Barcelona ka shënuar katër herë kundrejt asnjë goli të Zaragozas në takimin e të shtunës mbrëma në Camp Nou.
Një harkim të përsosur të Xavit e shfrytëzoi Gerard Pique, i cili e hapi takimin (19’).Lionel Messi pranoi një top të bukur nga Cesc Fabregas për të shënuar golin e dytë të Blaugranëve (43’) dhe të fundit për pjesën e parë.
Në gjysmën e dytë ishte qendërmbrojtësi tjetër i Barcës, Carles Puyol, ai që shënoi, pas pasimeve të Cesc dhe Keita (54’).
Krosimi i Cuencas shkoi në drejtim të David Villas, i cili e vendosi rezultatin përfundimtar të takimit (75’).
Pas kësaj fitoreje, Barcelona barazohet me pikë me Real Madridin që ndeshjen e kësaj jave e zhvillon si mysafir i Valencias.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është i bindur se Los Blancos do të jenë në gjendje që të luftojnë për trofeun më të rëndësishëm, Ligën e Kampionëve.
“Në këtë klub, gjithmonë ka qenë kënaqësi e madhe ta fitosh Ligën e Kampionëve. Real Madridi është gjithmonë favorit për ta fituar trofeun, por ne gjithashtu e dimë se është e vështirë ta fitosh. Megjithatë, mendoj se jemi në gjendje ta bëjmë këtë”.

“Kundërshtarët tanë gjithmonë janë të njëjtë: Chelsea, Barcelona, Manchester United, Milani, Interi dhe Bayerni. Ky është ekipi i Real Madridit më i miri që nga ardhja ime në klub. Shpresoj se mund të vazhdojmë kështu”, deklaroi Ronaldo.
Sulmuesi i Barcelonës, Lionel Messi është nominuar në listën e shkurtër të FIFA-s për Çmimin Ferenc Puskas që i ndahet futbollistit që realizoi golin më të mirë të vitit.
Argjentinasi është nominuar për golin e tij të shënuar ndaj Arsenalit në fitoren prej 3-1 në Camp Nou, që ia siguroi kualifikimin Barcelonës, e që më pas ndikoi dhe në ngritjen e trofeut.

Edhe Giovani Dos Santos, Wayne Rooney, Zlatan Ibrahimovic, ashtu si Neymar, janë nominuar për çmimin prestigjioz.

Çmimi Ferenc Puskas, i cili ka marrë emrin nga legjenda hungareze Ferenc Puskas do të ndahet më 9 janar, ndërsa së fundmi është fituar nga Hamit Altintop.
Mesfushori i Milanit, i huazuar nga Liverpooli, Alberto Aquilani ka zbuluar se në kontratën e tij është një klauzolë që e detyron Milanin të kompletojë kartonin e tij në fund të sezonit për 6 milionë euro.
“Ekziston një klauzolë prej 6 milionë eurosh e vënë dhe e cila do të aktivizohet pas paraqitjes së 25-të”.

“Tani ndihem më i siguruar. Ju kurrë nuk mund t’i thuani ‘jo’ Milanit. Unë gjithmonë kam shpresuar të jem lojtar Rossoner”, ka thënë Aquilani.