Luis Enrique është shprehur mjaft i lumtur me fitoren minimale të skuadrës së tij kundër Palermos në Stadio Olimpico.
Me një gol të shënuar nga mesfushori Erik Lamela, Giallorossët rrëmbyen tre pikë, ndërsa fitorja është rëndësishme pasi vjen pas humbjes në derbi nga Lazio.

“Rezultati është gjithmonë gjëja më e rëndësishme, por ne gjithmonë mundohemi të luajmë mirë dhe gjithmonë punojmë për t’u përmirësuar”.

“Kur vjen edhe rezultati, bëhet edhe më mirë. Fitorja ndaj Palermos ishte e rëndësishme, sidomos pasi luajtën një ndeshje të mirë kundër një skuadre të shkëlqyer”, ka deklaruar trajneri për Sky Sport Italia.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka deklaruar se ka qenë agresiv ndaj arbitrit Chris Foy, pasi skuadra e tij u mposht nga QPR.
Blutë pësuan një humbje kontroverse, si pasojë e një penaltie dhe dy kartonëve të kuq në dëm të tyre, ndërsa trajneri ka pranuar se ishte i papërmbajtur.

“Isha agresiv ndaj tij. Nuk më intereson nëse i ka pëlqyer atij ose jo. Të gjithë mund të kenë një ditë të keqe, por kjo nuk ishte një ditë e keqe për ne. Ishte një ditë e mirë”.

“Ishte një ditë e keqe për arbitrin. Nuk mund t’i kuptoj keqgjykimet nga referi”, ka deklaruar Villas-Boas.
Trajneri i Sevillas, Marcelino, ka komplimentuar ekipin e tij për paraqitjen e fortë ndaj Barcelonës, e në veçanti portierin Javi Varas i cili me heroizmat e tij arriti të nxjerrë një barazim nga Camp Nou kur ia ndali futbollistit më të mirë në botë penaltinë.
“Në pjesën e dytë na kanë dominuar, por portiere ynë ishte i jashtëzakonshëm në disa raste. Duket e pamundur të luash ndaj Barcelonës pa pranuar gol, nëse portieri nuk është në formën më të mirë”.

“Ne erdhëm për të luajtur ndaj një ekipi që shënoi 21 gola në shtëpi në La Liga dhe ne nuk pranuam gol”, u shpreh Mercelino.
Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Matri, beson se ekipi i tij meritoi fitoren në ndeshjen e zhvilluar dje në stadiumin e ri të Juventusit.
“Ne merituam fitoren dhe është dashur ta mbajmë në dorë lojën. Në vend të kësaj, na ngjau një barazim i rastësishëm. Dy golat janë të dobishëm për moralin tim, por tri pikët ishin më të rëndësishme”.

“Tani duam përsëri të kthehemi dhe të harrojmë këto rezultate. Unë nuk flas për lojën, ishte e mirë, por për rezultatin. Duhet të fitojmë përsëri”, theksoi Matri.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka lëvduar paraqitjen fantastike të ekipit të tij pas fitores së lartë prej 4-0 ndaj Malagas në La Liga.
“Pjesa e parë ishte fantastike. Ndaj Lyonit ne po ashtu ishim shumë të kompletuar, por ndaj Malagas në pjesën e parë ishim më të mirë”.

“Më pëlqeu i gjithë ekipi. Ne luajtëm futboll me një dhe dy prekje, përkundër presionit të madh. Lojtarët e mi ishin nën presion, por deri në fund luajtëm mirë. Ne kemi golashënues në shumë pozicione dhe kjo është mirë për klubin.
Hannoveri ka regjistruar fitore të rëndësishme prej 2-1 kundër liderit të Bundesligas, Bayern Munich.
Mohammed Abdellaoue i gëzoi tifozët në AWD Arena duke shënuar nga pika e bardhë (23’), ndërsa përjashtimi i Jerome Boateng me karton të kuq (28’), ua vështirësoi edhe më shumë punët mysafirëve.

Pesë minuta brenda gjysmës së dytë, Christian Pander dyfishoi epërsinë, ndërsa menjëherë pas Hannoveri goditi shtyllën.

Në minutën e 63-të, arbitri e nivelizoi takimin sa i përket numrit të lojtarëve, duke e përjashtuar Steven Cherundolon me kartonin e dytë të verdhë, mirëpo bavarezët shënuan vetëm një herë me anë të David Alaba (83’).

Përkundër humbjes, Bayern Munichu mban kreun me tre pikë diferencë nga kampioni Borussia Dortmund, ndërsa Hannoveri pozicionohet në vend të katërt me pikë të barabarta me Schalken që është e treta në tabelë.
Skuadra e Chelseat ka pësuar humbje minimale si mysafir i Queens Park në kuadër të javës së nëntë të Ligës Premier.
Vendasit krijuan avantazh të hershëm nga pika e bardhë, ndërsa realizues ishte Heidar Helguson (10’).

Blutë pësuan dy goditje tjera të rënda në gjysmën e parë, pasi Jose Bosingwa (33’) dhe Didier Drogba (41’) u përjashtuan me kartonë të kuqë, ashtu që u desh ta vazhdonin takimin me nëntë lojtarë.

Pas kësaj jave, Chelsea mban pozitën e tretë në tabelë me pikë të barabarta me Newcastle që gjendet një pozitë më poshtë, ndërsa ka gjashtë pikë më pak se lideri Manchester City.
Portieri i Sevillas, Javi Varas, ka lëvduar bashkëlojtarët e tij pas barazimit të nxjerrë në duel me Barcelonën, sfidë e zhvilluar në Camp Nou.
Javi Varas u bë njeriu më i dashur për anti-Blaugranët kur intervenoi në mënyrë fantastike penaltinë e Lionel Messit në minutën e fundit të takimit, duke nxjerrë barazim të artë për ekipin e tij.

“Qëndrimi i ekipit ishte shumë i mirë. Komplimente për të gjithë, të gjithë kontribuuan. Të nxjerrësh barazim këtu është shumë e komplikuar, por të gjithë lojtarët e mbajtën Barcelonën larg golit, kjo është shumë mirë”, theksoi Varas.
Trajneri i Genoas, Alberto Malesani, beson se skuadra e tij arriti të nxirrte barazim vetëm pas kërcënimit të tij se nuk do t’ua paguante bonuset në rast të dështimit.
“Unë u sigurova që lojtarët e mi të kenë vëmendje dhe i thashë presidentit se do të ketë ndryshime. Unë jam përulur nga forma e dobët dhe u kam thënë se nuk ka bonuse për askënd. Shikoni çfarë ndodhi…lojtarët dhanë maksimumin gjatë gjithë ndeshjes”.

“Unë nuk e shikova fare Juventusin, por ekipin tim. Ne kemi bërë mirë gjërat, por vetëm na mungoi fati në disa ndeshje”, tha Malesani.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ishte thellësisht i zhgënjyer me barazimin me rezultat 2-2 ndaj Genoas para tifozëve Bianconer duke thënë se janë lëshuar dy pikë.
“Ne jemi përballur me një Genoa të një cilësie të lartë, por krijuam shumë dhe vuajtëm më shumë se në ndeshjet tjera”.

“Drejt fundit të takimit edhe ndeshja u bë më monotone dhe ne është dashur të jemi më të vëmendshëm. Unë më përpara do të pësoja humbje se sa të bëj barazime, por rruga është e gjatë dhe duhet të ngritemi. Mos harroni se nga kemi ardhur”, theksoi Conte.
Interi ka shënuar fitoren e parë para publikut të vet këtë sezon me rezultat minimal ndaj Chievos, përderisa të njëjtën gjë e bëri edhe Roma ndaj Palermos.
Interi tregoi shenja jete në këtë takim, pasi e dominoi në tërësi atë, me Julio Cesarin që nuk kishte fare punë gjatë sfidës.

Wesley Sneijder ishte decisiv kur harkoi saktë te Thiago Motta që me kokë realizoi për 1-0 dhe fitoren e parë të Interit në shtëpi. Ishte ky po ashtu goli i parë për Interin në shtëpi që nga maji.

Roma shënoi po ashtu fitore me golin e Erik Lamelas në minutën e tetë të takimit, që mbeti dhe goli i vetëm.

Me fitoret e shënuara, Interi ngjitet në kuotën e shtatë pikëve pas shtatë javëve në pozitën e 14-të, kurse Roma ka 11 pikë në vendin e gjashtë.

Inter 1-0 Chievo


Roma 1-0 Palermo
Arsenali ka shënuar fitore shumë të rëndësishme ndaj Stoke Cityt në Emirates me rezultat 3-1, duke filluar ngjitjen e vështirë drejt majes së tabelës.
Arsenali e dominoi takimin, ndërsa rezultati u zhbllokua në minutën e 27-të kur Aaron Ramsey me një asistim të mrekullueshëm e ndihmoi Gervinhon të shënojë për 1-0.

Peter Crouch barazoi rezultatin për 1-1 (34’) që ishte dhe rezultati i pjesës së parë.

Në pjesën e dytë Gervinho ishte vendimtar me dy asistime për Robin Van Persien i cili me t’u inkuadruar në lojë shënoi dy herë (73’ dhe 82’) për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar.

Me këtë fitore Arsenali ka 13 pikë në pozitën e shtatë, duke filluar kështu ngritjen graduale drejt majes së tabelës.
Manchester City ka shkatërruar Manchester Unitedin para tifozëve të vet në Old Trafford me rezultat 6-1 në derbin lokal më të madh anglez.
Ndeshjen filloi ta dominonte United me disa goditje nga distanca, por kur City filloi ta marrë veten, atëherë gjithçka ndryshoi.

James Milner me një pasim të mirë gjen Mario Balotellin në zonën rreptësisë, i cili godet në mënyrë mjeshtërore në këndin e poshtëm të portierit De Gea për të shënuar për epërsinë e parë të sheikëve (22’).

Balotelli si zakonisht nuk e la pa u ndëshkuar, por kësaj radhe për një mbishkrim kontravers nën fanellën e tij.

Në pjesën e dytë City vazhdoi me lojën e njëjtë, me skuadrën e Fergusonit që nuk shfaqi shenja jete.

Mario Balotelli përsëri gjendet në pozitë shënimi kur para zonës e ndal Johnny Evans si lojtar i fundit (47’). Evans shkoi në shtëpi për darkë, kurse Balotelli vazhdoi lojën duke shënuar për 2-0 në minutën e 60-të përsëri me asistimin e Milner.

United nuk arriti të kthehej në takim dhe këtë e shfrytëzoi më së miri Serigo Aguero (69’) që realizoi për 3-0.

Sidoqoftë, një gol të nderit për Manchester Unitedin e shënoi Darren Fletcher (81’). Megjithatë City nuk ishte ngopur dhe shënoi edhe tri herë në minutat përfundimtare me anë të Edin Dzekos dy herë dhe Davis Silvës për 6-1 për të kompletuar deklasimin e rivalit.

Me këtë fitore Manchester City rrit edhe më tej distancën në maje të tabelës me përcjellësin e parë Manchester United. City ka 25 pikë në pozitën e parë, pesë më shumë se Djajtë e Ferguson. Nëse Chelsea mposht QPR-në sot pasdite, atëherë United do të zhvendoset në pozitën e tretë.
Milani ka shënuar fitore sensacionale me rezultat 4-3 në transfertë te Lecce, duke përmbysur rezultatin në pjesën e dytë falë një paraqitje fantastike nga Kevin Prince Boateng.
Pjesa e parë i takoi plotësisht Lecces. Giacomazzi kaloi në epërsi vendasit që në minutën e katërt, para se ajo të dyfishohej nga Massimo Oddo (30’) i cili shënoi nga penaltia.

Për 3-0 dhe rezultatin definitiv të pjesës së parë shënoi Carlos Grossmuller (37’), i cili i shkaktoi kokçarje Adriano Gallianit në tribuna.

Sidoqoftë, në pjesën e dytë Allegri e futi në lojë armën rezervë – Kevin Prince Boateng.

Me të hyrë në lojë Boateng shënon (49’) dhe atë me një goditje të fuqishme me të majtën lart në këndin e djathtë të portës së Lecces. Nuk kaloi shumë kohë dhe përsëri Boateng shënoi, kësaj radhe për 3-2 me anë të një eurogoli nga gjysmëdistanca (55’).

Boateng vazhdoi dhe pas një tollovie në zonën e Lecces, shënoi hettrikun për 3-3 (63’).

Kështu Milanit i mbeti mjaft kohë për të kompletuar rikthimin sensacional. Mario Yepes shënoi golin e fitores (83’) për 4-3 dhe rikthimin e jashtëzakonshëm të Rossonerëve, të cilët pas një pjese të parë mediokre, arritën që me një performancë klasi botëror të diktuar nga magjia e Boateng të marrin tri pikët nga jugu i Italisë.

Me këtë fitore Milani ka 11 pikë dhe gjendet në pozitat e para të tabelës, vetëm dy pikë larg liderit Juventus që dje barazoi me Genoan. Momentalisht Rossonerët zënë pozitën e pestë, por nga ora 15:00 zhvillohen ndeshjet e mbetura të javës së shtatë në Serie A.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka refuzuar të flasë për gjasat për titull, duke thënë se duhet të gjithë të jenë realistë.
“Është ende herët të flasim për titullin. Ne duhet të jemi reaslitë dhe të kthehemi në një pozicion më të mirë. Besoj se ekipi imp o bëhet më i fortë, kështu që duhet të fokusohemi që të mos pendohemi në fund. A jemi të mirë apo jo? Të shohim në maj”.

“Çfarë ndodhi muajin e kaluar është se Arsenali u kualifikuau për të 14-tën herë radhazi në Ligën e Kampionëve. Pjesa tjetër nuk më intereson”, u shpreh francezi.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos ka lëvduar paraqitjen fantastike të asit portugez, Cristiano Ronaldo në sfidën ndaj Sevillës.
“Në sulm golat shënohen nga Benzema, Higuain apo Ronaldo. Ne jemi me fat që i kemi ata në ekip”.

“Malaga tentoi të reagojë pas pjesës së parë, pasi ne ishim më të relaksuar. Sidoqoftë, ne luajtëm mjaft seriozisht nga fillimi dhe e kemi ditur se çfarë duhet të bëjmë ndaj një kundërshtari të vështirë”, u shpreh Ramos.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ishte i mbushur me vrer pas barazimit pa gola ndaj Sevillas, të cilës ia uroi pikën e fituar.
“Duhet ta përgëzojmë mbrojtjen e Sevillës dhe heroin Javi Varas. Sidoqoftë, mendoj se luajtëm mirë, por duhet të përgëzojmë Sevillën dhe të fitojmë të martën”.

“Nuk është kurrë lehtë të luash ndaj një ekipi që luan aq në mënyrë defensive, me nëntë lojtarë në mbrojtje, pasi nuk ka fare hapësira. Sevilla kishte vetëm një rast. Ne kishim 77 përqind të posedimit dhe dështuam të shënojmë, përkundër rasteve të shumta. Dua të falënderoj të gjithë tifozët që ishin të pranishëm”, tha Guardiola.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo ka thënë pas ndeshjes ndaj Malagas ku ai shënoi hettrik se për të më e rëndësishme ishte që ekipi të fitonte.
“Unë jam i kënaqur me golat e mi, por çfarë është vërtet e rëndësishme është se ne fituam pa marrë parasysh a shënova unë apo jo. Nuk merakosem nëse shënoj apo jo, brengosem kur nuk fitojmë”.

“Ne kemi shfaqur paraqitje fantastike, pjesa e parë ishte më e mira këtë sezon. Festimi im me Marcelon erdhi shkaku i muzikës braziliane të cilën e duam”, theksoi Ronaldo.

Cristiano Ronaldo ka 10 gola deri më tani në La Liga, po aq sa edhe Lionel Messi i Barcelonës.
Ka humbur jetën në një aksident gjatë garës për Çmimin e Madh të Malajzisë ngasësi i Hondas në MotoGP, 24 vjeçari Marco Simoncelli.
Simoncelli nuk tregoi shenja jete pasi u perplas me motorrët e Valentino Rossit dhe Colin Edwards, duke mbetur pa helmetë dhe duke ndërruar jetë në vend.

Italiani është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë.

I gjithë kampionati automobilistik e në veçanti MotoGP është veshur zi pas këtij aksidenti, i cili bëri që gara në Malajzi të anulohej menjëherë.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka deklaruar se ekipi i tij është ende në shënjestrën e të gjithëve për t’u mposhtur, për shkak se është më i miri në Ligën Premier.
“Ne jemi para të gjithëve. Ne kemi një qendër të mirë stërvitore, ne kemi akademi tëmirë dhe ne jemi vet të mirë. Ne jemi të mirë në zbulimin e talentëve jashtë vendit, shembull është Javier Hernandez”.

“Të hollat mund t’iu bëjnë të mirë, por nuk e shoh atë si gjënë më të rëndësishme. Nëse unë kam nevojë për një lojtar, atëherë do të shpenzoj. Dallimi mes nesh dhe Cityt është se ne e kemi bërë këtë një kohë të gjatë dhe City e bëri shpejtë”, ka thënë Ferguson.
Drejtori i Interit, Ernesto Paolillo pret fitore për Nerazzurët në sfidën që zhvillohet sot në Meazza ndaj Chievos.
“Ne jemi duke u kthyer në rrugë të drejtë dhe jam optimist për të ardhmen. Unë mund të shoh një ambient mjaft të mirë në klub. Ne kemi filluar sezonin me protestën e lojtarëve për pagat e tyre. Por, mendoj se kemi kaluar vetëm nëpër një fazë negative. Tani po pres ecuri pozitive”, tha Paolillo.

Interi pret Chievon sot në ora 15:00 në Meazza, në kërkim të fitores së dytë pas shtatë javësh në Serie A.
Sulmuesi i Sevillas, Frederic Kanoute ka pohuar se mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas e ka quajtur ‘terrorist’, arsye për të cilën dhe ai u kacafyt me ish-mesfushorin e Arsenalit.
Incidenti i cili rodhi nga penaltia kontraverse e akorduar nga gjyqtari në fund të takimit irritoi Kanouten për të reaguar, kurse më pas e goditi në mënyrë rapide Fabregasin, gjë që na lë të besojmë se vërtet mefushori katalan e quajti terrorist sulmuesin e Sevillas.

Këto pohime të Kanoutes ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht, por kështu është duke u përfolur nëpër mediat spanjolle. Edhe trajneri i Sevillas refuzoi të flasë, megjithëse aludoi se nuk ishte pa shkas ai incident.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri e sheh ndeshjen ndaj Chievos si test shumë të vështirë kur ekipi i tij do të përballet me ekipin nga paralagjia e Veronës të dielën pasdite.
“Chievo ka bërë mirë që nga momenti kur u kthye në Serie A. Mentaliteti i tyre është presion, luftë dhe vrapim”.

“Ata po ashtu i bënë telashe edhe Juventusit javën e kaluar, kështu që pres një ndeshje të ngushtë deri në fund”, u shpreh Ranieri.
Trajneri i Romës, Luis Enrique u ka sugjeruar lojtarëve të tij që ta harrojnë derbin e javës së kaluar ndaj Lazios.
“Derbi tani është e kaluar. Roma është e gatshme të fillojë përsëri. Më pëlqyen minutat e para, pasi luajtëm me tempon e duhur, por më pas nuk e pash ekipin tim. Ne shkuam shumë thellë”.

“Kur diçka e tillë ndodh, mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë. Kjo është rruga e drejtë, unë duhet t’i bindi lojtarët e mi për këtë. Unë nuk kam për qëllim të ndryshoj qasjen, pasi posedimi duhet të mbetet kyç”, theksoi Luis Enrique.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli është dashur të largohet nga shtëpia e tij e vënë nën zjarrnga fishekzjarret e hedhura nga banjo.
The Guardian raporton se 21 vjeçari ka arritur të largohet nga shtëpia e tij pa pësuar ndonjë lëndim, ndodhi kjo vetëm një ditë para ndeshjes derbi ndaj Manchester Unitedit që zhvillohet sot në ora 14:30.

Balotelli stërviti të shtunën në mëngjes pasi fjeti në një hotel të Mançesterit, por flakët besohet të jenë shkaktuar nga vet sulmuesi dhe nga një grup i miqve të tij, të cilët ndezën fishekzjarre nga banjo e shtëpisë.

Ende nuk dihet nëse italiani do të luajë ndaj Unitedit, por forma e tij e jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit pritet që të mos shfaqet pas këtij incidenti.