Pas dy barazimeve radhazi, Juventusi është kthyer te fitorja duke e mposhtur Fiorentinan me rezultat 2-1, në ndeshjen kryesore të kësaj xhiroje të zhvilluar në Stadiumin e Juventusit.Bianconerët zhvilluan një gjysmë të parë të shkëlqyer duke arritur të shënojnë një herë.
Pas një krosimi nga këndi, më së miri brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit u gjend mbrojtësi Leonardo Bonucci për epërsinë e vendasve (13’).Mysafirët e filluan furishëm gjysmën e dytë duke u shfaqur të rrezikshëm, dhe ky angazhim i tyre rezultoi i frytshëm.
Stevan Jovetic pranoi një top të kthyer nga Vargas për të shënuar një gol të bukur (58’) dhe për ta nivelizuar ndeshjen.Zonja e Vjetër e imponoi sërish lojën e vet për të rikthyer avantazhin. Një pasim të Simone Pepes e shfrytëzoi Alessandro Matri për t’i çuar në ekstazë tifozët vendas (65’).
Kjo fitore e kthen Juventusin në krye të tabelës me një pikë më shumë se Udinese që ndeshjen e kësaj xhiroje e zhvillon të mërkurën si mysafir i Napolit.Kjo fitore do t’u shërbejë bardhezinjve për të udhëtuar më të relaksuar dhe me vetëbesim në Giuseppe Meazza për ta zhvilluar derbin e fundjavës kundër Interit.

Barcelona ka arritur të shënojë vetëm një gol kundër Granadas në udhëtimin në Estadio Nuevo Los Carmenes.Heroi i ndeshjes ishte Xavi Hernandez, i cili me një goditje nga rreth 27 metra e shtangu portierin Roberto (33’).
Nga minuta e 53-të Granada luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Romeros me kartonin e dytë të verdhë, mirëpo Blaugranët nuk arritën të shënojnë gol tjetër.
Kjo fitore e pozicionon Barcelonën në krye të tabelës, para Levantes dhe Real Madridit, që të mërkurën zhvillojnë ndeshjet e kësaj xhiroje.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, pret ditë mjaft të ngarkuara për ekipin e tij që zhvillon ndeshjet ndaj Parmës dhe Romës në Serie A dhe pastaj në javën që vjen kundër BATE Borisovit në Ligën e Kampionëve.“Tabela e kampionatit do të fillojë të ndryshojë në dy xhirot e radhës”.
“Duhet të jemi në një pozitë të shkëlqyer në ligë para pushimit të nëntorit dhe duhet ta sigurojmë kualifikimin në Ligën e Kampionëve sa më shpejtë që është e mundur”.
“Kampionati është shumë i balancuar. Mendoj se mund t’i arrijmë ekipet që gjenden përpara dhe të vazhdojmë në këtë rrugë”, ka thënë Allegri.
Agjenti i anësorit të Schalkes, Jefferson Farfan, ia ka ofruar Bayern Munichut klientin e tij.Kontrata aktuale e peruanit skadon në verën që vjen, ndërsa Schalke i ka dhënë ultimatum lojtarit që më së largu deri në tetor ta vazhdojë kontratën.
Megjithatë, duket se bavarezët nuk janë të interesuar për Farfan, pasi janë në kërkim të lojtarit të Borussia Monchengladbach, Marco Reus.
QPR ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës tregon se e ka njoftuar Federatën Angleze të Futbollit për një incident racist mes kapitenit të Chelseat, John Terry dhe lojtarit të QPR, Anton Ferdinand.Terry ka mohuar të ketë bërë ofendim racist dhe menaxheri i Bluve, Andre Villas-Boas, i ka dhënë mbështetje, mirëpo QPR ka kumtuar se FA do të bëjë një hulumtim për këtë incident.
Presidenti i QPR, Tony Fernandes, ka deklaruara se klubi i qëndron prapa Ferdinandit dhe do të luftojë për ta larguar racizmin nga futbolli.
Presidenti i AEG, kompanisë që e ka në pronësi klubin LA Galaxy, Tim Leiweke, beson se David Beckham nuk do të largohet nga ekipi në muajin janar.Kontrata aktuale e anglezit me skuadrën nga MLS skadon në muajin nëntor, ndërsa është thënë se 36-vjeçari do të kthehet në Evropë gjatë afatit kalimtar dimëror.
Paris Saint-Germain dhe disa skuadra nga Liga Premier janë të interesuara për shërbimet e tij.
“Mendoj se David është besnik ndaj nesh. Përkundër të gjitha spekulimeve dhe fjalëve që thonë se Davidi do të shkojë në Francë ose Ligën Premier, David do të largohet nga Galaxy vetëm nëse David dhe ne vendosim për këtë”.
“Në fakt mendoj se David do të jetë sërish këtu në vitin tjetër”, ka thënë Leiweke për Sports Illustrated.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, mezi pret t’i shikojë lojtarët e rinj në përballjen ndaj Boltonit në kuadër të League Cup.“Mezi po pres t’i shoh djemtë e rinj duke luajtur. Ata luajtën shumë mirë ndaj Shreesburyt në raundin e kaluar dhe pamë shumë lojtarë të rinj, talentë të mëdhenj, duke pasur ndikim të vërtetë”.
“Jam trajnuar me shumë prej tyre dhe i kam parë duke luajtur, prandaj mund t’ju them se ka shumë talent te këta lojtarë”, ka thënë holandezi.
Maxwell nuk do t’i bashkohet Benficas gjatë afatit kalimtar të janarit- ka thënë agjenti i mbrojtësit të Barcelonës.Klubi portugez është në kërkim të një mbrojtësi krahu pasi në janar pritet largimi i Joan Capdevilas, ndërsa mediat në Spanjë kanë spekuluar se Maxwell është një nga lojtarët për të cilët interesohet Benfica.
“Arsyeja e vetme pse Maxwell nuk ka luajtur për Barcelonën është sepse ka qenë i lënduar”.
“Gjatë verës, ai mund t’i bashkohej Manchester Cityt, ndërsa Barcelona nuk e lejoi këtë, prandaj ai nuk do të shitet as te Benfica, përkundër respektit për klubin”, ka deklaruar Mino Raiola për Renascenca.
Anësori i Manchester Cityt, David Silva, ka deklaruar se është i lumtur te skuadra aktuale, ku planifikon të qëndrojë për shumë vite.Paraqitjet e mira të spanjollit kanë tërhequr vëmendjen e gjigantëve, Real Madrid dhe Barcelona, mirëpo 25-vjeçari planifikon ta vazhdojë karrierën në Angli.
“Madridi dhe Barca janë ekipe të mëdha, por unë jam i lumtur këtu dhe do të më pëlqente të qindorja për shumë vite”.
“Familja ime, sikur unë, është e lumtur. Njerëzit më trajtojnë shumë mirë dhe jam i relaksuar, po jetoj në një pjesë shumë të qetë, në një qytet të vogël”, ka thënë Silva për Cadena SER.
Ndihmëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka tërhequr vëmendjen për rrezikun nga Villarreali në takimin e radhës në Santiago Bernabeu.Mbretërit konsiderohen favoritë ndaj Nëndetëses së Verdhë që e ka filluar shumë keq këtë sezon, mirëpo ndryshe mendon Karanka.
“Ne e shikojnë Villarrealin si një ekip që na shkaktoi shumë probleme vitin e kaluar”.
“Ata kanë një trajner të mirë, i cili ka qenë në klub për shumë vite, dhe ata do të na shkaktojnë shumë probleme”.
“Ata janë skuadër shumë më e mirë sesa që tregohet në tabelë”, ka thënë Karanka në një konferencë me gazetarë.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka deklaruar se lojtarët e tij janë të përqendruar te takimi i të mërkurës ndaj Atalantas dhe nuk po mendojnë për derbin e fundjavës ndaj Juventusit.“Atalanta nuk bën vetëm vrap, të luash atje është e vështirë për gjithkënd”.
“Ata kanë filluar fuqishëm. Ndoshta dënimi prej gjashtë pikësh i ka stimuluar më shumë, edhe trajnerët edhe lojtarët. Ata do të ishin në vend të dytë nëse nuk do të kishin atë mungesë (minus gjashtë pikë)”, ka thënë Ranieri në konferencën për shtyp.
Ndërsa i pyetur rreth derbit ndaj ish-skuadrës së tij, ai ka thënë se gjithmonë mendon për ndeshjen e radhës, e jo për atë që vjen pas saj.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, është i vetmi anglez në listën e 50 të nominuarve për Topin e Artë të këtij viti.Derisa FIFA nuk do ta publikojë listën deri më 1 nëntor, sipas El Mundo Deportivo sulmuesi i Manchester United është i vetmi anglez në listë.
Nga radhët e Manchester United, Javier Hernandez po ashtu pritet të jetë në listë, ndërsa nga Manchester City në listë pritet të jenë David Silva dhe Sergio Aguero, plus ylli i Liverpoolit, Luis Suarez.
Si Anglia, edhe Italia ka vetëm një përfaqësues, kapitenin e Udineses, Antonio de Natale.
Treshja e fundit e zgjedhur nga trajnerët e përfaqësueseve të vendeve do të zbulohet më 5 dhjetor, ndërsa mbrëmja gala e zbulimit të fituesit do të zhvillohet më 9 janar në Cyrih.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, ka lavdëruar progresin e sulmuesit Craig Bellamy, që nga arritja e tij në klub për së dyti herë dhe beson se uellsiani është “më i pjekur dhe më i edukuar”.“Craig është më i pjekur dhe më mirë i edukuar tash. Ai do të jetë më i lumtur nëse do të luante më shumë, por ai e kupton situatën ndoshta më shumë se sa kur ishte i ri”.
“Ai e di se çdokush këtu e respekton atë dhe kjo është një gjë e madhe për të”, ka thënë Dalglish për Daily Star.
Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, ka kritikuar trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola, për largimin e tij nga Camp Nou në verën e vitit 2010.“Kurdo që e pyesja Guardiolën diçka, ai gjithmonë më jepte përgjigje të çuditshme. Ai më ka injoruar shumë derisa erdhi oferta e Cityt. Kjo është arsyeja se pse vendosa të largohem. Nuk kam folur me Guardiolën për një vit”.
“Nëse ai do të kishte folur me mua, do të kisha qëndruar te Barcelona. Nuk doja të largohem dhe doja t’i jap fund karrierës te Barcelona. Megjithatë, ai nuk kishte besim në mua. Doja të qëndroja, por ai nuk dëshironte që unë të qëndroja”, ka thënë Toure.
Barcelona raportohet se ka drejtuar shikimin kah anësori i Arsenalit, Theo Walcott.Daily Star shkruan se Barca do të tentojë ta joshë Walcott të largohet nga Emriates. Pep Guardiola është i interesuar për lojtarin, i cili po ashtu është një admirues i trajnerit spanjoll.
Walcott ende ka më shumë se një vit të mbetur në kontratën e tij dhe raportohet se është i paepur të nënshkruajë kontratë të re me Topçinjtë.
Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, thotë se disfata 2-1 nga Hannoveri gjatë të dielës nuk ka ndikuar në vetëbesimin e bavarezëve.“Në përgjithësi, ishte një disfatë e pafat, por ne jemi stabil. Ne kemi shumë lojtarë ndërkombëtarë në ekip, dhe e dimë se çfarë janë të gjendje të bëjnë ata”.
“Ne nuk do të zemërohemi. Ne ende besojmë në vete dhe do të fillojmë një fazë të re, duke filluar me ndeshjen e DFB Pokal kundër Ingolstadt dhe pastaj atë të së shtunës kundër Nurnberg”, ka thënë Neuer.
Barcelona do të ketë nëntë lojtarë në listën e 50 lojtarëve të nominuar për shpërblimin më të madh të vitit për një futbollist, Topin e Artë.El Mundo Deportivo shkruan se Lionel Messi, Andres Iniesta, Xavi, Cesc Fabregas, Gerard Pique, Carles Puyol, David Villa, Daniel Alves dhe Eric Abidal, që të gjithë do të jenë të nominuar.
Barca fitoi Ligën e Kampionëve dhe La Ligën sezonin e kaluar, derisa filloi këtë sezon duke fituar Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Evropës.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, thtë se ai gjithmonë e ka marrë me seriozitet Kupën Carling.“Ne gjithmonë e kemi marrë me seriozitet këtë garë. Ne e kemi shfrytëzuar atë si një mundësi për disa lojtarë të rinj dhe njerëzit e lidhin këtë me mos marrjen serioze të saj, por është e kundërta”.
“Pasi ne e marrim seriozisht ne duam gjithmonë të ofrojmë dy gjëra – dëshirën për të fituar dhe mundësinë për fansat të shohin disa prej lojtarëve të cilët përfaqësojnë të ardhmen e këtij klubi”, ka thënë Wenger.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, nuk do të mendojë të varë këpucët.Fituesi i Botërorit 2006, 33-vjeçar, nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon për shkak të një paralize të një nervi kranial që i shkakton probleme me pamjen.
“Ka pasur kohë kur kam menduar më të keqen, por dua të rikthehem të luaj futboll. Do të ketë nevojë më shumë se kaq për të më mposhtur. Gjëja më e rëndësishme është të mos dorëzohem. Mund të stërvitem, por nuk mund të luaj pasi kam një pamje të dyfishtë (nga sytë)”.
“Pas 50 ditësh jashtë fushe, do të duhet të pres edhe katër muaj të tjerë para se operacioni të zgjidhë gjithçka. Para 25 ditësh kishte rrezik të mund të detyrohem të pensionohem. Gjëja e parë që Adriano Galliani më tha, nuk më shqetësoi pasi klubi mund të më shfrytëzojë në mënyra të tjera”, ka thënë Gattuso.
Drejtori sportiv i Romës, Walter Sabatini, është i bindur se Daniele de Rossi do të nënshkruajë kontratë të re me klubin.“Ai vërtet dëshiron të vazhdojë të luajë futboll këtu, kjo është dëshira e tij e fuqishme. Kjo dëshirë korrespondon me tonën”.
“Një marrëveshje, edhe nëse ajo do të kërkojë një punë të fuqishme tonën, do të arrihet. Ka shumë mundësi që De Rossi të nënshkruajë”, ka thënë Sabatini.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se Manchester United do të rikuperohet shpejt nga disfata e turpshme e vikendit.Djajtë e Kuq u mposhtën me rezultat 6-1 në fushë të vet nga rivali lokal Mancheter City, por pavarësisht kësaj United mbetet një prej ekipeve më të mira në Evropë për Guardiolën.
“Për mua Manchester United është një prej ekipeve më të mira në botë dhe asgjë nuk e ndryshon këtë, madje as humbja 6-1 në shtëpi nga City”.
“Unë nuk kam mundur ta shoh ndeshjen në televizor, por e kam incizuar atë dhe do ta shoh në ndonjë rast”, ka thënë Guardiola.
Mbrojtësi i Arsenalit, Thomas Vermaelen, është përfshirë në ekip për ndeshjen e sotme të Carling Cup kundër Boltonit.Belgu mund ta bëjë paraqitjen e tij rikthyese pas dy muajsh qëndrimi jashtë fushe për shkak të një lëndimi në këmbë.
Me njërin sy kah derbi i të shtunës kundër Chelseat, Arsene Wenger do të synojë të pushojë lojtarët si Laurent Koscielny, Per Mertesacker dhe Robin van Persie, dhe tu japë hapësirë lojtarëve më të rinj si Alex Oxlade-Chamberlain, Francis Coquelin, Park Chu-Young dhe Emmanuel Frimpong.
Benfica raportohet se ka shfaqur interesim për të nënshkruar me veteranin e Barcelonës, Maxwell.Braziliani po dështon të gjejë minuta të duhura këtë sezon dhe mund të detyrohet të largohet në muajin janar.
Mbrojtësi ka joshur interesimin e Benfica pasi portugezët përgatiten ta humbasin mbrojtësin e majtë Joan Capdevila.
Interi është gati që të bëjë ofertë për qendërmbrojtësin e Internacional, Juan.Globoesporte njofton se përfaqësues të zikaltërve do të udhëtojnë sërish në Brazili për të diskutuar rreth mundësisë së transferimit që pritet të kushtojë afro pesë milionë euro.
Nerazzurët ishin të interesuar për 20-vjeçarin edhe gjatë afatit kalimtar veror, ndërsa në garë ishte edhe Napoli, mirëpo Internacional nuk e lejoji largimin e lojtarit.
Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso, është zotuar se nuk do të pensionohet nga futbolli përkundër problemeve serioze me syrin.Lojtari veteran nuk luan për Rossonerët që nga takimi i parë i këtë edicioni kundër Lazios, kur u zëvendësua pas vetëm njëzet minutash për shkak të përplasjes me Alessandro Nestan.
33-vjeçari është diagnostikuar me mosfunksionim të nervit të katërt kranial, i cili e kontrollon lëvizshmërinë e syrit.
Gattuso ka deklaruar se në katër muajt e ardhshëm do të duhet të pushojë, e më pas t’i nënshtrohet operacionit. Por ka premtuar se do të kthehet në fushë.
















