Mbrojtësi i Valencias, Jeremy Mathieu, ka theksuar se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk e ka respektuar skuadrën e tij gjatë takimit të fundjavës në Mestalla.Los Blancos fituan me rezultat 3-2 në një ndeshje që u përcoll me tensione të shumta, ndërsa pas golit të tretë të mysafirëve, Jose Mourinho i kërceu në shpinë njërit prej lojtarëve duke i ngacmuar tifozët vendas.
“Është tipike për Mourinhon. Ai nuk e respektoi Valencian, këto janë gjëra që duhet të shmangen në fushën e lojës”, ka thënë Mathieu.
Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, beson se Real Madridi do ta mbajë vendin e parë në tabelë deri në përballjen me skuadrën e tij në muajin dhjetor.Mbretërit kanë fituar tetë ndeshje radhazi në La Liga dhe gjenden në krye të tabelës me tre pikë më shumë se Blaugranët, ndërsa dy rivalët e përbetuar më 10 dhjetor zhvillojnë derbin e madh, ‘el Clasico’.
“Ata nuk do të humbin pikë”, ka thënë 24-vjeçari për Marca.
Nga ana tjetër, Fabregas është shprehur i kënaqur me paraqitjet e tij te katalunasit, ndërsa ka pohuar se Xavi ka ndikim të madh në lojën e tij.
Menaxheri i Djajve të Kuq, Sir Alex Ferguson, pret që Wayne Rooney të jetë në formë për përballjen e Ligës së Kampionëve ndaj Benficas.Sulmuesi anglez nuk ishte në fushën stërvitore të hënën, mirëpo trajneri ka thënë se ai nuk ka lëndim serioz dhe se pritet që të jetë i gatshëm për këtë ndeshje, e cila mund t’ia sigurojë kualifikimin Manchester Unitedit.
“Wayne ka pësuar disa goditje dhe mungoi në stërvitje sot (e hënë), por do të jetë në rregull”, ka treguar Sir Alex.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Glen Johnson, thotë se ekipi i tij do të luftojë për të siguruar një vend që çon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.“Po e marrim ndeshje pas ndeshjeje, por qëllimi ynë është top-katërshi dhe për këtë po luftojmë”.
“Nëse fillojmë të marrim më shumë pikë në shtëpi dhe e vazhdojmë atë që jemi duke e bërë si mysafirë, jam i sigurt se nuk do të jemi larg”, ka thënë Johnson për BBC Radio Merseyside.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, shpreson që skuadra e tij të sigurojë kualifikimin në fazën e eliminimit direkt me një fitore ndaj Trabzonsporit të martën mbrëma.“Mendoj se Trabzonspori do të zhvillojë një ndeshje mjaft të vendosur ndaj nesh, por ne duam ta sigurojmë kualifikimin nga kjo fazë grupore”.
“Por nuk do të jetë lehtë. Po luajmë ndaj një skuadre që po humbte nga Lille, por pastaj u kthye në lojë”, u ka thënë trajneri gazetarëve.
Interi në Turqi udhëton pa Wesley Sneijderin, ndërsa pritet që Diego Milito të bëjë më shumë për zikaltrit.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka bërë të ditur se Kaka nuk është ende qind për qind i riaftësuar, prandaj ai nuk do të jetë pjesë e skuadrës që do të luajë kundër Dinamo Zagreb në përballjen e të martës mbrëma në Ligën e Kampionëve.Braziliani po vuan nga një lëndim që e pësoi muajin e kaluar ndaj Real Sociedadit, ndërsa i shtohet listës së lojtarëve të lënduar, ku bëjnë pjesë edhe Ricardo Carvalho, Angel Di Maria, Marcelo dhe Alvaro Arbeloa.
“Kaka ende ka një problem të vogël, por ai e ka tejkaluar lëndimin. Ne nuk duam që ai të kthehet në fushë deri s atë jetë qind për qind i riaftësuar”, ka thënë Mourinho.
Portugezi i e ka vënë në dyshim edhe mundësinë e paraqitjes së Sergio Ramos.
Antonio Conte e ka krahasuar lojën sulmuese të Juventusit me stilin e lojës së Barcelonës.“Kur ju sulmoni me shtatë ose tetë njerëz, është normale të lësh hapësira në mbrojtje, si Barcelona mund të thuhet, me gjithë respektin dhe raportin me këtë krahasim. Ne gjithmonë përpiqemi të sulmojmë, por ende duhet të përmirësohemi dhe puna të vazhdojë në këtë nivel”, ka thënë Conte.
Juventusi aktualisht mban kreun e tabelës së Serie A pasi mposhti Palermon me rezultat 3-0 gjatë vikendit.
Alexandre Pato është i kënaqur që është rikthyer në aksion me Milanin në ndeshjen e vikendit ndaj Fiorentinës.Pato ka qenë jashtë fushe që kur pësoi një lëndim në shtator dhe ishte i pafat për të shënuar në barazimin pa gola ndaj Violas, duke goditur shtyllën.
“Nuk kam mundur të luaj më herët, por jam stërvitur fuqishëm dhe më ka munguar fusha gjatë këtyre dy muajve. Është ndjenjë e shkëlqyeshme, pasi isha në gjendje të bëj lëvizjet e mia të zakonshme”.
“Isha ca i pafat me vertikalen e djathtë, por shpresoj që topi do të shkojë me lehtësi në gol të mërkurën kundër Barcelonës”, ka thënë braziliani.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, zotohet se Djajtë e kuq do të vazhdojnë ta ndjekin liderin e tabelës, Manchester City.City tash është pesë pikë mbi Manchester United në maje të tabelës së Ligës Premier.
“Ju kurrë nuk mund ta dini se çfarë do të ndodhë, por ne kemi arritur të rikthehemi edhe në sezonin e kaluar”.
“Ka ende shumë ndeshje të mbetura. Ata (City) sigurisht se kanë lojtarë për të qenë në maje deri në fund të sezonit, andaj ne nuk i shohim si rivalë të lehtë. Por ne vetëm po gërmojmë dhe nxjerrim pikë në tabelë”, ka thënë Rooney.
Menaxheri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se është i shqetësuar me mbrojtjen pas disfatës së fundit nga Liverpooli.Një gol i Glen Johnson i shënuar në minutën 87-të të takimit i dha fitoren 2-1 Liverpoolit dhe ia shkaktoi trajnerit portugez disfatën e katërt në 12 ndeshje në Ligën Premier.
“Sasia e golave që ne pranojmë është diçka që më shqetëson. Andaj ne duhet të analizojmë se çfarë na bën neve më të mirë në aspekt të organizimit defensiv”.
“Kur ju pranoni gola në situata si kjo dhe jeni aq ulët në ligë, ju fokusoheni në detajet të cilat duhet t’i bëni në mënyrë të duhur. Kjo saktësisht ajo çfarë ne bëjmë dhe e dimë se ku duhet të përmirësohemi”.
“Ne nuk është se u japin shumë mundësi por kundërshtarët tonë janë më efektivë se ne. Por unë ende u besoj mbrojtësve tanë pasi ne kemi talent të shkëlqyeshëm në dispozicion dhe ne të gjithë besojmë se do të kthehemi në rrugë të duhur”, ka thënë Villas-Boas.
Mesfushori gjerman Mesut Ozil thotë se ai është i lumtur te Real Madridi.Babai i mesfushorit hodhi dyshime mbi të ardhmen e lojtarit me Realin pasi gjermani po dështon të fitojë hapësirë të mjaftueshme këtë sezon. Por vetë Ozil thotë se është i kënaqur në Santiago Bernabeu.
“Luaj në të njëjtën mënyrë si në ekipin e Gjermanisë. Kjo është se pse ndjehem komfort këtu dhe vërtet kënaqen në çdo ndeshje”, ka thënë Ozil.
















