Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, ka thënë se superylli i Barcelonës, Lionel Messi, do të jetë njeriu që do ta fitojë FIFA Topin e Artë edhe këtë vit.Argjentinasi është në listën e ngushtë prej 23 lojtarësh për ta fituar çmimin prestigjioz që do të ndahet me 9 janar 2012, ndërsa Platini, i cili është i vetmi lojtar që e ka fituar tri herë radhazi Topin e Artë, beson që Messi do ta arrijë rekordin e tij.
“Besoj se Messi do ta fitojë Topin e Artë për të tretën herë radhazi. E di se rekordet bëhen për t’u thyer dhe besoj se ai do të më kalojë mua”.
“Unë arrita te Juve në moshë 27-vjeçare, ndërsa Messi ka shkuar te Barca kur ishte 13-vjeçar. Kohët kanë ndryshuar”.
“Po të isha rritur te Juventusi, do të kisha fituar edhe më shumë, mirëpo gjyshërit e mi u transferuan në Francë dhe unë nuk mund të apeloj në asnjë gjyq kundër kësaj”, ka thënë Platini.
Liverpooli i është bashkuar betejës për të transferuar sulmuesin shqiptar të Zurich-ut, Admir Mehmedi.Daily Mail shkruan se Sunderlandi do të ketë konkurrencën e Liverpoolit dhe Nurembergut për Mehmedin, që të tria ekipe të cilat synojnë ta transferojnë sulmuesin në afatin kalimtar të janarit.
Shqiptari nga Maqedonia, 20-vjeçar, i cili aktivizohet për përfaqësuesen e Zvicrës, ka shënuar 13 gola në 47 ndeshje për Zurichun.
Juventusi ka kërkuar 443 milionë euro kompensim si pasojë e dëmtimit nga skandali Calciopoli, ndërsa presidenti i Interit, Massimo Moratti, e konsideron qesharake një kërkesë të tillë.Zonja e Vjetër të hënën ka bërë kërkesë pranë Gjykatës Regjionale Administrative (TAR) në Lacio për kompensim të dëmit që i shkaktoi Calciopoli në vitin 2006- mes tjerash duke ia marrë dy Scudetto dhe duke e detyruar të luajë në Serie B.
Edhe pse nga Juventusi nuk kanë bërë të ditur për shumën e kërkuar, mediat italiane kanë shkruar se Bianconerët kërkojnë rreth 443 milionë euro dëmshpërblim.
Sipas kërkesës së bardhezinjve, kompensimin duhet ta bëjë Federata Italiane e Futbollit dhe Interi, i cili përfitoi nga Calciopoli duke e marrë në tavolinë titullin e vitit 2006.
“Këto janë shumë para, mirëpo nuk dua të hy në detaje, sepse nëse duhet të jem i sinqertë, e gjithë kjo më duket shumë qesharake”.
“A jam i gatshëm të heq dorë nga Scudetto e vitit 2006? Asnjë sekondë nuk do të mendoj për diçka të tillë”, ka thënë Moratti.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka njoftuar se ai ka shumë dëshirë që ta transferojë sulmuesin e Chelseat, Didier Drogba, ndërsa ka thënë se edhe Nicolas Anelka josh interesimin e kuqezinjve.Ish-trajneri i Milanit, Carlo Ancelotti, i ka këshilluar Rossonerët që të transferojnë dyshen e sulmit të Bluve, ndërsa Galliani ka pranuar se prej kohësh e admiron lojtarin nga Bregu i Fildishtë.
“Ancelotti është dikush që e njeh futbollin e tij. Ndoshta do t’i transferojmë të dy lojtarët”.
“Anelka është lojtar i shkëlqyer, megjithatë unë kam ëndërruar për transferimin e Drogbas që kur luante për Olympique de Marseille”, ka thënë Galliani për La Gazzetta dello Sport.
Shefi i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge, e ka bërë të qartë se bavarezët do t’i mbajnë të gjithë lojtarët në afatin kalimtar të janarit.“Me siguri se nuk do të shesim asnjë lojtar. Trajneri nuk e dëshiron këtë dhe unë pajtohem plotësisht me të”, ka thënë Rummenigge për faqen zyrtare të Bayernit.
Komentet e tija vijnë pas spekulimeve se disa nga lojtarët nuk janë të kënaqur me rolet e tyre si zëvendësues dhe dëshirojnë të largohen.
Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, është duke mbajtur nën vëzhgim situatën e sulmuesit të Manchester United, Dimitar Berbatov.Bullgari do të jetë pa kontratë në fund të sezonit, edh epse United ka opsion për ta vazhduar edhe për një vit atë.
De Laurentiis është i interesuar ta sjellë Berbatovi në Itali në janar nëse ata do të jenë nën presion të madh për ta shitur Edinson Cavanin. PSG dhe Galatasaray po ashtu janë të interesuar në sulmuesin bullgar.
Manchester United raportohet se është duke përgatitur një kontratë të re për anësorin Luis Nani.The Sun shkruan se United planifikon t’ia rrisë pagën portugezit nga 90 mijë në javë, sa merr tash, deri në 130 mijë funte në javë, sa marrin dyshja mbrojtëse Nemanja Vidic dhe Rio Ferdinand.
Nani me edhe 18 muaj të mbetur në kontratën e tij ka joshur interesimin e shumë skuadrave të tjera, mes tyre edhe dy gjigantëve italianë, Milan dhe Juventus.
Megjithatë Sir Alex Ferguson raportohet se dëshiron ta mbajë portugezin në skuadër dhe pritet të bindë klubin t’i ofrojë atij një kontratë të përmirësuar katërvjeçare.
Përzgjedhësi i Anglisë në futboll, Fabio Capello, u ka dhënë një goditje ëndrrave të David Beckham për të përfaqësuar sërish vendin e tij, duke thënë se ai nuk ka synime ta zgjedhë ish-kapitenin në ndonjë skuadër të tij.“Nuk kam menduar për këtë. Jo, mendoj se ai do të përfshihet vetëm në ndeshjet olimpike. Nuk e di. Kam kohë për të vendosur. A është ai tash në planet e mia? Jo”, ka thënë Capello.
36-vjeçari ka fituar 116 paraqitje me kombëtaren angleze, me paraqitjen e fundit që ishte në fitoren kundër Bjellorusisë në vitin 2009.
Drejtori i Real Madridit, Zinedine Zidane, nuk ka përjashtuar mundësinë të fillojë një karrierë si trajner në të ardhmen.“Gjithmonë do të më mungojë fusha. Nuk jam penduar për vendimin tim të var këpucët e mia, edhe pse do të kisha mundur të vazhdoj të luaj edhe për disa vite”.
“A do të bëhem trajner në të ardhmen? Pse jo? Mund të ndjej se kjo më gudulis ca. E ndjej se kjo është një gjë ku kam diçka për të dhënë. Do të shohim, nuk është me nguti”, ka thënë Zidane.
















