Me rezultat prej 3-0, Milani e ka mposhtur Caglairin të dielën mbrëma në San Siro, për t’i qëndruar pranë Juventusit drejt garës për Scudetto.
Zlatan Ibrahimovic i kaloi vendasit në epërsi me një gjuajte të lirë nga rreth 23 metra (32’).

Nuk kaloi shumë kohë dhe Antonio Nocerino dyfishoi epërsinë (39’), ndërsa edhe në këtë gol ishte i përfshirë Ibra, pasi bëri asistin. Ky ishte rezultati i pjesës së parë.

Në gjysmën e dytë, kuqezinjtë shënuan edhe njëherë. Realizues ishte veterani i mesfushës, Massimo Ambrosini, i cili pranoi një top nga Urby Emanuelson për ta vendosur rezultatin përfundimtar të ndeshjes (75’).

Me këtë fitore, Milani vazhdon t’i bëjë presion kreut që e mban Juventusi, nga e ndan vetëm një pikë.
Stafi mjekësor i Real Madridit ka sjellë lajme jo të mira pas fitores ndaj Zaragozas. Dy nga lojtarët që ishin në formacionin e Los Blancos, Xabi Alonso dhe Marcelo, kanë pësuar lëndime.
Mesfushori spanjoll u zëvendësua në minutën e 62-të, derisa mbrojtësi i krahut të majtë është ankuar për dhimbje edhe pse luajti deri në fund.

Ende nuk dihet serioziteti i lëndimeve dhe kohëzgjatja e mundshme e mungesës së tyre.
Dyshja e Barcelonës, Lionel Messi dhe Xavi, kanë shprehur frustrimin e tyre ndaj asaj që e quajnë vendime të padrejta gjatë sezonit 2011/2012 në La Liga ndaj skuadrës së tyre, ndërsa edhe Victor Valdes i ka kritikuar standardet e arbitrave në Spanjë.
Blaugranët kanë mbetur shtatë pikë prapa liderit Real Madrid në La Liga, ndërsa pas takimit ndaj Villarrealit, Messi është shprehur i pakënaqur me vendimet e arbitrit.

“Nganjëherë ata janë arrogantë dhe kërcënojnë për të nxjerrë kartonin në provokimin minimal”, ka deklaruar argjentinasi.

Ndërkohë, Xavi ka thënë: “Më duket se ne po ndëshkohemi më shumë se skuadrat tjera”.

Derisa Valdes mendon se gjatë sezonit është dashur të akordohen disa penalti në favor të katalunasve.
Mesfushori i Chelseat, Ramires, ka pësuar një lëndim të ligamentit të gjurit të djathtë në takimin ndaj QPR, i cili do ta mbajë së paku tri javë jashtë fushe.
Braziliani iu nënshtrua ekzaminimeve të dielën, ndërsa nga klubi kanë njoftuar se ai nuk do të luajë në tri ose katër javët e ardhshme.

Ai nuk do të jetë në dispozicion të Bluve në derbin ndaj Manchester Unitedit, si edhe në takimin e parë të Ligës së Kampionëve ndaj Napolit.
Arsenali ka siguruar kualifikimin në raundin e pestë të FA Cup me një fitore mbresëlënëse prej 3-2 përballë Aston Villas në Emirates Stadium.
Pjesa e parë i takoi skuadrës mysafire, e cila krijoi epërsi të dyfishtë. Richard Dunne shënoi golin e parë në ndeshje (33’), ndërsa Darren Bent bëri që gjërat për Arsenalin të përkeqësoheshin maksimalisht (45’).

Mirëpo, në gjysmën e dytë, Topçinjtë arritën të kthenin gjithçka në favor të tyre duke shënuar tre gola të shpejtë.

Robin van Persie ishte i saktë nga njëmbëdhjetëmetërshi për ngushtuar epërsinë (54’), ndërsa Theo Walcott i barazoi shifrat (57’).

Arsenali fitoi edhe një tjetër penalti pas ndërhyrjes së gabuar kundrejt Kosicelney, ndërsa sërish i pagabueshëm ishte Robin van Persie (61’).

Në raundin tjetër, Arsenali do të luajë përballë fituesit të sfidës mes Sunderland dhe Middlesbrough që luajtën baras në ndeshjen e zhvilluar të dielën (ndërsa sipas rregullave të FA Cup, duhet ta zhvillojnë një tjetër ndeshje për të kërkuar fituesin).
Zëvëndëstrajneri i Real Madridit, Aitor Karanka, ka lëvduar mesfushorin Mesut Ozil, pas fitores ndaj Real Zaragozas në Bernabeu, duke thënë se gjermani po kthehet në formën e sezonit të kaluar.
Ozil shkëlqeu të mërkurën në Camp Nou ku i la me probleme mentale disa mbrojtës të Barcelonës, teksa forma e tij drithëruese vazhdoi edhe në sfidën ndaj Zaragozas. Kjo nuk ka mbetur pa u komplimentuar nga eprorët e pankinës madrilene.

“Ozil nuk ka qenë që një kohë në formën e sezonit të kaluar, por tani duket se ai po kthehet në atë nivel”, tha Karanka për gazetarët në një konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Klubi francez Lille ka konfirmuar se mesfushori Eden Hazard do të largohet nga Ligue 1 me të përfunduar ky sezon.
21-vjeçari vazhdimisht është lidhur me një largim nga kampioni i Francës dhe duket se ka ardhur momenti të cilin e presim shumë klube evropiane.

“Eden do të largohet në fund të sezonit, kjo është pothuajse e sigurt”, tha drejtori Federic Paquet për Orange Sport.
Skuadra e promovuar në Serie A, Lecce, ka arritur të shënojë fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Interit në Via del Mare.
Interi e dominoi takimin në fillim dhe kishte në pjesën e parë disa raste të volitshme.

Sidoqoftë, ishte Giacomazzi ai që kaloi në epërsi Leccen pas një kundërsulmi, duke bërë Nerazzurët të vuajnë deri në fund.

Ishin dy gola të anuluar dhe dhe disa raste të volitshme të cilat zikaltrit nuk i shfrytëzuan në pjesën e dytë, e që ishin fatale për disfatën e parë pas shtatë fitoreve radhazi në Serie A.

Me këtë disfatë Interi humb vendin e katërt dhe kthehet në vendin e pestë me 35 pikë, një më pak se Lazio që shkatërroi në transfertë Chievon.
Roma ka arritur të nxjerrë vetëm një barazim në shtëpi ndaj Bolonjës me rezultat 1-1.
Roma ishte dominuese në këtë takim nga fillimi, por nuk arriti të gjente rrugën e golit.

Sidoqoftë, në pjesën e dytë Marco Di Vaio ishte ai që kaloi në epërsi mysafirët në minutën e 57-të.

Roma mobilizohet dhe arrin që me anë të Miralem Pjanic të barazojë rezultatin në 1-1, që ishte dhe rezultati përfundimtar.

Me këtë barazim Roma ka 31 pikë në vendin e gjashtë.
Tenisti numër një në botë, Novak Djokovic, është fitues i Australian Open pasi ka mposhtur në një finale epike tenistin spanjoll Rafael Nadal.
Dueli i cili zgjati rreth gjashtë orë, e ka parë fitues me rezultat 3-2 serbin Novak Djokovic (5-7, 6-4, 6-2, 6-7, 7-5).

Nadal e kishte kontrollin e takimit në fund kur kishte bërë break, por më pas Djokovic u kthye për ta fituar finalen me një break tjetër i cili ishte fatal për spanjollin.

Kështu Novak Djokovic e konfirmon se momentalisht është tenisti më i mirë në botë, por as se si i pathyeshëm, pasi në French Open të gjitha indikacionet janë që Nadal të ngadhnjejë.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka deklaruar se dëshiron ta mbajë në skuadër mesfushorin Thiago Motta.
Braziliani me pasaportë italiane është pranë kalimit te Paris Saint-Germain, megjithatë zikaltrit hezitojnë të lejojnë largimin e tij.

“Unë dua që Motta të qëndrojë, por jam i sigurt se duhen marrë edhe gjëra të tjera në konsiderim”.

“Kanë mbetur vetëm pak ditë deri në fund të afatit kalimtar, do të shohim”, ka thënë strategu italian.
Klubi italian, Lazio, ka arritur marrëveshje për transferimin e Keisuke Hondas nga CSKA Moska.
Sports Nippon raporton se dy klubet kanë arritur marrëveshje për transferimin 25-vjeçarit për një shumë prej 14 milionë eurosh.

Marrëveshja mes klubeve është arritur, pasi anësori japonez fillimisht kishte arritur marrëveshje personale me presidentin e Lazios, Claudio Lotito.

Ndërkaq, nënshkrimi dhe konfirmim zyrtar do të bëhet menjëherë pasi lojtari të kalojë ekzaminimet mjekësore.
Milani nuk ka hequr dorë për transferimin e sulmuesit në largim të Manchester Cityt, Carlos Tevez- raporton Corriere dello Sport.
Kampioni i Italisë në fuqi e huazoi Maxi Lopezin nga Catania, duke qenë se nuk arriti marrëveshje me Cityn për Tevez,.

Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i klubit, Adriano Galliani, deklaroi se negociatat do të rifillojnë në qershor, mirëpo spekulimet e freskëta pohojnë se drejtuesit e Milanit do të bëjnë edhe tentativën e fundit për ta transferuar argjentinasin gjatë këtij afati kalimtar.
Trajneri Pep Guardiola nuk e ka kritikuar skuadrën e tij për barazimin pa gola ndaj Villarrealit.
“Luajtëm shumë mirë dhe vrapuam shumë. Dua që ashtu të luftojmë për secilën pikë dhe ndaj çdo kundërshtari”.

“Pavarësisht dallimit në pikë do të luajmë dhe do të luftojmë deri në fund”, ka theksuar Guardiola.

Barcelona regjistroi barazimin e gjashtë sezonal në La Liga, ndërsa mbeti shtatë pikë prapa Real Madridit.
Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, në fund të sezonit aktual do të kthehet në Ligën Premier për të drejtuar ndonjë skuadër- shkruan Sunday Times.
Dështimet në përballjet direkte me Barcelonën kanë bërë që strategu portugez të fishkëllehet nga tifozët madrilenë, ndërsa mediat britanike raportojnë se në fund të sezonit do t’i vijë fundi edhe qëndrimit të tij në Santiago Bernabeu.

“Jose është i lodhur nga situata e përgjithshme në klub. Pavarësisht nëse në fund të sezonit fiton titullin e La Ligas dhe/ose të Ligës së Kampionëve, ai gjatë verës do të kthehet në Angli. Paratë nuk janë të rëndësishme”, ka thënë një burim i afërt me Mourinhon.
Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, ka deklaruar se katalunasit nuk do të heqin dorë nga gara për titull, përkundër hapit të gabuar që e bënë të shtunën mbrëma.
Blaugranët barazuan pa gola ndaj Villarrealit dhe kështu gjenden shtatë pikë prapa Real Madridit në tabelën e La Ligas.

“Barcelona nuk dorëzohet kurrë. Raundi i dytë i ndeshjeve sapo ka filluar, ka mbetur edhe shumë”.

“Janë edhe shumë pikë për të cilat duhet luftuar, tash duhet të fokusohemi në ndeshjen e Kupës së Mbretit (ndaj Valencias) dhe duhet të bëjmë mirë, në mënyrë që të jemi në finale”, ka deklaruar argjentinasi.
Skuadrat vendase ishin mjaft të suksesshme në përballjet e të shtunës në ligën më të fortë të basketbollit në botë- NBA. Nga gjashtë takimet e zhvilluara, nikoqirët i fituan pesë prej tyre.
Në përballjen më interesante që u zhvillua në Bradley Center, Milwaukee Bucks festuan përballë Los Angeles Lakers me rezultat 100-89. Më i miri te mysafirët ishte Kobe Bryant (27 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime), i cili theu rekordin e Jerry West me numrin e gjuajtjeve të lira të shënuara.

Philadelphia 76ers fituan përballë Detroit Pistons (95-74), ndërsa Andre Iguodala në ditëlindjen e tij të 28-të regjistroi ‘triple-double’ për të tetën herë në karrierë.

Utah Jazz shënoi fitoren e 11- të të sezonit duke mposhtur Sacramento Kings (96-93), Phoenix Suns ndërprenë serinë prej tri humbjesh radhazi duke fituar në dëm të Memphis Grizzlies (86-84), Houston Rockets fituan ndaj New York Knicks (97-84), ndërsa skuadra e vetme që fitoi si mysafir ishte Washington Wizards që mposhti Charlotte Bobcats (102-99).
Mbrojtësi i Juventusit, Andrea Barzagli, ka kërkuar nga skuadra e tij që të mbajë fokusin deri në fund të sezonit.
Bianconerët fituan në një ndeshje të vështirë ndaj Udineses dhe janë në rrugë të mirë drejt titullit, mirëpo mbrojtësi bardhezi thotë se ata nuk duhet të vetëkënaqen.

“Ishte një ndeshje e vështirë, por në fund ne arritëm të fitojmë”.

“Është një fitore e rëndësishme kundër një skuadre që lufton për titull, por ne ende nuk kemi arritur asgjë, prandaj duhet të qëndrojmë të fokusuar”, citon Sky Sport Italia fjalët e Barzaglit.
Mesfushori ofensiv i Real Madridit, Kaka, ka thënë se është i lumtur se si po shkojnë gjërat për të në Santiago Bernabeu.
Është spekuluar vazhdimisht se braziliani do t’i braktisë Los Blancos për shkak të lëndimeve të tij të shpeshta dhe pamundësisë që të rikthejë formën, mirëpo në disa ndeshje të fundit ai ka arritur ta tregojë klasin e tij.

“Ndjehem mirë, po luaj mirë dhe jam i lumtur. Bernabeu na ndihmon shumë dhe ne mund të krijojmë efekt”, ka deklaruar 29-vjeçari.

Kaka ishte një nga lojtarët më të mirë në përballjen ndaj Real Zaragozas, duke shënuar një gol dhe duke asistuar në një tjetër, ndërsa Reali aktualisht gjendet shtatë pikë para Barcelonës.
Drejtori gjeneral i Juventusit, Giuseppe Marotta, ka konfirmuar se Bianconerët janë të interesuar për transferimin e mesfushorit të Cagliarit, Radja Nainggolan, para 31 janarit.
Mediat në Itali kanë raportuar se 23-vjeçari është në rrugë për te Juve, ndërsa tani vjen konfirmimi edhe nga zyrtarët bardhezi.

“Nainggolan është një lojtar që na intereson. Unë kam folur me Massimo Cellinon (presidentin e Cagliarit), mirëpo nuk ka negociata të vërteta”.

“Ne po mundohemi ta sjellim atë në Torino pa përfunduar janari, por janë shumë gjëra që duhen shqyrtuar dhe para së gjithash duhet të mësojmë nëse Cagliari dëshiron ta shesë atë”, ka deklaruar Marotta për Sky Sport Italia.
Diego Forlan planifikon të qëndrojë te Interi deri në përmbyllje të kontratës së tij.
Që pas transferimit nga Atletico Madridi, 32-vjeçari nuk ka arritur të jetë i rëndësishëm për Nerazzurët duke nxitur spekulime se mund të largohet nga Meazza.

Mirëpo, duke folur për Il Cacha, uruguaiani i ka heshtur këto spekulime, pasi ka thënë se nuk largohet nga klubi aktual.

Ai e ka lëvduar edhe trajnerin Claudio Ranieri duke thënë se ka marrëdhënie të mira me të.
Mesfushori i Real Madridit, Esteban Granero, ka kërkuar nga skuadra e tij që të vazhdojë me paraqitjet mbresëlënëse dhe fitoret.
“Nuk duhet të shkojmë prapa duke u bërë monotonë. Ne pranuam një gol (nga Zaragoza) për fajin tonë, por më pas reaguam dhe bëmë një paraqitje të kompletuar”.

“Këto ndeshje janë gjithmonë të vështira. Zaragoza nuk është skuadër e keqe, dhe ne ia vështirësuam vetes punët fillimisht, por arritëm të fitojmë”.

“Do të luftojmë deri në fund dhe do të tentojmë të fitojmë gjithçka që kemi në dispozicion”, ka deklaruar Granero pas takimit ndaj Zaragozas.