Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, ka shprehur dëshirën e tij dhe qëllimet për të qëndruar një kohë të gjatë te Liverpooli.
“Unë sapo kam filluar një fazë në karrierën time të cilën e kam ëndërruar një kohë të gjatë dhe e cila është të luaj për Liverpoolin”.

“Unë kam pesë vite të mbetura në kontratën time dhe mendoj përtej asaj, tani po mendoj edhe për më shumë vite te Liverpooli. Është klub që më pëlqen. Unë ndihem mirë këtu. Ndihem shumë i kënaqur. Do të ishte vështirë të kem urinë e njëjtë, atmosferën e njëjtë në klube tjera sikurse te Liverpooli”, u shpreh Suarez.
Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben ka thënë se ai nuk nxitohet që të rikthehet në fushë pas lëndimit të pësuar.
“Gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur, por duhet të jem ende i duruar”.

“Më duhet të rikthehem në formën më të mirë dhe nuk jam duke u nxituar. Unë nuk dua të vë presion mbi veten duke caktuar një datë për t’u rikthyer”, u shpreh Robben.
Mesfushori i Real Madridit, Kaka, ka pranuar se ai nuk e ka menduar kurrë rikthimin te Milani, përkundër krizës së tij te klubi mbretëror.
“Unë kam ndjesi të mëdha për Mianin dhe Sao Paulon, por unë dua ta bëj të qartë se dua të luaj për Real Madridin”.

“Unë kam pasur probleme me lëndimet vitin e kaluar, por në asnjë moment nuk e kam menduar rikthimin te Milani. Unë bisedova me Adriano Gallianin dhe unë gjithmonë kam thënë se dua të vazhdoj të luaj për Real Madridin”, potencoi Kaka.
Sulmuesi legjendar i Arsenalit, Therry Henry mendon se kontributi i Arsene Wenger te Arsenali po harrohet shumë shpejt dhe po nëpërkëmbet.
“Në ditën kur ai do të largohet nga Arsenal, njerëzit do ta kuptojnë se çfarë ka bërë ai për klubin. Është gjithmonë lehtë të kritikosh, por a mund të gjeni më të mirë se Wenger?”.

“Nuk ka qenë lehtë për Wengerin. Shpresoj me gjithë zemrën time që ai të fitojë një trofe. Dy ekipet nga Mançesteri do ta bëjnë të vështirë këtë, por edhe njëherë, mos harroni atë që ka bërë Wenger te Arsenali. Është gjithmonë lehtë të gjykosh në futboll në moment”, deklaroi Henry.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri ka marrë lajme shumë të mira nga stafi mjekësor para sfidës ndaj Fiorentinës që zhvillohet më 19 nëntor, pasi Alexandre Pato iu është rikthyer stërvitjeve.
Braziliani është jashtë fushave nga shtatori me një lëndim në kofshë dhe Rossonerët tani kanë konfirmuar se Pato është riaftësuar plotësisht.

22 vjeçari rikthehet në momentin e duhur për kuq e zinjtë pasi Antonio Cassano do të mungojë disa muaj për shkak të operimit në zemër.
Ish-ylli i Arsenalit, Cesc Fabregas thotë se ai po e shfrytëzon përvojën e tij nga futbolli anglez për ta përmirësuar Barcelonën.
“Te Arsenali, unë shpesh e kam përkrahur Van Persien dhe tani po e bëj të njëjtën gjë te Lionel Messi dhe David Villa”.

“Unë mësova aq shumë te Arsenali sa që është mirë ta shfrytëzoj atë përvojë në Spanjë. Ndeshjet sikurse të dielën në Bilbao, ku fusha ishte e lagur, kanë nevojë për forcën e futbollit anglez”, u shpreh Cesc.