Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, ka deklaruar se ndeshja e të dielës kundër Napolit nuk do të jetë vendimtare në garën për titull, pasi mendon se ende është herët të flitet për ndeshjet vendimtare.
“Më duket e paarsyeshme të flasim për Napoli-Juventus si një ndeshje vendimtare. Është një ndeshje e rëndësishme që mund t’i japë vetëbesim atij që fiton, por le të mbajmë mend se është ende vetëm ndeshja e 10të e kampionatit”.

“Ne kemi pasur një fillim të mirë, pa dyshim. Por ne po ashtu kemi pasur një start premtues edhe vitet e kaluara. Tash duhet të mbajmë këmbët në tokë. Ne mund të jemi të kënaqur si grup. Të jemi konkurrentë është ndryshe se të thuash se duhet ta fitojmë Skudetton, por po ashtu ndryshe edhe se të përfundosh i shtati sërish”, ka thënë njëshi i kombëtares italiane.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi, është një tjetër lojtar i cili mendon se Real Madridi është përmirësuar këtë sezon krahasuar me edicionin e kaluar.
“Real Madridi ka përforcuar ekipin shumë mirë gjatë verës. Ata synojnë t’ia dalin më mirë se sezonin e kaluar dhe po e bëjnë këtë”.

“Ata janë zhvilluar shumë që nga muaji gusht dhe janë një ekip më i mirë se sezonin e kaluar”, ka thënë Messi për Marca.

Megjithatë Messi mendon se edhe Barcelona ka bërë hapa të ngjashëm dhe është më e mirë këtë sezon.
Agjenti i sulmuesit të Manchester Cityt, Mario Balotelli, beson se një transferim i tij te Napoli mund të ndodhë në të ardhmen.
“Mario ka marrë komplimente muajin e kaluar pasi po bëhet një lojtar i rëndësishëm për gjithë ekipin, jo vetëm për shkak të golave, por edhe për shkak të asistimeve dhe ëshë duke u vlerësuar.

“Për mua, Balotelli mund të bëhet një nga top tre lojtarët në botë, ai po piqet si lojtar dhe kjo i ndihmon atij”, ka thënë Raiola.

Superagjenti po ashtu ka zbuluar se klienti i tij ka dëshirë që një ditë të rikthehet në gadishull dhe të luajë për Napolin.

“Mario e pëlqen Cityn. E ardhmja me Napolin? Napoli ka një audiencë që është aq e mrekullueshme sa gjithkush do të dëshironte të luajë për ata njerëz. Dallimi krijohet nga publiku – Ibrahimovic po ashtu më ka thënë se dëshiron një ditë të veshë fanellën blu. Mario më ka përmendur disa herë se dëshiron të vijë dhe të luajë në Napoli”.

Por dua ta qartësoj dhe ta përsëris se nuk ka shanse që në katër vitet e ardhshme Mario të luajë me Napolin”, ka shtuar Raiola.
Juventusi është duke krijuar fonde të reja me qëllim që të bëjë ofertë për anësorin e Manchester United, Nani.
Zonja e Vjetër ka një buxhet të ri pasi ka nënshkruar marrëveshje të re sponsorizuese me Hanwha Group dhe menaxheri Antonio Conte është duke bërë një listë të re të blerjeve.

Nani raportohet se është i pari në listën e Biankonerëve. Një emër tjetër që është duke u menduar nga Juventusi është edhe anësori i Totteham, Gareth Bale, edhe pse për të dy lojtarët të interesuar janë edhe dy rivalët, Inter dhe Milani.
Legjenda e Manchester United, Paul Ince, mendon se Manchester City tash është një nivel më lartë se rivalët e tyre.
“Urrej ta them por Manchester City është më i fuqishëm për momentin. Në fillim të sezonit, United ishte në një formë drithëruese, vërtet luante një futboll shumë të mirë. Ata duket se kanë humbur ca, por Man City duket se ka ecur përpara”.

“I kam shikuar ata kundër Villarrealit, që kurrë nuk është një vend i lehtë për të udhëtuar, dhe ata absolutisht i dërmuan ata. Ju krahasojeni këtë me Manchester United që vuajti [kundër Otelul Galati] dhe Manchester City që përfundimisht është ngritur më lart për momentin”, ka deklaruar Ince.
Malaga raportohet se është e interesuar në sulmuesin e ri të Chelseat, Romelu Lukaku.
Gjiganti spanjoll shpreson ta huazojë Lukakun gjatë afatit kalimtar të janarit dhe klubi spanjoll është në resht të parë për të shfrytëzuar shansin.

Lukaku, 18-vjeçar, ka startuar vetëm dy ndeshje për klubin londinez – që të dyja në Kupën Carling – pas transferimit të tij nga Anderlecht gjatë verës që i kushtoi Chelseat 18 milionë funte.
Los Angeles Galaxy ka mposhtur ekipin e New York Red Bulls me rezultat të përgjithshëm 3-1 nga të dyja ndeshjet, për të arritur në finalen e Konferencës Perëndimore të kampionatit amerikan të futbollit, kundër Real Salt Lake.
Me një gol disavantazh nga ndeshja e parë, New York u duk se do të këndellet pasi shënoi në Home Depot Center të Los Angelesit me anë të Luke Rodgers pas vetëm katër minutash lojë. Megjithatë, golat nga Mike Magee dhe Landon Donovan i dhanë fitoren 2-1 ekipit vendas dhe eliminuan Red Bulls-at nga gara e mëtejme.

Për New York Red Bull luajnë edhe dy ish-lojtarët e Barcelonës, Thierry Henry dhe Rafael Marquez, derisa për Los Angeles Galaxy spikatin emrat e David Beckham, Robbie Keane dhe Landon Donovan.
Mbrojtësi i Juventusit, Stephan Lichtsteiner, mezi pret ndeshjen e vikendit kundër Napolit në Serie A, por ka paralajmëruar se kjo nuk do të jetë një sfidë e lehtë për Zonjën e Vjetër.
Zvicerani do të vizitojë disa miq të tij në stadiumin San Paolo, pasi do të ketë përballë dy bashkëlojtarët e përfaqësueses së Zvicrës, shqiptarin Blerim Dzemaili dhe turkun Gokhan Inler, të cilët luajnë për Napolin.

“Ne e dimë se të dielën mbrëma do të jetë tepër vështirë. Ne do të përballemi me ekipin më të fuqishëm, por ne jemi në formë dhe shpresojmë të jemi në gjendje të luajmë mirë dhe të nxjerrim pikë”.

“Më jep kënaqësi të luaj kundër bashkëlojtarëve të mi si Inler dhe Xhemaili. Megjithatë fitorja është e gjitha çfarë më intereson”, ka thënë Lichtsteiner.
Yaya Toure ishte i ngazëllyer me dy golat e shënuar në fitoren 3-0 të Manchester Cityt ndaj Villarrealit në Ligën e Kampionëve.
“Është fantastike. Është hera e parë që shënoj dy gola në një ndeshje, por më i rëndësishëm është rezultati dhe ajo çfarë ekipi bën dhe jam shumë i lumtur me rezultatin. Çdokush po ia del mirë dhe çdokush është i kënaqur”.

“Villarreali është një ekip fantastik. Ne e dimë se atyre iu mungonin disa lojtarë të rëndësishëm, por gjithmonë është vështirë kundër tyre. Më e rëndësishme për ne është të fitojmë dhe ekipi po ia del mirë, duke luajtur çdo tre ditë”, ka thënë Toure.
Menaxheri i Liverpoolit, Kenny Dalglish, dëshiron një përfundim përplasjet në mes të Luis Suarez dhe Patrice Evra.
Kanë kaluar tashmë tre javë që kur mbrojtësi i Manchester United, Patrice Evra, tha se Suarez e kishte ofenduar në baza racore disa herë gjatë barazimit 1-1 në Anfield, por uruguaiani ka mohuar gjithçka.

Pavarësisht hetimeve nga Federata Angleze Futbollit (FA), ende nuk ka një konkluzion nëse supozimet e Evra janë të vërteta ose vetëm trillime të tij.

“FA ka qenë këtu dhe ka folur me ne. Filozofia dhe dëshira jonë nuk ka ndryshuar, ne duam që kjo të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur dhe duam që fajtori të dënohet”, ka thënë Dalglish.
Mesfushori i Chelseat, Michael Essien, mund të rikthehet në fushë më herët se që është pritur, pas operimit në gju.
Essien ishte parashikuar të qëndrojë jashtë fushe për gjashtë muaj pasi kishte dëmtuar një ligament të këmbës në korrik, por mund të kthehet para vitit të ri.

“Essien po bën progres të mirë. Ne shpresojmë [ai të rikthehet] në fund të dhjetorit, mendoj”, ka thënë trajneri i Bluve, Andres Villas-Boas.
Mbrojtësi legjendar veteran, Roberto Carlos që mbron ngjyrat e Anzhi Makhachkalës, ka deklaruar se pronarët e klubit rus janë interesuar për Lionel Messin dhe Neymar.
Në një intervistë për CNN, i pyetur nëse transferi i Messit është i pamundur, Carlos tha: “Po, por ju nuk e njihni ende Suleyman Kerimovin (pronarin e klubit).

“Unë nuk transferoj lojtarët e mëdhenj. Unë vetëm jap emrat e tyre. Në janar apo gjatë verës mund të shohim një deri në dy transferime të mëdha të cilat do të trondisin botën”, tha Carlos.
Mbrojtësi i Bayernit të Munichut, Holger Badstuber, ka reaguar pas përjashtimit të tij në ndeshjen ndaj Napolit, duke thënë se italianët nuk luajnë aspak fer.
“Gjyqtari nuk i ka pasur gjërat nën kontroll në pjesën e fundit të lojës. Madje në goditjen e lirë para golit për 3-2 ai gaboi”.

“Italianët janë nga natyra gjaknxehtë. Nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, ata fillojnë të luajnë pistë dhe kërkojnë kontakt”, tha Badstuber.