Ish-mesfushori i Real Madridit, Michel, ka thënë se është tepër vonë që Pepe të ndryshojë sjelljet e tij prej lojtari gjatë ndeshjeve, pas skandalit të madh kur shkeli gishtin e Lionel Messit në El Clasico.
“Mendoj se është tepër vonë për Pepen. Kjo është situatë e komplikuar, do të sjellë mjaft paragjykime”.

“Ai thotë se i vjen keq dhe kërkon falje. Një lojtar mund të bëjë një gabim dhe ai nuk mund ta di se çfarë ndodhi. Unë e kam parë Pepen të penduar kur e shkeli Casqueron tri vite më parë. Vërtet, mendoj se është tepër vonë që ai të ndryshojë”, tha Michel për Marca.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, ka përjashtuar mundësinë që Carlos Tevez të rikthehet dhe të qëndrojë te klubi nga Ettihad Stadium.
“Është e pamundur. Tevez nuk dëshiron të qëndrojë, ne kemi pasur një problem. Mendoj se është me rëndësi për të që të fillojë të luajë, sepse ai është lojtar fantastik”.

“Janë tri muaj që prej se ai nuk ka luajtur dhe kjo nuk është mirë për të”, u shpreh Mancini.
Drejtori sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Corvino, ka zbuluar se ekziston marrëveshja me Juventusin për transferimin e sulmuesit brazilian, Amauri.
Amauri tha të mërkurën se shpreson që marrëveshja të finalizohet së shpejti dhe Corvino tani ka dhënë indikacione se 31 vjeçari do t’i bashkohet Fiorentinës në ditët në vijim.

“Ekziston marrëveshja mes Fiorentinës dhe Juventusit, gjëja e vetme që mungon është testi mjekësor i lojtarit dhe nënshkrimi i tij. Ai ka pasur probleme personale, të cilat e kanë detyruar të jenë me familjen së fundmi”, theksoi Corvino.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka zbuluar se sulmuesi francez, Thierry Henry, mund të mungojë në ndeshjen derbi ndaj Manchester United, pas një lëndimi të pësuar në stërvitje të martën.
“Henry do të ketë një test të shtunën, ai ka një problem në ije”.

“Për momentin, unë nuk mendoj se Vermaelen do të arrijë të luajë të dielën. Le të shpresojmë për ndonjë lajm të mirë. Të shohim se si zhvillohet situata. Mund të ketë ndonjë test. Për momentin po shkojmë ditë më ditë dhe vështirë se ai do të luajë”, deklaroi Henry.
Sulmuesi i Chelseat, Didier Drogba, ka deklaruar se ai nuk e ka ndërmend të largohet nga klubi londinez para qershorit, kur dhe skadon kontrata e tij.
“Jo para qershorit”, u përgjigj Drogba i pyetur se nëse do të largohet në janar.

“Unë kam dëshirë të kënaqem edhe pak, të ndjej pasionin dhe presionin në fushë. Të gjitha janë këto që më bëjnë ta dua këtë profesion”, përfundoi sulmuesi deklaratën e tij për France Football.
Interi është gati të fillojë bisedimet me Maiconin për zgjatjen e kontratës- shkruan La Gazzetta dello Sport.
Saint-Germain e Real Madrid, janë të interesuara për shërbimet e tij.

Për të mos e lejuar largimin e brazilianit, Interi dëshiron t’i ofrojë edhe dy vite të tjera në kontratën e mbrojtësit të krahut.

Maicon iu bashkua Interit në vitin 2006 nga Monaco duke u bërë një nga pikat kyçe të Nerazzurëve.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, pritet të mungojë në dy javët e ardhshme si pasojë e një lëndimi- njofton Marca.
Përveç kritikave të shumta që mori për veprimet e tij në ‘el Clasico’, 28-vjeçari ka pësuar edhe një lëndim.

Ai u zëvendësua në ndeshjen e të mërkurës për shkak të lëndimit, por edhe për faktin se Jose Mourinho nuk ishte i kënaqur për mosmbulimin e Carles Puyol në momentin e shënimit të golit.

Lëndimi i tij mund ta lë jashtë ndeshjes kthyese të Kupës së Mbretit që zhvillohet në Camp Nou, ndërsa ai pritet të mungojë edhe kundër Athletic Bilbaos, Real Zaragozas dhe Getafes në La Liga.
Shefi i LA Galaxy, Tim Leiweke, ka konfirmuar se është i interesuar që ta transferojë mesfushorin e Chelseat, Frank Lampard.
Mesfushori anglez është dashur të luftojë për një vend në formacioni bazë të Andre Villas-Boas, ndërsa ka pasur spekulime se ata nuk po shkojnë mirë.

Mirëpo, ndërkohë që të dyja palët i kanë mohuar spekulimet e tilla, zyrtari i Galaxy ka pranuar se do ta shfrytëzonte çdo mundësi për ta transferuar 33-vjeçarin.

“Unë jam një tifoz i Frankut, mendoj se ai është një lojtar i shkëlqyer. Kur mendoj për Chelsean, mendoj për Frank Lampardin”, ka thënë Leiweke për Sky Sports News.

Mesfushori mund të transferohet si DP ('Designated Player'), që do të thotë se pjesën më të madhe të pagës do ta paguante MLS.

Një rregull i tillë është vendosur në vitin 2007, pikërisht për transferimin e David Beckham ('Beckham Rule'), ndërsa ka për qëllim që të ndihmojë ekipet nga MLS që të konkurrojnë me klubet tjera.
Drejtori i futbollit te Real Madridi, Zinedine Zidane, ka reaguar ndaj kritikave të tifozëve kundrejt trajnerit Jose Mourinho, pas humbjes prej 1-2 në Santiago Bernabeu nga Barcelona.
“Ta sulmosh Jose Mourinhon dhe lojtarët është njësoj sikur ta sulmosh Real Madridin”.

“Unë nuk mund t’i kuptoj ata që kërkojnë largimin e Mourinhos kur ai është në mes të ndërtimit të diçkaje të madhe, ngulitjen e karakterit fitues te ekipi ynë”, ka thënë 39-vjeçari për AS.
Kapiteni legjendar i Interit, Javier Zanetti, është shprehur i kënaqur me fitoren ndaj Genoas në kuadër të Kupës së Italisë dhe ka kërkuar nga skuadra e tij që të ruajë qëndrueshmërinë.
“Duhet të ruajmë qëndrueshmërinë dhe kjo është ajo që po e bëjmë. Pas fitores në derbi, e sontmja (e enjte) ishte një performancë e mirë”.

“Tash duhet të përqendrohemi në mposhtjen e Lazios të dielën dhe pastaj jemi ndaj Napolit në Kupën e Italisë, sikurse në vitin e kaluar. Të shpresojmë se do të na sjellë fat”, ka thënë mesfushori argjentinas për Inter Channel.
Sulmuesi brazilian, Neymar, ka përsëritur edhe një herë se është i lumtur te Santosi dhe se nuk planifikon të largohet në drejtim të gjigantëve spanjollë- Barcelona apo Real Madrid.
“Tash për tash, do t’u thosha jo edhe Barcelonës edhe Real Madridit. Nuk mendoj që të largohem nga Santosi për momentin”.

“Të gjithë e dinë se është një ëndërr që të luaj në Evropë, por unë akoma kam punë për të bërë në këtë klub”.

“Unë kam kontratë deri në vitin 2014 dhe shpresoj të qëndroj së paku deri atëherë. Ende nuk e di nëse do të shkoj në Evropë në vitin 2014”, ka thënë Neymar në një konferencë me gazetarë.
Qendërmbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia, mendon se skuadra e tij do t’i sfidojë Milanin dhe Juventusin në garën për titullin e Serie A.
“Për atë që kam parë, mund të them se Milani dhe Juventusi (do të garojnë për titull). Ata janë skuadrat më të kompletuara, me organizimet më të mira, por ne do t’i sfidojmë ata deri në fund”, është shprehur ai.

Në një intervistë për Goal.com, italiani ka thënë se Ranieri ka sjellë qetësi në skuadër.

“Ai na ka ndihmuar ta gjejmë veten sërish. Nuk ishte një situatë e lehtë për një skuadër, e cila nuk ishte mësuar t’i shikonte aq shumë skuadra përpara nga fundi i tabelës”, ka theksuar Ranocchia.
Asnjë skuadër nuk mund ta mposhtë Barcelonën nëse arrin ta imponojë lojën e vet. Ky është mendimi i mbrojtësit spanjoll, Gerard Pique.
Me fitoren ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu, Blaugranët dëshmuan se vazhdojnë të jenë skuadra që e ka fjalën në Evropë.

“Kur jemi vetvetja nuk ka skuadër që mund të na ndalë. Nëse luajmë siç po luajmë tash, mund të fitojmë trofe, dhe të jemi skuadra më e mirë në botë sërish”.

“Ne e kemi ngulitur stilin tonë për disa vite dhe gjithmonë e aplikojmë atë. Nuk ka rëndësi se ku ose kundër kujt luajmë”.

“Jam krenar dhe i lumtur që i takoj kësaj skuadre. Shumë pak ekipe mund të shkojnë në Santiago Bernabeu dhe të fitojnë ashtu siç kemi bërë ne. Kjo na bën të ndryshëm”, ka deklaruar Pique për faqen zyrtare të Barcës.

Katalunasit të dielën luajnë kundër Malagas në La Liga në kërkim të ngushtimit të diferencës së pikëve me liderin Real Madrid.
Nuk ka pasur befasi në sfidat e xhiros së tretë të Australian Open dhe mund të thuhet se favoritët kanë kaluar një ditë të përsosur.
Rafael Nadal duket gjithnjë e më i mirë në turneun e parë sezonal Grand Slam. Në xhiron e tretë ai ka fituar me rezultat 3-0 në sete (6-2, 6-4, 6-2) kundër sllovakut Lukas Lacko. Në xhiron e radhës, spanjolli do të luajë ndaj Felician Lopez, i cili ka fituar përballë John Isner.

Edhe tenisti zviceran, Roger Federer, e ka kaluar kroatin Ivo Karlovic me rezultat 3-0 (7-6, 7-5, 6-3), pas dy orë e 17 minuta lojë.

Australian Open, xhiro e tretë, meshkujt:

Federer (3) - Karlovic 7-6(6), 7-5, 6-3
Nadal (2) - Lacko 6-2, 6-4, 6-2
Lopez (18) - Isner (16) 6-3, 6-7(3), 6-4, 6-7(0), 6-1
Berdych (7) - Anderson (30) 7-6(5), 7-6(1), 6-1
Almagro (10) - Wawrinka (21) 7-6(2), 6-2, 6-4
Kohlschreiber - Falla 6-3, 6-3, 7-6(3)

Australian Open, xhiro e tretë, femrat:

Jankovic (13) - McHale 6-2, 6-0
Wozniacki (1) - Niculescu 6-2, 6-2
Azarenka (3) - Barthel 6-2, 6-4
Radwanska (8) - Voskoboeva 6-2, 6-2
Benesova - Bratcikova 6-1, 6-3
Goerges (22) - Oprandi 3-6, 6-3, 6-1
Alexandre Pato do të mungojë në katër javët e ardhshme pasi ka lënduar muskulin e këmbës së majtë- ka konfirmuar klubi i Milanit.
Braziliani ka marrë një lëndim gjatë vazhdimeve në Kupën e Italisë kundër Novaras, ndeshje në të cilën e shënoi golin e dytë dhe të fitores për Rossonerët.

“Prognoza është tre ose katër javë (mungesë), në rast se nuk ka komplikime”, shkruan mes tjerash në komunikatën e Milanit.

Rossonerët do të luajnë serish ndaj Novaras në fundjavë, kësaj radhe në Serie A, për të tentuar rikthimin pas humbjes në derbi nga Interi.
Mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, përmes një deklarate për media ka bërë të ditur se nuk ka pasur qëllim që ta lëndojë Lionel Messin gjatë humbjes prej 1-2 në Santiago Bernabeu nga Barcelona.
Portugezi ka marrë kritika të shumta, pasi në një moment të lojës dukej se qëllimisht shkel mbi dorën e tri herë fituesit të Topit të Artë.

Megjithatë, 28-vjeçari ka mohuar të ketë bërë diçka të qëllimshme. Ai ka pohuar se veprimi kishte qenë i pavullnetshëm dhe se i kërkon falje Messit nëse është ndier i ofenduar.

“Në qoftë se Messi është ofenduar, unë kërkoj falje, sepse tentoja vetëm ta mbroj skuadrën time”, ka deklaruar qendërmbrojtësi.
Portieri i Manchester Unitedit, David de Gea, mund t’i nënshtrohet kirurgjisë me laser në sy në fund të sezonit, sepse është largpamës dhe mban lente kontakti gjatë ndeshjeve- raporton The Guardian.
Spanjolli ka mbajtur syze gjatë gjithë jetës dhe ka dashur të operohet gjatë kohës kur ishte në Spanjë, mirëpo mjekët e kanë këshilluar që të presë.

Në ndeshjet e fundit, 21-vjeçari është zëvendësuar nga Anders Lindegaard dhe është kritikuar për disa gabime në fillet e karrierës së tij me United.

Sipas The Guardian, ai ka bërë ekzaminime të shumta dhe është marrë vendimi që gjatë verës t’i nënshtrohet procedurës operuese, nga e cila do të riaftësohej për vetëm katër ditë.