Me rezultat prej 1-1, ka përfunduar derbi katalan mes Espanyolit dhe Barcelonës që u zhvillua të dielën mbrëma në Estadi Cornella-El Prat.
Në gjysmën e parë të takimit u shënua një gol, ndërsa Blaugranët nuk ishin aq bindës siç dinë të jenë zakonisht.

Dani Alves dërgoi një top në drejtim të Cesc Fabregas, i cili me kokë e mposhti portierin Alvarez (16’), ndërsa me epërsi minimale të mysafirëve skuadrat shkuan në pushim.
Në fraksionin e dytë, lojtarët e Barcës mundoheshin ta imponojnë lojën e tyre, mirëpo jo rrallëherë rrezikoheshin nga skuadra vendase.
Ndërkohë që Blaugranët kërkonin golin e sigurisë, ndodhi e kundërta, shënoi Espanyoli.
Raul Rodriguez dërgoi një top në drejtim të Thievy Bifoum, ky i fundit e gjeti Alvaro Vazquezin, i cili me kokë e barazoi rezultatin (86’).
Në fund të takimit, Barcelona pati një rast të shkëlqyer për të shënuar, por edhe një mundësi penaltie, por kështu nuk mendoi arbitri, i cili gjatë gjithë mbrëmjes mori disa vendime kontroverse.
Ky barazim e lë Barcelonën pesë pikë prapa liderit Real Madrid.
Ish-bosi i Liverpoolit dhe Valencias, Rafael Benitez, mund ta kuptojë Lionel Messin i cili po vuan me kombëtaren argjentinase, pasi thotë se se Albicelestët nuk e përkrahin futbollistin më të mirë të tyre.
Ylli i Barcelonës ka dështuar që të shfaqë formën me klub edhe me kombëtare dhe kjo ka bërë që kritikat ndaj tij të jenë të mëdha.

“Lojtarët te Barcelona e favorizojnë shumë Messin, ai është shumë komfort me pasime, por te Argjentina ka shumë pritje mbi të. Te Barcelona ai ndihet i besuar, ai ndihet i dashur dhe luan pa presion. Ai është lojtar i jashtëzakonshëm që ka një të ardhme shumë të mirë”, pohoi Benitez.
Chelsea është i gatshëm që t’i thotë ‘lamtumirë’ mesfushorit Frank Lampard, në vazhdën e spekulimeve për një interesim të Manchester United për reprezentuesin anglez.
Sunday Mirror shkruan se Chelsea do të nderojë kontratën e Frank Lampard, por nuk do të qëndrojë në rrugë nëse i ofrohet ndonjë largim.

Edhe pse Lampard është e vështirë se do të largohet gjatë janarit, një ofertë e Manchester United mund të detyrojë klubin londinez ta mundësojë largimin e mesfushorit, që ka qenë në qendër të kritikave pas krizës së Bluve.
Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, ka hedhur poshtë spekulimet e mediave pasi Ronaldo nuk festoi golin ndaj Granadës, duke thënë se portugezi është mirë.
“Cristiano Ronaldo është mirë, ne jemi të kënaqur me të”.

“Ndoshta ata janë ekip i mirë, pasi ata na komplikuan gjërat në pjesën e parë, por në pjesën e dytë luajtëm më mirë dhe kishim më shumë raste”.

“Ne e kemi merituar fitoren dhe kemi pasur topin në pjesën më të madhe të kohës, por pjesa e dytë më pëlqeu më shumë”, u shpreh Ramos.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka konfirmuar se Thierry Henry do të përfshihet në sfidat kruciale në Ligën e Kampionëve ndaj Milanit që zhvillohen më 15 mars në San Siro dhe më 6 mars në Emirates.
“Po, ai do të jetë në skuadër. Unë e kam dërguar Vito Mannonen si huazim te Hull City dhe Henry do ta zë vendin e tij”.

“Ai ka kujtime të mira nga ndeshjet e zhvilluara në Milano, ku ai i shënoi tri gola ndaj Interit. Është logjike që ta përfshij edhe Henryn”, tha francezi.
Sulmuesi i Portos, Hulk, ka thënë se ai nuk e di nëse do të largohet nga Porto dhe se kjo është një pyetje që do ta lë agjentin e tij t’i përgjigjet.
Chelsea është duke e kërkuar me ngulm lojtarin, por ai ka një klauzolë prej 100 milionë eurosh që lë larg çdo klub.

“Nuk e di nëse do të largohem në janar. Do ta lë agjentin tim të përgjigjet për këtë”, ka thënë Hulk.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, e ka përshkruar derbin ndaj Espanyol si ndeshje shumë të veçantë për ekipin e tij.
“Ne do të tentojmë ta marrim këtë ndeshje më seriozisht, pasi është derbi, një ndeshje që është luajtur shpesh dhe ku askush s’e di se çfarë do të ndodhë”.

“Nëse nuk jemi në formë të mirë, do të kemi telashe. Espanyol po luan mirë dhe është ekip me filozofi të njëjtë sikur ne, përkundër faktit që ne kemi fuqi blerëse më të madhe. Vërtet është ndeshje e madhe këtë fillimvit”, potencoi Guardiola.
Skuadra e Chelseat ka qenë bindëse në fitoren prej 4-0 përballë Portsmouthit, për të vazhduar në raundin e katërt të FA Cup.
Fraksioni i parë u mbyll pa gola, ndërsa me të filluar pjesa e dytë (48’), Juan Mata i kaloi Blutë në epërsi.

Në pesë minutat e fundit të kohës së rregullt, Ramires realizoi dy herë (85’ dhe 87’) për ta konfirmuar fitoren e vendasve.

Ndërkaq, në minutat shtesë (90’+3), Frank Lampard e vendosi rezultatin përfundimtar.
Juventusi ka arritur që me rezultat minimal 1-0 të shënojë fitore në transfertë te Lecce, për të qenë edhe një javë lider i përbashkët me Milanin.
Ndeshja ishte monotone nga fillimi i takimit, por Juventusi kishte primatin, dominimin në çdo aspekt.

Pas lëndimit të Fabio Quagliarellas, në lojë inkuadrohet Alessandro Matri që (27’) realizoi për 1-0 dhe epërsinë që i dha fitoren Juventusit.

Me këtë fitore Juventusi mbetet lider me 37 pikë së bashku me Milanin, por Bianconerët kanë golaverazh më të keq se sa Rossonerët.
Milani ka vijuar të mbetet lider në tabelën e Serie A, pas fitores së vështirë në udhëtim te Atalanta me rezultat 2-0, në një sfidë relativisht të bllokuar.
Fillimi i pjesës së parë ishte tejet monoton ashtu si vazhdimi i saj, i ndikuar dhe nga rrezet e diellit në stadiumin e Atalantës.

Sidoqoftë, një ndërhyrje në Paton brenda zonës e cilësoi si penalti gjqytari Nicola Rizzoli, që i dha mundësinë sulmuesit Zlatan Ibrahimovic të realizojë (22’) nga pika e bardhë për 1-0.

Në pjesën e dytë nxehet loja, me Atalantën që bën presion në 30 minutat e parë të saj. Një shtyllë dhe disa raste të vendasve frikësuan Rossonerët, por në fund gjithçka përfundoi mirë.

Pas një asistimi nga njeriu i ndeshjes, Zlatan Ibrahimovic, Kevin Prince Boateng mbylli gjithçka nga afërsia për 2-0 (82’) dhe disfatën e parë në shtëpi këtë sezon për Atalantën.

Me këtë fitore Milani ka 37 pikë në vendin e parë, me pikë të njëjta me Juventusin që ka mposhtur minimalisht Leccen në transfertë.
Roma ka shënuar fitore të lehtë në Olimpico ndaj Chievos me rezultat 2-0, për të vazhduar ngritjen në tabelë.
Roma e dominoi nga fillimi takimin, ndërsa vendimtar ishte askush tjetër pos të madhit Francesco Totti.

Fillimisht në minutën e 34 Francesco Totti realizoi nga pika bardhë për 1-0, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe në pjesën e dytë për 2-0 ku realizoi po ashtu nga penaltia (78’).

Në këtë sfidë u paraqit edhe Përparim Hetemaj për Chievon, ku u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 73-të.

Me këtë fitore Roma arrin në kuotën e 27 pikëve në vendin e gjashtë.
Me rezultat 2-3 ka përfunduar supersfida e kësaj fundjave e zhvilluar në Ettihad Stadium e cila ishte në kuadër të FA Cup, ku Manchester United ka mposhtur vendasit e Manchester Cityt.
Ishte ky rasti ideal për Djajtë që të hakmerren pas atij turpi prej 6-1 më herët gjatë sezonit në Ligën Premier.

Ndeshjen më mirë e filloi Manchester City, që dominoi duke tentuar ta shpërthejë mbrojtjen e ngjeshur të Djajve të Kuq.

Sidoqoftë, ishte një harkim preciz nga Antonio Valencia ai që bëri që Wayne Rooney (10’) të realizonte bukur me kokë për 1-0 dhe gëzimin e madh në Ettihad Stadium.

Vetëm dy minuta pas golit të parë, përjashtohet nga loja mbrojtësi kryesor i Cityt, Vincent Kompany, pasi gjyqtari e vlerësoi startin e tij si tepër të ashpër. Sidoqoftë, sipas nesh këtu nuk ekzistoi ndërhyrje për karton të kuq, pasi Kompany pastër ia ka marrë topin Nanit.

Sidoqoftë, United më pas fillon dominimin e vërtetë. Një tollovi në zonë më së miri e shfrytëzoi Danny Welbeck që bukur me volej realizoi për 2-0 (30’).

Ishte Wayne Rooney ai që përfundoi takimin në minutën e 39-të, kur realizoi për 3-0 dhe rezultatin e pjesës së parë.

Në pjesën e dytë me një lojtar më pak Manchester City tentoi të kthehej në takim.

Fillimisht Aleksandar Kolarov shënoi për 3-1 dhe më pas edhe Sergio Aguero shënoi (64’) në një pjesë të dytë të dominuar nga vendasit, por këta të fundit dështuan të marrin një barazim për një ndeshje kthyese në Old Trafford.

Me këtë fitore me rezultat 3-2, Manchester United kualifikohet në 1/16 e finales së FA Cup.
Legjenda e Manchester United, Bryan Robson, ndjen se Sir Alex Ferguson do të blejë lojtarë gjatë muajit.
Ferguson nuk është në panik për të blerë lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit, por Robson mendon se skocezi do të shpenzojë.

“Nëse situata e lëndimeve nuk përmirësohet atëherë Ferguson do të kërkojë një lojtar të jashtëzakonshëm si përforcim. Por, nuk do të ketë panik për të blerë”, theksoi Robson.
Mbrojtësi i Manchester Cityt, Pablo Zabaleta, ka thënë se presioni është mbi Manchester Unitedin pas fitores prej 6-1 në Old Trafford, deklaratë që vjen para ndeshjes derbi që zhvillohet sot në ora 14:30.
“Nëse ne i eliminojmë ata nga FA Cup atëherë ata mund të përqëndrohen vetëm në Ligën Premier, pasi duhet ta fitojnë patjetër, por tani për tani ne po mendojmë për ndeshjen”.

“Ata e kanë ndeshjen prej 6-1 ende nëpër mendjen e tyre dhe dëshirojnë ta harrojnë këtë. Por, situata është ndryshe pasi ata do të luajnë nën presion të madh. Ne kemi stadiumin dhe tifozët të cilët do të jenë kështjellë. Kështu fitohen titujt dhe ndeshjet”, ka thënë Zabaleta.
Sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka folur për merkaton e klubit zikaltër, pas fitores së jashtëzakonshme prej 5-0 ndaj Parmës, një javë para superderbit ndaj Milanit.
“Ai është kampion i madh. Mua natyrisht nuk ka nevojë askush të më mësojë. Unë kam luajtur me të dhe mund të them se ai do të ishte përforcim i madh për ne”.

“Unë kam pasur krizën si të gjithë sulmuesit, por shpresoj që tani mund të shënoj në vazhdimësi. Por, gjëja më e rëndësishme është se ekipi po fiton. Unë kam qenë i qetë dhe duhet të falënderoj të gjithë të cilët kanë qenë me mua këtë periudhë”, u shpreh Milito.
Cristiano Ronaldo ishte kritikuar nga tifozët e Real Madridit pas ndeshjes, ndërsa mediat filluan të spekulojnë për marrëdhëniet e superyllit me Jose Mourinhon, pasi CR7 refuzoi të festonte golin ndaj Granadës.
Por, në fakt Ronaldo ishte i hidhëruar në vetveten që nuk shënoi gol dhe jo i zhgënjyer nga vërshëllimat e tifozëve apo nga marrëdhëniet me Jose Mourihon. Kështu të paktën pretendon zëvëndëstrajneri Aitor Karanka.

“Një profesionist si Cristiano Ronaldo e bëri një gjest të hidhërimit me vetveten sepse gjërat nuk shkonin mirë për të. Lindi nga dëshira për të shënuar. Ai kishte raste, por nuk ka mundur të shënojë. Kështu që ai ishte ende i hidhëruar në vetvete edhe kur shënoi”, theksoi Karanka.
Trajneri i Bayernit të Munichut, Jupp Heynckes, ka këmbëngulur se lëndimi që detyroi Mario Gomezin të largohet nga ndeshja miqësore me Al Ahlyn të shtunën nuk është lëndim serioz.
Sulmuesi në top formë u largua pas vetëm 11 minutash lojë, pasi pësoi një dëmtim në këmbën e tij të djathtë, duke bërë që tifozët bavarezë të brengosen për të.

“Nuk është lëndim serioz. Shpresoj që ai të rikthehet në stërvitje gjatë të dielës”, theksoi Heynckes.
Portieri i Manchester United, Edwin Van der Saar, ka deklaruar se ai mund t’i rikthehet futbollit pas përjetimeve të mira gjatë një miqësore.
Van der Saar luajti në një miqësore të kombëtares holandeze ndaj ekipit amator Royal HFC, ndërsa kjo e ka bërë holandezin legjendar të mendojë edhe njëherë rikthimin në futbollin profesionist.

“Ishte ndeshje e mirë. Për një moment, më është kthyer dëshira që të kthehem dhe të luaj edhe disa ndeshje në futbollin profesionist me Unitedin”, theksoi Van der Saar.
Claudio Ranieri e ka përshkruar paraqitjen e Interit në fitoren prej 5-0 ndaj Parmës si të më mirën gjatë qëndrimit të tij në stolin Nerazzur.
“Ishte performanca më e mirë që nga ardhja ime te Interi, sidomos pjesa e parë, ku ishim shumë të kujdesshëm dhe luajtëm mirë”.

“Tani jemi duke qeshur. Ju mund të shihni se djemtë nuk janë të harxhuar dhe se ata duan ta përmirësojnë këtë sezon që filloi keq”, tha Ranieri.
Manchester City e ka nxehur situatën para derbit ndaj Manchester Unitedit me një ofertë prej 60 milionë funtesh për sulmuesin Wayne Rooney.
Sunday Mirror shkruan se City do të bëjë tentimin e radhës për të transferuar Rooneyn, pasi Djajtë janë të pranishëm në Ettihad Stadium gjatë ditës për derbin në kudër të FA Cup.

Rooney dhe Ferguson kanë pasur marrëdhënie jo të mira ditëve të fundit dhe në rast se këto shfaqen gjatë ndeshjes, atëherë Mancini do të kërkojë nga Sheikh Al-Mansour t’i bëjë gati 60 milionë funte për sulmuesin anglez.
Haxhi Robin Krasniqi Haxhi Krasniqi e ka vërtetuar statusin e tij prej boksierit më të mirë shqiptar aktualisht në botë, duke mbrojtur titullin e tij në kategorinë gjysmë të rëndë në WBO.
Krasniqi ka arritur të mundë boksierin nga Franca, Hakim Zoulikha, me ç’rast realizoi fitoren e tij të 37-të në karrierë.

Duelin e zhvilluar në Magdeburg, Krasniqi e fitoi me nokaut teknik. Haxhi Krasniqi njihet me nofkën 'Robin' dhe menaxhohet nga një kompani prestigjioze gjermane.
Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka thënë se lëndimi i Karim Benzemas ndaj Granadës nuk është serioz dhe se francezi pritet që të kthehet.
Karanka, i cili zëvëndësoi Mourinhon në konferencë për shtyp për shkak të problemeve familjare të portugezit, tha: “Nuk duket të jetë asgjë serioze. Ai e mori një lëndim në pjesën e parë dhe ishte zëvëndësuar si masë mbrojtëse”.

“Le të shohim çfarë do të thonë mjekët”, theksoi Karanka.
Bosi i Manchester Cityt, Roberto Mancini, pret fitore ndaj Manchester Unitedit në ndeshjen që zhvillohet sot, teksa e ka kërcënuar me pensionim të parakohshëm menaxherin rival Sir Alex Ferguson.
“Nëse ne e fitojmë titullin këtë sezon, atëherë Ferguson pos që do të detyrohet të pensionohet, do të detyrohet edhe të na pranojë si rivalin më të madh të United”.

“Ai dëshiron të jetë në futboll edhe tri vjet, por mendoj se ne do t’ia ndryshojmë planet”, tha Mancini.
Trajneri i Romës, Luis Enrique, ka zbuluar se ai pret që Daniele De Rossi të rinovojë kontratën me klubin nga kryeqyteti romak.
“Për mendimin tim, De Rossi do të qëndrojë te Roma. Futbolli është stil jete, nuk varet gjithçka nga paraja”.

“Lojtari do të bëj zgjedhjen për të ardhmen e tij, por ai është mirë këtu dhe unë nuk e shoh ndonjë arsye që ai të largohet. Shitje në janar? E përjashtoj këtë”, tha Enrique.
Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka deklaruar se Juventusi do të tentojë ta mposhtë Leccen në duelin që zhvillohet të dielën pasdite në transfertë.
“Nuk do të jetë lehtë, por ne do të fitojmë me çfarëdo çmimi”.

“Ne kemi arritur objektiva të rëndësishëm gjatë pjesës së parë të sezonit, por tani vjen pjesa e vështirë, të qëndrojmë në maje dhe të vazhdojmë me fitoret”, tha Conte.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, ka thënë se Real Madridi dhe Barcelona janë skuadra më të fuqishme sesa konkurruesit tjerë në Ligën e Kampionëve, porse ai beson që bavarezët mund ta fitojnë garën.
Në një intervistë për Goal.com, lojtari gjerman ka thënë se është ëndërr e çdo futbollisti që së paku njëherë në karrierë ta fitojë garën më të madhe evropiane për klube, ndërsa duke qenë se finalja luhet në Munih, triumfi i Bayernit do të ishte një ndodhi e veçantë.

“Besoj se Real Madridi dhe Barcelona janë pakëz më të fortë se skuadrat tjera”.

“Megjithatë, dy vite më parë ne arritëm në finale dhe askush nuk e priste atë. Kjo më lë të kuptoj se është gjithmonë e mundur”, është shprehur Gomez.