Me rezultat prej 2-1 Liverpooli e ka mposhtur Chelsean në sfidën kryesore të kësaj xhiroje në Ligën Premier që ka pasur si arenë stadiumin Stamford Bridge.Gjysma e parë e takimit u dominua nga lojtarët e ekipit mysafir, të cilët rezultuan më të suksesshëm edhe sa i përket golit.
Craig Bellamy bëri një lëvizje shumë të mirë teksa të gjithë prisnin goditjen e tij, ai pasoi te Maxi Rodriguez, ndërsa argjentinasi e plasoi topin në rrjet (34’).
Trajneri i Chelseat, Villas-Boas, bëri një intervenim interesant në gjysmën e dytë duke e inkuadruar në lojë Daniel Sturridge dhe jo Fernando Torresin, gjë që shkaktoi pakënaqësi te tifozët vendas.
Mirëpo, vendimi i trajnerit rezultoi i drejtë, pasi ishte pikërisht Sturridge lojtari që e barazoi rezultatin pas goditjes së Florent Maloudas (55’).
Në vijim, Blutë kërkuan më tepër, porse ishin sërish mysafirët ata që shënuan.
Pak minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit (87’), ishte Glen Johnson lojtari që riktheu avantazhin e Liverpoolit, pas asistimit të Charlie Adam.
Pas kësaj fitoreje, Liverpooli ka po aq pikë sa Chelsea, 22, ndërsa gjenden 12 pikë prapa liderit Manchester City.
Interi nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e mesfushorit Wesley Sneijder, i cili pësoi një lëndim gjatë ndeshjes ndaj Cagliarit.Interi takohet në mesjavë me Trabzonsporin në Ligën e Kampionëve dhe Ranieri nuk do të mund të llogarisë në Sneijderin. Si alternativë janë Ricky Alvarez dhe Philippe Coutinho.
Sneijder pësoi një lëndim në femurin e këmbës së djathtë të tij dhe sipas informatave zyrtare nga klubi nerazzur, holandezi do të mungojë tri javë.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, e ka ftuar legjendën e Juventusit, Alessandro Del Piero, që t’i bashkohet atij në Angli.
“Alex është 37 vjeç dhe ai ende mund të kënaqet së luajturi. Ai duhet të shkojë dhe të kërkojë një kampionat tjetër, ndoshta Liga Premier do të ishte e mirë për të”.
“Jeta nuk mbaron nëse largohet nga Juventusi”, tha ish-tekniku i Interit.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka lansuar një provokim të radhës për rivalin e përbetuar Barcelonën duke thënë se atij dhe bashkëlojtarëve të tij u pëlqen të jenë mbi Blaugranët.“Ne jemi më të mirë tani dhe më të pjekur. Ne argëtojmë njerëzit. Ata kanë dëshirë të na shikojnë. Ata kënaqen si në stadium ashtu dhe në shtëpi. Kjo është me rëndësi për ne. Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për vete”.
“Unë dua të fitoj çdo ndeshje dhe çdo titull. Unë jam i bindur se do të fitojmë diçka këtë vit. Ne do të luftojmë për të fituar në të tri garat. Real Madridi gjithmonë lufton për titujt e mëdhenj. Ne do të fitojmë vetëm nëse vazhdojmë të punojmë. Na pëlqen shumë të jemi mbi kundërshtarin tonë kryesor. Kjo na motivon”, deklaroi Ronaldo.
Trajneri i Borussia Dortmundit, Jurgen Klopp, thotë se formula e suksesit të ekipit të tij në fitoren minimale ndaj Bayern Munichut ishte durimi dhe qasja e tyre mjaft disiplinuese.“Ne kemi pasur befasisht pak raste në gol, por nga pak rastet që kemi pasur, ne kemi shënuar”.
“Ne ishim të durueshëm dhe të disiplinuar gjatë gjithë takimit, por kjo nuk do të thotë se ne shënuam gol jo të merituar”, u shpreh Klopp ekipi i të cilit është vetëm dy pikë larg liderit Bayern.
Juventusi ka filluar që gradualisht të vë rrënjët në pozitën e parë të renditjes tabelare në Serie A, pasi me lehtësi ka mposhtur me rezultat 3-0 Palermon në shtëpi.Juventusi dominoi plotësisht në këtë sfidë, kurse goli erdhi që në minutën e 20-të, kur Simone Pepe ishte i saktë për 1-0.
Në pjesën e dytë finalizohet fitorja me anë të golit të Matrit (48’) dhe me anë të Claudio Marchisios i cili e përfundoi ndeshjen për 3-0 (65’).
Juventusi me këtë fitore ngjitet në pozitën e parë me 22 pikë, po aq sa ka edhe Lazio, por bardh e zinjtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Presidenti i Interit, Massimo Moratti është shprehur edhe njëherë i hapur për një tryezë të rumbullakët ku do të vihej paqja në futbollin italian pas Calciopolit, por ka porositur drejtuesit e Juventusit që të mos vënë thika nën tryezë.“A mund të ulemi në një tryezë të rrumbullakët për bisedime? Varet nëse të gjithë janë të përgatitur për këtë”.
“Ajo mund të ndodhë, përderisa nuk ka thika nën tavolinë. Ne do të ngritemi të shohim çfarë po ndodh”, tha Moratti.
Ylli i Santosit, Neymar ka pranuar se është fans i madh i Barcelonës dhe i Lionel Messit.“Kush nuk e adhuron Barcelonën?”, theksoi Neymar në një intervistë për FIFA.com.
“Ata e kanë bazën një kohë të gjatë më parë dhe tani po marrin shpërblimin e merituar. Ata meritojnë çdo lëvdatë për kënaqësinë që u kanë dhënë tifozëve dhe të gjithë njerëzve të cilët duan të shohin futboll të bukur, e ku përfshihem dhe unë”.
Neymar është një prej emrave më të lakuar në tregun e transferimeve për janarin e ardhshëm, pasi për të luftë të ashpër do të zhvillojnë zyrtarët e Real Madridit dhe të Barcelonës.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka lëvduar përsëri ‘djalin’ e tij Cristiano Ronaldo, për formën të cilën po e kalon portugezi te Real Madridi.Ronaldo ka shënuar 103 gola në 106 ndeshje për Real Madridin që nga transferimi i tij prej 94 milionë eurosh nga Old Trafford.
“Edhe një herë përsëris fjalët e mia, ai rekord është fenomenal – Ronaldo është Ronaldo. Por, Mesut Ozil është përmirësuar shumë këtë sezon dhe Real Madridi është ekip me energji të madhe”, u shpreh Ferguson.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka shprehur besimin e tij për vazhdimsinë e performancave të mira të sulmuesit David Villa, i cili beson se do të vazhdojë me formën e mirë.“Kur ju them se kam shumë besim te David Villa, atëherë këtë e them me plot kuptimin e fjalës. Thiago Alcantara nuk startoi edhe pse luajti në nivel të lartë, ndërsa nuk startoi as Iniesta”.
“Unë nuk mund të justifikohem sa herë ai është zëvëndësues. Jo të gjithë mund të luajnë, por unë kam besim te të gjithë. Unë e njoh secilin lojtar dhe çfarë ata mund t’i japin ekipit. Messi nuk ankohet, ai nuk rrëzohet në tokë edhe nëse ndjen dhimbje. Jam brengosur për të, por ai është mirë dhe shënoi gol”, potencoi Guardiola.
Manchester United është duke e shqyrtuar një ofertë prej 20 milionë funtesh për mesfushorin e Dortmundit, Mario Gotze.Daily Star Sunday shkruan se një numër klubesh janë të interesuara për mesfushorin gjerman, me Arsenalin favorit prej ekipeve angleze.
Sidoqoftë, Sir Alex Ferguson ka vendosur të ndërhyjë personalisht në këtë çështje duke ofruar 20 milionë funte për Gotzen, vlera e të cilit pritet të rritet në javët në vijim.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas mendon se Liverpooli është pretendent për titull pas ndryshimeve të bëra me ardhjen në krye të legjendës Kenny Dalglish.“Unë gjithmonë i kam parë ata si pretendentë për titull sepse ata vërtet duan ta fitojnë titullin. Dalglish bëri ndryhimet e nevojshme te Liverpooli për ta kthyer në garë për titull”.
“Ai bëri shtatë ndryshime në ekip. Liverpooli është një prej ekipeve më të mëdha në Angli dhe unë gjithmonë e kam ditur se ata po luftojnë për titull”, ka thënë Villas Boas.
Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain ka sqaruar situatën kontraverse në fund të takimit ndaj Valencias, duke thënë se ai nuk e ndali topin me dorë siç pretendojnë lojtarët e Valencias.“Aksioni ndodhi shumë shpejt, por topi më goditi në gjoks. Dhe kur topi ju prek në brirë, atëherë nuk është penalti. Ndeshja ishte ekstremisht e vështirë, kështu që ishte me rëndësi të fitojmë”, theksoi Higuain.
Real Madridi është në pozitën e parë në La Liga me 3 pikë më shumë se sa Barcelona.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson ka lëvduar mbrojtjen e ekipit të tij pas fitores minimale në udhëtim te Swansea.“Swansea ka statistikë të mirë në shtëpi dhe natyrisht kjo ishte diçka që na bëri të mendojmë për mbrojtje më të mirë. Përpos një dështimi që kanë bërë në pjesën e parë kur Carrick gaboi, ata nuk kanë pasur asnjë mundësi tjetër pasi ishim të mirë në mbrojtje”.
“Tani kam një skuadër të fortë dhe mund të bëj ndryshime me besim, ndërsa kjo është me rëndësi në këtë moment të sezonit”, u shpreh Ferguson.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri ka pranuar se goli i Thiago Mottas i shënuar në ndeshjen ndaj Cagliarit ishte nga pozicioni jashtë loje, përderisa lëvdoi Ricky Alvarezin për impenjimin e bërë me inkuadrimin në pjesën e dytë.“Unë e kam përdorur atë dy herë si ‘playmaker’, por të shtunën vendosa që ta vë në krahun e djathtë sepse ai mund të godasë dhe të lansojë topa cilësorë. Unë vërtet besoj në të, pasi ai ka aftësi fantastike teknike”.
“A ishte goli i Thiago Mottas ofsajd? Po, kjo është e vërtetë. Anësori nuk e ka parë kush e preku topin, por një herë më në fund mund të qeshim”, tha Ranieri.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes është shprehur tejet tejet i zhgënjyer me disfatën në derbin e madh në Bundesliga, ku ekipi i tij u mposht në Allianz Arena minimalisht nga rivali direkt për titull Dortmund.“Kur luani ndaj Dortmundit, ju duhet të bëni më shumë presion se sa që bëmë ne. Ne nuk e kemi kuptuar se si të rrisim tempon dhe të krijojmë raste shënimi”.
“Ne kemi pasur këtë në dorë deri në fazën finale, kur kemi pasur dy raste të pastra shënimi. Goli ishte fatkeq, dhe për mendimin tim ishte ndeshje tipike për 0-0”, ka thënë Heynckes.
Ndeshja të cilën ekipi gjerman Koln është dashur ta zhvillojë në shtëpi ndaj Mainzit në kuadër të Bundesligës nuk është zhvilluar fare, kjo për shkak se gjyqtari i caktuar për ta drejtuar këtë takim tentoi vetvrasjen.41 vjeçari Babak Rafati nuk u paraqit fare në këtë takim pasi në mëngjesin e të shtunës tentoi të vetvritet në hotelin e tij.
Zyrtarët e Kolnit nuk e kanë ditur se çfarë po ndodhte duke bërë që tifozët të hynin në stadium 45 minuta para se të fillonte takimi. Ndeshja nuk u zhvillua fare pasi një gjyqtar zëvëndësues ishte e pamundur të gjindej në kohë.
Kjo nuk është hera e parë që futbolli gjerman goditet nga tragjeditë jashtë fushe.
Në nëntor të vitit 2009, portieri gjerman Robert Enke bëri vetvrasje duke dalë përpara një treni.
Rafati është një gjyqtar me përvojë në Bundesliga, pasi ka referuar në rreth 200 ndeshje kampionale.
Me rezultat 3-2, Real Madridi ka triumfuar në kryendeshjen e javës në La Liga duke ia shkaktuar Valencias humbjen e parë në shtëpi dhe të dytën në përgjithësi këtë edicion.Skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë atraktive me raste për të shënuar, në të cilën triumfoi skuadra mysafire me epërsi prej një goli.
Një top i gjatë i Xabi Alonsos e gjeti për mrekulli Karim Benzeman, i cili me të majtën kaloi Realin në epërsi (20’).
Gjysma e dytë u shoqërua me përplot tensione, shumë kartonë të verdhë, ndërsa u shënuan edhe katër gola.
Pas një periudhe loje jo të mirë nga ana e të dyja skuadrave, Sergio Ramos dyfishoi epërsinë e Los Blancos pas një harkimi nga këndi të Mesut Oezil (72’).
Mirëpo, ishte Roberto Soldado lojtari i cili e ndezi atmosferën në Mestalla duke e ngushtuar epërsinë e Mbretërve (75’).
Cristiano Ronaldo shfrytëzoi një gabim të portierit vendas për ta ngritur përsëri epërsinë e skuadrës së tij (79’).
Megjithatë, sërish doli në skenë ish-lojtari i Realit, Roberto Soldado, i cili e bëri më dramatik fundin e takimit (83’).
Soldado e shënoi edhe golin e tretë, mirëpo ai u anulua për pozitë jashtë loje, ndërsa deri në fund Los Che nuk arritën të bëjnë më shumë për ta barazuar rezultatin edhe pse në fund e patën një mundësi të mirë dhe pati paqartësi për prekje të topit me dorë.
Real Madridi rikthen diferencën prej tre pikësh në krye të tabelës kundrejt Barcelonës.
















