Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se Anglia nuk është nga favoritët për ta fituar Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.
“Anglinë dhe Francën do t’i pozicionoja në nivel të njëjtë. Ata nuk mund të thonë se kanë kualitet të mjaftueshëm për ta fituar Kampionatin Evropian, mirëpo nëse gjithçka shkon mirë në përgatitjet dhe formën e lojtarëve më të mirë, ata mund të bëjnë një befasi të këndshme”.

“Mund të thuhet (se favoritët gjenden) mes Spanjës, Gjermanisë, Holandës, ndërsa menjëherë pas janë Anglia dhe Franca... Të presim shortin dhe të shohim kush është në dispozicion dhe në formë”, ka thënë Wenger.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka deklaruar se klubi e ka të gatshme kontratën e re për trajnerin Pep Guardiola.
Guardiola mori drejtimin e Blaugranëve në vitin 2008, ndërsa është bërë trajneri më i suksesshëm në historinë e Barcelonës, duke rrëmbyer 12 trofe deri më tani me rreth 200 ndeshje të zhvilluara.

Megjithatë, 40-vjeçari gjithmonë ka refuzuar që të lidhet për këtë klub për një kohë më të gjatë. Sidoqoftë, duket se drejtuesit e klubit tashmë i kanë përgatitur ofertë të re dhe presin nënshkrimin e tij.

“Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur që Guardiola të vazhdojë. Për të dera e zyrës sonë është gjithmonë e hapur dhe kontrata është e gati”.

“Ai mund të zgjedhë të nënshkruajë për një vit, dy, tre ose katër, ose nëse dëshiron, ai mund të nënshkruajë për një vit me opsionin për një tjetër, ose me opsionin për dy vite tjera”.

“Kontrata është në tavolinë për të që të ndjehet i lumtur dhe komod. Shpresojmë se do të thotë ‘po’ dhe do të qëndrojë me ne”, ka thënë Rosell për Al Jazeera.
Shefi ekzekutiv i Milanit, Adriano Galliani, e ka bërë të qartë se Rossonerët nuk do të transferojnë lojtar tjetër para se të mësojnë rreth kohës së rikuperimit të Antonio Cassanos.
Sulmuesi 29-vjeçar pësoi një traumë cerebrale si pasojë e problemeve me zemër, ndërsa aktualisht është duke u shëruar pas ndërhyrjes kirurgjike në zemër.

Është spekuluar se italiani do të mungojë së paku gjashtë muaj, ashtu që Milani do të detyrohet të blejë një sulmues të ri, megjithatë Galliani ka lënë të kuptohet se Cassano mund të kthehet më shpejt sesa që është menduar.

“Do të shohim kur do të jetë Cassano në gjendje që të kthehet. Nëse ai rikuperohet shpejtë, ne nuk do të transferojmë sulmues në janar”.

“Sido që të jetë, nëse transferojmë ndonjë lojtar, do të jetë vetëm në formë huazimi deri në qershor”, ka deklaruara Galliani për Sky Sport Italia.
Mesfushori i Los Angeles Galaxy, David Beckham, e ka fituar çmimin e lojtarit të rikthyer më të mirë të vitit në MLS.
Lëndimi i tendinit të Akilit e detyroi anglezin që zhvillonte vetëm gjashtë ndeshje në vitin 2010, ndërsa rikuperimi i zgjati me muaj të tërë.

Pas rikthimit, këtë sezon 36-vjeçari ka qenë forcë kreative për Galaxy, duke shënuar dy herë, duke bërë 15 asiste në 26 ndeshje dhe duke u përfshirë në formacionin All-Star.

Përveçse fitoi çmimin e lojtarit të rikthyer të vitit, Beckham është përfshirë edhe në njëmbëdhjetëshin më të mirë të MLS këtë sezon.
Mbrojtësi portugez Bruno Alves është i bindur se Portugalia do ta mposhtë Bosnjë e Hercegovinën gjatë të martës në ndeshjen vendimtare të play-offit eliminator për Euro 2012.
Portugezët u ndaluan me barazim pa gola në Zenicë të premten, por Alves thotë se ata do të nxjerrin fitore në ndeshjen e kthimit.

“Ne jemi të përgatitur për çfarëdo skenari, ne nuk duam të pranojmë dhe ne duam të shënojmë. Ky është synimi kryesor: të fitojmë. Do të jetë vështirë por ekipi jonë ka kualitet të mjaftueshëm të shkojë më tej”.

“Ne presim ata të luajnë një ndeshje të ngjashme me atë që bënë në takimin e parë, të luajnë në kundërsulme, por mbase me më shumë qarkullim të topit. Ata u mbrojtën mirë dhe kanë bërë disa kalime të mira”, ka thënë Alves.
Claudio Ranieri thotë se Interi duhet ta ruajë serinë e fitoreve nëse dëshiron të luftojë për titull këtë sezon.
“Ne duhet të fillojmë një seri të fitoreve nëse synojmë diçka. Unë jam luftëtar dhe më pëlqen të përvesh këmishët e mia, ashtu që t’ia dal mirë”, ka thënë Ranieri për Il Corriere dello Sport.

Italiani është pyetur edhe se cilin prej trajnerëve do ta zgjidhte, atë të Real Madridit, Jose Mourinho, ose atë të Barcelonës, Pep Guardiola.

“Me përvojën që do ta kisha, Mourinhon”, ka thënë Ranieri.
Anglia ishte ‘me fat’ që mposhti Spanjën në Wembley në miqësoren e të shtunës, thotë mesfushori i Real Madridit, Xabi Alonso.
“Ne duhet ta kishim pritur këtë lloj performance nga Anglia. Ne kishim kontrollin, shumicën e posedimit, por ishte vështirë të krijosh shanse pasi ata mbroheshin aq thellë dhe ne ishim të pafat të shënonim nga ndërprerjet”.

“Ne nuk ishim të befasuar se si Anglia luajti. Shumica e ekipeve me të cilat ne luajmë mbrohen thellë kundër nesh. Ne e pamë këtë në Kupën Botërore. Ne e dimë se nëse shënojmë të parët, shumica e punës është bërë. Ne nuk shënuam të parët këtu”.

“Njerëzit na respektojnë neve pasi i njohin kualitetet tona andaj nuk është befasi që ata përpiqen të mbrohen thellë. Nuk do të isha i befasuar nëse Anglia luan në të njëjtën mënyrë kundër nesh nëse ne takohemi me ta në Euro”, ka thënë Alonso.
Diego Milito mund të largohet nga Interi në afatin kalimtar të janarit pasi klubi i pasur francez Paris Saint-Germain ka shfaqur interesim për të nënshkruar me të, raporton Il Corriere dello Sport.
Liderët e Ligue 1 janë duke synuar të shtojnë përvojë në ekip në prag të pjesës së dytë të sezonit, dhe drejtori sportiv Leonardo e sheh 32-vjeçarin si një shtesë të përkryer.

Kontrata e Militos me Interin skadon në verën e vitit 2014, por argjentinasi së fundi tha se ai mund të largohet në janar nëse vazhdon të qëndrojë në bankën e rezervave.

Sulmuesi ishte kyç në suksesin e vitit 2009/2010 kur Nerazzurët fituan tre trofe të rëndësishëm, por ai ka dështuar të tregojë këtë formë në dy sezonet e fundit. Kjo mund të bëjë që Interi ta shndërrojë atë në para nëse pranon ndonjë ofertë të përshtatshme nga PSG.
Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, ishte i ngazëllyer me katër golat e shënuar në fitoren 4-0 të Uruguait ndaj Kilit.
“Ju gjithmonë ëndërroni të shënoni gola dhe të shënosh katër në një ndeshje nuk është e lehtë, por nëse nuk do të ishin përpjekjet e bashkëlojtarëve të mi, nuk do t’i kisha shënuar golat”.

“Gjëja më e rëndësishme është se unë mund të vazhdoj të luaj, por nuk e lodha veten së tepërmi në disa raste. Një prej bashkëlojtarëve të mi bëri shaka se nëse nuk do të kisha dhimbje të lehta mund të kisha shënuar tetë”, ka thënë Suarez.
Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, thotë se Spanja mund t’u bëjë ballë taktikave defensive të ekipeve kundërshtare.
Cesc mendon se taktikat e aplikuara nga Anglia në miqësoren e të shtunës, të cilat po ashtu u treguan të suksesshme për Zvicrën në Kupën Botërore, nuk do të mund t’i ndalojnë kampionët e tashëm gjatë verës së ardhshme, në kampionatin evropian në Poloni dhe Ukrainë.

“Po thuajse çdo ekip me të cilin kemi luajtur tash luan kështu dhe ne u kualifikuam me maksimum pikësh. Në miqësoret, është e vërtetë që ndonjëherë ne nuk shkojmë me mentalitet të njëjtë si në ndeshjet e rëndësishme”.

“Ne gjithmonë vuajmë ca më shumë në ndeshjet miqësore dhe ne kemi ndryshuar shumë lojtarë dhe kjo është krejtësisht ndryshe. Por ne përpiqemi të japim më të mirën dhe shpresoj se do të jemi të gatshëm për në Euro. Ju nuk mund ta krahasoni situatën sot me ndeshjet e rëndësishme si ato të Euros”, ka thënë Cesc.
Portieri i Real Madridit, Iker Casillas, ka lavdëruar portierin e Manchester Cityt, Joe Hart, pas performancës së tij për Anglinë gjatë të premtes.
“Ishte hera e parë që e kam parë atë dhe isha krejtësisht i impresionuar. Anglia ka dështuar të gjejë një portier të duhur, por ai është një lojtar serioz. Është e rëndësishme për Fabio Capellon të ketë vetëbesim në portierin”.

“Hart e ka dëshmuar veten në Ligën Premier me Manchester Cityn. Ai është një djalosh plot vetëbesim dhe e shfrytëzon këtë në mënyrë pozitive”, ka thënë Casillas.
Zinedine Zidane thotë se Real Madridi është në ‘nivel më të lartë’ se rivali i vet, Barcelona.
Zidane beson se Madrilenët janë përmirësuar dukshëm krahasuar me sezonin e kaluar.

“Ka një dallim në mes të këtij sezoni dhe atij të kaluarit, dallimi në mes të Real Madridit dhe Barcelonës është ngushtuar. Ne tash jemi në nivel të tyre ose madje në një nivel më të lartë”, ka thënë Zizou.
Tottenhami është duke përcjellë situatën e Goran Pandev te Napoli.
Kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisë ka dështuar të gjejë minutat e kërkuara te Napoli që nga transferimi i tij gjatë verës nga Interi.

Spurs dhe Sevilla tash po vëzhgojnë situatën dhe mund të bëjnë ofertë për ta transferuar në formë huazimi gjatë janarit.
Ish-kapiteni i Juventusit, Fabio Cannavaro, mendon se kubi nga vendlindja e tij mund ta fitojë Skudeton.
“Është një ekip i shkëlqyeshëm i Napolit që po zhvillohet vazhdimisht, andaj kjo më intrigon. Problemi me Napolin, nëse mund ta quajmë kështu, është Liga e Kampionëve. E di se çfarë flas këtu pasi kjo garë ju merr aq shumë energji, edhe fizike edhe psikologjike”.

“Çdokush që është i lidhur me të vuan. Nëse e shihni veten në fushë në Allianz Arena ose Camp Nou, adrenalina do t’ju ngrihet në mënyrë natyrale. Nëse ju përballeni me Catanian, atëherë ju duhet të ndizni veten dhe të fokusoheni në asgjë tjetër pos në Serie A”.

“Liga e Kampionëve është një aventurë fantastike, por Skudetto është objektivi që Napoli mund ta arrijë këtë sezon”, ka thënë Cannavaro.
Nëse David Beckham vendos të largohet nga L.A. Galaxy, klubi amerikan ka gjetur zëvendësuesin ideal, dhe ky është mesfushori i Chelseat, Frank Lampard.
Beckham ende nuk ka vendosur nëse ky do të jetë sezoni i tij i fundit te ekipi nga MLS, fanellën e të cilit e bart qe pesë vite.

Njëra nga ofertat joshëse për 36-vjeçarin vjen nga PSG, skuadër të cilën e drejton ish-trajneri i Milanit, Leonardo.

Ndërkohë, drejtuesit e Galaxy nuk po qëndrojnë duarkryq, por planifikojnë të vënë kontakte me përfaqësues të Chelseat për të diskutuar rreth disponueshmërisë së Lampard.
Ish-sulmuesi i Paris Saint-Germain, Pauleta, e ka këshilluar klubin francez që të tentojë transferimin e lojtarëve më të mirë në botë, duke filluar me superyllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
PSG është përvetësuar nga Qatari Investment Authority gjatë verës, ndërsa që atëherë kanë blerë lojtarë, si Javier Pastore, Jeremy Menez dhe Kevin Gameiro.

“Ata i kanë paratë për të blerë lojtarët më të mirë në botë, ndërsa unë i këshilloj që ta blejnë Cristiano Ronaldon”, ka thënë Pauleta për RMC.