratën e re afatgjate, por 28-vjeçari nuk është duke u ngutur për të nënshkruar marrëveshjen deri në fund të sezonit, kur mund t’i rishikojë ambiciet e klubit.
Bayern Munich raportohet se është i interesuar në sulmuesin e Valencias, Roberto Soldado.
Mediat spanjolle shkruajnë se drejtues të Bayernit janë duke përcjellë progresin e lojtarit dhe do ta përcjellin atë gjatë ndeshjes kundër Bayer Leverkusen.

Soldado, 26-vjeçar, ka shënuar gjashtë gola në nëntë ndeshje për Valencian këtë sezon.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka mohuar se ai është në duel personal me njëshin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, se kush është më i miri në botë.
Messi dhe Ronaldo shihen si dy prej lojtarëve më të mirë në botë për momentin me dyshen që kanë luftuar edhe për shënuesin më të mirë në Spanjë, Pichichi, gjatë dy sezoneve të kaluara.

“Kjo është një gjë për gazetarët. Unë nuk zhvilloj betejë kundër tij dhe vetëm dua t’i ndihmoj bashkëlojtarët të vazhdojnë të fitojnë“, ka thënë Messi.
Milani është i gatshëm të ofrojë 2.5 milionë funte në afatin kalimtar të janarit për sulmuesin e Chelseat, Nicolas Anelka.
Chelsea nuk dëshiron ta humbasë te rivalët e Ligës Premier sulmuesin, i cili ka deklaruar se nuk do ta vazhdojë kontratën me Blutë, dhe ata mund të detyrohen ta shesin atë për gjysmën e çmimit gjatë janarit te ekipi italian.

Prioritet i trajnerit të Milanit, Massimiliano Allegri është Carlos Tevez, por çmimi i lartë i vendosur nga Manchester City e ka nxjerrë kampionin e Italisë nga gara për lojtarin. Dhe tash Rossonerët e shohin Anelkan si opsionin tjetër më të mirë.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se ai kishte pasur frikë se karriera e tij kishte përfunduar, gjatë fazës së zgjatur të lëndimit.
“Kur u lëndova e dija se do të ishte një lëndim serioz, diçka me të cilën nuk jam mësuar. Më duhej të përpiqesha të jem pozitiv, por pranoj se isha i dorëzuar”.

“Ka pasur kohë kur kam qenë i thyer më shumë se kurrë më parë si futbollist. Mendoj se është natyrale që të keni dyshime dhe gjëra të ndryshme që kalojnë në mendjen tuaj kohë pas kohe”, ka thënë Gerrard.
Sulmuesi i Olympique Marseille, Loic Remy, ka zbuluar se çdokush në Francë pret që ata të dalin fitues ndaj rivalit të sotëm të Ligës së Kampionëve, Arsenalit.
Problemet e Arsenalit këtë sezon nuk kanë kaluar pa u vërejtur nga francezët të cilët tash kanë marrë edhe më shumë zemër.

“Ne duhet të mbetemi të përulur në raport me situatën e tyre. Liga e Kampionëve është një garë krejtësisht tjetër dhe djelmoshat e Arsene Wenger do të kenë dëshirë ta ndryshojnë këtë“, ka thënë 24-vjeçari.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se forma aktuale e Robin van Persiet është falë fitnesit të tij.
“Ai e merr rolin e kapitenit me shumë seriozitet, por ajo që e inspiron Robin van Persien është se për një kohë të gjatë ai ka pasur një prani të qëndrueshme dhe nuk është dëmtuar nga lëndimet”.

“Problemi më i madh i sportit modern është të jesh herë brenda e herë jashtë pasi kjo ju harxhon shumë kohë për të gjetur mprehtësinë. Por këtë vit mendoj se ai ka shënuar 28 gola në 34 ndeshje – dhe kjo është absolutisht e jashtëzakonshme”, ka thënë Wenger.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, ka hedhur poshtë spekulimet të cilat e lidhin atë me një largim nga San Siro.
Braziliani vazhdimisht është lidhur me një transferim te Barcelona kohëve të fundit, por kjo është mohuar nga agjenti i tij dhe nga drejtues të Milanit.

“Preferoj të mos e diskutoj këtë. Agjenti im dhe zëvendëspreidenti i Milanit, Adriano Galliani, merren me kontratën time dhe rastet e transferimeve”, ka thënë Silva.
Sulmuesi i Interit, Giampaolo Pazzini, thotë se fitorja ndaj Lille në Ligën e Kampionëve, pavarësisht se minimale, ishte ajo për të cilën kishin nevojë Nerazzurët pas disfatës tronditëse nga Catania.
“Është një fitore e rëndësishme dhe, edhe nëse vuajtëm në pjesën e dytë, ne kishim nevojë për këtë rezultat shumë”.

“Kam shënuar një gol vendimtar dhe jam i lumtur. Sigurisht ne e dimë se ka shumë punë për t’u bërë dhe ne duhet të përmirësohemi, por fitoret ndihmojnë gjithçka të shkojë më butë”, ka thënë Pazzini.
Portieri i Napolit, Morgan De Sanctis, e ka përshkruar Bayern Munichun si një rival “frikësues” pas barazimit në ndeshjen e Grupit A të Ligës së Kampionëve.
Gjermanët kaluar në epërsi pas 90 sekondash lojë në takimin e mbrëmshëm në San Paolo, por italianët arritën të barazojnë rezultatin që në pjesën e parë.

“Bayerni vërtet është në një pozitë frikësuese, pasi përballja me ta i tejkaloi ato çfarë ne kishim imagjinuar. Ne e dinim se do të përballemi me aktualisht njërin prej ekipeve më të fuqishme në Evropë”.

“Bavarezët janë shumë të fuqishëm, por ne ia dolëm mirë dhe përmirësuam për atë fillim të keq. Pas barazimit, ne bëmë një ndeshje të ekuilibruar dhe ishim shumë të organizuar”, ka thënë De Sanctis.
Me rezultat 1-1 është mbyllur takimi i zhvilluar në Stadio San Paolo, ndërmjet Napolit dhe Bayern Munichut, i vlefshëm për Grupin A të Ligës së Kampionëve.
Bavarezët krijuan epërsi të hershme me anë të Toni Kroos (2’), i cili u ndihmua nga Jerome Boateng.

Mirëpo, autogoli i Holger Badstuber (39’) e neutralizoi epërsinë e mysafirëve dhe e ktheu në lojë ekipin italian.

Se Bayerni nuk kishte fat këtë mbrëmje tregoi edhe dështimi i Mario Gomez nga pika e bardhë, kur goditjen e tij e ndali portieri vendas, Morgan De Sanctis (49’).

Nga ana tjetër, Manchester City e ka shënuar fitoren e parë në grup, duke e mposhtur Villarrealin me rezultat 2-1.

Edhe pse mysafirët shënuan dy herë Cani (4’) dhe Carlos Marchena (43’), takimin e fituan vendasit, pasi goli i dytë u shënua në portën e Nëndetëses së Verdhë.

Fitoren Cityt ia siguroi Kun Aguerro në minutat shtesë të takimit (90’+4).

Grupit A i prin Bayern Munichu me shtatë pikë, Napoli ka pesë pikë në vend të dytë, ndërsa Manchester City gjendet në vend të tretë me katër pikë.
Pas dy barazimeve të njëpasnjëshme në kuadër të Grupit C, Manchester Unitedi më në fund ka arritur të shënojë fitore.
Djajtë e Kuq e kanë mposhtur ekipin rumun Otelul Galati me rezultat 2-0 në Arena Nationala në Bukuresht.

Ishte sulmuesi anglez Wayne Rooney lojtari që ia solli fitoren ekipit anglez, pasi dy golat e tij të shënuar nga penaltia (64' dhe 90') ia sollën tre pikët e para të plota Unitedit.

Ndërkohë, me rezultat identik prej 2-0, edhe Benfica ka fituar si mysafir i Baselit.

Benfica kryeson Grupin C me 7 pikë, dy më shumë se United në pozitën e dytë me pesë pikë, kurse Basel është në vendin e tretë me 4 pikë.
Nerazzurët i janë gëzuar fitores si mysafir i skuadrës franceze Lille, të cilën e kanë mposhtur me rezultat 1-0.
Heroi i zikaltërve ishte sulmuesi italian, Giampaolo Pazzini, i cili shënoi golin e fitores (21’).

Ndeshja tjetër e Grupit B që është zhvilluar më herët ndërmjet CSKA Moskës dhe Trabzonsporit, ka përfunduar me rezultat 3-0 në favor të rusëve.

Pas xhiros së tretë, Interi ka gjashtë pikë në krye të grupit, ndërsa CSKA dhe Trabzonspor kanë nga katër pikë.
Me rezultat prej 4-0, Real Madridi e ka mposhtur Lyonin në Santiago Bernabeu për të treguar edhe një herë se Mbretërit janë kandidatë seriozë për trofeun e sivjetmë të Ligës së Kampionëve.
Karim Benzema e zhbllokoi takimin pas një asistimi të Cristiano Ronaldos (19’), ndërsa ky ishte goli i vetëm i vendasve në pjesën e parë.Sapo filloi fraksioni i dytë, Benzema e gjeti për mrekulli Sami Khediran, i cili e dyfishoi rezultatin (47’).
Mesut Oezil bëri gjithçka vetë për ta turpëruar për të tretën herë portierin mysafir Hugo Lloris (55’).
Krosimin nga këndi të Ricardo Kaka e shfrytëzoi Sergio Ramos, i cili fillimisht tentoi me kokë dhe më pas me këmbë e vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes (81').
Takimi tjetër i Grupit D, i zhvilluar mes Dinamo Zagrebit dhe Ajaxit, ka përfunduar me epërsi prej 2-0 të holandezëve.
Pas kësaj xhiroje, Real Madridi kryeson me nëntë pikë, ndërsa Ajaxi dhe Lyoni kanë nga katër pikë.