Manchester Unitedi ka shënuar fitore mjaft të rëndësishme prej 2-0 kundër Otelul Galati, për t’u barazuar me Benfican në krye të Grupit C.
Dimitar Berbatov e pranoi topin për të plasuar te Phil Jones, i cili asistoi te Antonio Valencia, ndërsa ky i fundit shënoi golin e parë (8’).

Tre minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (87’), në listën e golashënuesve u regjistrua Wayne Rooney për të vulosur fitoren.

Në takimin tjetër të Grupit C, Benfica ka barazuar me rezultat 1-1 në shtëpi të vet përballë Baselit.

Pas xhiros së katërt, Manchester United dhe Benfica kanë nga tetë pikë, ndërsa në garë për kualifikim është edhe Baseli që ka pesë pikë.
Pas katër fitoresh në katër xhiro, Real Madridi e ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve.
Mbretërit fituan në Stade de Gerland si mysafirë të Lyonit me rezultat 2-0, për të arkëtuar tre pikët që i kualifikojnë tutje.

Cristiano Ronaldo me një supergoditje nga gjuajtja e lirë e përshëndeti portierin Lloris (24’) për epërsinë e parë të mysafirëve.

Portugezi siguroi edhe një penalti pas ndërhyrjes së Dabos, dhe nga pika e bardhë e shënoi golin e 100-të me fanellën e Los Blancos (69’).

Nga ana tjetër, Ajaxi e ka fituar takimin tjetër të Grupit D, duke e mposhtur Dinamo Zagrebin me rezultat 4-0 dhe për t’u bërë pretendenti tjetër për kualifikim nga ky grup.

Pas xhiros së katërt, Real Madridi ka rekord prej 12 pikësh dhe siguron kualifikimin, Ajaxi ka shtatë pikë dhe gjasa reale për kualifikim, ndërkohë që Lyoni me katër pikë duhet të japë maksimumin në dy xhirot e mbetura dhe të presë gabimin e Ajaxit.
Interi duhet të transferojë mesfushorë në janar nëse dëshiron të ketë sukses këtë sezon- ka deklaruar ish-sulmuesi i Juventusit, Gianluca Vialli.
“Interi duhet të transferojë një ose dy lojtarë që t’u ndihmojnë mesfushorëve kur kanë nevojë për mbështetje në këtë repart”.
“Mendoj se Javier Zanetti dhe Esteban Cambiasso po vuajnë dhe ata kanë nevojë për mbështetje në repartin e tyre”, ka deklaruar Vialli për Sky Sport Italia.
Drejtori i Juventusit, Pavel Nedved, beson se Bianconerët janë të aftë që ta mbajnë kreun e tabelës në Serie A.
Zonja e Vjetër është e pamposhtur në nëntë ndeshjet e para kampionale, ndërsa deri më tani i ka mposhtur Milanin dhe Interin.

“Nuk jam i befasuar që Juve është në krye të tabelës. Të gjithë mendojnë se kjo është diçka e pazakontë, por për mua është normale siç ka qenë gjithmonë”.

“Ky sezon është treguar i shkëlqyer për ne deri më tani dhe ne nuk do të ndalemi këtu”, citon La Repubblica fjalët e legjendës çeke.

Nedved ka folur edhe për dikur bashkëlojtarin e tij, Alessandro Del Piero, të cilit i është thënë se në fund të sezonit do të largohet.

“Del Piero nuk po kalon nëpër një situatë të mirë. Një lojtar si ai duhet të luajë gjithmonë. Nuk më pëlqen ta shoh në ulëse ose në bankën rezervë”, ka shtuar ish-mesfushori bardhezi.
Mesfushori i Real Madridit, Mesut Ozil, thotë se Zinedine Zidane e ka këshilluar ta shikojë vetëm formën e tij dhe të mos brengoset për konkurrencën e madhe në klub.
“Unë shpesh flas me Zidane. Ai më thotë tërë kohën: ‘Mesut, ti e di se çfarë je në gjendje të bësh. Dil në fushë dhe luaje lojën tënde, bëje gjënë që di më të mirë të bësh’”.

“Kaka është në formë të mirë për momentin. Kështu, unë nuk luaj çdo ndeshje. Jose Mourinho ka thënë se kushdo që luan mirë, ka vend në formacion”, tha mesfushori me origjinë turke.
Mesfushori gjenial i Dortmundit, Mario Goetze, ka thënë për mediat gjermane se ai nuk e përjashton një kalim te Bayerni i Munichut në fund të sezonit, përkundër interesimit të Interit dhe Arsenalit për të.
“Viti i ardhshëm është ende larg. Kush e di se çfarë ndodh nëse përfundojmë në vendin e katërt? Ndoshta do të lëndohem? Ndoshta gjërat shkojnë mirë? Unë kam planifikuar qëndrimin tim këtu për një kohë të gjatë”.

“Është e qartë që kam dizajnuar një plan me agjentin tim Volker Struth. Ai thotë qartë që unë gjithmonë do të luaj në Ligën e Kampionëve. Ajo është më me rëndësi për mua. Por, askush nuk e di çfarë ndodh në muajt apo vitet në vijim”, ka thënë Goetze.
Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, ishte shumë pranë kalimit te gjiganti italian Juventusi në vitin 2008, para se të transferohej te Barcelona.
Babai i spanjolli, Joan Pique ka pohuar se kishte bisedime me Juventusin për një transferim, por lojtari kërkoi të transferohej te Barcelona.

“Gerard ishte shumë pranë bashkimit me Juventusin, para se ai të nënshkruante për Barcelonën”, theksoi Joan Pique.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka akuzuar kritikët për fushatën kritikuese ndaj klubit dhe në veçanti Lionel Messit.
“Komentet për Messin janë pjesë e cirkusit të futbollit. Ata duan të na destabilizojnë dhe shpresojnë se komentet e tyre do të na dëmtojnë”.

“Është e çuditshme se pse aq pak penalti jepen për Messin kur ai rrëzohet në zonë. Të gjithë e dinë se ai nuk aktron”, ka thënë presidenti i Barcës.
Interi është duke inkurajuar Manchester Unitedin dhe Chelsean për të bërë oferta për holandezin Wesley Sneijder në janar.
Sportmediaset thotë se gjiganti italian që është në krizë të thellë po stimulon shitjen e Sneijder për të filluar rindërtimin e ekipit.

Interi po shpreson të fitojë së paku 30 milionë funte nga ky transfer ku ka të interesuar e ndër të cilët është edhe Sir Alex Ferguson. Me këto të holla, Nerazzurët mund të sjellin një sërë emrash të cilët po lakohen kohëve të fundit nëpër qarqet e klubit zi-kaltër.
Ish-sulmuesi i Juventusit, David Trezeguet, është i bindur se Juventusi mund ta fitojë titullin këtë sezon.
“Unë e shikoj për së afërmi Juventusin dhe mund t’iu them se titulli në Serie A për Bianconerët është qëllim realist”.

“Antonio Conte po bën punë të mirë si trajner dhe Andrea Pirlo po e bën diferencën në mesfushë. Pos tjerash, rivalët tjerë bënë start të keq”, theksoi ‘Trezegol’.
Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva, ka thënë se pas fitores së lartë ndaj Manchester Unitedit ai beson se ‘sheikët’ mund ta fitojnë titullin.
“Sa për fitoren tonë ndaj Unitedit, ajo ishte e pa besueshme. Natyrisht, sfida jonë ishte ta fitonim atë takim. Por, askush nuk po e beson ende se ishte 6-1. Ishte ditë historikë, një të cilën do ta kujtoj me vite”.

“Zhveshtorja ishte tërë kohën duke festuar, edhe pse ishim të qetë për situatën tonë. Është rrugë e gjatë për t’u bërë dhe ende nuk e kemi fituar titullin. Por, pesë pikë dallim janë shumë”, tha Silva.
Mesfushori i Interit, Thiago Motta, ka fajësuar veten dhe bashkëlojtarët për krizën e thellë nëpër të cilën po kalon klubi zikaltër.
“Mendoj se jemi ne të vetmit ata që duhet të fajësohemi për situatën. Ne duhet të jemi në gjendje të luajmë mirë nga fillimi dhe jo të vuajmë e më pas të kërkojmë zgjidhjen”.

“Mendoj se ndeshja ndaj Lille mund të ndikojë në krizën tonë në Serie A”, theksoi Motta.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, i cili shënoi het-trik në sfidën ndaj Bate Borisov duke arritur në shifrën e 200 golave për katalanasit thotë se tash e tutje atij nuk do t’i interesojnë rekordet tjera.
“Unë jam i kënaqur me lojën që bëra, rezultatin dhe faktin që arrita 200 gola për Barcelonën, por më shumë jam i kënaqur për rezultatin”.

“Ishte ndeshje e vështirë për shkak të fushës, pasi ata bënë presion dhe bënë ndërhyrje të pa lejuara, edhe pse ne luajtëm mirë”, tha Messi, të cilit i duhen vetëm edhe 33 gola për ta arritur rekordin e Cesar që është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës me 235 gola.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho ka deklaruar se një ditë ai duhet të zgjedhë mes sulmuesve Gonzalo Higuain dhe Karim Benzema, që njëri prej tyre të jetë titullar në çdo takim.
“Me numrin e ndeshjeve të luajtura, një rotacion i tillë është i mirë për ekipin dhe lojtarët. Higuain dhe Benzema janë në top formë, po luajnë mirë”.

“Do të vijë momenti kur unë do të duhet të vendosi dhe këtë do ta bëj pa ndonjë problem. Do të mendoj shumë dhe do të marr parasysh pasojat. Ata dy mund të luajnë bashkë pa problem…por në këtë moment ekipi po luan mirë dhe ata kanë gjetur baraspeshën. Unë kam biseduar me të dy dhe të dy e kanë pranuar se po luajnë për të mirën e ekipit”, ka thënë portugezi.
Milani ka bërë të ditur me anë të një komunikate zyrtare se testet kanë zbuluar se Antonio Cassano po vuan nga një traumë cerebrale dhe për këtë duhet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik.
Cassano ishte dërguar në spital pas sulmit nervor që besohet ta ketë pësuar sulmuesi rrugës për t’u kthyer drejt Milanos nga Roma.

“Milani sipas raporteve mjekësore të poliklinikës në Milano, bën të ditur se Antonio Cassano ka pësuar një dëmtim cerebral. Në ditët në vijim lojtari do t’i nënshtrohet operimit të vogël kardiak. Koha e rikthimit të tij në fushë nuk dihet ende, por do të definohet pas operacionit”, shkruan në komunikatën e Milanit.
Ylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se ai ende nuk e ka pranuar DVD-në me momentet më të mira të karrierës së Peles.
Pele deklaroi se ai do t’ia dërgojë pamjen e momenteve të tij më të mira pasi argjentinasi zbuloi se ai kurrë nuk e kishte parë legjendën braziliane duke luajtur, por Fituesi i Topit të Artë për vitin 2010 ende nuk e ka marrë DVD-n e premtuar.

“Do të doja ta shoh Pelen në aksion, por ai ende nuk ma ka dërguar DVD-në e golave të tij. Çdokush thotë se ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm, por nuk mund të krijoj një opinion pa e parë atë duke luajtur”, ka thënë Messi për France Football.
Pep Guardiola ka shprehur ngazëllimin pas kualifikimit të ekipit të tij për në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve, pas fitores 4-0 ndaj Viktoria Plzen.
“Gjëja më e rëndësishme është se ne kemi kaluar në fazën e ardhshme dhe është e qartë se në ndeshjen e ardhshme kundër Milanit do të luftojmë për kreun e grupit”.

“Ne jemi shumë të kënaqur që tashmë jemi në rundin e ardhshëm me edhe dy ndeshje të mbetura. Gara evropiane nuk është e lehtë, veçanërisht në këtë stad të sezonit”.

“Është normale që të mos i nënvlerësoni kundërshtarët, por në këtë nivel duhet shumë mund. Vetëm shikoni në Milanin që luajtën (1-1) ndaj BATE. Gjithmonë është vështirë dhe duhet të them se në të kaluarën, Kazan dhe Kiev ishin leksione të mira për mua”, ka thënë Guardiola, i cili shënoi ndeshjen e 200-të jubilari si trajner i Barcelonës.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, shpreson se Rossonerët do të vazhdojnë garën në rundin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve si të parët në grupin H.
Milani mbrëmë barazoi 1-1 kundër Bate Borisov dhe humbi kreun e grupit ndaj Barcelonës që fitoi 4-0 ndaj Viktoria Plzen. Por Galliani mendon se ata ende kanë shanse të përfundojnë të parët në grup, duke mposhtur Barcelonën.

“Ne nuk i shfrytëzuam rastet që i krijuam. Kur ju jeni në avantazh me një gol të vetëm, gjithçka mund të ndodhë. Mund t’ia kishim dalë më mirë”.

“Tash do të duhet të fitojmë kundër Barcelonës. Ende ka shpresa që ne të mund të kryesojmë grupin. Tetë pikë janë mirë. Më 23 nëntor do të mundohemi ta mposhtim Barcelonën”, ka thënë Galliani.
Ish-menaxheri gjeneral i Real Madridit, Arrigo Sacchi, mendon se zhvillimi i Cristiano Ronaldos ka ngecur.
“Messi është një diamant në formën më të praruar, Cristiao Ronaldo, sërish, është një lojtar i jashtëzakonshëm, por ai nuk rrezaton të njëjtën ndjenjë si Messi”.

“Cristiano Ronaldo është një lojtar i shkëlqyeshëm, por kohëve të fundit nuk është përmirësuar aq shumë sa Messi. Ndoshta ai ka humbur entuziazmin. Nuk e di...”, ka thënë Sacchi.
Milani është dashur ta sigurojë fitoren ndaj BATE Borisovit kur i pati shanset, e jo t’u jepte mundësi bjellorusëve që ta barazonin rezultatin- ka thënë trajneri i Rossonerëve, Massimiliano Allegri.
Kuqezinjtë krijuan epërsi përmes Zlatan Ibrahimovicit, i cili pati edhe shumë raste tjera për të shënuar, ndërsa BATE reagoi në pjesën e dytë për të marrë një pikë nga takimi i Grupit H.

“Humbëm shumë shanse për të shënuar në gjysmën e parë”, ka thënë Allegri për Sky Sport Italia, duke shtuar se nëse dështon që ta përfundosh ndeshjen me kohë, atëherë rrezikon të japësh penalti, goditje nga këndi etj.

“Është turp, sepse është dashur ta fitonim këtë ndeshje. Në gjysmën e parë luajtëm mirë, por ne vazhdonim të humbnim rastet tona”, ka shtuar trajneri.
Legjenda braziliane, Ronaldo, ka deklaruar se do të ishte një realizim ëndrre nëse ylli i Santosit, Neymar, do ta fitonte FIFA Topin e Artë këtë vit, ndërsa ka theksuar se lojtari do të vlerësohej më shumë po të luante te Real Madridi.
Braziliani 19-vjeçar është në listën e ngushtë të nominimeve për trofeun e çmueshëm, ndërsa Ronaldo është i bindur se Neymar mund të arrijë shumë më tepër në futboll po të luajë në ndonjë ligë të Evropës.

“Është e pamundur të bëjmë krahasime, por, sipas mendimit tim, nëse ai do të luante si ka luajtur gjatë vitit të kaluar me fanellën e Realit, ai do të ishte në top-treshe”, ka shkruar ‘Fenomeni’ në Twitter.
Takimi i vlefshëm për Grupin F i zhvilluar në Emirates, ndërmjet Arsenalit dhe Marseille, ka përfunduar me rezultatin e fillimit të ndeshjes.
Ky rezultat i ka pozicionuar njëra pas tjetrës këto dy skuadra me një pikë diferencë- Arsenali ka tetë pikë, ndërsa Marseille shtatë.

Në takimin tjetër të Grupit F, kampioni i Gjermanisë, Borussia Dortmund, ka shënuar fitore minimale përballë grekëve të Olympiakos Piraeus.

Këto dy skuadra gjenden në dy vendet e fundit të grupit. Dortmundi ka katër pikë, derisa Olympiakosi tre pikë.
Përkundër epërsisë në gjysmën e parë, skuadra e Chelseat është kënaqur me vetëm një pikë në përballjen si mysafir i Genkut.
Blutë ishin të parët që shënuan me anë të Ramires, i cili realizoi me ndihmën e Fernando Torres (26’).

Pesë minuta pa u mbyllur pjesa e parë u akordua penalti në favor të mysafirëve, mirëpo goditjen e David Luiz e mbrojti portieri Laszlo Koteles.

Në gjysmën e dytë, vendasit arritën që të shënonin një gol për të marrë një pikë nga ky takim, ndërsa realizues ishte Jelle Vossen (61’).

Në takimin tjetër të Grupit E, Valencia e ka mposhtur Bayer Leverkusenin me rezultat 3-1.

Pas xhiros së katërt, në këtë grup prin Chelsea me tetë pikë, Leverkuseni ka gjashtë, ndërsa Valencia pesë pikë.
Barcelona ka regjistruar fitore të lartë prej 4-0 si mysafir i Viktoria Plzen, ndërsa tre gola mbajnë firmën e Lionel Messi.Ndërhyrja e Cisovskyt në argjentinasin u dënua me karton të kuq dhe penalti, ndërsa nga njëmbëdhjetëmetërshi Lionel Messi shënoi golin e tij të dyqind me fanellën blaugrane (22’).
Në minutat shtesë të gjysmës së parë (45’+2), 24-vjeçari shënoi edhe golin e dytë për mysafirët pas asistimit të Adrianos.Në gjysmën e dytë, Cuenca e gjeti me një harkim Cesc Fabregasin, i cili e ngriti epërsinë në 3-0 (72’).
Ishin minutat shtesë të takimit (90’+2), kur Lionel Messi kompletoi het-trikun e tij me ndihmën e Gerard Pique.
Kjo fitore e pozicionon Barcelonën në krye të Grupit H duke e siguruar kështu kualifikimin në fazën e eliminimit direkt, ndërsa ka dy pikë diferencë nga Milani që barazoi përballë BATE Borisovit.
Lionel Messi e ka shënuar golin e tij të 200-të me fanellën e Barcelonës në përballjen e të martës mbrëma ndaj Viktoria Plzenit në Pragë.
Messi e shënoi golin e 200-të nga penaltia (24’), ndërsa në vijim regjistroi edhe golin e 201-të (45’+2) dhe golin e 202-të (90’+2) për Blaugranët.

Argjentinasi kryesoi titujt e gazetave sportive kur kaloi rekordin e Ladislao Kubalas prej 194 golash, duke u bërë golashënuesi i dytë më i mirë i Barcës i të gjitha kohërave.

Ndërsa tani, 24-vjeçari do të kërkojë ta thyejë edhe rekordin e Cesar Rodriguez prej 235 golash.