Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka thënë se periudha e tranzicionit te klubi londinez nuk është arsyetimi i duhur në rast të një sezoni pa trofe.
“Ne kemi vënë një standard viteve të fundit dhe ai është të qenurit klub i madh. Ne duam të fitojmë diçka. Ne nuk duam edhe një sezon pa trofe, kështu që synimi jonë është ta mbarojmë vitin me ndonjë trofe”.

“Ne po bëjmë ç’mos për ta arritur këtë, përkrah transformimit të ekipit. Mendoj se do të jetë një vit i mirë për të ndërtuar të ardhmen”, tha Cech.
Shefi ekzekutiv i Adidas, Herbert Hainer, ka zbuluar se Liverpoolit i është refuzuar zgjatja e kontratës për sponsorizim të fanellave, për shkak se performanca e ekipit nga Anfield në fushë nuk përputhet me kërkesat e drejtuesve të klubit anglez.
Dhe Liverpooli do të sponsorizohet nga kompania Warrior Sports, e cila ka ofruar 25 milionë funte në vit, që është dyfishi i asaj që u ofrua nga Adidas.

“Distanca mes performancës së tyre në fushë dhe shumës që është kërkuar, nuuk është i baraspeshuar. Më pas kemi refuzuar të rinovojmë dhe ky është fundi i tregimit”, theksoi Hainer.
Wojchiech Szczesny është i sigurtë se Arsenali do t’ia dalë të përfundojë në top katërshe këtë sezon, përkundër rezultateve të këqija së fundmi, sidomos në terrenet mysafire.
“Unë jam i bindur se do t’ia dalim të jemi në top katërshe. Ne nuk meritojmë të jemi jashtë saj. Ne duhet të jemi sfidues për çdo trofe secilin vit, por besoj se rezultatet e këqija nuk do të ndikojnë për shkak se kemi skuadër cilësore”.

“Unë nuk kam ide pse nuk mund të fitojmë në udhëtim. Ne kemi folur për këtë dhe nuk mund të gjejmë përgjigjen. Ne duhet të bëjmë kërkimet e duhura”, ka thënë Szczesny.
Chelsea është duke u përballur me konkurrencë të Real Madridit për të arritur marrëveshjen me klubin francez Lille, pasi tashmë këtë Blutë e kanë bërë me lojtarin.
Daily Mail shkruan se burimet brenda Lille besojnë se lojtari ka arritur marrëveshje verbale me Chelsean.

Andres Villas-Boas ka arritur që në fshehtësi të sigurojë firmën e lojtarit, por ende ka punë për të bindur Lille që ta shesë mesfushorin, pasi në garë janë edhe Real Madridi dhe Manchester United.
Interi është në bisedime me Manchester Cityn që të përfshihet dhe borxhi prej 7 milionë eurosh i klubit anglez për blerjen e Mario Balotellit, për të arritur deri te transferimi në vlerë prej 30 milionë eurosh të Carlos Tevez.
City i ka thënë Interit se dëshiron 30 milionë euro për Tevez pasi refuzoi një ofertë prej 25 milionë eurosh nga Nerazzurët për sulmuesin.

Besohet se City i ka borxh edhe një çerek të shumës së transferimit të Mario Balotellit nga klubi italian dhe ajo mund të shfrytëzohet në arritjen e një marrëveshjeje javën e ardhshme.
Juventusi ka hedhur poshtë zërat se mesfushori Arturo Vidal ka qenë i përfshirë në një skemë fiksimesh të ndeshjeve me Guillermo Rodriguezin e Cesenas më herët gjatë sezonit.
Ishte thënë se mbrojtësi Rodriguez që zëvëndësoi porterin Antonioli në portën e Cesenas për të mbrojtur penaltinë pasi portieri u përjashtua nga loja, ka pasur për pasojë një marrëveshje mes Arturo Vidal dhe Rodriguez që ka bërë që Juventusi me anë të shënimit të golit të fitonte sfidën me rezultat 2-0.

“Qarkullimi së fundmi i një video për një penalti të shënuar nga Arturo Vidal në ndeshjen ndaj Cesenas, e cila sipas disa njerëzve zbulon gjest marrëveshjeje mes lojtarit të Cesenas të obliguar për të mbrojtur penaltinë dhe mesfushorit tonë, është një shpikje e dikujt që tenton ta destabilizojë klubin. Juventusi do të veprojë drejt për të mbrojtur imazhin e klubit”, shkruan në komunikatën e klubit nga Torino.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se imazhi jashtë fushës për të është shumë i rëndësishëm, sidomos stili i jetës.
“Stili është shumë i rëndësishëm. Futbolli është në rend të parë, por imazhi im është në rendin e dytë. Ato shkojnë dorë më dorë. Është vitale që të bëj gjëra të mrekullueshme në fushë, por është me rëndësi dhe imazhi i mirë jashtë fushës, kjo është ajo që po tentoj të bëj”.

“Ndoshta disa njerëz nuk pëlqejnë stilin tim, por unë jam ai që jam dhe unë shpresoj që ata do ta respektojnë këtë. Unë nuk do të ndryshoj për shkak të të tjerëve dhe shpresoj që personaliteti im të shfaqet në linjën e re të Nike”, tha CR7.
Milani do të nënshkruajë kontratë me mesfushorin e Lecces, Djamel Mesbah- njofton Sky Sport Italia.
Përfaqësues të Rossonerëve pritet të takohen me drejtorin sportiv të Lecces, Carlo Osti dhe agjentin e lojtarit për të diskutuar mundësinë e transferimit të algjerianit.

Mesbah, 27-vjeçar, është lidhur me Milanin që nga hapja e afatit kalimtar të janarit, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri dëshiron një mesfushë më të mirë.
Lojtari i dikurshëm i Real Madridit, Hugo Sanchez, ka deklaruar se Cristiano Ronaldo ka nevojë që të mbështetet dhe ‘llastohet’ në mënyrë që ai të tregojë më të mirën nga vetja.
Portugezi është kritikuar nga tifozët e klubit pas paraqitjeve të dobëta ndaj Barcelonës, ndërsa legjenda meksikane pohon se ata duhet ta mbështesin atë, sidomos në sfidën e të mërkurës kur takohen dy rivalët.

“Cristiano Ronaldo duhet të përqafohet dhe përkëdhelet. Duhet të keni kujdes me të dhe ta llastoni. Ne të gjithë e dimë karakterin e tij, prandaj nuk duhet të dukemi të befasuar tash”.

“Ai ka gjithmonë nevojë për mbështetje dhe këtë dashuri e merr nga trajneri”, ka deklaruar 53-vjeçari për RNE, duke shtuar se edhe tifozët duhet t’ia japin mbështetjen e njëjtë sikur Jose Mourinho.
Carlo Ancelotti duket se nuk po heq dorë nga dy ish-lojtarët e tij te Milani, Ricardo Kaka (që aktualisht luan te Real Madridi) dhe Alexandre Pato, të cilët i dëshiron te klubi që drejton aktualisht, Paris Saint-Germain.
PSG ishte pranë transferimit të Patos javën e kaluar, por marrëveshje dështoi, ndërsa qe një kohë të gjatë klubi francez po e ndjek edhe brazilianin tjetër, Kaka, që nuk po e gjen veten në Santiago Bernabeu.

Në një prononcim për La Gazzetta dello Sport, Ancelotti ka thënë se është thuajse i pamundur transferimi i dyshes braziliane në janar, prandaj ai do t’i kërkojë ata gjatë afatit kalimtar veror.

“Tregimi për Paton është mjaft i çuditshëm. Po ndodhin shumë gjëra për të cilat ne nuk dimë. Marrëveshja është e vdekur për janar, por vetëm për janar”.

“Kaka mund të jetë në dispozicion në qershor. Ai ka vuajtur nga lëndimet në Madrid dhe po ka konkurrencë të madhe për vende. Megjithatë, ai është akoma një lojtar i madh”, ka deklaruar ish-trajneri i Milanit dhe Chelseat.
Mbrojtësi i Manchester Unitedit, Rio Ferdinand, mund të mungojë në ndeshjen kundër Arsenalit, si pasojë e një tronditjeje që pësoi në takimin ndaj Boltonit.
The Daily Mail raporton se veterani anglez do t’u nënshtrohet disa testeve rigoroze para se të vendoset nëse ai do të luajë ndaj Topçinjve të dielën.

Pas takimit ndaj Boltonit, Ferdinand kishte shkruar në Twitter se nuk mbante mend shumë nga ndeshja pasi kishte pësuar një tronditje.

Sipas rregullave të FA, qendërmbrojtësi duhet të pushojë rreth 10 ditë
Milani planifikon që të nënshkruajë sërish me mesfushorin e Genoas, Alexander Merkel, ndërsa Taye Taiwo mund të përfshihet në marrëveshje si shkëmbim.
Massimiliano Allegri dëshiron ta forcojë mesfushën gjatë dimrit, ndërsa 19-vjeçari konsiderohet si shtesë e përsosur për Rossonerët.

Merkel është produkt i Akademisë së Stuttgartit dhe ishte transferuar në San Siro në vitin 2008, mirëpo verën e kaluar transferua te Genoa dhe është në bashkëpronësi të Milanit.

Performancat e tij të mira me ekipin nga Luigi Ferraris, kanë bërë që kampioni i Italisë të kërkojë kthimin e tij, dhe, sipas Tuttosport, Taiwo mund të shkojë në drejtim të kundërt.
Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka deklaruar se atij i janë ofruar një numër sulmuesish këtë muaj duke përfshirë emra, si Fernando Torres (Chelsea), Dimitar Berbatov (Manchester United), Carlos Tevez (Manchester City) Edison Cavani (Napoli).
“Kam marrë qindra telefonata nga agjentët që më kanë ofruar lojtarë që nga momenti kur nënshkrova për PSG-në”.

“Ata më kanë ofruar disa emra të jashtëzakonshëm. Lojtarë të cilët sapo kanë nënshkruar kontrata spektakolare në vende të ndryshme”.

“Ata të gjithë duan të vijnë këtu. Këtu është qyteti i Parisit, këtu janë paratë dhe këtu është një trajner me reputacion të mirë”.

“I dëshironi emrat? Në rregull, tash po ua them lojtarët, agjentët e të cilëve i ofrojnë në treg, zyrtarisht ose jo: Tevez, Torres, Berbatov, Pavlyuchenko, Cavani, Llorente”, ka theksuar Ancelotti për La Gazzetta dello Sport.
Mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alves, mezi e pret përballjen e parë të Kupës së Mbretit ndaj Real Madridit që zhvillohet të mërkurën, duke thënë se Blaugranët gjithmonë argëtohet kur i kanë për kundërshtarë Los Blancos.
“Vërtet kënaqemi kur luajmë ndaj Real Madridit. Ka gjithmonë një baraspeshë të caktuar mes dy skuadrave kur takohemi, përkundër formës në javët e mëparshme”.

“Ne takohemi sërish dhe kjo është shumë normale. Skuadrat e mëdha që luftojnë për trofe të njëjta do të takohen më shumë se një herë në sezon”.

“Ne do të jemi mirë të përgatitur dhe pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar braziliani për Barca TV.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, nuk mund të llogarisë në shërbimet e anësorit Angel Di Maria në takimin e parë çerekfinal të Kupës së Mbretit që Los Blancos e zhvillojnë të mërkurën kundër Barcelonës.
Është pritur që argjentinasi të jetë në dispozicion për këtë sfidë, pasi ishte në rrugë të mirë të rikuperimit, megjithatë shpresa që ai mund të luajë është shuar, duke qenë se ka pësuar një goditje në stërvitje, e cila do të lë jashtë fushe edhe për një javë.

Përveç takimit në Copa del Rey, Di Maria do të mungojë edhe ndaj Athletic Bilbaos (në La Liga), ndërsa nuk dihet nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen kthyese të Kupës që zhvillohet një jave më pas në Camp Nou.
Manchester City planifikon të bëjë një lëvizje shokuese për dyshen e të rinjve të Manchester United, Paul Pogba dhe Ravel Morrison.
Goal.com mëson se City i konsideron si transferime potenciale dy lojtarët që në fund të sezonit u përfundon kontrata me Djajtë e Kuq, ndërsa ndërhyrja mund të ndodhë në këtë afat kalimtar.

Pogba, i cili muajin tjetër mbush 19 vjet, thuhet të mos jetë i kënaqur që nuk i jepet mundësia ta tregojë veten në Old Trafford.

Ndërkaq, tashmë jemi të njoftuar për pakënaqësitë e 18-vjeçarit Morrison, i cili përveç problemeve disiplinore, kërkon edhe pagë më të madhe.
Ish-mbrojtësi i Interit, Marco Materazzi, ka kërkuar nga Nerazzurët që ta transferojnë sulmuesin e Milanit, Alexandre Pato.
Zikaltrit duan ta përforcojnë sulmin gjatë janarit, ndërsa të gjitha forcat i kanë drejtuar kah Carlos Tevez.

Mirëpo, ish-mbrojtësit kontrovers të Italisë më shumë do t’i pëlqente që braziliani ta veshte fanellën e ish-klubit të tij sesa argjentinasi.

“Nuk mendoj se Tevez do të vijë. Duhet ta marrim Paton. Unë do ta merrja menjëherë. Ai është një nga talentët më të mëdhenj, sipas meje”, ka thënë Materazzi për RMC.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka lënë të kuptohet se katalunaist mund të tentojnë transferimin e yllit të Santosit, Neymar, në vitin 2014.
Sulmuesi 19-vjeçar kërkohet nga skuadrat më të mëdha evropiane, e sidomos pas tij janë vënë Barcelona dhe Real Madridi.

Braziliani gjithmonë ka thënë se nuk planifikon të largohet nga Santosi para Kampionatit Botëror 2014 që mbahet në Brazil, ndërsa kontrata e tij e re u bë zyrtare të premten.

“Pas 2014, kur kontrata e tij skadon, do të shohim. Ajo është koha kur ai dëshiron ta bëjë hapin e radhës”, ka thënë Rosell për COM Radio.
Mesfushori blaugran, Xavi Hernandez, beson se ndikimi i Lionel Messit do të vijë sërish në pah në supersfidën e të mërkurës mbrëma mes Real Madridit dhe Barcelonës në kuadër të Kupës së Mbretit.
Argjentinasi është treguar vendimtar në ‘el Clasicot’ e viteve të fundit, ndërsa Xavi pohon se edhe kësaj radhe do të jetë njësoj.

“Leo do ta bëjë gjithmonë ndryshimin. Ai është zakonisht lojtari vendimtar dhe ai është dikush që rritet me këto ndeshje dhe i pëlqen të luajë në to”, ka deklaruar mesfushori spanjoll.

Xavi i ka dalë në mbrojtje edhe rivalit të drejtpërdrejtë të Messit, Cristiano Ronaldo, i cili thuajse gjithmonë ka dështuar ta tregojë veten përballë Barcelonës.

“Sulmuesit kanë periudha shënimi dhe nganjëherë shteren. Është diçka me të cilën mësohen lojtarët- sidomos golashënuesit”, ka shtuar mjeshtri i mesfushës.