Manchester City e ka fituar kryendeshjen e javës së 16-të në Ligën Premier duke e mposhtur Arsenalin në Etihad Stadium me rezultat 1-0.
Gjysma e parë e takimit u mbyll pa gola. Portierët e të dyja skuadrave është dashur që të bëjnë intervenime bravuroze për të ruajtur portat e tyre të paprekura.

Sa i përket kësaj pjese, Sergio Aguero humbi disa raste të arta për Manchester Cityn, ndërsa Arsenali bëri një paraqitje relativisht të mirë.

Nuk kaloi shumë kohë brenda gjysmës së dytë dhe vendasit kaluan në epërsi. David Silva shfrytëzoi një top të kthyer nga Koscielny për të çuar në këmbë tifozët vendas (53’).

Në vazhdim të ndeshjes, Arsene Wenger e intensifikoi ofensivën e mysafirëve. Ndërsa në minutën e 78-të, arbitri nuk akordoi penalti në favor të Topçinjve pas prekjes së topit me dorë nga Micah Richards.

Arsenali vazhdoi të sulmojë deri në fund të sfidës, mirëpo pa sukses, ashtu që u desh të dalë i humbur nga ky takim.

Tre pikët e reja e kthejnë Manchester Cityn në krye të tabelës me dy pikë më shumë se përcjellësi i parë, Manchester United, ndërkohë që Arsenali pozicionohet në vend të pestë me 29 pikë, aq sa ka Liverpooli një pozitë më poshtë.
Liverpooli ka shënuar fitore të lehtë në udhëtim te Aston Villa me rezultat 2-0, duke paralajmëruar rivalët se ka filluar ringritjen në maje.
Liverpooli e filloi shumë mirë këtë takim. Craig Bellamy pas 11 minutash lojë shënoi për 1-0, pas asistimit të Stewart Downing.

Nuk kaloi shumë dhe vetëm pas tri minutave Martin Skrtel shënoi për 2-0 dhe fitoren e Liverpoolit në këtë sfidë, pasi në vazhdim nuk ndryshoi asgjë në rezultat.

Liverpooli me këtë fitore ngjitet në pozitën e gjashtë me pikë të barabarta me Arsenalin dhe me dy pikë më pak se sa Tottenhami.
Interi ka shënuar fitore minimale në transfertë te Cesena me rezultat 1-0, për të vazhduar ringritjen në maje të tabelës.
Pjesa e parë ishte tejet monotone, pa raste shënimi si për njërin ashtu dhe për taborin tjetër.

Ranieri ndryshoi diçka në pjesën e dytë dhe arriti deri te goli me anë të Andrea Ranocchias (63’).

Në vazhdim të takimit Interi nuk krijoi pothuajse asgjë dhe madje vuajti në fund, kur vendasit kërkuan barazimin, por mbrojtja e fortë Nerazzure dhe heroizmat e Julio Cesar bënë që zikaltrit të arkëtojnë tri pikë nga terreni i vështirë.

Me këtë fitore Interi ngjitet në vendin e pestë me 23 pikë, dy më shumë se Napoli dhe tri më shumë se Palermo. Napoli takohet sonte mbrëma me Romën në San Paolo.
Juventusi e ka rifituar pozitën e parë pas fitores me rezultat 2-0 ndaj Novarës në Arena di Juventus.
Juventusi e siguroi fitoren në fillim të takimit, pasi Simone Pepe (4’) shënoi për 1-0.

Në pjesën e dytë Bianconerët finalizuan gjithçka me golin e Fabio Quagliarellas të shënuar 15 minuta para përfundimit të takimit.

Juventusi tani gjendet përsëri në vendin e parë me 33 pikë, dy më shumë se Milani dhe tri më shumë se Udinese që sonte mbrëma takohet me Lazion në Olimpico
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards është zotuar që ta mbajë sa më larg golit sulmuesin e Arsenalit, Robin Van Persie, pikërisht në kohën kur holandezi është në formë të jashtëzakonshme.
“Van Persie është talent i jashtëzakonshëm. Kur ai nënshkroi për Arsenalin, ju keni mundur të shihni një lojtar të madh në sytë e tij dhe ai po vazhdon të përmirësohet”.

“Por, Vincent Kompany ka qenë i jashtëzakonshëm dhe Joleon Lescot ndoshta është mbrojtësi jonë më i mirë. Unë jam i sigurtë se këta dy do ta mbajnë larg golit Van Persien”, potencoi Richards.
Manchester United ka shënuar fitore shumë të rëndësishme dhe plotësisht të merituar me rezultat 2-0 ndaj Queens Park Rangers në udhëtim.
Djajtë e Kuq e dominuan takimin nga fillimi i tij, me raste të shumta dhe me një gol të realizuar që në minutën e dytë nga Wayne Rooney.

Presioni i United në portën e vendasve vazhdoi gjatë gjithë takimit, por në pjesën e parë nuk ndryshoi asgjë.

Në pjesën e dytë përkundër rasteve të shumta, shtyllës së goditur dhe lojës mjaft atraktive nga Manchester United, u shënua vetëm nja gol nga Michael Carrick (56’), i cili realizoi pas një goditje precize nga distanca.

United pos rikthimit të shpejtë të Chicharitos kësaj fitoreje mund t’i gëzohet pasi është lider në Ligën Premier me një pikë më shumë se Manchester City që në ora 17:00 pret në Etihad Stadium konkurrentin tjetër për titull, Arsenalin.
Ish-menaxheri i Chelseat, Carlo Ancelotti ka deklaruar se Napoli do ta eliminojë Chelsean nga Liga e Kampionëve, pasi beson se italianët kanë lojë më të mirë.
“Futbolli italian ka bërë hapa të mëdhenj para dhe futbolli anglez nuk është në formë të mirë, vërehet kjo me eliminimin e Manchester Cityt dhe Manchester Unitedit”.

“Napoli tashmë ka arritur një gjë të madhe duke mposhtur Cityn që po dominon në Ligën Premier, kështu që nuk shoh arsye pse të mos përsëritet kjo. Natyrisht, duhet performancë e mirë, por njerëzit e Mazzarrit mund të përmirësohen deri në shkurt. Chelsea do të tentojë të mbajë posedimin në top, përderisa Napoli është i paparashikueshëm në kundërsulme. Unë besoj se Napoli është shumë i fortë për Chelsean”, tha Ancelotti.
Barcelona është shpallur kampione e botës për klube, pasi ka mposhtur në finale skuadrën braziliane, Santos, me rezultat të thellë 4-0.
Ishte kjo një ndeshje të cilën Barcelona ka mundur ta fitojë me rezultat 10-0, mirëpo ishin disa momente me fat që shpëtuan brazilianët e Santos, pasi katalanasit ishin në ditën më të mirë të tyre, duke shfaqur perfeksion teknik, magji të futbollit dhe ngurtësim të statusit prej ekipi më të fortë në botë.
Barcelona dominoi nga fillimi i takimit, por goli erdhi në minutën e 17-të, kur Xavi në mënyrë mjeshtrore e gjeti të lirë Lionel Messin, i cili në mënyrë hyjnore finalizoi me një parabollë për 1-0. Barcelona vazhdoi me lojën superatraktive, duke mbajtur topin në gjysmëfushën kundërshtare. Daniel Alves me një pasim në zonë e nxorri në pozitë shënimi Xavin, i cili ishte i pa gabueshëm për 2-0 dhe epërsinë solide të katalanasve.
Në vazhdim tregohet një mundësi shumë e mirë për Fabregas, i cili pas një pasimi të jashtëzakonshëm të Andres Iniestas, qëlloi shtyllën pingule.
Por, Fabregas shënoi në fund të pjesës së parë, kur pas një tollovie në zonë të krijuar nga një pasim fantastik i Lionel Messit, e vulosi rezultatin e pjpesës së parë në 3-0.
Në fraksionin e dytë Santosi hyn diç më ambicioz në takim. Neymar humbi dy mundësi të mira, përderisa edhe Borges kishte një rast të mirë të pa shfrytëzuar.
Shpresat e Santosit i ka shuar kush tjetër pos Lionel Messit, i cili pasi tejkaloi edhe portierin në minutën e 82-të shënoi për 4-0 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi.
Kështu Barcelona shpallet për herë të dytë kampione e botës për klube brenda tri viteve, në një briliancë futbollistike të shfaqur nga Lionel Messi, i cili i tregoi talentit brazilian Neymar se duhet të rritet ende për futbollin evropian.
Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani ka zbuluar se klubi nga Milanello është frustruar pasi Manchester City ka refuzuar ofertën e huazimit për sulmuesin Carlos tevez.
67 vjeçari ka thënë për Sky Italia pas fitores prej 2-0 ndaj Sienës se klubi anglez ka refuzuar ofertën e tyre të parë, por shprehu bindjen se në rrethin e dytë të negociatave mund të arrihet akordi.

“Për momentin Manchester City nuk pajtohet me ofertën tonë për Tevez. Nëse pranohet mirë, nëse jo ai nuk do të vijë te ne. Ne do të takohemi me Cityn përsëri për të tentuar që t’i bindim deri më 31 janar. Nëse nuk arrijmë sukses, atëherë nuk do të vijë asnjë sulmues, apo thënë më mirë asnjë lojtar. Milani po kërkon një sulmues në treg për shkak të lëndimit të Antonio Cassanos”, tha Galliani.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho është shprehur i kënaqur me fitoren ndaj Sevillas në Ramon Sanchez Pizjuan, ku Los Blancos triumfuan me rezultat 6-2.
“Unë kam pritur fitore dhe që të jemi liderë të vetmuar. Gjëja kryesore ishte të fitojmë dhe të fitojmë ndaj një kundërshtari të vështirë”.

“Unë kam thënë para ndeshjes se ishim liderë në tabelë, por tani mund të them se jemi të vetmuar në tabelë. Ne kemi qenë shumë efektivë dhe më të mirë se kundërshtari, por e vërteta është se rezultati reflekton dallimin mes dy ekipeve. Ne merituam fitoren”, tha Mourinho.
Sulmuesi i Arsenalit, Robin Van Persie është shprehur i qartë për ambiciet e tij me klubin këtë sezon, duke thënë se ai dëshiron të luftojë për titull e jo për vendin e katërt.
“Ne duhet të kemi pritje më të mëdha javë pas jave, por tani për tani nuk mund ta bëjmë këtë pasi pas 15 ndeshjeve nuk jemi aty ku kemi planifikuar. Nuk është e mençur të jesh i kënaqur me vendin e katërt, të pestë, apo të gjashtë. Ne kemi edhe shumë ndeshje”.

“Shumë gjëra mund të ndodhin, shihni Tottenhamin si humbi tri pikë javën e kaluar dhe Chelsea mposhti Manchester Cityn. Është një kampionat i hapur ku gjithçka mund të ndodhë”, është shprehur Van Persie.
Menaxheri i Juventusit, Antonio Conte është shumë i relaksuar para ndeshjes me Novarën në kuadër të Serie A që zhvillohet sot me fillim nga ora 15:00.
“Është hera e parë që duhet të luajmë pa tri lojtarë të formacionit startues, por kemi testuar disa opsione. Jam i relaksuar sepse kushdo që do të luajë do ta dëshmojë veten”.

“Kjo është çfarë pres nga lojtarët e mi, sidomos prej atyre që janë më të nënvlerësuar, që luajnë më pak”, tha Conte.
Legjenda braziliane e futbollit, Pele, ka deklaruar në mënyrë sensacionale para finales së Kupës së Botës për klube (e dielë, 11:00) se Barcelona ka më pak tituj se sa Santosi.
“Tani për tani, Barcelona definitivisht është ekipi më i mirë”.

“Por, Santosi është konsideruar klubi më i mirë në botë për një dekadë dhe Barcelona nuk ka titujt që i ka Santosi”, tha Pele.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri ka thënë se po rritet vazhdimisht besimi brenda ekipit të tij, duke u shprehur optimist për pjesën e mbetur të sezonit.
“Në ndeshjet e fundit ne kemi arritur në një pozitë mjaft të mirë dhe keni parë se sa vlejnë këta lojtarë”.

“Kombinimi i të rinjve me lojtarët me përvojë po tregon rezultat dhe besimi është në rritje brenda ekipit. Sidoqoftë, unë mendoj se ne duhet të presim deri në fund të pjesës së parë të sezonit, më pas duhet të shohim se ku kemi arritur”, tha Ranieri.