Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger ka shfrytëzuar rastin që në mungesë të ndeshjeve me klubin e tij, të flasë për futbollin në përgjithësi, duke thënë se teknologjia po i ndihmon futbollit.“Futbolli është pastruar sepse ishte shumë më i ndyrë 25 vite më parë. Është më i pastër sot, sepse gjithçka në Evropë shikohet. Më kujtohet të kem luajtur disa ndeshje në udhëtim 25 vite më parë dhe nuk ishte gjithçka e pastër, pasi nuk kishte inçizime”.
“Futbolli është më i pastër sot dhe lojtarët njohin njëri-tjetrin më mirë. Kur unë isha trajner i ri në futboll, ishte më i lokalizuar dhe jo aq i globalizuar. Njerëzit nuk e kanë njohur njëri-tjetrin dhe urryen njëri-tjetrin më shumë sepse nuk ishin nga i njëjti vend”.
“Sot, edhe në derbit më të rëndë ju keni njerëz të cilët përshëndeten para takimit, një gjë që nuk ka ndodhur 25 vite më parë. Urrejtja para ndeshjeve të mëdha atëkohë ishte më e madhe. Kjo ka ndryshuar”, ka thënë francezi.
Ish-trajneri i Milanit dhe Chelseat, Carlo Ancelotti ka refuzuar ofertën e klubit francez Paris Saint-Germain.Italiani është akualisht pa punë pas largimit nga Chelsea verën e kaluar dhe duket se atij nuk i ka lënë përshtypje një kalim në kampionatin francez ku do të punonte përkrah drejtorit të PSG, Leonardos.
Në refuzimin e ofertës nga Ancelotti ka ndikuar synimi i tij për t’u rikthyer në Ligën Premier.
Vëllaznimi ka shënuar fitore të madhe me rezultat 2-1 para tifozëve të vet në Gjakovë në derbin e kësaj jave të zhvilluar ndaj Dritës, duke ashpërsuar kështu luftën për titull të kampionit.Ishte ky një takim shumë i mirë, një sfidë tejet mirë e organizuar e cila na lejon të shpresojmë për ndonjë anëtarësim në asociacionet ndërkombëtare të futbollit, edhe pse në fund hija e mirë e takimit u zhduk nga disa tensione të cilat u shoqëruan me incidente të vogla.
Vendasit e dominuan këtë takim, por pjesa e parë u mbyll pa gola.
Në pjesën e dytë takimi vetëm sa filloi e u bë më interesant. Fatih Karahoda realizoi me kokë për epërsinë e parë të gjakovarëve në këtë sfidë (66’).
Mirëpo në vazhdim Drita nuk dorëzohet dhe Semir Ramizi realizoi golin më të mirë të sezonit nga diku rreth 17 metra, me anë të një goditje të jashtëzakonshme (80’).
Sidoqoftë, për të zhdukur heshtjen në stadium përsëri u përkujdes Fatih Karahoda që pas një harkimi të bukur shënoi me kokë për 2-1 dhe fitoren e madhe të Vëllaznimit – tërmet në Gjakovë. Në fund të takimit kishte tensione dhe me karton të verdhë u ndëshkua Ermir Nikoliqi i cili zvarriti lojën gjatë zëvëndësimit në minutat e fundit.
Me këtë fitore Vëllaznimi mban shpresat për titullin e parë pas 22 viteve dhe ngjitet në kuotën e 29 pikëve, po aq sa ka edhe Drita në pozitën e dytë, ndërsa Prishtina mbetet lidere me 30 pikë pas barazimit pa gola me Trepçën të shtunën.
Reprezentuesi i Spanjës, Juan Mata është i mendimit që kombëtarja spanjolle nuk ka humbur asgjë në disfatën minimale ndaj Anglisë.“Ekipi ynë nuk e ka humbur identitetin. Ne tentuam të luajmë në mënyrën që dimë më së miri dhe tentuam të shënojmë, por ata shënuan me rastin e tyre të parë”.
“Anglia nuk na befasoi pasi e dimë se ata do të jenë ndër favoritët për Euro 2012. Ne e dimë se miqësoret tona nuk shkuan si duhet, por në ndeshjet zyrtare ishim shumë më të mirë”, tha Mata.
Portieri i Spanjës, Iker Casillas ka deklaruar se fitorja e Anglisë në miqësoren ndaj Spanjës është e pa drejtë, pasi ai mendon se bashkëlojtarët e tij kanë luajtur më mirë.“Është vërtet keq që nuk arritëm të fitojmë. Kjo më lë me shije të hidhur sepse për mendimin tim, nuk ishte rezultat i drejtë. Ne krijuam më shumë raste se sa Anglia, që e shfaqën fuqinë në ndërprerje”.
“Pos ndërprerjeve, nuk e di nëse kanë krijuar diçka tjetër gjatë gjithë takimit. Ndeshjet të cilat i kemi pasur të vështira kanë qenë ndaj kundërshtarëve që luajnë lojë të fortë dhe vrapojnë e i mbajnë gjërat të ngushta në terren”, tha Casillas.
Reprezentuesi i Portugalisë, Cristiano Ronaldo ka sqaruar gjestin e tij fyes me gishtin e mesëm drejtuar tifozëve boshnjakë.“Të gjithë po flisnin keq për mua, por pse njerëzit nuk kritikojnë laserët të cilët ishin drejtuar kah sytë e mi. Ata u sollën në një mënyrë në të cilën është dashur të sillem unë në mënyrën time”.
“Unë kam tentuar të mbes i qetë, pasi e kam ditur se agresiviteti do të reflektohej edhe gjatë ndeshjes dhe do të ndëshkohesha po që se do të reagoja ndaj tyre”, potencoi Ronaldo.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho mendon se tashmë e ka kompletuar transferimin e përforcimit të quajtur Karim Benzema, pasi sipas tij forma e tanishme e sulmuesit francez është ajo që po e kërkonte prej dy vitesh.“Mendoj se Benzema është përmirësuar totalisht, pasi tash është më i fortë fizikisht dhe mentalisht”.
“Tani ai e kupton më mirë lojën. Ne e dimë se çfarë është loja e tij sulmuese, por ai është përmirësuar edhe ne fazën defensive. Tani, për mua, ka filluar të luajë Benzema i vërtetë për Realin”, deklaroi Mourinho.
Manchester United pritet të përballet me gjigantët italianë në betejën për të mbajtur në ekip anësorin Nani.Sunday Mirror shkruan se Interi, Juventusi dhe Milani do të tentojnë të joshin portugezin për t’u larguar nga Old Trafford, ku ai ka edhe dy vite kontratë.
Mediat italiane besojnë se Nani mund të largohet nga Old Trafford vetëm në rast të ndonjë oferte prej 30 milionë funtesh.
Nani ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me klubin nga Old Trafford në mars të vitit 2010, por është larg prej përfituesve më të mëdhenj në klub.
Fituesi i Euro 2004 me Greqinë, strategu gjerman Otto Rehagel është favorit për t’u emëruar përzgjedhës i kombëtares shqiptare.Mediat shqiptare raportojnë se Rehagel do të fillojë së shpejti bisedimet kontraktuale, pasi situata në kampin kuq e zi nuk duket fare e mirë.
Edhe pse ky strateg i ka dhënë suksese të mëdha Greqisë, kjo duket të mos jetë problem i madh për FSHF-në që më në fund ka vendosur të punësojë një trajner me renome dhe përvojë në kompeticione të mëdha.
Drejtori i Juventusit, Giuseppe Marotta ka thënë se klubi është duke pritur një raport zyrtar për largimin e Arturo Vidal nga kampi i kombëtares së Kilit, për të marër ndonjë vendim të mëtutjeshëm disiplinor ndaj lojtarit.Vidal, Jorge Valvidia, Jean Beausejou, Gonzalo Jara dhe Carlos Carmona e kanë shijuar largimin nga kombëtarja e Kilit nga trajneri pasi u vonuan 45 minuta në stërvitje.
“Kur të verifikojmë se çfarë ndodhi do të vendosim se çfarë vendim do të marrim. Vidal rrezikon të dënohet. Për çdo rast, ne po presim për një raport të detajizuar për atë që ndodhi”, u shpreh Marotta.
Ish-trajneri i Barcelonës, Patrick Kluivert mendon se futbolli i Barcelonës është nga një botë tjetër, pasi është një stil të cilin askush nuk mund ta imitojë, gjë që është dhe arsyeja prapa suksesit të tyre.“Mënyra se si Barcelona luan është impresive. Futbolli të cilin ata e luajnë është nga një botë tjetër. Unë kam luajtur me Xavin, Puyolin dhe Iniestan, të cilët ishin baza e ekipit”.
“Kur unë isha atje, ata ishin të rinj, ndërsa jam krenar që po i shoh tani duke grumbulluar titujt”, u shpreh Kluivert.
Përzgjedhësi i Spanjës, Vicente Del Bosque, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve të tij ndaj Anglisë, duke thënë se ekipit i mungoi vetëm goli.“Nuk është rezultat pikëllues, pasi besoj se ekipi bëri gjithë atë që ka mundur”.
“Ekipi im luajti futboll të mirë dhe kemi pasur shumë raste shënimi, por në fund thjesht nuk kemi mundur të shënojmë. Ne luajtëm shumë mirë dhe kemi bërë presion deri ne fund. Anglia luajti mirë, dhe shënoi në rastin e vetëm”, tha Del Bosque.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello ka deklaruar se nëse albionët dëshirojnë të kenë sukses në Euro 2012, atëherë duhet të ekzistojë besim më të madh në lojtarët e rinj.“Këta lojtarë do të jenë shumë të rëndësishëm për evropianët e radhës sepse e keni parë se sa pa frikë dhe me sa personalitet luajtën. Fizikisht dhe teknikisht unë shoh se ata janë të mirë për të luajtur edhe me seniorët”.
“Ndaj Spanjës ishte e vështirë sepse cilësia e Spanjës është fantastike, kështu që është me rëndësi të mposhtni kampionët e evropës”, u shpreh Capello.
Xhamajkani Usain Bolt dhe australiania Sally Pearson janë atletët më të mirë të vitit, sipas Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF).Kjo është hera e tretë që Bolt e merr këtë epitet, pasi e ka fituar edhe në vitet 2008 dhe 2009, ndërsa për Pearson është hera e parë që i gëzohet këtij titulli.
Në rrethin e ngushtë të të nominuarve ishin Yohan Blake (Xhamajka), David Rudisha (Kenia), Valerie Adams (Zelanda e Re) dhe Vivian Cheruiyot (Kenia).
















