Trajneri i Interit, Claudio Ranieri pret ditë të mira për Nerazzurët, deklaratë kjo e dhënë me rastin e ditëlindjes së teknikut zikaltër.
“Fitorja ndaj Lille ishte me rëndësi për shkak se u lejoi lojtarëve të rifitojnë motivimin dhe besimin, ndërsa tani duhet të vazhdojmë drejt kësaj rruge”.

“Ne e dimë se do të jetë vështirë ndaj Chievos. Ata janë ekip i mirë që mbyll mirë hapësirat dhe lufton për top, kështu që nuk do të jetë lehtë për ne. Jam i sigurtë se ekipi im do të jetë kundërshtar i vështirë për secilin ekip”, u shpreh Ranieri.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka lëvduar ekipin e tij pas fitores sensacionale ndaj Marseille në qastet e fundit të takimit.
“Për kualifikimin ishte shumë me rëndësi ky gol, për besimin po ashtu. Ndeshja ishte monotone por ne kemi pasur durim dhe pas pjesës së parë e kontrolluam lojën”.

“Marseille u mbrojt mirë në mënyrë të disiplinuar dhe ishte e vështirë të krijojmë rsate, por keni parë në 15 minutat e fundit se kemi filluar të krijojmë raste ndërsa ishte në pyetje inteligjenca durimi dhe disiplina”, u shpreh francezi.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola beson se ekipi i tij u stërvit mirë ndaj Viktoria Plzen në ndeshjen e Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma.
“Ne kemi stërvitur mirë dhe luajtëm në mënyrë mjaft të qetë”.

“Lajmi i mirë është se kemi fituar pa shënuar Messi. Ne e dimë se gjëja më e vështirë është shënimi i golave ndaj ekipeve që mbrohen, por kjo është pjesë e procesit. Ne kemi pasur shumë raste dhe ndonjëherë ne kemi qenë konkret e ndonjëherë jo”, tha Pep për UEFA.com.
Sulmuesi i Malagas, Ruud van Nistelrooy ka thënë se nuk do të festojë në rast se do të shënojë gol ndaj Real Madridit këtë fundjavë.
“Nëse shënoj, nuk do të festoj, por është diçka që nuk dominon në mendimet e mia. Më duhet të fokusohem në ndeshjen”.

“Është e veçantë për ne, për ata të cilët luajtën për Realin. Jemi në formë të mirë dhe në ndeshjet e fundit kemi shënuar shumë gola”, theksoi holandezi.
Kemi filluar ta shohim një Cristiano Ronaldo më pak egoist në fushë dhe ashtu si për çdo gjë tjetër, edhe për këtë ekziston një arsye – lojtarët spanjollë të ekipit mbretëror kanë ndikuar te portugezi.
Sport.es shkruan se Sergio Ramos dhe Iker Casillas i kanë kërkuar Jose Mourinhos që t’ia ndaloj Ronaldos të bëjë atë që do në fushë dhe në zhveshtore.

Mourinho e kuptoi këtë mesazh dhe menjëherë mbajti bisedime me portugezin, të cilin e inspiroi që të jetë lojtar më ekipor. Lëzivja e lojtarëve spanjollë te Reali besohet se erdhi pas dënimit të Mourinhos ndaj Casillasit për shkak të kontakteve me miqtë lojtarë të Barcelonës.
Mbrojtësi i Barcelonës, Danivel Alves është përkujdesur edhe njëherë për të nxehur gjakrat mes rivalëve të përbetuar duke thënë se Jose Mourinho di të shesë gazeta dhe premton deklarata në fushë të ekipit të tij.
Jose Mourinho të hënën thumboi Barcelonën duke folur për kundërshtarët e Barcelonës në Ligën e Kampionëve, duke thënë se është dashur të kërkojë në internet informacione për ato skuadra, duke aluduar se ato janë shumë ekipe të dobëta. Këtë nuk e ka pritur mirë Alves.

“Ne e dimë se kush është ai. Ai gjithmonë tenton t’ua marrë të tjerëve meritat. Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe të shikojmë veten, nuk dua të përfshihem në zënkë me të. Ne jemi inferior dhe na pëlqen që të bëjmë më të mirën, të flasim në fushë”.

“Gazetarëve u pëlqen që të shesin shumë gazeta, por ne jemi të fokusuar në fushë”, tha Alves.
Vëllai i vogël i Wesley Sneijder, Rodney besohet t’i ketë thënë mesfushorit të Interit që të largohet sa më parë nga gjiganti italian.
Rodney i cili është i huazuar te Ajaxi nga Utrecht, beson se Sneijder është duke lejuar që trajneri i tij të keqpërdoret te Interi.

“Nuk më pëlqen futbolli në Serie A. Sa herë e shikoj Interin, them: ‘Çfarë janë duke bërë?’. Preferoj futbollin anglez dhe spanjoll”.

“Sigurisht ia kam thënë këtë edhe Wesleyt. Wesley është një prej atyre pak lojtarëve te Interi që luan futboll të mirë. Por, ai nuk dëshiron të largohet nga Interi”, tha Rodney për NuSport.
Presidenti i Granadas dhe përfaqësuesi i Udineses në Spanjë, Quique Pina ka zbuluar se Barcelona i ka paguar Udineses plot 43 milonë euro për shërbimet e Sanchez.
Pina thotë se Barcelona e ka mbajtur me qëllim të fshehtë shumën e transferimit, duke thënë se në total bëhet fjalë për 35 milionë euro.

“Alexis u kushtoi atyre 43 milionë euro. Kjo shumë nuk është sikurse që kishe thënë Barcelona. Ata pohuan se e kanë marrë për 26 milionë euro plus bonuset”, ka thënë Pina për mediat spanjolle.
Talenti i ri i Milanit, Stephan El Shaarawy ka thënë për Goal se ai dëshiron të qëndrojë në San Siro për pjesën e mbetur të karrierës së tij, pasi iu bashkua Rossonerëve nga Genoa.
“Barcelona është skuadra më e fortë në botë, ata e dinë si të përshtasin teknikën me vrapin dhe është një skuadër sikurse në lojërat kompjuterike”.

“Por, përpos që më pëlqen futbolli anglez, nuk kam ndonjë afeksion të veçantë pos Milanit. Unë e kam shembull Kakan dhe prandaj dua të qëndroj te Milani përjetësisht”, theksoi ai.
Klubi brazilian Corinthians ka rritur spekulimet për tratativat rreth transferimit të Carlos Tevez, pasi drejtorin Edu Gaspar që ka zbuluar ofertën për argjentinasin.
“Është pjesë e punës time të di se çfarë po ndodh në vende të ndryshme dhe të shoh nëse janë lojtarë të lirë. Nuk mund të mohoj se Teves është një prej tyre”.

“Unë kam miq të mirë që punojnë te City, si p.sh Patrick Vieira. Unë i pyes ata dhe dua të di shumë gjëra. Unë e di se Tevez është suspenduar edhe për një muaj dhe se Mancini nuk dëshiron ta shohë”, ka thënë Edu Gaspar.

Corinthians përballet me konkurrencë nga Interi dhe Juventusi për Tevezin që do të largohet në janar nga City.
Chelsea e ka tejkaluar Liverpoolin në garën për transferimin e mesfushorit të Lille, Eden Hazard.
Liverpooli që një kohë të gjatë ka shprehur hapur interesimin për talentin belg, megjithëse trajneri i të rinjve te Lille, Jean-Michel Vandamme ka zbuluar se interesimi i Chelseat ka vënë Blutë në pole pozicion.

“Hazard do të mbetet në klub deri verën e ardhshme, edhe nëse Chelsea i afrohet shumë lojtarit. Real Madridi dhe Barcelona ende nuk e kanë kërkuar atë, por mendoj se herët apo vonë do të pyesin për të. Sido që të jetë, kush e dëshiron atë duhet të paguajë 40 milionë euro”, theksoi Vandamme.
Arsenali është duke u lidhur me një transferim të veteranit të Juventusit, Luca Toni.
Mediat torineze shkruajnë se bosi i Arsenalit, Arsene Wenger është duke e menduar ofertën për sulmuesin italian, të cilën do ta konkretizojë gjatë janarit.

Toni kërkohet te Arsenali në mënyrë që Robin Van Persie të kthehet në pozitën natyrale si sulmues i dytë.
Juventusi është duke ndarë një shumë të madhe parash për të gjetur zëvendësimin për ikonën e klubit, Alessandro del Piero.
Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, së fundi deklaroi se kontrata e Del Pieros nuk do të rinovohet në fund të sezonit.

Gazzetta dello Sport shkruan se bordi i Juves e di se do të duhet të përballet edhe me fansa të zemëruar për trajtimin që klubi ia bën kapitenit, andaj shpreson t’i kënaqë ata duke sjellë një emër të madh si zëvendësim.

Për momentin menaxheri gjeneral Beppe Marotta ka tre lojtarë në listën e ngushtë, Eden Hazard të Lille, Franck Riberyn e Bayern Munich dhe Giuseppe Rossin e Villarrealit.
Mesfushori i Arsenalit, Mikel Arteta, ka lavdëruar shpirtin ekipor të Arsenalit pas fitores 1-0 ndaj Olimpique Marseille.
“Ne jemi më të lumtur pasi po luajmë më shumë si ekip. Ne jemi përmirësuar shumë në aspektin defansiv dhe në pjesën e dytë ata vështirë kanë krijuar raste. Ne ishim më kompakt dhe kjo vjen nga puna që kemi bërë në stërvitje”.

“Shpresoj se mund të ndërtojmë [një ekip të qëndrueshëm] pasi e dimë se kemi talent dhe me këtë unitet rreth ekipit ne do të nxjerrim rezultate të mira”.

“Ne e dimë se jemi në gjendje të krijojmë shanse dhe tash po i bëjmë mirë gjërat kryesore. Të gjithë punojnë fuqishëm, po e kthejmë topin shpejtë dhe pastaj kjo e bën të jetë vështirë të mposhtemi”, ka thënë Arteta.
Legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane, mendon se ata janë më të fuqishëm në këtë sezon të dytë nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho.
“Në vitin e dytë të Mourinhos, ekipi është më konkurrues, më i fuqishëm, dhe kjo është e patjetërsueshme në Ligën e Kampionëve”.

“Disa gjëra tash duket se po bëhen më mirë këtë sezon, lojtarët po bëjnë gjëra të cilat kanë kaluar pa u vërejtur dhe tash ata po lulëzojmë për këtë”, ka thënë Zidane.
Pablo Zabaleta thotë se bashkëlojtari i tij te Manchester City, Sergio Aguero, është një lojtar më i mirë se sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney.
Rooney dhe Aguero do të përballen gjatë të dielës në derbin më interesat të qytetit të Manchesterit viteve të fundit.

“Të dy janë lojtarë të shkëlqyeshëm, për secilin ekip. Sergio dhe Rooney janë në krye, sulmues të kreut, jo vetëm në Ligën Premier, por në gjithë botën”.

“Ata janë shumë të ngjashëm dhe po ashtu të rëndësishëm për të dyja ekipet. Ata të dy shënojnë gola, andaj do të jetë mrekulli të shohim Rooneyn dhe Sergion. Nëse do të zgjedh njërin? E dini, është lehtë mua, Sergio!”, ka thënë Zabaleta.
Milani është i interesuar për kapitenin e Juventusit, Alessandro del Piero, shkruajnë mediat italiane.
Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, deklaroi se kontrata e Del Pieros nuk do të rinovohet në fund të sezonit.

Për momentin sulmuesi është i fokusuar te Juventusi, ndërsa agjenti i tij tha se sipas gjasave ai do të largohet nga Italia për të vazhduar karrierën jashtë.

Megjithatë Tuttosport shkruan se ai mund të vazhdojë të luajë në Serie A, edhe atë te rivali i Juvenusit, Milani.

Presidenti Rossoner, Silvio Berlusconi, do të dëshironte ta sjellë Del Pieron në San Siro dhe një marrëveshje në janar mund të ishte joshëse për të gjitha palët.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, thotë se ata ende janë në garë për të fituar titullin e Serie A.
Shumica tashmë e kanë përjashtuar Interin nga gara për titull, madje disa analistë sportivë mendojnë se epoka Nerazzure tashmë ka marrë fund. Por Motta mendon ndryshe.

“Ndoshta ju harroni se ne po thuajse u eliminuam nga Liga e Kampionëve atë vit, në Kiev në fazën e grupeve, dhe pastaj fituam gjithçka. Kështu është futbolli – gjithçka mund të ndodhë dhe ne duam kjo të ndodhë sërish”, ka thënë mesfushori.
Anësori i Manchester United, Nani thotë se ai motivohet kur duhet të luajë në ndeshje të mëdha, si ajo e të dielës kundër Manchester Cityt.
“Ishte e rëndësishme të fitojmë në Ligën e Kampionëve të martën dhe të shkojmë me vetëbesim në një ndeshje të madhe të ligës si ajo e të dielës. Çdokush është i gatshëm të kontribuojë në ndeshje”.

“Është ende herët të thuash se titulli do të jetë vetëm në mes të Manchester United dhe Manchester Cityt. Mendoj se ata janë një prej ekipeve të cilët ia kanë dalë mirë që nga fillimi i sezonit. Sigurisht ka shumë ekipe të cilët ia dalin mirë. Chelsea po ashtu”.

“Por këto janë ndeshje të cilat gjithmonë e motivojnë ekipin. Kur ne luajmë në këto ndeshje, ekipi ka një qasje tjetër dhe një motivim tjetër. Sigurisht neve na pëlqen të luajmë në ndeshje të mëdha si kjo. Ne shpresojmë ta fitojmë”, ka thënë Nani.

Nani shënoi dy herë kundër Cityt në Wembley në ndeshjen e Superkupës së Anglisë, Community Shield.
Legjenda e Barcelonës, Johan Cruyff, ka habitur fansat e Real Madridit duke lavdëruar ekipin e tyre pas fitores ndaj Lyonit.
“Madridi është duke luajtur shumë mirë në vitet e fundit. Tetëmbëdhjetë muaj më parë ata thyen rekordin për pikë (96, me Manuel Pellegrinin në stol)”.

“Është e vërtetë se Barcelona fitoi titullin, por Real Madridi tash ka një ekip të shkëlqyeshëm dhe luan shumë mirë”, ka thënë holandezi para se të kritikojë trajnerin e Realit, Jose Mourinho.

“Ajo çfarë ai thotë nuk më intereson mua. Në cilindo sport duhet të kesh respekt për bashkëlojtarët dhe kundërshtarët”, ka shtuar Cruyff.
Talenti shqiptar i Manchester United, Adnan Januzaj, ka shënuar golin e parë me fanellën e Djajve të Kuq në fitoren e ekipit U18 ndaj Crewe Alexandra.

Januzaj hapi rezultatin me golin e parë për United, duke dërguar topin në rrjetë me kokë pas një harkimi nga krahu i majtë në minutën e 28-të.

Rezultati për të rinjtë e akademisë së United mbeti i njëjtë deri pas një ore lojë, kur Jack Barmby, shënoi golin e dytë, dhe më pas Gyliano van Velzen, Jack Rudge dhe Paddy McNair të vulosën për 5-0.

Januzaj, 16-vjeçar, u transferua te Manchester United gjatë verës nga Anderlecht dhe raportohet se fiton 140 mijë funte në vit. Ai shihet si njëri prej talenteve më me perspektivë në Evropë dhe tashmë është identifikuar si David Beckham i ri.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, është ndarë i kënaqur me paraqitjen e Fernando Torres, pas dy golave të shënuar në fitoren ndaj rivalit të Ligës së Kampionëve, Racing Genk.
“E gjitha është te performanca ekipore. Fernando ka luajtur shumë mirë – por ne shikojmë në paraqitjet kolektive. Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si ekipi luajti”.

“Do të ishte një periudhe e gjatë jashtë (nëse Torres nuk do të luante), edhe pse ne jemi në gjendje të zgjedhim nga më të mirët në sulm. Zgjidhja doli e mirë me Fernando sot dhe ai u përgjigj shumë mirë, siç kanë bërë të gjithë sulmuesit të cilët janë shfrytëzuar së fundi”, ka thënë Villas-Boas.
Fabio Capello ka dhënë shenja se ai synon ta marrë në Euro 2012 sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney.
“Lojtarët e rinj janë vërtet të mirë dhe të gatshëm të luajnë me të rriturit, dhe përvoja e të rriturve është vërtet e rëndësishme. Gjatë ndeshjeve ne kemi nevojë për disa liderë, njerëz të cilët dinë diçka”.

“Jack Wilshere është i jashtëzakonshëm pasi është shumë i ri. Ne po ashtu kemi nevojë për përvojën e John Terry, Rio Ferdinand dhe Scott Parker. Ju keni nevojë për këto lojtarë, plus Rooney, shpresoj”, ka thënë Capello.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, është i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj BATE Borisov në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Një gol nga Zlatan Ibrahimovic dhe një gol tjetër fantastik nga Kevin-Prince Boateng ndihmuan Rossonerët të shënojnë fitore.

“BATE ka pasur vetëm disa raste dhe të gjithë prej tyre të dhuruara nga ne. Ne duhej të merremi me një numër lëndimesh, andaj nëse kemi numër normal mungesash, atëherë ne jemi konkurrues në Ligën e Kampionëve dhe në Serie A”.

“Nuk mund ta kuptoj se pse mediat nuk ua kujtojnë njerëzve këtë në javët e fundit. Ne po përmirësohemi me kalimin e kohës dhe me këto lojtarë të Milanit mund t’ia dalim mirë”, ka thënë Galliani.