Presidenti i zgjedhur i Corinthians, Roberto Andrade, ka njoftuar se klubi brazilian do të bëjë tjetër ofertë për sulmuesin e Manchester Cityt, Carlos Tevez, në vitin 2012.
“Ai është lojtar i shkëlqyer. Në fillim të vitit të ri do të fillojmë sërish bisedimet, por do të jenë negociata të vështira”.

“Vlera e tij është shumë e lartë, por Corinthians do të angazhohen shumë për këtë”, ka thënë Andrade për Estadao.

Klubi italian Milan është favoriti kryesor për ta transferuar sulmuesin argjentinas.
Ish-trajneri i Gjermanisë, Berti Vogts, beson se Spanja do të dështojë në tentimin për ta mbrojtur titullin e kampionit të Evropës në Kampionatin që mbahet në verën e ardhshme në Poloni dhe Ukrainë.
Spanja është kampione në fuqi e Evropës (2008) dhe botës (2010), por, sipas Vogts, është vështirë që Furia e Kuqe të fitojë dy tituj të Evropës radhazi.

“Spanja nuk do ta mbrojë titullin. Nëse fitoni aq shumë tituj sa spanjollët, atëherë ka mungesë të vullnetit krucial për dy deri në tre për qind”, ka thënë ai për Kicker.

Vogts, i cili e drejtoi Gjermaninë drejt titullit të Evropës në vitin 1996, ka thënë se përfaqësuesja e tij ka gjasa reale për të triumfuar në Euro 2012, por me kusht që të mos gabojë në mbrojtje.
Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, është shprehur i zhgënjyer pas barazimit prej 1-1 ndaj Wolverhamptonit në Emirates, ndërsa për këtë e konsideron fajtore skuadrën e tij.
Me fitore eventuale, Topçinjtë do ta kalonin Chelsean për t’u pozicionuar në vend të katërt, mirëpo ata nuk arritën të fitojnë përkundër se luajtën më mirë.

“E humbëm një rast të mirë, por duhet të vazhdojmë dhe të marrim anën pozitive të rezultatit”.

“Ajo që duhet të mësojmë është se kur avancojmë 1-0, besoj se bëhemi shumë komodë në disa pozita”, ka deklaruar Wenger pas ndeshjes.
Mesfushori i dikurshëm i Barcelonës, Emmanuel Petit, ka deklaruar se çmimi FIFA Topi i Artë për vitin 2011 duhet t’i jepet yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
“Xavi e ka ridefinuar pozitën e organizatorit të mesfushës. Loja e Barcës kalon përmes tij dhe ai është talent i madh. Messi bashkon gjithçka që bën Barca; ai është i jashtëzakonshëm. Ai është një lojtar nga PlayStation”.

“Mirëpo, unë do të thosha për Ronaldon, dhe Zoti e di sa i dua edhe dy të tjerët! Madridi luan në një kontekst lojë më të komplikuar se Barcelona, por ai ka disa statistika mbresëlënëse”, ka thënë Petit për Marca.
Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, ka pohuar se dëshiron që njëri nga bashkëlojtarët e tij, Lionel Messi ose Xavi Hernandez, ta fitojnë trofeun FIFA Topi i Artë, e jo superylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo.
Dyshja blaugrane gjendet në listën e ngushtë prej tre lojtarësh, të cilën e plotëson Ronaldo, për çmimin prestigjioz që do të ndahet më 9 janar në Cyrih.

“Të tre që janë aty janë tre më të mirët. Por unë kam dy kolegë dhe do të jem i lumtur nëse fituesi është njëri nga ata”, ka thënë spanjolli.
Mbrojtësi brazilian, Thiago Silva, ka deklaruar se shpreson që të nënshkruajë një kontratë të re me Milanin, ndërsa në të ardhmen planifikon ta bartë edhe shiritin e kapitenit të kësaj skuadre.
Kontrata aktuale e tij skadon në vitin 2016, por 27-vjeçari planifikon që të qëndrojë sa më gjatë në San Siro.

“Që nga fillimi kam dashur të bëhem kapiten, por pastaj u bëra kapiten i Brazilit dhe ndërrova mendje”, ka thënë Silva për Ansa, duke shtuar se kur t’i skadojë kontrata aktuale do të kërkojë nga Adriano Galliani që t’ia vazhdojë atë edhe për pesë vite të tjera.

Megjithatë, sa i përket rolit të kapitenit, ai gjendet prapa Massimo Ambrosinit, Gennaro Gattusos dhe Christian Abbiatit.
Pas Chelseat, Manchester Cityt dhe Liverpoolit, edhe Arsenali ka barazuar në këtë xhiro të Ligës Premier. Në takimin e zhvilluar të martën në Emirates mes Topçinjve dhe Wolverhamptonit, nuk pati fitues pasi rezultati i fundit i ndeshjes ishte 1-1.
Vendasit patën posedimin në pjesën më të madhe të fraksionit të parë dhe padyshim që luajtën më mirë, megjithatë kur shkuan në pushim, rezultati ishte i barabartë.

Pas një kundërsulmi në minutën e tetë të ndeshjes, Gervinho arriti ta mposhtë portierin Hennessey për epërsinë e Arsenalit.

Mirëpo, Steven Fletcher pranoi një top nga Stephen Hunt dhe me kokë e nivelizoi takimin (38’).

Edhe në gjysmën e dytë ishin lojtarët e Arsenalit ata që e kërkonin golin e fitores, mirëpo nuk arrinin të shënonin sidomos falë intervenimeve të mira të portierit mysafir.

Në minutën e 75-të, Nenad Milijas u përjashtua me karton të kuq pas një vendimi kontrovers të arbitrit, i cili i la Wolvesat me një lojtar më pak në periudhën e fundit të ndeshjes.

Megjithatë, Topçinjtë nuk arritën ta shënojnë golin që do t’ua siguronte tre pikë të plota nga kjo përballje.

Ky barazim e lë Arsenalin në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë më pak se liderët, Manchester City dhe Manchester United.
Zinedine Zidane ka thënë fjalë të mira për shënjestrën e Paris Saint-Germain, David Beckham, duke theksuar se mesfushori i LA Galaxy mund të bëjë gjëra që ai nuk mundi t’i bënte.
Lojtari anglez, 36-vjeç, pritet që gjatë afatit kalimtar të janarit të transferohet te klubi francez, ndërsa Zidanë, një ish-bashkëlojtar i tij te Real Madridi, në një intervistë për France Football ka thurur lëvdata për Beckham.

“Nuk e di se si arrin që të duket aq i qetë në fushë. Ai është thuajse një yll popi. Unë nuk mund ta bëja atë. Është e jashtëzakonshme, sidomos kur dihet se ai është po aq i turpshëm sa unë”, ka thënë Zidane.

Nga ana tjetër, ish-portieri i Manchester Unitedit, Fabien Barthez, ka thënë se Beckham është shumë i ngjashëm me Zidane në etikën e punës.
Sulmuesi i Interit, Diego Forlan, thekson se ndjehet më i freskët pas periudhës që kaloi jashtë fushe, ashtu që planifikon t’i kthehet shënimit të golave së bashku me Giampaolo Pazzinin dhe Diego Militon.
Ofensiva zikaltër nuk ka qenë efikase gjatë këtij sezoni, por uruguaiani paralajmëron gola.

“Kemi kaluar nëpër një periudhë të vështirë, por tash skuadra po fiton dhe është me rëndësi të kthejmë vetëbesimin e plotë në aftësitë tona”.

“Kur nuk luan mirë, ke më pak raste për të shënuar. Por lojtarët si Pazzini, Milito dhe unë asnjëherë nuk harrojnë si shënohet, dhe kur e rigjen vetëbesimin dhe gjërat fillojnë të kthehen, sulmuesit do të fillojnë të shënojnë sërish gola”, ka deklaruar Forlan për La Gazzetta dello Sport.
Trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, ka bërë të ditur se Filippo Inzaghi nuk është duke u stërvitur me ekipin e parë të Rossonerëve.
Sulmuesi veteran është paraqitur vetëm tri herë këtë sezon, ndërsa trajneri i Milanit e organizon sulmin duke menduar vetëm për Zlatan Ibrahimovic, Robinho, Alexandre Pato, Stephan El Shaarawy dhe ndonjë sulmues tjetër që mund të vijë në vend të Antonio Cassanos, duke lënë jashtë planeve të tij SuperPippon.

“Më vjen keq për të. Ai është një lojtar që është pjesë e historisë së Milanit, ai ka treguar entuziazëm të madh, por mua më duhet të marr vendime”.

“Ai nuk është stërvitur me ekipin qe një kohë dhe për shkak të kësaj ai nuk është në planet e mia, ai nuk është në dispozicion”, ka thënë Allegri për Sky Sport 24.

Kjo lë të kuptohet se Inzaghi së shpejti do ta braktisë San Siron.
Sulmuesi i Milanit, Alexandre Pato, është ankuar për mungesën e komunikimit me trajnerin Massimiliano Allegri.
Allegri së fundi porositi Paton të rikthejë formën e tij më të mirë, por 22-vjeçari ka një përgjigje ndaj trajnerit të tij, nga i cili kërkon t’ia qartësojë se çfarë kërkon më shumë.

“Ancelotti vinte te unë dhe më shpjegonte çfarë duhet të bëja në fushën e lojës. Allegri duhet ta bëjë të njëjtën gjë, ai duhet të më tregojë se në cilat aspekte të lojës time duhet të përmirësohem”.

“Nuk dua të vlerësoj atë çfarë ai i ka thënë shtypit, pasi ai është trajneri im dhe duhet ta respektoj këtë. Është e vërtetë se duhet të përmirësohem, por këtë duhet ta bëjnë edhe bashkë-lojtarët e mi. Çdo ditë ju duhet të bëni diçka më shumë ose të mësoni diçka të re”, ka thënë Pato.
Ish-trajneri i Chelseat, Jose Mourinho, thotë se ai shpreson të rikthehet në Ligën Premier pas disa vitesh.
“Jam shumë, shumë i lumtur që jam te Real Madridi. Është një përvojë e madhe për mua. Besoj se mbase ky është klubi më i madh në historinë e futbollit, të cilën shans nuk kam dashur ta humbas”.

“Por pasioni im është Anglia dhe hapi im i ardhshëm do të jetë të kthehem sërish atje, nëse është e mundshme të qëndroj për një kohë më të gjatë. Më gjeni një klub për disa vitesh, më gjeni një klub të mirë”, ka thënë Mourinho gjatë një interviste për Radio BBC.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, pret që Robin van Persie të shënojë gol në ndeshjen e sotme kundër Wolves.
Wenger thotë se Van Persie është i paepur ta thyejë rekordin e Alan Shearer për numrin më të madh të golave të shënuar brenda një viti, dhe shpreson ai ta bëjë këtë në njërën nga ndeshjen e ardhshme, kundër Wolves dhe QPR.

“Besoj se lojtarët e mëdhenj e dinë se çfarë është e rëndësishme. Dhe e rëndësishme është se ai është një lider i ekipit. Ai e di mirë se më e rëndësishme është të fitohet ndeshja”.

“Ajo çfarë është e rëndësishme në fushë është të merret vendimi i duhur për çdo situatë që ju përballeni. Ai e bën këtë shumë mirë. Ju nuk duhet ta bëni obsesion këtë, vetëm duhet të luani në mënyrë natyrale. Është interesante pasi ju shënoni gola kur nuk mendoni për të”, ka thënë Wenger.

Van Persie ka shënuar 34 gola deri tash gjatë vitit 2011, po aq sa Thierry Henry po për Arsenalin gjatë vitit 2004 dhe dy më pak se që kishte shënuar Shearer 16 vite më parë.
Zëvendëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, thotë se Rossonerët janë të aftë të konkurrojnë me Barcelonën.
Galliani madje beson se Milani është një rival më i vështirë për kampionin e Evropës se Reali i Madridit.

“Ne nuk jemi shumë larg nga Barca. Vështirësia më e madhe me të cilën ekipi i Guardiolës u përball në pjesën e parë të sezonit nuk ishte Real Madridi, por Milani”, ka deklaruar Galliani.
Interi është duke u lidhur me një angazhim të trajnerit të Zenit St Petersburg, Luciano Spallettit.
Nerazzurrët së fundi nënshkruan kontratë dyvjeçare me Cladio Ranierin, por duket se ata janë më shumë të interesuar për një ish-trajner tjetër të Romës, Luciano Spallettin, të cilin dëshirojnë ta kthejnë në Serie A në fund të sezonit.

Presidenti i Interit, Massimo Moratti, do të kthehet kah Spalletti nëse ata dështojnë të kualifikohen për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, që mund të jetë rast pas një fillimi të keq të sezonit.
Sulmuesi i Lazios, Djibril Cisse, thotë se ai do të qëndrojë në kryeqytetin italian pavarësisht interesimit të Auxerre.
“Kam dëgjuar shumë për veten, andaj dua ta qartësoj situatën. Do të qëndroj te Lazio dhe të tregoj se kush jam në të vërtetë”.

“Nuk dorëzohem, jam luftëtar dhe do ta tregoj këtë. Mezi pres të luaj sërish”, ka thënë sulmuesi francez.
Shanset e Chelseat për të fituar titullin e Ligës Premier kanë marrë një goditje të madhe pas barazimit 1-1 ndaj Fulhamit, thotë Andre Villas-Boas.
“Nuk është ndonjë dramë e madhe në aspekt të asaj se si ne i shohim gjërat. Por ju duhet të jeni sa më shumë real. Dallimi në mes nesh dhe kreut të tabelës do të jetë i madh”.

“Me Cityn dhe United që vazhdojnë të nxjerrin pikë për momentin, do të jetë vështirë. Kjo është perspektiva që kemi për momentin: është vështirë. Nuk është e pamundshme. Nuk mund ta thoni këtë”.

“Por ne duhet të fokusohemi në pozitën tonë për momentin dhe të bëjmë një vlerësim real. Ndoshta Liga Premier ka mbaruar për ne për momentin. Duhet të jeni real. Nuk mund të jetoni nën pritje të gabuara kur diferenca është aq e madhe”, ka thënë portugezi.
Los Angeles Lakers kanë vazhduar me fillimin e ngathtë të sezonit duke pësuar disfatë 100-91 ndaj Sacramento Kings, duke shënuar kështu fillimin më të dobët të sezonit në nëntë vitet e fundit.
Pas dështimit të plotë në çerekun e katërt të ndeshjes ndaj Chicago Bulls në Ditën e Krishtlindjeve, Lakers u deklasuan edhe një herë, kësaj here nga Mbretërit e rinj, duke lënë trajnerin e ri Mike Brown me dy disfata të njëpasnjëshme dhe ende në kërkim të fitores së parë.

Marcus Thornton shënoi 27 pikë për Sacramenton, 12 në çerekun e katërt, dhe Tyreke Evans shënoi 20 të tjera për skuadrën fituese. Te Los Angeles Lakers, spikati ylli i skuadrës, Kobe Bryant, që shënoi 29 pikë, më të lartat në ndeshje.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ishte më se i kënaqur me autorin e tre golave në fitoren 5-0 ndaj Wigan Athletic, Dimitar Berbatov.
“Ishte ndeshja e duhur për Dimitar. Unë kisha nevojë për gjatësinë e tij në kuptimin e lojës nga ndërprerjet kundër nesh dhe ai shënoi edhe një hat-trick”.

“Jemi vërtet të kënaqur me të. Kjo ndihmon ngritjen e vetëbesimit të tij. Ai nuk ka pasur startin më të mirë këtë sezon sa i takon përzgjedhjes, për shkak të opsioneve që kam me Welbeck, Rooney dhe Hernandez”, ka thënë Ferguson.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, nuk ka gjetur arsye për barazimin e djeshëm pa gola ndaj West Bromwich Albion.
“Ndonjëherë ju nuk fitoni .Ne e dimë se është e pamundshme të qëndrosh në majë për 38 ndeshje. Çdo ekip ka një plan, por nëse ne nuk shënojmë në pjesën e parë, është e vështirë”.

“Ne mbase do të kalojmë edhe tetë ose nëntë ndeshje në 20 takimet e ardhshme si ky. West Bromwich luajti me gjithë lojtarët rreth topit dhe ju duhet të gjeni një zgjidhje nëse nuk shënoni shpejt në pjesën e parë”, ka thënë Mancini pas takimit të djeshëm.
Anësori i Real Madridit, Angel di Maria, është duke kërkuar rritje të pagës.
Marca shkruan se Di Maria është duke e ringjallur rastin, që fillimisht u ngrit kur ai ishte në udhëtim me Argjentinën në Copa America gjatë verës së kaluar.

Di Maria aktualisht fiton 1.8 milionë euro në vit, dhe ka kontratë e cila skadon në vitin 2016. Ai raportohet se dëshiron 3.5 milionë euro në vit, që do ta vendoste atë në nivelin e Gonzalo Higuain, sa i takon pagës.
Kapiteni i Interit, Javier Zanetti, është i bindur se Nerazzurrët ende mund të fitojnë trofe gjatë vitit 2012, pavarësisht se rreshtohen të pestët në tabelën e Serie A.
“Le të shpresojmë se ne mund të shtojmë edhe një trofe në fund të sezonit. Nga janari ne do të mund të llogarisim në Sneijder dhe Forlan sërish. Wesley ka qenë i pafat me lëndimet dhe Diego po e rikthen formën dhe vërtet dëshiron të tregojë se çfarë mund të bëjë. Të dy do të kenë nevojë për kohë, por ata janë rikthyer”.

“Ranieri ka të drejtë kur thotë se ata janë dy lojtarë të cilët mund të bëjnë një kontribut të madh me të gjithë kualitetet që kanë. Le të mos harrojmë edhe lojtarët tjerë të cilët kanë qenë jashtë vijave për shkak të lëndimeve dhe mungesa e tyre vërtet na ka ndëshkuar. Por ne jemi Inter dhe ende jemi në garë”, ka thënë Zanetti.
Walter Mazzarri e sheh veten në stolin drejtues të Napolit edhe një për një kohë të gjatë.
Strategu italian sezonin e kaluar u lidh me një kalim te Juventusi, por ai mbi në Sao Paolo dhe nuk e ka ndërmend të largohet përderisa gjërat shkojnë mirë për skuadrën.

“E ardhmja ime? Unë kam kontratë me Napolin deri në vitin 2013 dhe synoj ta respektoj këtë. Nëse ka ide të qarta, atëherë do të mund të bëhem Fergusoni i Napolit”, ka thënë 50-vjeçari.