Mesfushori i Real Madridit, Lassana Diarra, ka zbuluar se një transferim te Roma është në planet e tij pasi nuk dëshiron të ngrohë stolin në kryeqytetin spanjoll.“Ka shumë konkurrencë këtu [te Real Madridi]. Nuk dua të qëndroj në stol më shumë”.
“Jam i sigurt se kontributi im mund të jetë i rëndësishëm. Një projekt si Roma do të ishte përkryer dhe pastaj do të shkoja në Euro [me Francën]”, ka thënë Diarra.
Real Madridi do të tentojë të nënshkruajë me sulmuesin e Manchester United, Wayne Rooney, në vitin e ardhshëm.Pasi transferoi Cristiano Ronaldon dy vite më parë, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, tash është duke bërë plane të bindë United ta shesë Rooneyn.
El Economista shkruan se Florentino punon me trajnerin e Realit, Jose Mourinho, për ta sjellë Rooneyn në Madrid.
Mourinho është një fans i madh i Rooneyt dhe nuk e ka mbajtur sekret se do të dëshironte të punonte me anglezin.
Nëse Reali dështon të transferojë sulmuesin anglez atëherë pritet të kthehet kah caku tjetër i kamotshëm, sulmuesi i Athletic Bilbao, Fernando Llorente.
Presidenti i Valencias, Manuel Llorente, ka zbuluar se arritja e Jose Mourinhos te Real Madridi kishte bllokuar transferimin e mesfushorit David Silva.“Më duhet të them se Silva mendonte se një marrëveshje ishte e arritshme, pasi Real Madridi kishte vullnetin për të nënshkruar me të, por me ndryshimin e trajnerit, gjithçka u ndërpre. Pastaj në garë u fut edhe Manchester City dhe mbylli transferimin”.
“Le të themi se edhe pse ne kishim disa diskutime me Madridin për transferimin e Silva dhe pamë se ata e dëshironin atë, një ditë ata më telefonuan dhe na thanë se prioritetet kanë ndryshuar, dhe pastaj, sigurisht, negociatat u prishën dhe ne analizuam ofertat tjera”, ka thënë Llorente për AS.
Mesfushori i Barcelonës, Thiago Alcantara, thotë se është i befasuar me minutat e lojës që ka fituar deri tash këtë sezon.20-vjeçari ka luajtur në shumicën e ndeshjeve të Barcelonës këtë sezon edhe pse jo gjithmonë në pozitën e tij favorite, atë të qendrës.
“Nuk kam menduar se do të luaj kaq shumë këtë sezon, jam ca i befasuar me sasinë e minutave që më janë dhënë në fushë. Është një befasi e këndshme”.
“Me kalimin e kohës ju piqeni dhe evoluoni, në situata të caktuara do të isha shumë rrezikues me lojën time [në qendër]. Të luaj si anësor është më e sigurt, më e lehtë dhe më e thjeshtë”, ka thënë Alcantara.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, thotë se Luis Suarez mund të bëhet yll botëror.Gerrard ka pasur një fillim jo të kënaqshëm të sezonit me probleme lëndimi, por gjatë kësaj kohe ka pasur mundësi të përcjellë dhe të vlerësojë talentin e sulmuesit Uruguaian.
“Të shohësh Luis një ditë të luajë, një ditë jo, ka qenë habi për mua. E kam ditur se ai është një lojtar i mirë. Pasi kam punuar me të çdo ditë mendoj se ai ka potencial për të qenë një prej ë të mirëve në botë”, është shprehur Gerrard.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, mendon se Jose Mourinho do të qëndrojë më gjatë se kontrata e tij në Santiago Bernabeu.Më herët u tha se Florentino kishte frikë se Mourinho do të largohet në qershor. Por El Mundo Deportivo shkruan se Florentino tash ka mendim të kundërt, dhe është i bindur se Mourinho dëshiron të qëndrojë në Madrid.
Presidenti mendon se Mourinho është i ngazëllyer me ekipin që po ndërton dhe është i vendosur të rrëzojë nga froni Barcelonën.
Ndërkohë Florentino po ashtu planifikon edhe dy nënshkrime të reja në konsultim me Mourinhon. Ata synojnë të sjellin një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një mesfushor defansiv.
Superylli portugez, Nani ka shprehur kënaqësinë e tij për golin e shënuar ndaj Bosnjës në sfidën vendimtare të play offit për kualifikim në Euro 2012.“Portugalia 6-2 Bosnja! Ne e arritëm qellimin tonë dhe jemi të lumtur që i gjithë stadiumi na ka duartrokitur”.
“Jam i lumtur që shënova një gol aq të mirë dhe aq vendimtar për Portugalinë. Çfarë ndeshje interesante me përkrahje fantastike nga tifozët”, tha Nani.
















