Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, të hënën i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në këmbën e majtë, ndërsa pritet të mungojë rreth katër muaj, që do të thotë se ai do të mund të luajë në Kampionatin e ardhshëm Evropian, Euro 2012.Është pritur që Villa të mungojë në gjithë pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa mjeku udhëheqës i operacionit, Dr. Ramon Cugat, është shprehur mjaft optimist.
“Ekipi mjekësor është shumë i kënaqur me operimin e Villas. Shpresojmë se Villa do të jetë në gjendje të luajë në Kampionatin Evropian”, citon AS fjalët e mjekut.
Për më shumë, ai është shprehur optimist se sulmuesi katalunas mund të luajë edhe në finalen e Ligës së Kampionëve nëse Barca arrin deri atje.
Ryan Babel beson se Luis Suarez tashmë është bërë një legjendë te Liverpooli, përkundër kohës së shkurtër që po e bart këtë fanellë.Suarez u transferua në Anfield në janarin e këtij viti nga Ajaxi, ndërsa Babel- ish anësori i Redsave, aktualisht lojtar i Hoffenheimit- beson se ai tashmë ka lënë gjurmët e tij te klubi anglez.
“Luis është zhvilluar shumë mirë, te Ajaxi ishte një legjendë, ndërsa unë mendoj se ai është tashmë një legjendë edhe te Liverpooli”, ka thënë holandezi.
Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, ka njoftuar se klubi gjerman së shpejti do të jetë në gjendje të garojë me ekipet e mëdha nga Liga Premier në aspektin financiar.Ai ka thënë se nga viti 2016, Bayerni do të ketë nga 25 milionë euro shtesë për të shpenzuar në sezon për përforcimin e skuadrës, duke qenë se bavarezët janë pranë kthimit të kredisë prej 345 milionë eurosh për ndërtimin e Allianz Arena.
“Besoj se do të arrijmë të paguajmë për Allianz Arenan brenda pesë ose gjashtë vitesh maksimum”.
“Ndërsa atëherë, Bayerni do të ketë rreth 25 milionë euro më shumë në vit të disponueshme për të investuar në skuadër”.
“Atëherë nuk do të jetë e lehtë për klubet nga Liga Premier që të na mposhtin”, ka deklaruar Hoeness për Bild.
John Terry do të jetë në dispozicion të trajnerit Andres Villas Boas në takimin e të enjtes ndaj Tottenhamit në White Hart Lane.Kapiteni i Bluve pësoi një goditje në barazimin prej 1-1 ndaj Wiganit dhe u mendua se do të mungonte në ndeshjen e radhës.
Mirëpo, Terry është parë në fushën stërvitore mëngjesin e të hënës, ndërsa klubi ka njoftuar se lëndimi është i lehtë dhe se mbrojtësi do të luajë ndaj Spursave.
Orlando da Hora, agjenti i sulmuesit të Villarrealit, Nilmar, ka deklaruar se klienti i tij është shumë pranë nënshkrimit me klubin italian, Roma.Njoftohet se kryeqytetasit janë të gatshëm të shpenzojnë për brazilianin, të cilin nuk arritën ta transferojnë gjatë verës, ndërsa agjenti i lojtarit ka bërë të ditur se palët janë shumë afër marrëveshjes.
Ai më herët deklaroi se bisedimit po shkonin në drejtimin e duhur, ndërsa tani është shprehur se thuajse është e sigurt se Nilmar do t’u bashkohet Giallorossëve në janar.
“Unë mund të them se jemi shumë pranë dhe se mund të arrij një marrëveshje me Romën”, citon Super Deporte fjalët e Da Horas.
Paris Saint-Germain do të bëjë ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, vetëm nëse tentativa e Milanit për transferimin e tij dështon- ka thënë ish-trajneri i Milanit, aktualisht drejtor sportiv te klubi francez.Kuqezinjtë planifikojnë ta huazojnë argjentinasin në janar, me opsionin për ta blerë në fund të sezonit, mirëpo drejtuesit e Cityt janë të interesuar vetëm për shitjen e tij.
Nga ana tjetër, është thënë se PSG është gati të ndërhyjë për transferimin e Tevez. Mirëpo, Leonardo thotë se ata nuk duan ta ‘vjedhin’ lojtarin nga duart e Adriano Gallianit.
Leonardo, po ashtu, ka njoftuar se PSG interesohet për transferimin e mesfushorit të LA Galaxy, David Beckham, i cili gjatë fundjavës udhëtoi në Paris për t’u takuar me drejtuesit e klubit.
Mesfushori i Boca Juniors, Juan Roman Riquelme, ka deklaruar se superylli i Barcelonës, Lionel Messi, dalëngadalë po ia zë vendin Diego Maradonas, si figura kryesore në futbollin argjentinas.33-vjeçari ka thënë se Maradona konsiderohet si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave nga gjeneratat e vjetra, mirëpo Messi e ka zënë vendin e tij te tifozët e rinj të futbollit.
“Kam pasur fat të rritem gjatë epokës së Diego Maradonas, të cilin të gjithë argjentinasit e konsiderojnë si lojtarin më të mirë të të gjitha kohërave”.
“Pasi e shikoja duke luajtur dilja në rrugë me shokët e mi, e merrja topin dhe shtiresha sikur jam ai. E komentoja veten duke thënë: ‘Maradona e ka topin’, dhe gjëra të tilla”.
“Tash djalit tim i pëlqen Lionel Messi, ai fillon ta shutojë topin duke thënë: ‘Messi e ka topin’”.
“Për njerëzit e moshës sime, Maradona është njeriu kryesor. Por për gjenerata e reja, si djali im, Messi është heroi i tyre”, ka deklaruar Riquelme për faqen zyrtare të FIFA-s.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka pësuar një lëndim gjatë fitores mbresëlënëse prej 6-2 përballë Sevillas, i cili pritet ta kufizojë paraqitjen e tij në fushë.Spanjolli e zhvilloi të gjithë ndeshjen kundër andaluzianëve, mirëpo pas takimit u ankua për dhimbje.
25-vjeçari iu është nënshtruar disa ekzaminimeve të dielën për të përcaktuar llojin e lëndimit, ndërsa skanimet kanë treguar se ai i ka tërhequr tejzat.
Nuk është caktuar koha e mungesës së tij, por është e sigurt se Ramos nuk do të paraqitjet në takimin e Kupës së Mbretit ndaj Ponferradinas.
Jose Mourinho do të shpresojë që mbrojtësi të jetë në dispozicion të tij në ndeshjen e parë pas pushimit dimëror (më 8 janar kundër Granadas).
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka thënë se është e pamundshme të kopjohet stili i lojë së Barcelonës, pas komenteve të Silvio Berlusconit i cili tha se do të dëshironte t’i shohë Rossonerët të luajnë si Blaugranët.“Është e pamundshme të kopjohet Barcelona. Ne kemi një skuadër plot me lojtarë të mëdhenj dhe kampionë të vërtetë. Ne jemi klas në Itali dhe besoj se mund t’ia dalim mirë edhe në Ligën e Kampionëve, me karakteristika të ndryshme nga Barcelona”.
“Gjërat që ata i bëjnë janë unike dhe nuk mund të kopjohen. Milani i Arrigo Sacchit kishte lojtarë dhe karakteristika të cilat të tjerët nuk i kishin. Çdo trajner duhet të luajë në një mënyrë e cila nxjerrë më të mirën nga lojtarët që ka në dispozicion”, ka thënë Allegri.
Presidenti i Sevillas, Jose Maria del Nido, është dënuar me shtatë vjet e gjysmë burgim.Ai është shpallur fajtor për mashtrim, korrupsion dhe përvetësim në rastin “Minutas” nga gjykata e Malagas.
Ngjarjet kishin ndodhur nga viti 1999 deri në vitin 2003 kur Del Nido ishte jurist në komunën e Marbellas. Prokurori kishte kërkuar 30 vjet burgim për Del Nido, por gjykata kishte vendosur për shtatë vjet e gjysmë.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, është i ngazëllyer me fitoren 4-0 të skuadrës së tij ndaj Santos në finalen e Kupës Botërore të Klubeve, dhe e ka quajtur skuadrën e Pep Guardiolës si “më të mirën në histori”.“Ekipi i Pep Guardiolës mbase është skuadra më e mirë në histori të futbollit. Është e jashtëzakonshme se si luajnë ata, si e pasojnë topin, si mbrohen. Është madhështore”.
“Është vështirë të arrish në majë, por edhe më vështirë të qëndrosh. Kjo skuadër po e bën këtë. Ne duhet ta shijojmë momentin”.
“Ky sezon do të jetë i mirë pavarësisht çfarë ndodh më tej. Nëse ne fitojmë më shumë trofe, do të jetë edhe më e shkëlqyeshme”, ka thënë Rosell.
Ish-lojtari i kombëtares italiane, Cristiano Doni, është arrestuar nga policia italiane së bashku me 16 persona të tjerë për shkak të supozimeve për përfshirje të tij në një skandal të montimit të ndeshjeve, shkruan Corriere dello Sport.Përveç Donit, i cili tashmë është i suspenduar nga futbolli për tre vite e gjysmë për rolin e tij në skandal, janë arrestuar edhe ish-mbrojtësi i Interit, Luigi Sartor, Alessandro Zamperini, Andrea Gervasoni dhe Filippo Carobbio.
17 të dyshuarit raportohet se kanë kontakte me organizata kriminale në Singapor dhe në Evropën Lindore të cilat janë të përfshira në montimin e ndeshjeve dhe format tjera të mashtrimeve sportive.
Ndeshjet e sezonit 2010-11 të Serie A, Brescia-Bari, Brescia-Lecce dhe Napoli-Sampdoria, të gjitha janë duke u hulumtuar, si edhe disa ndeshje të tjera të Serie B dhe të divizioneve më të ulëta të futbollit italian.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, thotë se lojtarët e tij dëshmuan se nuk janë të lodhur, pas triumfit në Kupën Botërore të Klubeve.“Gjithçka është shumë e freskët. Kur dikush mendon për të gjitha ato që janë fituar, mendon se fundi është afër, është i pashmangshëm. Meritat janë te ajo që vjen më pas, nëse ne vazhdojmë të fitojmë tituj”.
“Por në të njëjtën kohë, nëse ata ia kanë dalë mirë deri tash, pse të ndalojnë këtu? Ne duhet të vazhdojmë me dëshirën për të fituar. Kjo do të varet nga aftësitë tona për të arritur këtë kërkesë. Tash do të kthehemi në Kataloni dhe duhet të përgatitemi për ndeshjen e Kupës. Është një privilegj të drejtoj këtë grup”, ka thënë Guardiola.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i bindur se ata janë një ekip më i mirë se Barcelona.“Me kalimin e kohës ne do t’i vlerësojmë meritat e skuadrës tonë. Ne të gjithë kemi nevojë ta rregullojmë problemin me Barcën në aspektin e brengës private, por ne jemi superior me ta vazhdimisht. Në fushë në të cilën ata kanë barazuar, ne kemi fituar bindshëm”.
“Kjo është e qartë se Liga spanjolle po sjell futbollin më të mirë në botë këtu, pasi Santos kurrë nuk do të arrinte të luajë as në Europa League. Vetëm Madrid ishte i aftë ta ndalojë Barcelonën në finalen e luajtur në prill, duke e mposhtur në Kupë pas 120 minutash lojë”, ka deklaruar Perez.
Sulmuesi i Villarrealit, Nilmar, thotë se është afër arritjes së një marrëveshje me Romën.Nilmar aktualisht është duke u rikuperuar nga lëndimi afat-gjatë, por agjenti i tij ka zbuluar se ai është në negociata të avancuara me Romën.
“Mund të them vetëm se bisedat po shkojnë shumë fuqishëm. Mendoj se ne mund të arrijmë një marrëveshje me Romën së shpejti”, ka thënë agjenti për mediat spanjolle.
Mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas, i ka paralajmëruar rivalët e Barcelonës se ata janë në gjendje që të bëhen edhe më të fortë në të ardhmen.Blaugranët u shpallën kampionë të botës me një fitore mbresëlënëse prej 4-0 kundër Santosit, duke konfirmuar veten si skuadra më e mirë në botë.
“Ne jemi gjithmonë të relaksuar. Kësaj skuadre i pëlqen presioni, ky ekip i pëlqen lojërat e këtilla dhe kjo është arsyeja pse kanë fituar kaq shumë në këto katër sezonet e fundit”.
“Ata nuk kanë nevojë më që t’i dëshmojnë askujt asgjë. Krejt çfarë duhet të bëjmë është që të vazhdojmë të besojmë se mund të bëjmë më shumë”, ka deklaruar Fabregas.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka provokuar Barcelonën duke thënë se është më mirë të jesh lider i vetmuar, pas fitores ndaj Sevillas që ia siguroi Realit vendin e parë për periudhat festive.“Ne kemi arritur objektivin tonë. Ne do të festojmë vitin e ri me tri pikë më shumë. Ne kemi luajtur mirë në një ndeshje të vështirë dhe jemi shumë të kënaqur”.
“Nuk më intereson çfarë njerëzit thonë për mua. Unë bëj punën time dhe fokusohem në ekipin tim. Ne luajtëm mirë dhe vërtet mezi presim ndeshjen e ardhshme”, u shpreh Ronaldo që realizoi het-trik.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, është shprehur tepër i kënaqur me formën e mesfushorit Antonio Nocerino, pasi ai shënoi golin e gjashtë ndaj Sienas.Nocerino arriti në kuotën e gjashtë golave këtë sezon, më shumë se sa i gjithë sulmi i ekipit rival, Interi, ndërsa Allegri sigurisht se dëshiron më shumë.
“Unë shpresoj që Nocerino të shënojë 15 gola këtë sezon. Ai tashmë ka shënuar gjashtë gola dhe po dëshmon të jetë një futbollist i vërtetë Rossoner”, u shpreh Allegri.
















