Me rezultat prej 2-0, Milani e ka mposhtur Cagliarin në Stadio Sant’Elia, për të prekur sërish majën e tabelës së Kampionatit italian.Nuk kaluan shumë minuta nga fillimi i ndeshjes (4’) dhe mysafirët kaluan në epërsi. Ibrahimovic e gjeti Robinhon, i cili goditi në drejtim të portës, ndërsa duke tentuar ta ndalte Nocerinon, Francesco Pisano shënoi në portën e vet.
Fraksioni i parë përfundoi me epërsi minimale të Rossonerëve, megjithëse vendasit shfaqën një lojë mjaft të mirë.
Robinho ishte i përfshirë edhe në golin e dytë të kuqezinjve, pasi ishte pikërisht braziliani që asistoi te Zlatan Ibrahimovic që nuk fal (60’).
Fitorja e pozicionon Milanin në vend të parë në tabelë me një pikë më shumë se Juventusi, që takimin e kësaj xhiroje e zhvillon të mërkurën si mysafir i Udineses, ndërsa Rossonerët do të shpresojnë për një barazim të këtyre skuadrave.
Bavarezët e kanë përmbysur epërsinë e Bochumit për të fituar me rezultat 2-1 në stadiumin Rewirpower dhe për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë.Giovanni Federico shënoi për vendasit (26’) dhe me epërsi minimale përfundoi pjesa e parë.
Në gjysmën e dytë, mysafirët realizuan dy herë. Fillimisht Toni Kroos e barazoi rezultatin (52’), ndërsa takimin e vendosi Arjen Robben (90’).
Kështu, Bochumi përshëndetet nga gara, ndërsa Bayern Munichu vazhdon në çerekfinale.
Real Madridi ka shënuar fitore prej 5-1 në ndeshjen kthyese kundër Ponferradinas në kuadër të Kupës së Mbretit, dhe kështu me rezultat të përgjithshëm prej 7-1 kualifikohet në 1/8 e finales së kësaj gare.Jose Maria Callejon e zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të, ndërsa Nuri Sahin e vendosi rezultatin e pjesës së parë (44’).
Me të filluar gjysma e dytë (59’), Raphael Varane e trefishoi epërsinë, ndërsa Acoran Reyes e shënoi golin që rezultoi i nderit për mysafirët (53’).
Në vazhdim, Mbretërit shënuan edhe dy herë, ndërsa realizues ishin Joselu (79’) dhe Callejon me golin e dytë personal (88’) e vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.
Mbrojtësi i Udineses, Mauricio Isla, ka thënë se do t’i pëlqente që të shënojë në portën e gardianit të Juventusit, Gianluigi Buffon.Dy skuadrat nga kreu i tabelës së Serie A takohen të mërkurën në Stadio Friuli, ndërsa lojtari nga Kili i ka paralajmëruar Bianconerët se nuk do ta kenë të lehtë.
“E dëshiroj Buffonin në koleksionin tim të portierëve më të mirë ndaj të cilëve kam shënuar. Tashmë, mes tjerësh, kam shënuar ndaj Julio Cesar dhe Casillas”, ka thënë Isla për Tuttosport.
Vitin e kaluar Juventusi fitoi me rezultat 4-0 në Friuli, ndërsa Isla thotë se kësaj radhe do të jetë ndryshe, sepse Udine e ka ndërruar sistemin e lojës.
Liverpooli e ka kompletuar transferimin e 16-vjeçarit, Jordon Ibe, nga klubi i League One, Wycombe Wanderers.Redsat kanë arritur të mposhtin konkurrencën e Manchester Unitedit dhe Fulhamit për të siguruar nënshkrimin e të riut të talentuar për shumën prej 750.000 funtesh.
Trajneri i Wycombe, Gary Waddock, ka thënë se edhe pse kishte dashur ta mbajë Iben në skuadër, mundësia që lojtari të luante për Liverpoolin nuk mund të refuzohej.
“Është një transferim fantastik për të. Ai është një talent fenomenal, prandaj ia dhamë mundësinë që të shohë se çfarë mund të bëjë në një nivel të lartë ekipor”, ka theksuar Waddock.
Personaliteti televiziv dhe tifozi i Arsenalit, Piers Morgan, beson se Manchester City nuk ka absolutisht gjasa për ta transferuar sulmuesin e Topçinjve, Robin van Persie.Holandezi po kërkohet nga ekipi i Roberto Mancinit, mirëpo, sipas Morgan, ai do të refuzojë çfarëdolloj ofertë luksoze që do t’i ofrojnë ‘pasanikët’ dhe do të qëndrojë në Emirates.
“Ka më shumë gjasa që Manchester City ta transferojë Papën sesa të nënshkruajë me Robin Van Persien. Ai nuk është Samir Nasri”, ka thënë Morgan në një emision në Absolute Radio.
Claudio Ranieri ka refuzuar të komentojë spekulimet rreth largimit të Wesley Sneijder nga Interi.Holandezi është lidhur me një kalim të mundshëm te Manchester Unitedi, ndërsa edhe skuadra të tjera janë të interesuara për shërbimet e tij.
Mirëpo, gjatë një konference për media para takimit ndaj Lecces, trajneri shmangu pyetjet rreth të ardhmes së 27-vjeçarit.
“Nuk dua të mendoj për një skuadër pa Sneijderin, sepse ai është një pendë në kësulën tonë”.
“Unë jam mësuar të flas mes katër muresh dhe nëse kam diçka për të thënë rreth transferimeve, ia them këtë Morattit”, ka deklaruar Ranieri.
Trajneri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, mendon se zgjidhja më e mirë është shitja e Carlos Tevez e jo huazimi i tij.27-vjeçari ka pasur disa mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit e në veçanti me trajnerin, ndërsa e ka shprehur hapur dëshirën e tij për t’u larguar nga Etihad Stadium.
Milani është nga skuadrat më të interesuara për transferimin e argjentinasit, mirëpo Rossonerët dëshirojnë ta huazojnë atë me opsionin për ta blerë dhe jo ta blejnë që në janar.
“Shpresoj që të gjejmë një zgjidhje të mirë për ne dhe Carlosin. Ne duam që Carlos të kthehet dhe të luajë futboll, ndërsa zgjidhja më e mirë për ne është që ta shesim atë. Ne nuk mund ta lejojmë atë që të largohet në formë huazimi”, u ka thënë Mancini gazetarëve.
Trajneri legjendar argjentinas, Carlos Bianchi, ka deklaruar se Lionel Messi është lojtar më i mirë se sa legjendat e futbollit, Diego Maradona dhe Pele.Pas triumfit të Barcelonës në Kupën e Botës për Klube, Bianchi ka pohuar se 24-vjeçari i ka kaluar dy ikonat e futbollit, edhe pse nuk ka arritur sukses me fanellën e kombëtares së tij.
“Para disa ditësh pata një bisedë për biznes dhe një brazilian më pyeti në mes të konferencës se kë e konsideroja si futbollistin më të mirë në histori, Maradonan ose Pelen. Unë u përgjigja se, me gjithë respektin që kam për këta dy, tash për tash e konsideroj Messin superior ndaj të gjithëve”, ka deklaruar ai.
Bianchi ka folur edhe për ekipin aktual të Barcelonës, të cilin e konsideron si skuadrën më të mirë që ka shkelur ndonjëherë në fushë.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, mendon se ekipi i tij i ka tejkaluar të gjitha pritjet deri më tani këtë sezon.Bianconerët mbajnë kreun e tabelës në Serie A me dy pikë përpara Milanit dhe Udineses, ndërsa janë të pamposhtur deri më tani.
“Deri më tash, Juve i ka kaluar të gjitha pritjet, përfshirë edhe të miat dhe tash jemi në një moment të bukur”.
“Edhe pse titulli dorëzohet në maj dhe gjithçka varet se ku do të jemi atëherë, më duhet të them se djemtë aktualisht janë duke bërë diçka të jashtëzakonshme”, ka deklaruar 42-vjeçari.
Juventusi të mërkurën mbrëma zhvillon ndeshjen e vështirë ndaj Udineses.
Mediat angleze shkruajnë se ylli i New York Red Bulls, Thierry Henry, mund të veshë fanellën e Arsenalit sërish në janar.Francezi 34-vjeçar po stërvitet me ish-klubin e tij gjatë kohës së pauzës së kampionatit amerikan të futbollit për të ruajtur formën. Por The Times shkruan se Arsene Wenger mund të arrijë një marrëveshje me klubin amerikan për një huazim një-mujor.
Arsenali do të jetë pa sulmuesin Marouane Chamakh dhe mesfushorin Gervinho të cilët do të udhëtojnë për në Kupën Afrikane të Kombeve gjatë janarit, njëri për Marokun tjetri për Bregun e Fildishtë. Si rezultat i këtyre mungesave, Henry mund të jetë një opsion i përshtatshëm për Wenger për të mbuluar kapitenin Robin van Persie.
Henry shënoi 174 gola në 254 paraqitje për Arsenalin, para se të largohej nga klubi drejt Barcelonës në qershor të vitit 2007.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, ka thënë se kohët e tij të pasigurisë tashmë janë e kaluar dhe se ai është në çastet e lulëzimit.“Tash jam në një moshë kur fillojnë vitet më të mira të karrierës – ose mbase tashmë kanë filluar. Në moshën 26-vjeçare ju jeni në lulëzim si sulmues”.
“Dhe në mes të të 20-tave ju jeni më i pjekur, keni më shumë përvojë në situatat të cilat janë vendimtare në lojë, jeni më të relaksuar”, ka thënë Gomez për Kicker.
Manchester United dhe Liverpooli raportohet se janë zhytur edhe në një garë tjetër, për të nënshkruar me mesfushorin shqiptar të Baselit, Xherdan Shaqirin.Sipas Daily Star, United ka kontaktuar agjentin e tij Ulisse Savini për një transferim në vlerën e 10 milionë funteve në Ligën Premier.
Shaqiri, 20-vjeçar, madje është krahasuar me yllin e Barcelonës, Lionel Messi, nga mediat angleze, pas një varg të paraqitjeve impresive për Baselin dhe për Zvicrën.
Edhe Liverpooli ka vëzhguar nga afër kosovarin që kur Roy Hodgson ishte menaxher dhe drejtori sportiv i klubit anglez, Damien Comolli, e kishte përcjellë atë disa herë.
Fergie është i bindur se do të mund t’i sigurojë shërbimet e lojtarit dhe mund t’i ofrojë një pagë më të madhe, por Shaqiri mund të jetë i joshur të qëndrojë te Basel, pasi arriti të kalojë fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve duke eliminuar pikërisht United.
Sulmuesi i Barcelonës, David Villa, thotë se ai do të fillojë të rikuperohet sa më shpejt që mundet dhe se shpreson të rikthehet në fushë së shpejti.Spanjolli u lëndua në gjysmëfinalen e Kupës Botërore të Klubeve ndaj Al-Sadd dhe të hënën iu nënshtrua operacionit. Rikuperimi i tij pritet të zgjatë nga katër deri në pesë muaj, por spanjolli shpreson të rikthehet më herët.
“Me shumë punë dhe me ndihmën e njerëzve të tjerë, ju do të më shihni në fushën e futbollit shumë shpejt, duke u kënaqur siç kam bërë më herët”.
“Koka ime është rikuperuar që pas operacionit. Do të filloj të rehabilitoj këtë këmbë së shpejti. Vërtet mezi pres të shërohem dhe të mund të kthehem dhe të luftoj në fushë”, ka deklaruar Villa për faqen zyrtare të Barcelonës.
Trajneri i Zenit St Petersburg, Luciano Spalletti, e sheh Milanin si të barabartë me kampionin e botës, Barcelonën.“Më pëlqen Barcelona, por Milani është i mirë. Milani është skuadra më e fuqishme në kampionatin italian dhe ata janë kandidatët kryesor për ta fituar Scudetton sërish”.
“Sipas mendimit tim, Milani është një prej pak skuadrave në botë të cilët mund ta sfidojnë Barcelonën që tash”, ka thënë Spalletti.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, mendon se madrilenët meritojnë respekt pasi kryesojnë para Barcelonës në tabelën e La Liga.“Nëse mund të garoni me ta, t’i mposhti ata për një titull, të jeni mbi ta, të fitoni më shumë pikë se ata në vitin 2011, kjo është po ashtu një meritë”.
“Nëse ne do të kishim një kundërshtar më të vogël, detyra do të kishte qenë më e lehtë. Nëse Madrid do të kishte luajtur në një ligë tjetër, ne do ta kishim fituar atë me lehtësi”, ka thënë Mourinho.
















