Napoli ka shënuar fitore me rezultat 2-0 në San Paolo ndaj Interit, për të eliminuar kështu Nerazzurët nga Kupa e Italisë.
Ndeshja gjatë 90 minutave ishte tejet monotone, e sidomos në pjesën e parë, ku nuk kishte raste shënimi.

I njëjti avaz vazhdoi dhe në pjesën e dytë, por në minutën e 51-të, Edinson Cavani nxori një penalti pas një ndërhyrje të Thiago Mottas, që bëri që pikërisht sulmuesi uruguaian të shënojë nga penaltia për 1-0.

Dhe, ishte pikërisht Cavani ai që dyfishoi rezultatin në minutën e fundit shtesë për 2-0 dhe për ta lënë jashtë Kupës së Italisë, nën kampionin e Italisë, Interin. Napoli takohet në gjysmëfinale me Sienën që eliminoi Chievon.
Në një ndeshje spektakolare të zhvilluar në Anfield, Liverpooli me një barazim 2-2 ka arritur të sigurojë kualifikimin në finalen e Carling Cup, duke eliminuar nga gara liderin në Ligën Premier, Manchester Cityn.
Manchester City e filloi sfidën duke e dominuar, ndërsa pas gjysmë ore lojë vjen dhe goli i parë.

De Jong realizoi për 1-0 (31’), duke i dhënë epërsinë e parë Manchester Cityt. Shpejtë u përgjigjën The Reds, që pas një penaltie me anë të kapitenit Steven Gerrard barazuan në 1-1 (41’), rezultat që mbylli pjesën e parë.

Në pjesën e dytë loja dinamizohet edhe më shumë. Edin Dzeko përsëri kaloi në epërsi Manchester Cityn (67’), duke bërë që Citizens të shpresojnë për një kualifikim.

Sidoqoftë të pranishmit në Anfield i elektrizoi sulmuesi kryesor, Craig Bellamy, i cili shënoi për 2-2 në minutën e 74-të, që doli të ishte dhe rezultati përfundimtar e i kualifikimit për The Reds.

Në finalen e Carling Cup Liveprooli do të takohet me skuadrën uellsiane Cardiff, që eliminoi Crystal Palace. Nëse Liverpooli triumfon në Wembley, atëherë ky do të jetë trofeu i parë për skuadrën nga Anfield që pas vitit 2006.
Sulmuesi i Manchester United, Wayne Rooney, ka thënë se Djajtë e Kuq janë duke kaluar nëpër periudhë të vështirë, pasi tash e tutje të gjitha ndeshjet për Djajtë janë të mëdha.
“Të gjitha ndeshjet janë të vështira tani e tutje, këto janë ndeshje ku unë duhet të jap maksimumin. Ne e kuptojmë këtë dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Ne duhet të bëjmë mirë në këto ndeshje”.

“Derisa këta lojtarë të jenë të fokusuar dhe të marrin ndeshjet një nga një, të përgatiten, atëherë pa dyshim se rezultatet nuk do të mungojnë”, potencoi Rooney.
Sulmuesi legjendar brazilian, Ronaldo, ka kujtuar fitoren e jashtëzakonshme të Real Madridit në Camp Nou në vitin 2003, ku Los Blancos fituan me rezultat 2-1.
“Real Madridi dhe Barcelona ofruan derbin e parë të madh në Evropë për mua. Për Real Madridin, momenti më i mirë ka qenë kur e kemi mposhtur Barcelonën në Camp Nou për herë të parë pas 17 vitesh. Ishte vërtet e pa harrueshme”.

“Është e vështirë që në ditët e sotme të fitosh në Camp Nou. Kjo edhe për një ekip si Real Madridi. Të gjithë duhet të kenë një ditë fantastike dhe të jenë shumë të fokusuar për të fituar”, u shpreh Ronaldo.
Gjiganti italian, Interi, dëshiron të transferojë yllin e Schalkes, Julian Draxler, gjithnjë sipas vet lojtarit, që ka zbuluar interesimin e Nerazzurëve.
Mesfushori 18 vjeç debutoi në Bundesliga janarin e kaluar dhe që nga ajo kohë ka qenë një prej lojtarëve kryesorë te Schalke dhe sipas vet Draxler, ekipe të mëdha janë vënë pas tij.

“Agjenti im më ka informuar se Interi ka shfaqur interesim për mua. Është ndjenjë e mirë për mua. Unë jam tmerrësisht i nderuar nga ky lajm. Unë kam lexuar se edhe Arsenali është i interesuar për mua. Kjo më bën të lumtur”, theksoi Draxler.
Portieri i Liverpoolit, Pepe Reina, ndjen se The Reds janë hiç më pak se tri vjet larg titullit të Ligës Premier.
“Mendoj se do të na duhen edhe dy apo tri vjet për të qenë të gatshëm për të sfiduar për Ligën Premier dhe Ligën e Kampionëve. Shpresoj që sa më shpejt që është e mundur të fitojmë një trofe, duke filluar nga Carling Cup”.

“Ne nuk kemi fituar trofe nga viti 2006 dhe është shumë me rëndësi për klubin që të fitojë një trofe këtë sezon. Te Liverpooli, të fitosh trofe është gjë vitale dhe ne kemi gjasa të mira ta bëjmë këtë. Ne do të punojmë shumë që sezonin e ardhshëm të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve. Ne jemi mësuar që të fitojmë”, tha Reina.
Agjenti i Thiago Mottas, ka pohuar se mesfushori i Interit është shumë pranë që t’i bashkohet klubit francez, Paris Saint-Germain.
Dario Canovi, agjenti i futbollistit ka zbuluar se klienti i tij ka arritur marrëveshje me liderët e Ligue 1 dhe ka pranuar se ndeshja e fundit për ‘Thiagonen’ mund të jetë ndaj Napolit sonte mbrëma. PSG besohet se ka ofruar 10 milionë euro plus bonuse.

“Sonte mund të jetë ndeshja e tij e fundit në fanellën e Interit. Ai ka pranuar që të transferohet te PSG”, theksoi Canovi.
Interi është shumë i interesuar që ta kthejë në ekip, produktin e akademisë Nerazzure, sulmuesin aktual të Sienës, Mattia Destro.
20 vjeçari i cili është në bashkpronësi të Sienës dhe Genoas, është në formë të lartë këtë sezon në Serie A dhe është klubi nga Meazza që e dëshiron në ekip para mbylljes së afatit kalimtar dimëror.

Dhe së fundmi garës për sulmuesin e talentuar i është bashkuar edhe Juventusi, duke detyruar Interin që ta kthejë Destron te skuadra e tij e fëmijërisë.
Mesfushori i Manchester Cityt, Gareth Barry, ka thënë se ai është tepër i ngazëllyer që zgjodhi Manchester Cityn e jo Liverpoolin në vitin 2006, pasi tani është duke luftuar për titull.
“Më kujtohet kur zhvillohej saga transferuese, unë po shikoja miqësoren e Liverpoolit ndaj Lazios në Anfield dhe tifozët vendas po këndonin kor kundër meje”.

“Unë isha në shtëpi, por kam mundur t’i dëgjoj këto këngë. Dhe kjo bëri që të ndërroj mendje. Liverpooli ishte i interesuar për mua, por unë vendoas për Cityn. Unë kam menduar shumë për këtë, por mënyra se si klubet flisnin, më pëlqyen synimet e Manchester Cityt”, potencoi Barry.
Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka thënë se Los Blancos nuk kanë probleme në ekipin e tyre, duke mohuar një largim të Mourinhos, por si problem të vetëm të klubit mbretëror gjermani e përmend Barcelonën.
“Sa herë gjërat janë zbuluar në media, gjithmonë kjo ka ndodhur pasi kanë folur lojtarët. Ka shumë njerëz të cilët gjithë ditën përcjellin Real Madridin dhe këto gjëra nuk mund të ndalen së publikuari”.

“Është e qartë se ka ndarje...por kur gjërat shkojnë mirë, asgjë nuk ndodh. Nëse rezultatet janë të këqija, atëherë ka probleme. Mendoj se Mourinho nuk do të largohet. Real Madridi ka vetëm një problem dhe ajo është Barcelona. Gjithçka tjetër është mirë”, u shpreh Schuster.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është nën presion nga drejtorët e klubit mbretëror që t’ia tregojë derën trajnerit portugez, Jose Mourinho, në fund të këtij sezoni.
El Confidencial shkruan se drejtorët e Realit kanë frikë për të ardhmen e klubit, në rast se Mourinho qëndron edhe një sezon shtesë.

“Nëse ai kërkoi shkarkimin e Valdanos sezonin e kaluar, kë e dëshiron këtë herë? Iker Casillasin, Sergio Ramosin? Cilin lojtar”, theksoi një drejtor.
Liverpooli është duke u lidhur me një transferim të anësorit të Udineses, Mauricio Isla.
Kiliani është vëzhguar vazhdimisht nga skautët e Manchester United, ndërsa tani sipas La Tercera, Liverpooli është i gatshëm të ofrojë 15 milionë funte për futbollistin para mbylljes së afatit kalimtar të janarit.

Isla mund të luajë në mesfushë dhe në krah, ndërsa ka pasur ndikim të madh në sukseset e Juventusit dy sezonet e fundit.
Pepe duke e shkelur Messin Barcelona e ka ftuar Federatën Spanjolle e futbollit (RFEF) që të veprojë kundrejt mbrojtësit të Real Madridit, Pepe, rreth shkeljes që i bëri Lionel Messit në takimin e parë çerekfinal të Kupës së Mbretit në Santiago Bernabeu.
Blaugranët janë nikoqirë të Los Blancos të mërkurën mbrëma në Camp Nou për ndeshjen kthyese, mirëpo zëdhënësi i klubit, Toni Freixa, ka thënë se Barca vazhdon të mbetet e pakënaqur pasi mbrojtësi portugez nuk ka marrë kurrfarë dënimi për veprimin e tij josportiv.

Sidoqoftë, ai ka thënë se të gjithë duhet të qëndrojnë të fokusuar për të vazhduar tutje në Copa del Rey, ndërsa me këtë punë duhet të merret RFEF.

“Ideja jonë është që të vazhdojmë të jemi shembull për korrektësi dhe sjellje. Dhe shpresojmë që edhe tifozët tanë të vazhdojnë të sillen në këtë mënyrë”, ka thënë Freixa për Marca.
Katër tenistët më të mirë në botë kanë mbetur në fazat përfundimtare të garës për titullin e Grand Slam turneut të parë sezonal, Australian Open.
Të enjten në gjysmëfinalen e parë do të vihen ballë për ballë bartësi i dytë Rafael Nadal dhe bartësi i tretë Roger Federer.

Ndërsa një ditë më pas, do të zhvillohet gjysmëfinalja tjetër, mes bartësit të parë Novak Djokovic dhe bartësit të katërt, Andy Murray.

Është vetëm hera e tretë në histori të Australian Open që po ndodh ‘gjysmëfinale e përsosur’ mes katër bartësve të parë. Më herët ka ndodhur në vitin 1988 dhe 2005.
Sulmuesi i Bayern Munichut, Mario Gomez, beson se shumë shpejt Bundesliga do të fillojë të shikohet si liga më atraktive në botë.
Tri pozitat e para në tabelën e Kampionatit gjerman kanë pikë të barabarta, ndërsa 26-vjeçari, i cili prin me gola të shënuar këtë edicion, mendon se ky kampionat do të tërheqë lojtarët më të mirë në një të ardhme të afërt.

“Bundesliga është jashtëzakonisht atraktive. Në afat të gjatë, do të jetë liga më atraktive se të gjitha”, ka thënë Gomez për Goal.com.
Qendërmbrojtësi portugez, Pepe, është përfshirë në skuadrën e plotë të Real Madridit për takimin e të mërkurës mbrëma ndaj Barcelonës në Camp Nou.
Pepe vazhdon të jetë shënjestër e kritikave për veprimin josportiv ndaj Leo Messit, ndërsa veç tjerash, ai ishte në dyshim për shkak të një lëndimi.

Sidoqoftë, ai duket se është riaftësuar dhe Jose Mourinho e ka përfshirë në skuadër.

Krejt çfarë mbetet të shohim është pritja që do t’i bëjnë tifozët e Barcelonës në Camp Nou.

Skuadra e plotë e Real Madridit:

Portierë: Casillas, Adan, Jesus

Mbrojtës: Ramos, Marcelo, Varane, Albiol, Pepe, Coentrao, Arbeloa, Carvalho

Mesfushorë: Lass, Xabi Alonso, Ozil, Callejon, Sahin, Granero, Kaka, Altintop

Sulmues: Cristiano Ronaldo, Higuain, Benzema
Në prag të ndeshjes kthyese çerekfinale të Kupës së Mbretit mes Barcelonës dhe Real Madridit që zhvillohet në Camp Nou, edhe bukuroshja dhe bukuroshi i Spanjës kanë dhënë prognozat e tyre, teksa janë fotografuar me fanellat e dy rivalëve të përjetshëm.Miss Spanja, Andrea Huisgen, ka bërë tifo për Barcelonën duke thënë se madrilenët do të përjetojnë një tjetër humbje në Camp Nou. Sipas saj, Blaugranët do të fitojnë me rezultat 3-1.Nga ana tjetër, Mister Spanja, Diego Otero, një tifoz i flaktë i Real Madridit, beson se Los Blancos do t’i befasojnë të gjithë duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Copa del Rey. Ai thotë se Reali do të fitojë me rezultat 3-2 në Camp Nou.
Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, konsideron se është në shënjestër të gjyqtarëve anglezë dhe Federatës Angleze të futbollit, prandaj është duke menduar për t’u larguar nga Anglia.
Lojtari italian rrezikon katër ndeshje suspendim për shkak të një goditjeje që i bëri lojtarit të Tottenhamit, Scott Parker, ndërsa ky mund të jetë dënimi i radhës, nga të shumtit që ka marrë sulmuesi kontrovers që pas shkuarjes te City në vitin 2010.

“Ai ndjehet i përndjekur dhe nuk mund të vazhdojë ashtu”, ka thënë për BBC agjenti i tij, Mino Raiola, duke shtuar se SuperMario ka shkuar në Ligën Premier për t’u pjekur si njeri.

Mirëpo- ka thënë Raiola- nëse vazhdojnë ta dënojnë për gjithçka dhe nëse FA dhe gjyqtarët mendojnë se Balotelli nuk e ka vendin në Ligën Premier, atëherë ata do të kërkojnë një opsion tjetër.
Legjenda braziliane e futbollit, Pele, edhe në një intervistë më të re nuk ka reshtur së lëvduari veten duke bërë njëkohësisht krahasime mes Santosit të tij dhe Barcelonës.
“Po të kishte Santosi im në vitet e gjashtëdhjeta kushtet në të cilat ekziston Barcelona aktuale, ne do të dominonim në të njëjtën mënyrë”.

“Para 15 ose 20 vitesh është luajtur lojë shumë defensive. Mirëpo, teknika është e njëjtë. Tash të gjithë flasim për Barcelonën, por unë kujtoj Santosin tim. Kemi qenë skuadër fantastike, të gatshëm për ta dominuar botën me futbollin tonë, sikurse Barcelona e sotme”.

“Unë kam qenë në futboll ajo që ka qenë Ludwig van Bethoven në muzikë, ose Michelangelo në art”.

“Të krahasohem me Messin? Kjo është gjithmonë e vështirë. Sido që të jetë, Lionelin e respektoj shumë. Njësoj sikur e kam respektuar Cruyffin, Beckenbauerin ose Platinin. Secili futbollist i madh ka personalitetin e vet”.

“Ajo që mund të them me siguri është se nuk do të ketë Pele tjetër”.

“Messi ose Ronaldo? Messi është lojtar fantastik. Është kënaqësi e vërtetë ta shohësh në fushë”.

“A është më i miri i të gjitha kohërave? Këtë nuk e di. Po ashtu nuk mund ta krahasoj me Ronaldon, sepse stilet e tyre të lojës janë krejtësisht të ndryshme”, ka deklaruar Pele në një intervistë për France Football.
Sulmuesi i Romës, Erik Lamela, e ka mbrojtur veten sa i përket kartonit të kuq që mori në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Italisë ndaj Juventusit.
Argjentinasi e la fushën në minutën e 68-të pasi e goditi Giorgio Chiellinin derisa ai nuk kishte top, ndërsa Lamela thotë se reagimi i tij ishte pasojë e provokimeve të mbrojtësit italian.

“Chiellini më provokoi”, ka deklaruar 19-vjeçari për Il Corriere dello Sport.
Martin Caceres të mërkurën duhet të qëndrojë në Torino për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësore te Juventusi- shkruan La Gazzetta dello Sport.
Uruguaiani konsiderohet si një nga transferimet e Zonjës së Vjetër në afatin kalimtar të janarit, ndërsa, sipas medieve italiane, pas bisedimeve me Sevillan, të martën mbrëma dy klubet kanë arritur marrëveshje.

Mësohet se Juventusi do të paguajë 1.5 milion euro për huazimin e mbrojtësit deri në fund të sezonit, ndërsa gjatë afatit kalimtar veror mund ta blejnë atë për tetë milionë euro.
Kapiteni i Liverpoolit, Steven Gerrard, pohon se do të ishte realizim i ëndrrës po ta udhëhiqte skuadrën e tij drejt triumfit në League Cup.
Redsat kanë epërsi prej një goli ndaj Manchester Cityt nga ndeshja e parë dhe po ta kalojnë liderin e Ligës Premier të mërkurën mbrëma, në finalen e Wembleyt në shkurt do të ndesheshin me Cardiffin dhe do të kishin gjasa reale për ta fituar Kupën e Ligës.

Liverpooli nuk ka fituar trofe që nga viti 2006, ndërsa Gerrard dëshiron që të ngre trofe këtë edicion. Ai u ka thënë gazetarëve se do të ishte e mrekullueshme dhe një realizmin ëndrre po ta fitonte trofeun në Wembley.

“Të arrijmë në Wembley, është qëllimi- për të fituar, është ëndërr”, ka deklaruar mesfushori anglez.
Sergio Ramos ka pranuar se Real Madridi gjendet para një ndeshjeje të vështirë në kuadër të Kupës së Mbretërit, por ai dhe bashkëlojtarët e tij janë të gatshëm ta bëjnë të pamundurën.
“Jemi tërësisht të bindur se jemi në gjendje që ta përmbysim rezultatin. Real Madridi gjithmonë kthehet kur njerëzit mendojnë për ndeshje të pamundura”.

“Jemi të detyruar që ta japim më të mirën për të arritur në raundin tjetër. Morali i Real Madridit është më shumë se i mirë falë rezultateve të mira që po marrim këtë sezon”.

“Rikthimet janë pjesë integrale e këtij institucioni dhe ne jemi më të bashkuar se kurrë”.

“Jemi të entuziazmuar për të arritur në raundin tjetër. Real Madridi gjithmonë mendon për t’u rikthyer, pavarësisht rezultatit nga ndeshja e parë”, citon faqja zyrtare e Realit fjalët e mbrojtësit spanjoll.
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, beson se skuadra e tij ka përparësi kundrejt Real Madridit për shkak të dominimit në ndeshjet e dy sezoneve të fundit.
Veç kësaj, në favor të Blaugranëve është edhe rezultati, pasi ata kanë fituar me rezultat 2-1 në Santiago Bernabeu, ndërsa nëse përfshijmë edhe mbështetjen e tifozëve në Camp Nou, është e qartë së ata janë favoritë për të vazhduar tutje në Kupën e Mbretit.

Megjithatë, lojtari argjentinas ka thënë për Goal.com se nuk e kanë të garantuar suksesin, prandaj duhet ta fitojnë edhe ndeshjen kthyese.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka kërkuar nga tifozët katalunas që të mos i bëjnë pritje armiqësore mbrojtësit të Real Madridit, Pepe, në Camp Nou.
Portugezi është armiku numër një i tifozëve të Barcës që pas asaj shkeljeje të Leo Messit nga takimi i parë, ndërsa shumëkush e ka këshilluar atë që të mos shkojë në Barcelonë.

“Ta lëmë Pepen të qetë. Nëse trajneri i tij e dëshiron në lojë, le ta lëmë të luajë dhe të shpresojmë se kjo do të jetë mundësia më e mirë për të gjithë”.

“Shpresoj që ajo që ndodhi me Figon, nuk do të përsëritet, sepse tifozët e klubit pendohen për atë që ka ndodhur” .

“Nëse ndodh sërish, do të thotë se nuk kemi mësuar asgjë dhe në nuk jemi klubi që duam të jemi. Do të dhembë më shumë sesa eliminimi”, ka deklaruar Guardiola.
Real Madridi është i vendosur që t’i ndryshojë gjërat në ndeshjen kthyese të Kupës së Mbretit ndaj Barcelonës- ka deklaruar portieri Iker Casillas.
Los Blancos gjenden në disavantazh prej 2-1 nga ndeshja e parë që u zhvillua në Santiago Bernabeu, ndërsa portieri spanjoll mendon se ata mund t’i ndryshojnë gjërat në Camp Nou.

“Do të udhëtojmë në Barcelonë duke menduar që të arrijmë në raundin tjetër të Kupës së Mbretit”.

“Lojtarët e zgjedhur nga trajneri do të luftojnë deri në vdekje për ta fituat ndeshjen, pavarësisht se kush janë ata”.

“Real Madridi do të bëjë një paraqitje të mirë. Ne duhet ta tregojmë mentalitetin fitues dhe të besojmë se mund t’i ndryshojmë gjërat, pavarësisht se si janë komplikuar gjërat për ne nga ndeshja e parë”, ka thënë Casillas për faqen zyrtare të Ralit.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka deklaruar se ai nuk e di as vet se si do të pritet mbrojtësi i Real Madridit, Pepe, kur ai të zbarkojë në fushën e Camp Nou.
Pepe mund të jetë titullar në ekipin e Real Madridit në ndeshjen kthyese ndaj Barcelonës, por është pikëpyetje pritja e tifozëve katalanas, pasi portugezi shkeli dorën e Lionel Messit në mënyrë skandaloze në ndeshjen e parë.

“Si do ta presë Camp Nou mbrojtësin Pepe? Ata nuk duhet të brengosen për të dhe të duartrokasin lojtarët tanë, të cilët janë më të mirët”, tha Rosell.
Juventusi është kualifikuar në gjysmëfinale të Coppa Italias, pas fitores solide prej 3-0 ndaj Romës në Torino.
Bianconerët e përfunduan dilemën e takimit pas vetëm gjysmë ore lojë. Së pari Emanuele Giaccherini shënoi për 1-0, duke ngritur 45 mijë tifozë të Zonjës së Vjetër.

Në vazhdim të takimit Juventusi shtroi edhe më shumë dominimin, por Alessandro Del Piero me një super gol i ka shuar shpresat e mysafirëve për një rikthim, duke përfunduar takimin për 2-0.

Në minutën e fundit Simon Kjaer shënoi një autogol nga afërsia për 3-0 dhe rezultatin përfundimtar.

Juventusi pret në gjysmëfinale fituesin e takimit Milan-Lazio, që zhvillohet të enjten në San Siro.
Sulmuesi i Liverpoolit, Luis Suarez, është duke u kërkuar nga shumë skuadra evropiane, gjithnjë sipas mediave angleze.
People shkruan se agjenti i Suarez është kontaktuar nga disa klube, duke përfshirë Interin dhe Real Madridin, të cilët kanë bërë oferta të para jozyrtare.

Por, pengesa më e madhe për Real Madridin është se agjenti i Suarez ështëh vëllai i Pep Guardiolës, e kështu mendohet se në fund të sezonit kur Pep të kalojë te Interi, me të do bashkohet dhe Suarez, i cili kërkon të largohet nga Liga Premier pas akuzave dhe dënimeve për racizëm.
Jose Mourinho mund të nxjerrë zemrën e skuadrës së Real Madridit, në rast të largimit të tij, pasi mediat spanjolle besojnë se shumë lojtarë do të ndjekin portugezin.
Besohet se Jose Mourinho do të largohet në fund të sezonit pas telasheve të vazhdueshme me spanjollët e ekipit mbretëror dhe kështu, Sport raporton se me të do të largoheshin një grup i madh lojtarësh.

Cristiano Ronaldo, Pepe, Ricardo Carvalho, Fabio Coentrao dhe Angel Di Maria, që të gjithë do të shqyrtonin seriozisht largimin në rast se Jose Mourinho vendos të divorcohet nga klubi mbretëror.