Arsenali është krejtësisht skuadër tjetër kur Robin van Persie është në formë dhe e udhëheq sulmin- ka deklaruar Theo Walcott.Të dy lojtarët ishin në formë të lartë në fitoren prej 5-3 ndaj Chelseat, ndërsa anësori anglez ka treguar për rëndësinë që ka kapiteni i Topçinjve.
“(Golat) tregojnë se sa i rëndësishëm është ai për këtë skuadër. Ai ka pasur shumë lëndime, ndërsa kur e kemi një Robin me kondicion të mirë gjatë sezonit, ne jemi një skuadër tërësisht ndryshe”.
“Nuk është spektakël i një lojtari, por Robin na jep një dimension shtesë, të tillë që nuk e kemi pasur më parë”.
“Ne jemi të lumtur dhe shpresojmë që ai të jetë në formë dhe të shënojë gola”, ka thënë Walcott për faqen zyrtare të klubit.
Sulmuesi i Manchester Unitedit, Javier Hernandez, ka deklaruar se nuk i intereson mënyra se si i shënon golat, porse me rëndësi është që të shënojë.Meksikani akoma nuk e ka shënuar një gol nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshit, ndërsa tashmë kanë filluar krahasimet e tij me Ruud van Nistelrooy, i cili ka zhvilluar 138 ndeshje pa shënuar gol nga jashtë gjashtëmbëdhjetëmetërshi, përkundër rekordit prej 150 golash në 219 paraqitje.
I pyetur nga Inside United se kur do ta gjejë rrjetin nga distanca, Chicharito është përgjigjur: “Kurrë s’i dihet. Mendoj se një pjesë e arsyes pse nuk e kam bërë këtë ende është edhe për shkak të instruksioneve që marr nga Sir Alex”.
“Të jem i sinqertë, nuk më intereson si i shënoj golat- qoftë nëse shënon nga një metër ose nga gjysma, llogaritet njësoj. Goli është gol”, ka shtuar Hernandez.
Didier Drogba do të mungojë në përballjen e Chelseat ndaj Genkut në Ligën e Kampionëve, pasi i ka larguar vidat nga krahu i tij, të cilin e kishte thyer para Kampionatit Botëror të vitit të kaluar.33-vjeçari do të mungojë në takimin e Ligës së Kampionëve, por edhe në atë ndaj Blackburnut, ku veçmë ishte i suspenduar për shkak të kartonit të kuq ndaj QPR që i kushtoi me tri ndeshje moslojë, dy nga të cilat kanë kaluar.
Konfirmimin për mungesën e sulmuesit nga Bregu i Fildishtë e ka bërë vetë trajneri Andre Villas-Boas gjatë një konference për shtyp.
Mesfushori ofensiv i Real Madridit, Mesut Ozil, mendon se portieri i Los Blancos, Iker Casillas, duhet të jetë fituesi i çmimit prestigjioz, FIFA Topi i Artë.Portieri spanjoll është njëri nga 50 pretendentët për ta fituar trofeun, ndërsa gjermani, i cili po ashtu thuhet të jetë në listë, ka deklaruar se FIFA Topi i Artë duhet t’i takojë gardianit të Mbretërve.
“Casillas ka qenë për shumë vite portieri më i mirë në botë dhe unë do t’ia jepja atij këtë çmim”.
“Ka gjasa të mira që Cristiano Ronaldo ta fitojë atë dhe unë shpresoj që t’ia arrijë”, ka thënë Oezil për bwin.com.
Mbrojtësi i krahut i Liverpoolit, Jack Robinson, është shprehur mjaft i entuziazmuar pasi ka nënshkruar kontratë të re me klubin nga Anfield.“Jam i ngazëllyer. Isha duke shkuar për drekë dhe e pashë Damien (Comollin) që vinte drejt meje. Ai më tërhoqi në një anë dhe më tha se klubi dëshironte të më ofrojë kontratë të re”.
“Nuk kishte dyshim në mendjen time, isha aq i entuziazmuar që klubi më ofronte kontratë”.
“Unë vetëm duhet të vazhdoj të punoj shumë në stërvitje. Unë nuk mund të rri duarkryq me këtë kontratë. Duhet të vazhdoj të përmirësohem dhe t’u tregoj njerëzve se kush jam”, ka thënë 18-vjeçari për faqen zyrtare të Redsave.
Manchester Unitedi duhet të fitojë kundër Otelul Galatit në përballjen e të mërkurës mbrëma në kuadër të Ligës së Kampionëve. Kështu ka ‘urdhëruar’ menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson.“Nuk mendoj se do të ketë shumë ndryshime. Ndoshta dy ose tre, por jo më shumë”.
“Duhet të fitojmë të mërkurën pa dyshim. Ne jemi në shtëpi dhe pres të fitojmë”.
“Nëse e bëjmë këtë, atëherë (kualifikimi) është në dorën tonë kur të luajmë ndaj Benficas në shtëpi”, ka theksuar Sir Alex.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizarreta, e ka lëvduar superyllin argjentinas, Lionel Messi, duke thënë se ai bën më pak gabime se cilido lojtar tjetër.24-vjeçari u kritikua për disa paraqitje pa shënuar gola, ndërsa me het-trikun ndaj Mallorcas, ai dëshmoi se është gjithmonë i gatshëm për të shkëlqyer.
“Messi bën më pak gabime se cilido lojtar tjetër”, ka deklaruar Zubizarreta për Sport.
Ndërkohë, ai ka konfirmuar se Alexis Sanchez do të jetë në dispozicion të trajnerit në takimin e të martës në kuadër të Ligës së Kampionëve kundër Viktoria Plzen.
Përmes një kumtese të lëshuar në faqen zyrtare, Real Madridi ka njoftuar se Kaka dhe Alvaro Arbeloa janë duke u rikuperuar nga lëndime të lehta muskulore.Los Blancos nuk e kanë bërë të ditur kohën e nevojshme për rikuperimin e dy lojtarëve, duke lënë hapësira për spekulime se ata mund të mungojnë në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Olympique Lyonnais.
Realit do t’i mungojë Ricardo Carvalho, ndërsa Esteban Granero është kthyer në stërvitje pasi mungoi gjatë fundjavës që lamë pas.
Samuel Eto‘o thotë se ai nuk është penduar që është larguar nga Interi për t’u transferuar te Anzhi Makhachkala gjatë verës së kaluar.“Shumë njerëz më kanë kritikuar kur zgjodha të largohem nga Italia drejt Rusisë. Megjithatë, jam i bindur se kam marrë vendimin e duhur kur u largova nga Interi”.
“Ndjehem shumë mirë në Rusi dhe nuk kam synim të rikthehem në Evropën Perëndimore”, ka thënë Eto’o.
Edin Dzeko thotë se pavarësisht se Manchester City është lider në tabelën e Ligës Premier, Manchester United është favoriti kryesor për ta fituar garën.“Ëndrra ime është ta fitoj titullin e Ligës Premier. Pasi fituam Kupën FA gjatë sezonit të kaluar, ky është caku ynë. Por ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Ne kemi luajtur 10 ndeshje dhe kemi pesë pikë më shumë se United, dhe për mua ata ende janë favoritë për titull. Ne po zhvillohemi çdo ndeshje, por United është United”.
“Nëntë pikë para Chelseat pas 10 ndeshjesh, është fantastike. Askush nuk e ka pritur këtë, por asgjë nuk ka mbaruar. Nuk është vetëm në mes nesh dhe Man United”, ka thënë Dzeko.
Filippo Inzaghi mund të largohet nga Milani gjatë afatit kalimtar veror, shkruajnë mediat italiane.Sulmuesi veteran, 37-vjeçar, ka dështuar të fitojë minutash të kënaqshëm këtë sezon dhe pritet të mos ofrohet vazhdim i kontratës sezonin e ardhshëm.
Megjithatë Inzaghi mund të kërkojë të largohet vetë para se të detyrohet nga Rossonerët dhe tashmë është duke analizuar ofertat që vijnë nga jashtë.
Veterani raportohet se është duke menduar të vazhdojë karrierën në Major League Soccer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
















