Barcelona ka shënuar fitore të lartë me rezultat 4-0 ndaj Rayo Vallecanos në Camp Nou, duke u rikthyer kështu në luftën për titull pas humbjes minimale te Getafe fundjavën e kaluar.
Barcelona e filloi shkatërrimin pak më vonë nga sa është pritur. Alexis Sanchez shënoi pas gjysmë ore lojë (29’) për 1-0, ndërsa përsëri Sanchez (41’) e dyfishoi rezultatin. David Villa pas dy minutash e ngriti epërsinë në 3-0 që përcaktoi fituesin e takimit (43’).

Në pjesën e dytë shënoi Lionel Messi pas asistimit të dytë të Daniel Alves në këtë takim (50’), me rezultatin përfundimtar që në fund ishte 4-0.

Me këtë fitore Barcelona ka 31 pikë, tri pikë më pak se Real Madridi që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Me rezultat prej 2-0, Liverpooli e ka mposhtur Chelsean në kuadër të League Cup dhe ka siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinale të kësaj gare.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa rastin më të mirë e patë Andy Carroll nga pika e bardhë, por goditjen e tij e ndali portieri Ross Turnbull.

Në gjysmën e dytë, Redsat shënuan dy herë, me anë të Maxi Rodriguez (58’) dhe Martin Kelly (63’) për ta fituar takimin.
Zonja e Vjetër e ka arritur që në mënyrë të jashtëzakonshme të rrëmbejë një pikë nga udhëtimi i vështirë në San Paolo, duke barazuar me rezultat 3-3 kundër Napolit.
Një ndërhyrje të Andrea Pirlos në Ezequiel Lavezzin, arbitri e ndëshkoi me penalti, ndërsa Marek Hamsik herën e parë shënoi, por arbitri kërkoi që sërish të ekzekutohet e njëjta penalti, kurse për të dytën herë mesfushori dështoi të shënonte.

Hamsik e përmirësoi gabimin e tij në minutën e 23-të kur shënoi me kokë. Ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (40’), Goran Pandev e dyfishoi epërsinë pas një asistimi të Christian Maggios.

Porsa nisi gjysma e dytë (48’), Alessandro Matri pranoi një top të bukur nga Arturo Vidal për të shënuar golin e parë të mysafirëve.

Mirëpo, sulmuesi maqedonas Goran Pandev realizoi edhe golin e dytë personal në këtë ndeshje (68’), duke ua vështirësuar punën Bianconerëve.

Ky gol nuk i shqetësoi aspak mysafirët, të cilët shënuan sërish përmes Marcelo Estigarribia (72’), i cili u asistua nga Matri. Për më shumë, Zonja e Vjetër arriti që në mënyrë sensacionale ta barazojë rezultatin, ndërsa realizues ishte Simone Pepe (79’).

Me këtë pikë të fituar, Juventusi forcon kreun me dy pikë diferencë nga përcjellësit, Milan dhe Udinese.
Kapiteni i Juventusit, Alessandro del Piero, thotë se ndeshja përballë Napolit mund të jetë vendimtare në garën për titull.
“Pas fitores së rëndësishme në Romë kundër Lazios, para nesh tash qëndron një sfidë e cila do të jetë shumë e vështirë... sërish në San Paolo pas ndeshjes së anuluar të 6 nëntorit, pas disa ditëve në Borghesiana, pa qenë në Torino që nga ndeshja e të shtunës”.

“Këtë javë ne luajmë në një ritëm kupe, tre ndeshje në javë, andaj nuk ka kohë të shijojmë rezultatet e fundit, por ne do të duhet të mendojmë çfarë do të ndodhë”, ka thënë Del Piero.
Sulmuesi i Lazios, Djibril Cisse, ka mohuar se ekipi i tij është kandidat serioz për Scudetto.
Ekipi nga kryeqyteti italian qëndron në pozitën e katërt të Serie A pas disfatës së të shtunës ndaj Juventusuit, por vetëm tre pikë larg kreut.

“Është ende herët të flasim për Scudetto, sigurisht ne kemi bërë një start të mirë këtë sezon. Ne do të shohim nëse mund të krijojmë diferencën ndaj rivalëve tanë të drejtpërdrejtë”, ka thënë Cisse për Tuttomercato.
Agjenti i Eduardo Vargas, Diego Cativa, ka njoftuar se Liverpooli dhe Arsenali i janë bashkuar garës për shërbimet e sulmuesit të Universidad de Chile.
Dy klubet angleze do të duhet të luftojnë me Milanin dhe Interin për firmën e kilianit, i cili konsiderohet si njëri nga lojtarët më me perspektivë nga Amerika Jugore.

“Po flasim për klube, si Milan, Inter, Liverpool, Arsenal dhe të tjerë”, ka thënë agjenti për Super Vasco.
Shefat e kompanisë Adidas dëshirojnë ta bindin Michael Ballackun që të transferohet në MLS në verën e ardhshme për ta zëvendësuar David Beckhamin si fytyra e brendit të tyre në Shtetet e Bashkuara.
Derisa pritet që Beckham të largohet nga LA Galaxy dhe të kthehet në Evropë, me gjasë te PSG, kompania e veshjeve sportive tashme është në kërkim të një figure për fushatat e veta reklamuese, ndërsa Ballack është kandidati i duhur.

35-vjeçari aktualisht po luan për Bayer Leverkusenin, ndërsa kontrata i skadon në fund të sezonit dhe ai është i hapur për ta vazhduar karrierën në një vend tjetër.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, beson se Redsat po kalojnë nëpër një periudhë vendimtare dhe shpreson për një seri fitoresh në mënyrë që të kenë sukses këtë edicion.
Spanjolli, skuadra e të cilit barazoi me rezultat 1-1 ndaj liderit Manchester City, mendon se Liverpooli duhet ta përmirësojë paraqitjen në terren vendas, duke qenë se ka barazuar edhe përballë skuadrave, si Norwich dhe Swansea.

“Ne e dimë nga përvoja se sa të rëndësishëm mund të jenë dhjetori dhe janari sa i përket garës për titull dhe pozitës në ligë".

"Tash duhet të mundohemi më shumë se kurrë”, ka theksuar Reina për LFC Magazine.
Agjenti i Stephan El Shaarawyt ka deklaruar se klienti i tij është i lumtur në San Siro, megjithatë e ardhmja e tij me fanellën rossonere vazhdon të mbetet e paqartë.
19-vjeçari është paraqitur vetëm gjashtë herë për Milanin këtë sezon, ndërsa spekulohet se ai mund ta braktisë kampionin e Italisë në afatin kalimtar të janarit.

Agjenti Roberto La Florio ka thënë për Goal.com se ka skuadra të interesuara për klientin e tij, ndër to është Genoa, megjithatë ende nuk është vendosur asgjë për të ardhmen e tij.
Superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se Mbretërit nuk po vetëkënaqen nga fillimi i shkëlqyer i sezonit dhe kryesimi në Kampionatin spanjoll.
Los Blancos gjenden në krye të tabelës me gjashtë pikë diferencë nga përcjellësi i parë Barcelona, por portugezi thotë se askush te Reali nuk mendon se ata tashmë e kanë titullin në dorë.

“Ka edhe shumë rrugë për të ecur, ne nuk mendojmë se e kemi fituar La Ligan. Ne duam të fitojmë gjithçka”, citon AS fjalët e Ronaldos.
Ish-trajneri i Kolnit, gjermani Wolfgang Jerat, do ta drejtojë skuadrën e Prishtinës, kampionin aktual të sezonit vjeshtor, për gjashtë muaj.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë zyrtarët e klubit futbollistik “Prishtina” në konferencën e sotme për media.

“Prishtina vazhdon të jetë iniciator i proceseve dhe ndryshimeve pozitive”, ka thënë kryetari i KF “Prishtina”, Remzi Ejupi, i cili ka potencuar se Jerat do të angazhohet edhe në punën me kategori të reja ndërsa angazhimi i tij në klub sjell dobi për Prishtinën dhe futbollin kosovar.

Trajneri i ri i Prishtinës mendon se futbolli ynë është në nivel me ligën e tretë apo të katërt të Gjermanisë ndërsa do të punohet që ky nivel të ngrihet së paku deri në Ligën e dytë gjermane.

Jerat ka përmendur infrastrukturën si element kyç për avansimin e futbollit. Përgatitjet e skuadrës për përballjet e reja do të fillojnë në muajin janar të vitit 2012 ku nga afër do të veçohen në cilat segmente do të punojë trajneri gjerman.

Kryetrajneri i deri djeshëm Ramiz Krasniqi ka kaluar në postin e drejtorit sportive të KF “Prishtina” . Në drejtim e Krasniqit klubi futbollistik i Prishtinës është shpallur kampion i stinorit vjeshtor në Raiffeissen Superligën e Kosovës.

Wolfgang Jerat ka nënshkruar kontratë gjashtëmujore me mundësi vazhdimi për dy vjet. Ndërsa vlera financiare e kontratës nuk është bërë e ditur.
Ikona e Real Madridit, Ronaldo, i cili ka luajtur për Barcelonën dhe Real Madridi, e ka bërë të qartë se në zemrën e tij fle klubi mbretëror.
“Nuk mund të them nëse dy ekipet janë në nivel ose nëse Madrid luan po aq mirë ose më mirë se Barcelona”.

“Por shpresoj Madrid ta fitojë Ligën e Kampionëve dhe shpresoj të fitojë në Barcelonë. Po, po (kam luajtur për Barcën), por preferoj Madridin”, ka thënë Ronaldo.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, mendon se ata janë në gjendje ta arrijnë nivelin e Manchester Cityt në fushë.
“Financiarisht është e pamundshme të krahasohemi me ta. Por në fushë gjithçka është e mundshme. Ajo çfarë është interesante në futboll është se ne do të përballemi me ta dhe është e rëndësishme të garojmë me ta”.

“Përderisa ata nuk janë mposhtur [deri tash], atëherë edhe mund të kalojnë pa u mposhtur. Duket e pamundshme, por kurrë nuk i dihet. Mendoj se në ndeshjet moderne keni nevojë për ca fat – nëse shikoni ndeshjen kundër Liverpoolit, ata mund të ishin mposhtur. Ne duam tu afrohemi sa më shumë atyre dhe është e rëndësishme t’i mposhtim ata”, ka thënë Wenger.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, raportohet se ia ka hedhur syrin mesfushorit të Real Madridit, Sami Khedira.
Ferguson mendon se mesfushës së tij i mungon një shtyllë defensive dhe Khedira mund të jetë i duhuri për të kompletuar këtë pjesë të skuadrës së tij.

Gjermani nuk është një startues i rregullt te Real Madridi dhe ka dështuar të lërë gjurmë këtë sezon. Khedira më herët kishte joshur edhe interesimin e Chelseat.
Mbrojtësi i Tottenhamit, William Gallas, mendon se ata mund ta fitojnë titullin e Ligës Premier këtë sezon.
Gallas përfundoi dy herë në maje të ligës me Chelsean dhe ai është duke nuhatur një tregim të suksesshëm edhe me klubin nga White Hart Lane.

“Ne kemi pamjen e kampionit. Unë kam fituar trofe dhe e di se si është të fitosh dhe është plotësisht e mundshme të bëjmë diçka këtu”.

“Ju luani për sukses, luani për të ngritur veten, andaj tash ne duhet të besojmë te vetja, të punojmë fuqishëm për të arritur Cityn. Është mrekulli të shohim se si ne luajmë dhe mund të fitojmë çdo ndeshje”.

“Por nuk duhet të harrojmë se City është në maje dhe Arsenali është rikthyer. Është shumë e rëndësishme të tregojmë se çfarë mund të bëjmë këtë sezon”, ka thënë Gallas për The Times.
Ndihmës-menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo, thotë se klubi ka dëshirë të fitojë Kupën këtë sezon, në prag të çerekfinales përballë Liverpooli.
Di Matteo ka fituar këtë garë me Blutë si lojtar në vitin 1998, dhe është i vetëdijshëm për dobitë e ngritjes të trofeut të parë të sezonit.

“Që nga ndeshja e parë në këtë garë, ju mund të shihni se ne jemi të përkushtuar ta fitojmë atë. Është një mënyrë për të fituar një kupë dhe po ashtu mund të na japë neve një moment pozitiv nëse fitojmë një trofe në atë pjesë të sezonit”.

“Suksesi nën drejtimin e Luca [Vialli] i dha ekipit një besim dhe vrull të vërtetë, ishte një efekt pozitiv të shkosh dhe ta fitosh Kupën e Kupave dhe ta përfundosh sezonin mirë”, ka thënë Di Matteo.
Në prag të takimit gjysmëfinal të Kupës Carling përballë Manchester Cityt, Arsene Wenger ka zbuluar se ai kishte menduar dy herë të transferojë mesfushorin e kësaj skuadre, Owen Hargreaves.
“Është vështirë të mungosh një vit për shkak të lëndimit. Kur ata rikthehen, tregojnë një fuqi të shkëlqyeshme mentale dhe Owen Hargreaves e ka këtë. Ai ishte i rregullt në ekipin kombëtar të Anglisë dhe tash për vite ai nuk ka luajtur aspak. Çdokush është i lumtur që e sheh atë sërish në fushë”.

“Kur ai luante të Bayern Munich, ne e përcillnim atë nga afër, por ai ishte një transferim i madh – mendoj se ai iu shit Manchester United për 17 milionë funte në atë kohë dhe ai kishte vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij. Andaj ne nuk mund të bënim asgjë në atë kohë”.

“Gjatë verës, ne e morëm parasysh këtë por ne kishim lojtarë si [Emmanuel] Frimpong dhe [Francis] Coquelin që po arrinin - [Alex] Song dhe [Abou] Diaby në këto pozita defensive ku vërtet nuk kishim nevojë për të”, ka thënë Wenger.
Milani ka arritur marrëveshje me Catanian për huazimin e Maxi Lopez, bën të ditur Sky Sport 24.
Megjithatë raportohet se kjo marrëveshje është suspenduar për 10 ditë, pasi Milani është duke punuar për të nënshkruar me yllin e Manchester Cityt, Carlos Tevez.

Argjentinasi është jashtë favoritëve në Etihad Stadium dhe shihet si zëvendësues i Antonio Cassano, i cili është duke u rikuperuar nga operimi në zemër.

Në rast se tentimet e Milanit për Tevez dështojnë, atëherë kampionët e Serie A do ta kompletojnë nënshkrimin me Lopez.
Napoli ka bërë të ditur përmes faqes zyrtare se Edinson Cavani është shqetësimi më i fundit për trajneri Walter Mazzari në prag të takimit të sotëm me Juventusin.
Uruguaiani dje (e hënë) u largua nga stërvitja më herët për shkak të dhimbjeve në këmbën e majtë, të marrë në barazimin e të shtunës ndaj Atalantas.

Cavani së bashku me Gokhan Inler do të ekzaminohen mëngjesin e sotëm për të mësuar nëse do të jenë të gatshëm për të luajtur në ndeshje.

Sidoqoftë të dy lojtarët janë përfshirë në ekipin prej 19 lojtarësh për ndeshjen ndaj liderit të Serie A.
Patrice Evra mendon se Manchester United duhet të nxjerrë anët pozitive të barazimit 1-1 ndaj Newcastle në Old Trafford, derisa Djajtë e Kuq qëndrojnë të dytët dhe pesë pikë prapa rivalit Manchester City.
“Është një barazim, por ju duhet të nxirrni anët pozitive të tij. Mendoj se ekipi nuk ka luajtur në atë mënyrë një kohë të gjatë dhe krijoi shumë shanse, por nëse ju dëshironi ta fitoni ligën, ju duhet të shënoni më shumë gola”.

“Kundër Arsenalit, ne krijuam tetë shanse dhe shënuam tetë therë. Kësaj here shënuam një gol. Ndonjëherë, futbolli është i tillë – i çuditshëm. Ishte një ndeshje frustruese, por pozitive për Manchester United”, ka thënë Evra për Daily Telegraph.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri është i bindur se ekipi i tij mund ta fitojë titullin këtë sezon në Serie A.
“Nëse do të vija bast me 1 euro për titullin, atëherë unë do t’i vija mbi Interin sepse ne jemi favoritët për ta fituar atë”, theksoi Ranieri.

Nga ana tjetër Esteban Cambiasso u shpreh se Interi ende nuk është i mbaruar, duke marrë shembullin në Milanin e kritikuar që fitoi vitin e kaluar titullin.

“A jemi të mbaruar? Nuk mendoj kështu. Kështu kanë thënë edhe për Milanin që sezonin e kaluar fitoi titulin. Ishte thënë po ashtu e njëjta për Andrea Pirlon, i cili po e bën ende diferencën sot me Juventusin. Në momente të vështirësive njerëzit flasin aq shumë, por ne jemi të bindur se mund të konkurrojmë për titull me secilin ekip”, përfundoi Cambiasso.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola ka thënë se skuadra e tij duhet të përmirësohet nëse dëshiron ta fitojë La Ligën këtë sezon, pasi përndryshe Real Madridi do të dalë lehtësisht triumfues në fund.
“Jo gjithmonë mund të jeni në krye, por e vërteta është se është hera e parë që jemi nën një ekip tjetër. Kjo mund të ndodhë, po ashtu sepse jemi duke luajtur kundër Real Madridit”.

“Ne e dimë se kemi një rival shumë të fortë mbi ne dhe ne jemi të gatshëm t’i mposhtim. Ne duhet të përmirësohemi, ose kurrë nuk do t’i arrijmë. Ne jemi në nivel të mirë, por kjo nuk mjafton për të qenë lider në tabelë. Ne do të tentojmë shumë deri në ditën e fundit të sezonit. Unë nuk e di nëse do të jetë e mjaftueshme për t’u bërë kampionë, por do të tentojmë”, u shpreh Guardiola.