Fatos Beqiraj ka shënuar për skuadrën e tij Dinamo Zagreb në Santiago Bernabeu në duelin kundër Real Madridit, që deklasoi klubin kroat me rezultat 6-2.
Real Madridi shënoi plot katër gola për 20 minuta, duke e përgatitur për pjekje në skarë ekipin kroat.

Golat brenda këtyre minutave i shënuan Karim Benzema (2’), Callejon (7’), Higuain (9’) dhe Mesut Ozil (20’).

Në pjesën e dytë Callejon e shënoi golin e tij të dytë në këtë takim (49’) për 5-0, para se Karim Benzema të shënonte për 6-0 (66’).

Megjithatë, ky nuk ishte fundi i takimit. Fatos Beqiraj e realizoi golin për 6-1, që njëkohësisht ishte i pari për pejanin në Ligën e Kampionëve dhe i pari për Dinamo Zagrebin në këtë garë këtë stinor. Për 6-2 në fund shënoi edhe Tomcak (90’).

Lyoni dhe Ajaxi barazuan pa gola në Stade Gerland, duke lënë kështu gjithçka të hapur për fazën tjetër pasi Ajaxi ka 8 pikë, por e pret Real Madridin, ndërsa Lyoni i shkon Dinamo Zabrebit në Maksimir. Lyoni duhet të shpresojë në humbje të Ajaxit dhe të fitojë me rezultat të thellë në Kroaci pasi ka 5 pikë.
Napoli ka shënuar fitore të madhe në përballje me Manchester Cityn duke prekur kështu kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, përderisa Bayerni i Munichut është konfirmuar lider me fitoren ndaj Villarrealit.
Ishte menduar se City është favorit në takimin e zhvilluar në San Paolo, por i këtij mendimi nuk ishte Edinson Cavani, i cili hapi serinë e golave me një shënim me kokë nga një kënd i vështirë për 1-0.

Përgjigjen për Napolin e kishte italiani Mario Balotelli, i cili shënoi nga afërsia pas gjysmë ore lojë (33’) dhe 1-1.

Sidoqoftë, me të filluar pjesa e dytë Edinson Cavani pas kombinimeve të bukura arriti të shënojë për 2-1 dhe fitoren e madhe të Napolit para tifozëve të vet të cilët ishin në ekzalt në këtë takim.

Bayerni i Munichut zhvilloi ndeshje të lehtë ndaj Villarrealit, ekip të cilin e mposhti me rezultat 3-1. Franck Ribery hapi serinë e golave për 1-0 pas tre minutave lojë.

Mario Gomez nga afërsia shënoi për 2-0 (24’), kurse në pjpesën e dytë Jonathan De Guzman shënoi për 2-1 me anë të një goditje sensacionale me volej (50’). Rezultatin përfundimtar prej 3-1 e vuri francezi Franck Ribery (69’).

Kështu me këtë fitore pas pesë xhirove Napoli ngjitet në vendin e dytë të Grupit A me 8 pikë, kurse Bayerni konfirmohet lider me 13 pikë. Manchester City është në pozitën e tretë me 7 pikë dhe në xhiron vendimtare pret në shtëpi Bayernin. Vetëm fitorja ndaj Bayernit dhe një barazim apo humbje e Napolit ndaj Villarrealit në San Paolo do t’i mundësonte Cityt kualifikimin tutje.
Gjërat janë komplikuar maksimalisht në Grupin C të Ligës së Kampionëve pasi Manchester United barazoi në Old Trafford në duelin me Benfican, përderisa Baseli shënoi fitore në udhëtim te Otelul.
Phil Jones hapi serinë e golave me një autogol, duke e kaluar në epërsi Benfican pas vetëm katër minutash lojë.

Në vazhdim të takimit Benfica tregohet shumë e rrezikshme, por ai që nuk u vërejt për 30 minuta, pikërisht në atë moment shënoi. Dimitar Berbatov barazoi rezultatin në 1-1 me kokë pas një harkimi fantastik nga Nani.

Në pjesën e dytë United hyn në takim më i bindur se kurrë dhe Darren Fletcher pas një situate në zonën e rreptësisë shënoi për 2-1. Nuk kaluan as dy minuta dhe Pablo Aimar nga afërsia shënoi (61’) për 2-2 dhe barazimin e rëndësishëm të portugezëve.

Baseli shënoi fitore me rezultat 3-2 në transfertë te Otelul Galati, duke lënë gjithçka të hapur për kualifikim.

Me këtë barazim Benfica ka 9 pikë po aq sa United në pozitën e parë, përderisa Basel gjendet në vendin e tretë me 8 pikë. Manchester United i shkon Baselit në finalen e vërtetë në Grupin C që përcakton gjithçka, pasi Benfica e ka siguruar kualifikimin pasi e ka të lehtë ndaj Otelulit.
Mesfushori i Barcelonës, Xavi Hernandez, e ka lëvduar sulmuesin e Santosit, Neymar, duke thënë se 19-vjeçari do të kishte sukses në Camp Nou.
“Neymar është një lojtar mjaft i talentuar dhe ka aftësi të jashtëzakonshme”

“Ka pasur shumë fjalë për kalimin e tij te Barcelona ose Real Madridi, por ai së fundmi e rinovoi kontratën me Santosin”.

“Mendoj se ai mund të bëhet një lojtar i madh dhe mund ta bëjë diferencën për cilëndo skuadër”, citon Spor TV fjalët e spanjollit.
Fabio Quagliarella nuk do të transferohet te Milani gjatë afatit kalimtar të janarit- ka deklaruar agjenti i tij, Beppe Bozzo.
28-vjeçari nuk po gjen vend në formacionin e Antonio Contes, ndërsa është spekuluar se ai mund të shkojë në San Siro për të zëvendësuar sulmuesin e lënduar Antonio Cassano.

“Quagliarella sipas të gjitha gjasave do të qëndrojë te Juventusi për një kohë të gjatë, sepse klubi po llogarit në të”, ka thënë Bozzo për Calciomercato.it.
Frank Lampard ka shprehur dëshirën e tij që të zgjasë qëndrimin te Chelsea edhe pas skadimit të kontratës aktuale, e cila përfundon në vitin 2013.
Mesfushori anglez ka rikthyer formën në javët e fundit, ndërsa aktualisht është golashënuesi më i mirë i Bluve me shtatë gola të realizuar deri më tani këtë sezon.

“Siç qëndron (në kontratë) unë e kam këtë sezon dhe sezonin e ardhshëm dhe do të doja ta vazhdoj atë”.

“Nëse klubi më dëshiron, unë do të jem këtu. Çfarëdo që thonë të tjerët rreth shkuarjes time diku tjetër, unë do të jem këtu, pa kurrfarë dyshimi”, citon Evening Standard fjalët e Lampard.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Sergio Aguero, dëshiron që te klubi aktual të arrijë sukseset që ka arritur Diego Maradona te Napoli.
Gjatë kohës së qëndrimit në San Paolo, njëri nga futbollistët më të mirë në histori, Maradona, arriti kulmin e karrierës së tij, ndërsa Aguero planifikon ta bëjë të njëjtën në stadiumin Etihad.

“Po, padyshim që është ëndrra ime që ta bëj për Manchester Cityn atë që bëri Maradona për Napolin, mirëpo nuk dua të flas për individualizëm, është me rëndësi që Manchester City të arrijë sukses si ekip”, ka deklaruar argjentinasi, i cili është dhëndërr i Maradonas.
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se vazhdon të jetë i uirtur për më shumë trofe, edhe pse ka fituar disa tituj të rëndësishëm në karrierë.
“Ajo që planifikoj është të fitoj tituj. Deri më tash kam fituar shumë gjëra dhe kam fituar çmime të rëndësishme, megjithatë gjithmonë je i uritur për më shumë”.

“Unë kam edhe disa vite për të luajtur, prandaj shpresoj në sukses”, ka thënë holandezi për Nike Football.
Mbrojtësi i Milanit, Thiago Silva, mendon se stërvitja dhe përvoja nuk mjaftojnë për ta ndalur superyllin e Barcelonës, Lionel Messi, prandaj ai lutet që ta arrijë këtë të mërkurën mbrëma në përballjen e Ligës së Kampionëve në San Siro.
“Si ta ndalësh Messin? Duhet ta bësh trininë e shenjtë dhe të lutesh”.

“Është vështirë ta ndalësh Messin dhe gjërat komplikohen kur luan kundër dikujt me shpejtësinë dhe teknikën e tij”.

“Disa lojtarë kanë mungesë kualiteti, por Messi dhe Cristiano Ronaldo i kanë të gjitha”.

“Është e vështirë që t’i mbulosh ata... Duhet të marrësh një vendim, bëje trininë dhe lutu për më të mirën”, ka thënë braziliani për Globoesporte.
Arsenali mund të jetë ekipi që do të harxhojë më së shumti në afatin kalimtar të janarit.
Daily Mail shkruan se ylli i Borussia Dortmund, Mario Goetze, është caku kryesor i Arsene Wenger, i cili dëshiron të plotësojë zbrazëtirat në kreativitet të lëna nga largimi i Cesc Fabregas dhe Samir Nasri.

Wenger ka 50 milionë funte në dispozicion për të harxhuar në përmirësimin e ekipit dhe dëshiron të shfrytëzojë pjesën më të madhe të shumës për të transferuar Goetzen.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, është duke u kërkuar nga Federata Angleze e Futbollit për të marrë nën drejtim përfaqësuesen e Anglisë.
Mediat angleze shkruajnë se Harry Redknapp mbetet favorit por ka dyshime për të nga ana e FA për shkak të shëndetit të tij dhe për shkak të problemeve me taksat. Redknapp mungoi në disa ndeshje te Tottenham dhe u kthye më detyrë vetëm mbrëmë pasi iu nënshtrua një operimi në zemër tre javë më parë.

“Emri i Arsene doli gjatë diskutimeve. Do të ishte e çuditshme nëse nuk do të përmendej. Ai është një menaxher i respektuar ndërkombëtarisht me një rekord të mahnitshëm”, ka thënë një burim nga federata angleze për Daily Express.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se Nani nuk është larg nëse e krahasojmë me yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
“Nani gjithmonë ka potencial. Disa prej atyre të cilët vijnë në klubin tonë nga jashtë e bëjnë këtë shpejt, të tjerët zhvillohen gradualisht. Nani është një prej atyre”.

“Edhe Cristianos iu deshën dy ose tre vite për të fituar pjekurinë në lojën e tij. Kjo është ajo çfarë ne e shohim me Nanin tash. Golat kanë qenë në rregull, por asistimet e tij janë shumë të larta. Ai është duke bërë progres vërtet mirë”, ka thënë skocezi.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, dëshiron të kualifikohet për në fazën e ardhshme të Ligës së Kampionëve sa më shpejt që është e mundur.
“Ne do të përballemi me një rival të vështirë, Trabzonspor. Është një atmosferë e nxehur”.

“Ne kemi përvojë nga ndeshja e parë, një ndeshje e komplikuar të cilën e humbëm për shkak të një incidenti. Objektivi i parë është kualifikimi dhe i dyti është pozita e parë në grup”, ka thënë Zanetti.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është duke bërë shopin në Brazil në prag të afatit kalimtar të janarit.
El Mundo Deportivo shkruan se Mourinho ka kërkuar nga agjenti i tij, Jorge Mendes, të porositë bashkëpunëtorët e tij brazilianë për të gjetur një mbrojtës të krahut të djathtë.

Mourinho është duke kërkuar një nënshkrim i cili do të ishte mbulesë për Alvaro Arbeloan.