Sir Alex Ferguson shpreson që dyshja sulmuese Rooney dhe Nani mund të jenë në gjendje për të luajtur ndaj Chelseat në Stamford Bridge të dielën.“Ne shpresojmë se Wayne Rooney, Nani dhe Ashley Young do të jenë të gatshëm për të dielën”, theksoi Ferguson.
Nga ana tjetër telashe Djajtë kanë në portë. Dhëndri i Kosovës, Anders Lindegaard dhe David de Gea janë të lënduar, kështu që pritet që portieri pa përvojë, 21 vjeçari Ben Amos të luajë ndaj Bluve të Londrës.
Kapiteni i Arsenalit, Robin Van Persie, ishte lidhur me një kalim te Barcelona pas përfundimit të këtij sezoni, por miqtë e afërt me sulmuesin holandez kanë bërë të ditur se ai nuk po mendon për klubin spanjoll.Daily Express shkruan se miqtë e Van Persiet i kanë përshkruar spekulimet nga mediat spanjolle si të pa matura dhe tejet tendencioze.
Robin Van Persie është vënë në shënjestrën e shumë klubeve të mëdha evropiane pas ecurisë së suksesshme prej 36 golave gjatë një viti kalendarik në Ligën Premier.
Portieri i Chelseat, Petr Cech, ka pranuar se titulli në Ligën Premier është jashtë rrezes vepruese të Bluve, pas barazimit prej 1-1 në udhëtim te Swansea.“Ne as që e përmendim fjalën titull sepse klubet nga Mançesteri nuk do të lëshojnë shumë pikë, ky është realiteti”.
“Unë ende mendoj se është synim realist vendi i tretë. Për këtë duhet të fitojmë të dielën në shtëpi ndaj Unitedit”, potencoi Cech.
Ish-trajneri i Real Madridit, Bernd Schuster, ka sulmuar trajnerin Jose Mourinho për ekipin që ai zgjodhi në ndeshjen e parë të Copa del Rey ndaj Barcelonës.“Për atë ditë, të gjithë pajtohemi, ata që dinë shumë apo edhe pak – formacioni ishte katastrofë. Një katastrofë, ishte e tmerrshme, ose si do që dëshironi ta quani, më falni, nuk dua të shfaq mos respekt ndaj askujt”.
“Duke parë se kush u zgjodh, unë thashë vet me vete: ‘Kjo është e pamundur’. Askush nuk e di se çfarë ndodhi atje, por unë kam dëshirë të di se pse e zgjodhi atë formacion. Një lojtar që nuk ka luajtur një kohë, ai e vuri në mefushë...flas për Pepen. Ishte e çuditshme dhe ne kërkuam ta eliminojmë Barcelonën. Ishte turp, sepse lojtar më lojtar mund të thoni se ata janë më të mirë se Barca. Nëse dështoni ndonjëherë nuk bën të ankoheni në referim”, ka thënë Schuster.
Pronari i Chelseat, Roman Abramovich, besohet të ketë shpenzuar hiç më pak se 1 miliard funte për përmirësimin e skuadrës londineze që prej se e mori atë në dorë.Vetëm pak orë para mbylljes së afatit kalimtar dimëror dhe teksa ekipi i Andres Villas Boas po pësonte fiasko te Swansea, ishin zbuluar lajme tjera të këqija për Blutë – një humbje e madhe financiare prej rreth 67.7 milionë eurosh. Sidoqoftë, për drejtuesit londinez pozitive konsiderohen fitimet prej 222 milionë eurosh gjatë vitit të kaluar.
Dhe kur të merret parasysh se borxhi total i Chelseat është hiç më pak se 340 milionë euro, atëherë nëse Abramovich borxhin e klubit e bart në emrin e tij, atëherë kjo do të thotë se ai ka shpenzuar as më pak se as më shumë se 970 milionë funte për klubin londinez.
Chelsea përkundër shpenzimeve të mëdha nuk ka arritur ende ta fitojë Ligën e Kampionëve, një synim afatgjatë ky nga pronari rus, i cili me sa duket do të shkrijë ende pasurinë e tij derisa t’ia arrijë qëllimit.
FIFA ka zbuluar se është duke e shqyrtuar mundësinë e lejimit të një zëvëndësimi të katërt gjatë vazhdimeve në një ndeshje, ndërsa vendimi mbi këtë çështje pritet të merret muajin e ardhshëm.Bordi i FIFA-s është duke shikuar që të mbrojë lojtarët nga lëndimet dhe kështu të mbahet cilësia e futbollit deri në minutën e 120-të.
“FIFA task force për futboll 2014, komiteti mjekësor dhe komiteti futbollistik përkrahin idenë për të mbajtur në nivel cilësinë e futbollit, duke shtuar edhe një zëvëndësim gjatë vazhdimeve të një ndeshje”, shkruan në komunikatën e FIFA-s.
Një takim pritet të mbahet në Angli më 3 mars për të diskutuar nëse ky ndryshim do të implementohet.
Sulmuesi i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, është shprehur falënderues për koret e kënduara në përkrahje të tij në Santiago Bernabeu në sfidën ndaj Zaragozës.Ish-ylli i Manchester United ishte vërshëllyer nga tifozët merengez pas disfatës nga Barcelona në dhjetor, por paraqitjet e tij të shkëlqyera ndaj katalanasve në Copa del Rey duket se kanë fituar zemrën e tifozëve.
“Vërtet jam falënderues për dashurinë e shprehur ndaj meje në Bernabeu fundjavën e kaluar”, theksoi Ronaldo sipas AS.
Bosi i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se fitorja ndaj Stoke Cityt ishte tejet e rëndësishme në luftën për titull në Ligën Premier, për shkak se Djajtë tani kanë pikë të barabarta me liderin tjetër, Manchester Cityn.“Ishte mbrëmje e mirë për ne. Por, ajo që më pëlqeu më shumë ishte performanca jonë. Mendoj se futbolli ynë ishte tmerrues. Ne kemi mbajtur rendin në fushë dhe ishim mjaft të durueshëm. Në rregull, ne fituam me dy penalti, por mendoj se mënyra si luajtëm ishte gjëja më e rëndësishme”.
“Është ende herët për të përcaktuar fituesin e titullit. Është vetëm fillimi i shkurtit. Unë gjithmonë them se marsi është muaj shumë i rëndësishëm, ashtu sikurse fillimi i prillit. Ne luajmë ndaj Manchester Cityt në prill sa për informatë”, ka deklaruar Fergie.
Menaxheri i Chelseat, Andres Villas Boas, ka këmbëngulur se ai ka besim te sulmuesi katastrofik, Fernando Torres, edhe pse ai ka plot 1000 minuta pa realizuar.Spanjolli ka arritur në ndeshjen e 17-të dhe në minutën e 1 mijtë pa realizuar gol, që është ecuria më e keqe në karrierën e tij, ndërsa është tekniku portugez ai që ka besim në blerjen e tij 50 milionëshe.
“Është normale, ai ende po adaptohet. Besimi ekziston dhe ne besojmë shumë në lojtarin, ai i ka ndihmuar ekipit me asistimet dhe pasimet, ndërsa në këtë situatë ai duhet të vazhdojë të tentojë dhe ndoshta ne do të krijojmë mundësitë për të që ai të shkëlqejë. Nëse ne duhet të krijojmë më shumë mundësi që ai të shënojë, atëherë kjo është ajo që do të bëjmë”, ka thënë Villas Boas.
Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e sheh kapitenin Robin van Persie si një lojtar të klasit botëror.Van Persie tash është në listën e 10 lojtarëve që kanë shënuar më së shumti për klubin londinez, dhe Wenger thotë se kapiteni, i cili ka qenë shpesh i lënduar gjatë karrierës së tij me Topçinjtë, është një pjesë e vërtetë e elitës së këtij sporti.
“Ajo çfarë është e mahnitshme është se ju shikoni në numrin e ndeshjeve që Robin ka luajtur dhe numrin e golave që ka shënuar dhe kjo e bën atë absolutisht të klasit, top-klasit”.
“Ju keni klas kombëtar, klas ndërkombëtar dhe klas botëror, dhe Robin është i klasit botëror”, ka thënë Wenger.
Chelsea ka humbur plot 30 milionë funte si pasojë e ndërrimit të menaxherëve gjatë sezonit të kaluar.Telegraph-i britanik shkruan se vendimi për të zëvendësuar Carlo Ancelottin me Andre Villas-Boas do të rezultojë me 30 milionë të humbura për Chelsean, kur të zbulohen llogaritë vjetore gjatë kësaj jave.
Po thuajse gjysma e humbjes së tyre prej 67.7 milionë funte ishte rezultat i drejtpërdrejtë i pagesave për Porton, Ancelottin dhe pjesën tjetër të stafit që është larguar pas caktimit të Villas-Boas.
Ish-trajneri i kombëtares holandeze dhe i Ajaxit, Marco van Basten, dëshiron të punojë në Ligën Premier.Van Basten ka qenë i paangazhuar për tashmë dy vite, por dëshiron t’i rikthehet punës dhe preferon të punojë në kampionatin anglez.
“Nuk do ta mbaj sekret faktin se një prej ambicieve të mia është të punoj një ditë në Ligën Premier. Ndoshta kjo ditë do të vijë së shpejti. Kush e di?”, ka thënë Van Basten në një intervistë të fundit.
Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka thënë se qëllimi i Nerazzurrëve këtë sezon është të arrijnë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve.“Nuk është se unë ushqej ambiciet për titull, pastaj t’i largoj ato, pastaj t’i kthej sërish. Ne shkojmë hap pas hapi, pasi skuadrat e kreut vërtet po fluturojnë”.
“Andaj nëse ata nuk ndalojnë, atëherë ne nuk do t’ia dalim. Ne po kërkojmë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve”, ka thënë Ranieri për faqen zyrtare të klubit.
Interi aktualisht qëndron në pozitën e pestë të tabelës me nëntë pikë prapa Juventusit dhe është duke u përgatitur për ndeshjen e sotme të Serie A që e zhvillon si nikoqir i Palermos.
Menaxheri i Evertonit, David Moyes, e vlerëson fitoren e tij ndaj Manchester Cityt si njërën prej më të mirave në karrierën e tij.Goli i parë për Evertonin i ish-lojtarit të Manchester United, Darron Gibson, u tregua vendimtar për tre pikët e skuadrës vendase.
“Kjo mbase është një prej më të mirave. Është mirë pasi ishte në Goodison Park dhe për shkak të lojtarëve që na mungon dhe skuadrës të cilën e kishim përballë”.
“Andaj kjo do të thotë shumë për klubin dhe se si ne kemi arritur të rikthehemi dhe ta bëjmë këtë – lojtarët bënë një punë të shkëlqyeshme sonte”, ka thënë Moyes.
Pas ndeshjes së mbrëmshme në mes të Juventusit dhe Parmës, edhe dy ndeshje të tjera të Serie A janë anuluar sot po për shkak të motit të keq që ka pushtuar gadishullin.“Ndeshja në mes të Bolognas dhe Fiorentinas, e cila do duhej të zhvillohej sot, e mërkurë 2 shkurt, është shtyrë për shkak të motit të keq”, shkruan në faqen zyrtare të Bolognas.
Një ndeshje tjetër e cila nuk do të zhvillohet sipas orarit të paraparë është udhëtimi i Catanias te Siena, me nikoqirët që thanë se shqetësimet rreth sigurisë kanë çuar në këtë vendim.
Përndryshe, ndeshjet tjera, si ajo në mes të Atalantas dhe Genoas, udhëtimi i Cesenas te Napoli, përballja në mes të Udineses dhe Lecce, ajo në mes të Lazios dhe Milanit dhe udhëtimi i Palermos te Inter, mbeten të paprekura.
Trajneri i Valencias, Unai Emery, kërkon fitore në ndeshjen e sotme kundër Barcelonës në Mestalla, e para sfidë gjysmëfinale e Kupës së Mbretit.“Qëllimi jonë kryesor është ta fitojmë ndeshjen, por kjo nuk do të mjaftojë. Ne duhet ta mbajmë portën e pastër dhe preferojmë të fitojmë me më shumë se një gol. Për më tepër, është e rëndësishme për ne ta përfundojmë ndeshjen me 11 lojtarë”.
“Ne jemi të vetëdijshëm për fuqinë e Barcelonës, pavarësisht mungesave. Atyre u mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm, por ata kanë alternativa të shkëlqyeshme. Barcelona gjithmonë është një skuadër shumë e rrezikshme”, ka deklaruar Enmery.
Ndeshja e sotme e Kupës së Mbretit fillon në ora 21, derisa ndeshja e kthimit zhvillohet në Camp Nou më 8 shkurt.
Ylli i Bayern Munich, Franck Ribery, ka zbuluar se ëndrra e tij është të arrijë finalen e Ligës së Kampionëve gjatë këtij viti.Bavarezët shkëlqyen në fazën e grupeve të garës evropiane duke kryesuar grupin A para Manchester Cityt, Napolit dhe Villarrealit, dhe Ribery shpreson se ata do të arrijnë deri në ndeshjen e fundit.
“Arritja e finales së Ligës së Kampionëve është një prej caqeve më të mëdha të mia, dhe do të ishte po ashtu një realizim ëndrre”.
“Shpresoj se ne mund t’ia dalim, por është jashtëzakonisht vështirë. Së pari ne duhet të fitojmë sfidën e ardhshme kundër Basel, dhe pastaj do të shohim çfarë do të ndodhë”, ka thënë francezi.
Kobe Bryant ka shkëlqyer në pjesën e parë të ndeshjes, derisa Los Angeles Lakers kanë pasur një punë të lehtë ndaj Charlotte Bobcats duke fituar me rezultat 106-73.Bryant, shënuesi më i mirë i NBA-së, shënoi 18 pikë në çerekun e parë dhe shënoi pikët më të larta të ndeshjes (24) në pjesën e parë kur Lakers krijuan një avantazh të madh ndaj ekipit më të keq në NBA, Bobcats (tre fitore dhe 19 humbje).
Pas punës së kryer, Bryant qëndroi i ulur gjatë çerekut të katërt. Andrew Bynum shënoi 20 pikë dhe 11 kërcime për Lakers, që shënuan fitoren e 13-të të sezonit (9 humbje).
Tottenham ka kompletuar transferimin e sulmuesit të Evertonit, Louis Saha, pas një marrëveshje të arritur në ditën e fundit të afatit kalimtar dimëror.Saha arrin në White Hart Lane si zëvendësim për Roman Pavlyuchenko i cili është lejuar të largohet drejt Lokomotiv Moskës.
“Është një marrëveshje e përhershme, e dini nuk është një kontratë e gjatë, por më pëlqen Louis Saha, gjithmonë e kam vlerësuar atë shumë”.
“Mendoj se ai është një lojtar fantastik, bën lëvizje të mira, mund të shënojë gola dhe mendoj se ai ka nevojë për një ndryshim”.
“Ai ia ka dalë shumë mirë te Everton, por ai do të jetë pa kontratë në fund të vitit, andaj David e lejoi atë të largohet”, ka thënë Redknapp.
Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, beson se barazimi 1-1 ndaj Swansea ishte rezultat i një ndeshje me dy pjesë të ndryshme.“Mendoj se kishte dy gjysma të ndryshme në ndeshje. Në pjesën e parë, Swansea kishte shumicën e rasteve dhe ishte krejtësisht ndryshe në pjesën e dytë kur ne kishim të gjitha shanset”.
“Mendoj se nëse goli i parë do të vinte më herët, ne do të kishim gjetur të dytin, pasi ne kishim motivimin, shtytjen dhe kontrollin ndeshjes. Ne e lamë këtë shumë, shumë vonë”.
“Ne ngulmuam shumë për ta gjetur golin, por ai erdhi vonë dhe nuk na lejoi neve mjaft kohë për të shënuar të dytin”, ka thënë p portugezi pas takimit të mbrëmshëm.
Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se ai është fajtori për disfatën e mbrëmshme nga Evertoni.“Nuk isha përgatitur mirë për këtë ndeshje. Mendova se do të ishte më e lehtë. E di se këtu kurrë nuk është e lehtë, kurrë”.
“I kam vërejtur gabimet e mia. Është e rëndësishme për mua ta kuptoj këtë pasi nuk mund të lejoj të njëjtat gatime në ndeshjen e ardhshme”, ka thënë Mancini.
Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, ishte i ngazëllyer me fitoren e mbrëmshme ndaj Wigan Athletic.Londinezët shënuan fitore falë dy golave të Gareth Bale dhe një goli të Luka Modric, për t’iu afruar në pesë pikë kreut të tabelës, që ndahet nga dy skuadrat e Manchesterit, City dhe United.
“Jam i kënaqur. Ne jemi rikthyer sërish. Vazhdoj të shikoj të diferencën në mes nesh. Ne jemi 13 pikë para Arsenalit tash – është një avantazh i këndshëm”, ka thënë Redknapp
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, është i pakënaqur me Djibril Cisse pas kalimit të tij te QPR, pas një gjysmë-sezoni në kryeqytetin italian.“Jam i zhgënjyer nga Cisse. Ne po ashtu kemi biseduar në fillim të sezonit dhe i diskutuam vështirësitë në futbollin italian. Një prej arsyeve se pse ai dëshironte të largohet ishte fakti se ai mund të gjente hapësirë diku tjetër, të cilën nuk e gjen në Itali”.
“Megjithatë, ai ka dëshmuar të jetë një lojtar i madh, pasi edhe pse nuk ka shënuar, ai ka bërë tetë asistime. Ishte një vendim i mbështetur nga të gjitha palët, por ishte kërkesa e tij për t’u larguar”, ka thënë Tare.
Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, thotë se fitorja e mbrëmshme ndaj Stoke Cityt ishte një fitore e rëndësishme në garën për titull.Derisa Manchester City humbi 1-0 ndaj Evertonit, United mposhti Stoke me rezultat 2-0 në Old Trafford për t’u barazuar me blutë në maje të tabelës, secili me nga 54 pikë.
“Ishte një natë e mirë për ne, sigurisht. Por ajo me të cilën jam më së shumti i kënaqur ishte performanca jonë. Mendoj se futbolli ynë ishte i tmerrshëm. Ne ruajtëm kompozimin, ne ishim shumë të qetë. Ok, ne fituam me dy penalti, por mendoj se mënyra me të cilën luajtëm ishte më e rëndësishme”, ka thënë Alex.
Ish-sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, është i kënaqur me transferimin e tij te Cesena.“Është një vend ideal për mua për të rilansuar karrierën time. Jam i kënaqur dhe dua të tregohem diçka e rëndësishme. Mezi pres të filloj”, ka thënë Iaquinta për Tuttomercatoweb.
Ish-lojtari i Udineses nuk është paraqitur aspak për Juventusin këtë sezon dhe tash do të jetë partner i Adrian Mutu në sulmin e Cesenas.
Manchester Unitedi ka kompletuar transferimin e Frederic Veselit nga rivali Manchester City.19-vjeçari me pasaportë zvicerane kalon në Old Trafford, pasi nuk arriti ta sistemojë veten në ekipin e parë të Roberto Mancinit.
“Jam shumë i lumtur dhe është një nder të nënshkruaj për Manchester Unitedin”.
“Mezi pres të filloj, të angazhohem shumë dhe të bëj gjithçka për t’i ndihmuar skuadrës”.
“Po planifikoj t’u tregoj të gjithëve se çfarë mund të bëj në fushë”, ka thënë lojtari me prejardhje shqiptare për faqen zyrtare të Djajve të Kuq.
















