Kapiteni i Barcelonës, Carles Puyol, nuk do të marrë pjesë në takimin e të martës kundër Granadas, thuhet në një komunikatë të ekipit spanjoll.
Mbrojtësi 33-vjeçar nuk luajti në derbin e fundjavës ndaj Sevillas, por në vend të tij u angazhua Javier Mascherano.

Ndërkaq, Barca përmes një kumtese për media ka njoftuar se veterani spanjoll nuk do të luajë as në takimin e radhës, pasi është ankuar për dhimbje në regjionin pubik.
Trajneri i Levantes, Juan Ignacio Martinez, ka deklaruar se kryesimi i La Ligas dhe qëndrimi para gjigantëve, Barcelona dhe Real Madrid, është më shumë se një ëndërr për ekipin e tij.
Levante është në krye të tabelës së Kampionatit spanjoll me 20 pikë të grumbulluara, një më shumë se Reali dhe dy më shumë se Barca, ndërsa në tetë javët e para vazhdon të mbetet e pamposhtur.

“Duhet të jemi të sinqertë për këtë; askush nga ne nuk e ka imagjinuar, madje as në ëndrrat më të krisura”.

“Jemi munduar të fitojmë sa më shumë pikë që mundemi, por kjo ecje maratonike nëpër të cilën po kalojmë është e jashtëzakonshme”.

“E kemi të qartë se sezoni është i gjatë dhe momentet e vështira do të vijnë, prandaj jemi duke e shijuar këtë moment”, ka deklaruar Martinez për uefa.com.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Kolo Toure, ka pranuar se do të ishte i interesuar për nja transferim te ekipi francez Paris Saint-Germain në një të ardhme të afërt.
Ish-lojtari i Arsenalit e ka të vështirë të zë një vend në formacionin bazë të Roberto Mancinit, ashtu që është i gatshëm që të largohet nga skuadra.

“Do të isha i interesuar për shkak të situatës sime aktuale te City”.

“Nëse Parisi më thërret, nuk do të jetë si në vitet e mëparshme kur do të thosha: ‘Paris? Nuk jam i sigurt’”.

“Tash nëse më thërrasin, do t’i dëgjoj se çfarë kanë për të thënë”, ka deklaruar Toure.
Portieri i Manchester Cityt, Joe Hart, ka thënë se lojtarët dhe stafi i skuadrës së tij e mbështesin plotësisht sulmuesin Mario Balotelli.
Sulmuesi italian vazhdon me sjelljet e tija kontroverse jashtë dhe brenda fushës, mirëpo performancat e shkëlqyera kanë bërë që ai të gëzojë mbështetjen e Cityt.

“Mendoj se ai është rritur si person dhe ka pranuar se kush dhe çfarë është në skuadër”.

“Ne jemi qind për qind prapa tij. Mendoj se të gjithë janë të entuziazmuar që ai po e merr dashurinë që e meriton”, ka thënë Hart.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, i ka mbrojtur dy lojtarët e kritikuar Milos Krasic dhe Giorgio Chiellini, pas barazimit zhgënjyes të të shtunës kundër Genoas.
Chiellini ishte fajtor për të dy golat e pranuar nga Bianconerët, ndërsa Krasic dështoi edhe një herë të shfaqë lojë të mirë.

“Trajneri duhet të marrë maksimumin nga lojtarët e tij, sidomos kur ata po kalojnë nëpër një moment të vështirë, si Krasic dhe Chiellini”.

“Ata janë dy lojtarë fondamentalë dhe nëse fillojmë të dyshojmë te dy lojtarë si ata, unë do të filloj të bëhem anksioz; bëhet problem nëse fillojmë të dyshojmë te lojtarë si Chiellini- për mua ai është një garanci”, ka deklaruar Conte.
Mesfushori gjerman i Bayern Munichut, Bastian Schëeinsteiger, është ftohur para takimit të kupës kundër Ingolstadt.
Më herët Daniel van Buyten ishte ftohur dhe duket se ai ia ka ngjitur sëmundjen edhe zëvendëskapitenit, i cili u paraqit në stërvitje të hënën, por shumë shpejt u largua.

Edhe pse dy lojtarë janë të sëmurë, trajneri Jupp Heynckes pret që t’i ketë në dispozicion në përballjen ndaj ekipit nga Bundesliga 2 të mërkurën.
Jose Mourinho e ka dënuar portierin Iker Casillas pasi është paraqitur me vonesë në stërvitje të hënën në mëngjes.
Kapiteni i Real Madridit ishte bllokuar në komunikacion si pasojë e shiut dhe nuk kishte arritur në kohë në fushën stërvitore.

Mirëpo, kjo nuk i ka bërë përshtypje trajnerit, i cili megjithatë e ka dënuar Casillasin.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, shpreson që këtë sezon skuadra e tij, jo vetëm se do ta sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve, por edhe do të fitojë ndonjë trofe.
“Rikthimi në top-katërshe është prioritet, por nuk do të thosha se është prioriteti i vetëm i yni”.

“Sjellja e mbrëmjeve evropiane në Anfield është ajo që dëshirojmë”.

“Disa nga netët më të mira të karrierës sime kanë qenë në Ligën e Kampionëve dhe dëshiroj të përjetoj edhe disa të tilla para se ta përfundoj karrierën”, ka deklaruar Gerrard për LFC Magazine.
Mbrojtësi i Bayern Munichut, Jerome Boateng, është dënuar me dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq që mori në humbjen prej 2-1 nga Hannoveri.
Drejtuesit e Bayernit kishin shpresuar që lojtari do të mungonte vetëm një ndeshje, megjithatë Federata Gjermane e Futbollit (DFB) vendosi ta dënojë 23-vjeçarin me dy ndeshje.

Bavarezët e kanë pranuar këtë vendim, megjithatë kanë theksuar se e gjithë ngjarja ishte pasojë e “performancës teatrale të lojtarit të Hannoverit, Sergio Pinto”.
Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka thënë për Tuttosport se ai ka për synim përfundimin në top tre, pas fillimit të mbarë të sezonit në Serie A nga Bainkonerët.
“Fjala Scudetto është pjesë e fjalorit të Juventusit, andaj është gjithmonë qëllimi. Caku është të arrijmë në top tre, ashtu që ne të mund të luftojmë për një pozitë të rëndësishme. Në çdo ndeshje ne shkojmë të fitojmë”.

“Conte ka arritur këtë vit, së bashku me shumë lojtarë të rinj. Trajneri ka prezantuar taktika të reja dhe kjo ka nevojë për kohë për t’u mishëruar në një grup të ri”, ka thënë Marrotta.

Pavarësisht barazimit 2-2 ndaj Genoas gjatë të shtunës, Juve pozicionohet e treta në tabelë me vetëm dy pikë prapa liderit, Udineses. Juventusi nesër (e martë) pret në fushë të vet Fiorentinën, duke ditur se një fitore do t’i kthejë ata në maje të Serie A.
Fabio Capello i ka etiketuar Juventusin dhe Romën si favoritë për ta fituar titullin e Serie A këtë sezon, pasi ata nuk kanë obligime evropiane.
“Është një sezon shumë interesant i Serie A. Juventusi dhe Roma janë favoritë sipas mendimin tim pasi ata nuk marrin pjesë në shumë gara si disa prej rivalëve të tyre. Milani po ashtu ka një ekip konkurrues”.

“Niveli i lojës në Serie A është duke u ngritur. Po luhet një stil tjetër i futbollit, Trajnerët duhet të jenë kreativ për shkak të resurseve të kufizuara. Ata duhet të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e lojtarëve”, ka thënë Capello për Il Corriere dello Sport.
Cristiano Ronaldo la zbuluar se titulli i kampionit të Spanjës është prioritare për Real Madridin këtë sezon.
“Dua ta fitoj La Ligën. Mendoj se kjo është prioritet i klubit. Sigurisht, nëse fitojmë La Ligën dhe kemi mundësinë ta fitojmë Ligën e Kampionëve, pse jo?”.

“Real Madridi duhet të mendojë gjëra të mëdha pasi është një prej ekipeve më të mira në botë. Ne do të punojmë shumë këtë sezon dhe do të përpiqemi ta fitojmë këtë garë të rëndësishme”, ka thënë Ronaldo.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, ka thënë se Nerazzurët ende mund të arrijnë shumë gjëra këtë sezon, pas fitores 1-0 ndaj Chievos.
“Ky është një grup i cili është i aftë të fitojë shumë gjëra, dhe e mendojmë këtë çdo ndeshje. Ne jemi duke punuar në qëndrueshmërinë tonë, dhe duhet t’i parandalojmë ekipet kundërshtare të na bëjnë dëm neve”

“Fitorja ishte e rëndësishme për të mos lejuar të na rëndojë pesha e renditjes. Interi ka fituar me meritë, edhe pse ne luajtëm deri në fund ndaj një ekipi të Chievës që na sulmoi. Ne nuk kemi qenë në gjendje të fitojmë në Giuseppe Meazza, andaj kjo ndeshje ishte e rëndësishme në këtë aspekt”, ka thënë Zanetti për Sky Sport Italia.
Trajneri i Arabisë Saudite, Frank Rijkaard, thotë se Holanda ka kualitete t’ia dalë në kampionatin e ardhshëm Evropian që zhvillohet në Poloni dhe Ukrainë.
Rijkaard, i cili ishte pjesë e ekipit holandez që fitoi Euro 1988, beson se ekipi aktual holandez ka të gjitha elementet për të mposhtur çdo rival dhe për ta fituar garën e kësaj vere.

“A mund ta përsërisë ky ekip suksesin e vitit 1988? Të jem i sinqertë, po. Është e lehtë të thuash se mund ta bëjnë, sigurisht, por mendoj se ata vërtet munden. Gjithçka duhet të jetë në vend që kjo të ndodhë dhe ju keni nevojë për ca fat, por nëse ata mund ta ruajnë atë shpirt të madh ekipor atëherë përfundimisht është e mundshme”.

“Holanda mund të mposhtë çdo ekip në botë në ditën e tyre. Arsyeja kryesore për suksesin e tyre është talenti i dukshëm i gjeneratës së re të lojtarëve, shpirti i tyre ekipor, dhe dëshira për t’u futur në analet e futbollit holandez duke fituar një trofe të madh”, ka thënë Rijkaard.
Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes ka shprehur zhgënjimin e tij me disfatën 2-1 nga Hannoveri gjatë të dielës, pasi mendon se ata merituan së paku një pikë.
“Ne merituam së paku një pikë. Ne humbëm, por jam më i lumtur sot se sa që isha pas disa fitoreve të mëdha – edhe pse nuk filluam mirë. Ne do të kthehemi më të fuqishëm se më herët, ne nuk do të thyhemi nga kjo”.

“Të dyja ekipet vërtet luajtën mirë. Ne nuk vepruam si duhet, së pari me penaltinë pastaj me dërgimin jashtë loje. Ne kishim dy shanse të mëdha pas pauzës, dhe pastaj një tjetër për [Bastian] Schweinsteiger pak para fundit”.

“Por e gjithë merita i shkon ekipit, pasi ne treguam moral. Pavarësisht atmosferës frikësuese, ne u përqendruam mirë dhe ruajtëm qetësinë”, ka thënë Heynckes.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, është i kënaqur me fitoren e ekipin të tij në shtëpi ndaj Chievos gjatë të dielës.
“Ishte e rëndësishme të dalim nga ‘tabuja San Siro’ edhe pse duket e çuditshme ta themi këtë, por ne nuk kishim fituar këtu dhe nuk kishim shënuar”.

“Ekipi ishte i qëndrueshëm dhe i vendosur. Ata vërtet e dëshironin këtë fitore. Ne e dinim se nuk do të jetë ndeshje e lehtë por shkoi mirë, kundër një ekipi që ka një lojë të mirë kolektive dhe vrapon shumë. Jam i kënaqur”, ka thënë Ranieri.
Sulmuesi i Laizo,s Djibril Cisse, mendon se ende është herët të flitet për gjasat e ekipit të tij për të fituar titullin e Serie A.
Lazio mbrëmë mposhti Bolognan me rezultat 2-0 dhe rreshtohet në pozitën e dytë të tabelës, me vetëm një pikë larg nga lideri, Udinese, por Cisse mendon se vështirë që ekipi të vazhdojë t’i ruajë rezultatet që ka nxjerrë së fundi.

“Ende është herët të flitet për Scudetto, edhe pse ne jemi në një pozitë të mirë në tabelë. Unë nuk shënova, por më e rëndësishme është që Lazio të fitojë. Kjo ka qenë një javë e mirë për ne”, ka thënë Cisse për Sky Sport Italia.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se Mario Balotelli është ‘pasioni’ i tij.
Italiani problematik shënoi dy herë për Manchester Cityn në fitoren 6-1 ndaj Manchester United në derbin e djeshëm dhe mbetet caku kryesor për Rossonerët.

“Balotelli është pasioni im, ai është një lojtar i madh. Milan? Kush e di... për momentin ai mbetet një pasion. Zlatan Ibrahimovic është në një formë të shkëlqyer dhe do të mbetet deri në fund të kontratës së tij. Ibra dhe Balotelli do ta kompensonin njëri-tjetrin, ata do të ishim të mirë së bashku”, ka thënë Galliani.
Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, ka mohuar se ai e kishte fyer në baza raciste sulmuesin e Sevillas, Frederic Kanoute.
Kanoute tha se ishte provokuar dhe ofenduar gjatë përplasjes në fushë e cila erdhi pas penaltisë së humbur nga Lionel Messi. Por Cesc mohon se ai ka bërë ndonjë për t’u penduar.

“Dua që kategorikisht ta mohoj se kam bërë ndonjë ofendim racist ndaj ndonjë lojtari të Sevillas. Nuk do të toleroj që dikush të më akuzojë për gjëra të cilat nuk i kam”.

“Nëse ata janë të frustruar nga një vendim që ka shkruar kundër tyre në fushën e futbollit, atëherë ka mënyra të tjera për t’u përballur me ta. Të përmendësh racizmin është një opsion jo-burrëror dhe i lehtë për të shfajësuar sjelljet tua të ulëta. Ndërgjegjja ime është krejtësisht e pastër. Nuk kam bërë asgjë keq”, ka thënë Cesc.
Mbrojtësi i Milanit, Taye Taiwo, thotë se ai kishte refuzuar Real Madridin për t’u transferuar te Milani.
Ish-ylli i Marseille erdhi në San Siro gjatë verës, pas një interesimi të shumë skuadrave, mes të cilave edhe Realit të Madridit.

“Jam përcjellë nga Real Madridi, por preferova të largohem për kampionatin italian pasi ka qenë ëndërr e imja të jem këtu i rrethuar nga aq shumë yje”, ka treguar Nigeriani.
Zlatan Ibrahimovic ka qenë i ngazëllyer me Kevin-Prince Boateng pas hat-trickut të tij në fitoren e vikendit ndaj Lecce.
Boateng erdhi nga stoli për të ndihmuar Milanin të përmbysur rezultatin nga disavantazh 3-0 në fitore 4-3.

“Inkuadrimi i Boateng ka ndryshuar ndeshjen: bollëku i tij në nivel fizik e hapi ndeshjen. Në pjesën e parë ne ishim në disavantazh, por në të dytën ne ishim vetja – me interesim – dhe ne sollëm në shtëpi tre pikë kyçe”, ka thënë Ibra.
Bosi i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka pranuar se humbja prej 1-6 nga rivali lokal Manchester City do të jetë dita më e keqe në karrierën e tij në futboll.
Kjo humbje shënon herën e parë që nga vitet e tridhjeta që Djajtë e Kuq pranojnë gjashtë gola në shtëpi, ndërsa është humbja më e keqe në shtëpi që nga viti 1955 kur janë mposhtur nga City me rezultat 0-5.

“Ishte ditë e keqe, dita jonë më e keqe. Por ne do të dalim nga kjo, është një sfidë’.

“Ajo që më shqetësoi më shumë ishin golat, të shënuar dhe të pranuar. Dallimi ishte 10 gola, prandaj ishte një goditje e madhe për ne, sepse kurrë nuk i dihet nëse dallimi në gola mund të llogaritet. Për shumë vite është në favorin tonë, por për momentin nuk është”.

“Ne do të reagojmë. Nuk ka dyshim për këtë. Është rezultat i përsosur që ne të reagojmë, sepse ka shumë turp në zhveshtore sot (e diel) dhe kjo do të ndikojë”.

“Ndjehem i zhgënjyer. Është humbja ime më e keqe në histori, madje edhe si lojtar, nuk besoj që kam humbur ndonjëherë me rezultat 6-1, por kjo është një sfidë edhe për mua”, ka thënë Ferguson për Sky Sports.