Kemi gjasa për të arritur në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit dhe do mundohemi ta bëjmë këtë- ka deklaruar trajneri i Real Madridit, Jose Mouronho, në një konferencë për media.Mbretërit e kanë humbur ndeshjen e parë në Santiago Bernabeu me rezultat 1-2, ndërsa të mërkurën mbrëma janë mysafirë të Barcelonës në Camp Nou për ndeshjen kthyese të Copa del Rey.
Trajneri portugez ka thënë se është i vetëdijshëm për kundërshtarin dhe rezultatin, porse nuk ka hequr dorë nga ky trofe.
Duke pasuar parasysh kritikat e kohëve të fundit, ai e ka vënë në pah suksesin e tij që pas arritjes në Santiago Bernabeu. Portugezi ka shpjeguar se para arritjes së tij, Real Madridi ishte ‘mësuar’ të eliminohej nga Kupa e Mbretit nga ekipe të vogla, por pas arritjes së tij e fitoi atë. Po ashtu, ka shpjeguar se derisa në vitet paraprake Los Blancos e kishin humbur shkëlqimin në Ligën e Kampionëve, këtë edicion ata arritën një rekord në fazën grupore të kësaj gare.
Për më shumë, Mourinho ka thënë se Real Madridi është lider në La Liga me pesë pikë më shumë se “skuadra të cilën të gjithë e konsiderojnë si më të mirën në botë”.
Drejtuesi i Realit ka njoftuar se Pepe do të luajë nëse do të riaftësohet, ndërsa për Graneron dhe Lassin do të vendoset në momentet e fundit për shkak të problemeve, megjithatë ai nuk e ka bërë të ditur njëmbëdhjetëshin startues.
Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, konsideron se Spanja mbetet favorite për Euro 2012 për shkak të numrit të madh të lojtarëve të Barcelonës që ka në përfaqësuese, të cilët, sipas tij, as Jose Mourinho ende nuk ka zbuluar se si t’i ndalë.Anglia arriti që në një ndeshje miqësore ta mposhtë Spanjën me rezultat 1-0, mirëpo strategu italian thotë se, sikurse kolegu i tij te Real Madridi që nuk mund ta ndalë Barcën, edhe ai nuk ka gjetur ende formulë për ta ndalur Spanjën.
“Sipas meje, Spanja është favoriti kryesor për Evropianin, sepse në radhët e veta ka shumë lojtarë të Barcelonës. Vitin e kaluar u takuam me ta në një ndeshje miqësore dhe isha i impresionuar për mënyrën se si e mbanin topin në posedim”.
“Shumëkush ka kërkuar mënyra për ta pamundësuar lojën e tillë të Barcelonës dhe përfaqësueses së Spanjës, por nuk ka gjetur zgjidhje, duke e përfshirë edhe Mourinhon në stolin e Realit. Është e dukshme se nuk ka ditur t’i ndalë”, është shprehur ish-trajneri i Real Madridit.
Sergio Aguero i ka dalë në mbështetje bashkëlojtarit të tij te Manchester City, Mario Balotelli, i cili pritet të suspendohet për shkak të goditjes që i ka bërë lojtarit të Tottenhamit, Scott Parker.“Së pari, të gjithë e dimë çfarë lojtari fantastik është ai. Ndërsa jashtë fushe, të gjithë kanë rrugën e vet. Por ne që jemi të afërt me Marion e dimë se jashtë fushe ai është një djalë shumë i mirë”.
“Si shumë lojtarë, ai ka veçoritë e veta. Të gjithë e njohin atë si lojtar nga ajo që shohin në fushë. Por unë e di se jashtë fushe, ai është një djalë i dashur”, ka deklaruar argjentinasi për The Sun.
Nëse shpallet fajtor nga FA, sulmuesi italian do të suspendohet për katër javë.
Drejtori sportiv i Paris Saint-Germain, Leonardo, ka njoftuar se klubi francez i ka dhënë fund tentimit për transferimin e sulmuesit të Manchester Cityt, Carlos Tevez.“I kemi përfunduar negociatat për Tevez. Në këtë moment nuk ka shumë lëvizje në treg”.
“Dukej se kishte një mundësi për ta transferuar atë, dhe ne e analizuam. Megjithatë, në fund nuk mundëm të arrijmë marrëveshje, përkundër ofertës sonë të mirë”.
“Nuk do të bëjmë oferta të tepruara, prandaj i kemi përfunduar bisedimet. Ka marrë fund”, citon L'Equipe fjalët e Leonardos.
Gara për ta transferuar argjentinasin tash do të zhvillohet ndërmjet Milanit dhe Interit.
Anësori i Manchester Unitedit, Nani, është në dyshim për takimin e fundjavës në FA Cup kundër Liverpoolit.Nga ana tjetër, thuhet se mbrojtësi Phil Jones mund të kthehet në formacionin startues përkundër lëndimit gjatë ndeshjes ndaj Arsenalit.
Dy lojtarët e Djajve të Kuq u detyruan që ta lëshonin takimin në Emirates, për shkak të lëndimeve, duke ngjallur dyshim se mund të mos udhëtojnë në Anfield.
Daily Mail raporton se Nani mund të mungojë disa javë, ndërsa The Times pohon se Jones pritet të jetë në dispozicion, edhe pse Sir Alex Ferguson pati thënë se ai mund të mos paraqitet për disa javë.
Ylli i dikurshëm i Barcelonës dhe Interit, Luis Suarez, mendon se trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, planifikon të largohet nga Santiago Bernabeu në fund të sezonit aktual.“Duke e ditur se si reagoi Mourinho para se të largohej nga Interi, më jep ndjenjën se ai po planifikon të largohet nga Real Madridi”.
“Nuk e di se cila është arsyeja pas kësaj, dhe si po planifikon të largohet. Megjithatë, mendoj se ai ka nevojë për freski dhe është duke u përgatitur për t’u larguar”.
“Ai ka një karakter shumë të fortë, prandaj ose jeni qind për qind me të ose jeni kundër tij. Ai nxit këtë lloj reagimi, sepse është në karakterin e tij”, ka thënë Suarez për Onda Cero.
Barcelona duhet të bëjë një performancë të përsosur nëse dëshiron ta eliminojë Real Madridin nga Kupa e Mbretit. Kështu mendon mesfushori blaugran, Andres Iniesta.Katalunasit fituan me rezultat 2-1 në takimin e parë të zhvilluar në Santiago Bernabeu, ndërsa spanjolli konsideron se ata duhet të japin më të mirën nga vetja edhe në ndeshjen kthyese që zhvillohet të mërkurën mbrëma në Camp Nou.
“Madridi do të na detyrojë të bëjmë një lojë të përsosur. Nuk guxojmë të relaksohemi. E vetmja gjë që dua është që skuadra të bëjë një paraqitje të mirë”.
“Do ta kemi mbështetjen e tifozëve tanë, por edhe pse kemi një rezultat të mirë nga ndeshja e parë, kjo nuk do të thotë asgjë, ky është futbolli dhe ka edhe 90 minuta lojë të shkëlqyer mes dy skuadrave të mëdha”, u ka thënë Iniesta gazetarëve.
















